15/11/2024

Rrugë për Dukagjinin, legjitimimi i një zëri të gjëmimshëm të drejtë

0

Nga Albert Vataj

Kisha kohë që bojkotoja zëshmërinë e gjëmimshme të reagimit të masës, me me shumë arsye për të refuzura, se sa për të yshtur nevojën qytetare, për të qenë pjesë e një vullneti kryengritës, por 20 shkurtin e tubimit “Rrugë për Dukagjinin” isha në Shkodër. Me të drejtën e fjalës, zgjodha t’i bëhem pjesë kësaj nisme, jo vetëm me prezencë.

Erdhi edhe kjo ditë, past ardh e begatuar në mundësi, të protestosh për diçka që bota e qytetëruar e konsideron të tejkaluar tashmë, megjithatë realiteti është më kokfortë çdo çdo logjikim moderniteti.

Rrugë, ata duan rrugë për të komunikuar, rrugë për të qenë pjesë e tashmërisë, rrugë për t’u kthyer aty ku kanë fëmijërinë, ku kanë kujtimet, ku kanë varret e të parëve, ku duan të ndërtojnë ëndrrën e tyre.

Vetëm rrugë?!

Nevojat për kërkesa bazike, në funksion të përmirësimit cilësorë të jetës, janë thirrjet më të zëshme të së drejtës humane, legjitimuar në ligje ndërkomëbëtare dhe konventa. E megjithatë, shpirti i reagimit qytatar, e gjen ende veten në sheshe e bulevarde, për të bërë publike një shqetësim, për t’i dhënë zë e zemër një të drejte të mohuar padrejtësisht.

Të kërkosh rrugë në të sotmen e pretendimeve për të kthyer Marsin në një pikë atraksioni, në të sotmen e nanoshkencës dhe një bote që zvogëlohet nën trysninë e algoritmit, është akti më tragjikomik që mund të jetë vënë në skenë ndonjëherë, është paradoksalisht legjitimiteti i një të drejte që rreket të gjejë drejtësi duke përdorur, një nga format revolucionare të reagimit, protestën.

Edhe pse Rruga e Dukagjinit më në fund i mblodhi vullnetet dhe potencoi zërin e saj, në një kohje tensionesh dhe politizimesh, për shkak të stinës elektorale, ajo don Zoti, e shndërrohet në një pretendim interesash të dikujt, apo të disave, dhe përmbushet një ëndërr.

Të jesh skeptik, siç nuk më pëlqen të shprehem, është të jesh realist, dhe e sotmja rreket në tregues jo positiviste. Të shprehesh për një nevojë kaq jetike, për një rrugë, kundër këtij denigrimi dhe nënçmimi, ndoshta qëllimlig, është një mënyrë për të qenë syçelë dhe mendjekthellët në një realitet, i cili ka qasje të pamjfatueshme në realizmin e pritshmërive të të gjithë atyre që ngritën zërin, dhe ushqyn shpresat se që do të përftojë nismës “Dukagjni kërkon rrugë”.

E megjithatë, me rëndësi është dalja nga ngujimi i heshtjes dhe pajtimit me një gjendje të patolerueshme. Një pritje që kërkon me ngulm të marrë fund. Një prezencë që u bën me dije përgjegjësve, se ne jemi ende këtu, se ne po kërkojmë çfarë na është premtuar, dhe po mjaftohemi me fare pak, në gjithë atë pamjaftueshmëri që po gërryen deri në asgjesim normalitetin e jetës në Olimpin e Alpeve.

Sot, kur situate është alarm, sepse verilindja e Shqipërisë po shpopullohet gjithnjë e më tragjikisht, ndërtimi i një rruge është kaq pak që kërkon kjo pasuri e jashtëzakonshme e natyrës dhe historisë, traditës dhe dokeve, tharmit të identitetit tonë kombëtar.

Zëri i ngritur, shpresojmë të jetë një vullnet i mirë për t’i rikthyer Shqipërisë një copë vitale të saj, e cila po jep shpirt. Dukagjinasit, dhe unë si pjesë e tyre, kërkojmë rrugë, por atyre që ndeshen në çdoditshmërinë e atjeshme, u mungon gjithçka tjetër, e megjithatë nuk duan t’i dorëzohen ankimit dhe hekakeqjeve, që në ato anë janë të tilla, sa po marrin nën kërcënim ekzistencën.

Dukagjini i jep Shqipërisë dritë me limfën e vet, ndërsa vetë kridhet në errësirën mesjetare të pishës dhe kandilit. Ai Dukagjin i ka dhënë kësaj shqiptarie, njerëz të dijes dhe iluminimit, artit dhe shkencës, ndërsa djepi ku ata u përkundën po kalbet nën trenë që i bluan tenja dhe ikja.

Mbulimi me harrim i kësaj Shqipërie, zë në faj të gjithë ne, që nga hallkat e pushtetit lokal që emërohen nëpër dreka me mish të pjekur, deri te shtetarët e krekosur të zyrave me ajër të kondicionuar. Dikush me mohim, e dikush me heshtje, të tjerë me pushtetin e nënshtrimit e nënçmimit, neglizhent disa të tjerë, dhe anatemues jo pak, i kanë kyçur këto “malokë” në shpellën e asgjesimit, duke pritur nga një ditë në tjetrën, për dorëzim përfundimtarë.

Por kjo tokë burrash të dijes, dritës, gjakut dhe gjeneologjisë shqiptare, nuk jepet. Pesë shekuj askush nuk e vuri nën sundim këtë epos kreshnikësh, sikurse as mungesa e kësaj rruge nuk do ta dorëzojë atë.

I bashkohem kësaj nisme, “Dukagjini kërkon rrugën” si një thirrje për të rivlerësuar këtë zonë të pasur, për të kthyer dukagjinët e lavdishëm të historisë në Dukagjinin modern të integrimit, udhën e dinjitetit të saj.

Vetëm një rrugë për të bërë një ndryshim të madh,

– Për të ridimensionuar dhe prezantuar pasuritë e jashtëzakonshe të kësaj zone ende të virgjër.

– Për të futur në hartën e turizmit malor një nga magjitë e natyrës shqiptarë.

– Për ta kthyer në vëmendjen truallin e historive dhe legjendave.

– Për të kthyer në interesin publik vendin e origjinës së emblemave të historisë dhe identitetit tonë kombëtar.

– Për të shpëtuar nga asgjësimi i shpopullimit një nga vendet më të pasura.

– Për të rikurorëzuar zotërimet e Dukagjinëve zotërve të Shqipërisë verilindor.

– Kërkojmë rrugën mbi gjurmën ekzistuese qe lidhe mbi 30 fshatra, që i jep jetë një prej trevave më vitale të përkatësisë sonë kombëtare.

Nuk po kërkojmë më shumë se sa i takon banorëve të Dukagjnit, se sa meriton kjo pasuri përrallore e kësaj natyre të ashpër dhe të bukur.

Po kërkojmë rrugë prejnga do të vijë gjithçka tjetër që e rikthen në jetë një prej gjymtyrëve më vitale të trupit të Shqipërisë.

“Dukagjini kërkon rrugën” e ka marrë rrugën tashmë, atë rrugë pa kthim, atë të drejtë që më shumë se përgjegjësi politike, është ndërgjegjësim kombëtar, është kushtrim i zëshëm që del nga legjendat dhe shndërrohet në thirrje. Politika dhe qeveria, pushtetet gjithashtu, duhet t’i vënë veshin këtij zëri qytetar, i cili paqësisht dhe me maturi bëri prezent një shqetësim kaq jetik. Të kërkosh rrugë nuk është vetëm një e drejtë, por vetë legjitimja e detyrës, që u’a ngarkojmë atyre që vazhdojnë ta kenë Dukagjinin në hartën elektorale, pa i lejuar atij që të jetë njëherash një premisë pretenduese e turizmit malor. Ata që sot kërkojnë rrugë, nesër do të kenë në duar një votë. Politika le të guxojë, t’u kërkojë çfarë duhet t’u japi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok