22/01/2025

RRUGA DREJT HESHTJES POETIKE

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Orët e mbrëmjes” e Ilirian Zhupës shtjellon ndjenjën e ndarjes mes dy individëve dikur të lidhur në marrëdhënie emocionale, duke ruajtur një hije misteri mbi arsyet e ndarjes. Heroi lirik shfaqet në një gjendje të trazuar shpirtë  -rore, ndërsa përjeton vetminë dhe mallin në mënyrë të heshtur e introspe-ktive. Përsëritja e pyetjes së tij “po ç’kohë është atje?” pasqyron përpjekjen për të ringritur ura lidhjeje shpirtërore përmes reflektimit dhe kujtesës, duke ruajtur gjallë dashurinë dhe mallëngjimin në botën e tij të brendshme. Simbolet e mbrëmjes, natës dhe heshtjes shërbejnë si metafora të ndjenjave të thella dhe komplekse, duke krijuar një atmosferë ku melankolia dhe reflektimi ndërthuren me ndjeshmërinë poetike.

Forma e jashtme e poezisë të jep përshtypjen e një bashkëbisedimi të heshtur, dhe çdo varg duket si një plagë që dhemb. Ngrohtësia dhe përmallimi që derdhen në vargje krijojnë ndjesinë se ky dialog zhvillohet “ndërmjet” dy të dashuruarve, të ndarë, por të lidhur ende në nivel shpirtëror. Megjithatë, mungesa e dialogu të mirëfilltë tregon se kjo është një bisedë intime e heroit me veten, një rrëfim i brendshëm ku personi i dashuri është prani e pashlye-shme në botën shpirtërore të ij, dhe zë vend të rëndësishëm si kujtim apo reflektim mbi një lidhje të pazgjidhshme. Poezia përcjell fuqinë e ndjenjave që triumfojnë mbi kohën dhe distancën, duke lënë të kuptohet se një dashuri e tillë mbijeton në kujtime, në harmoni të përhershme të ndjenjës.

I- Pyetja e parë që mund të “bëhet” është: pse poeti ka ruajtur anonimatin e heroit të tij në aspektin gjinor dhe ja le lexuesit ta interpretojë?  Poeti  ka ruajtur anonimatin e heroit së pari: për të ruajtur universalitetin e poezisë dhe së dyti: për t’i dhënë hapësirë lexuesit në interpretime të shumta.

Anonimizimi gjinor i heroit krijon një efekt abstrakt: lidhja emocionale, mallë-ngjimi dhe intimiteti nuk kufizohen nga identitete specifike gjinore, por perce-ptohen si përvoja universale njerëzore. Kështu anonimizim i heroit shërben që fokusi të mos jetë te individi, por te ndjenja dhe përjetimi, duke e ngritur poezinë në nivel simbolik dhe duke i dhënë rezonancë më të gjerë shpirtërore. Sigurisht që i jep mundësi lexuesit për të zotëruar hapësirën, për ta bërë poezinë më personale, pasi mund ta lexojë nga këndvështrimi i vet, duke ndjerë se ajo flet drejtpërdrejt për të ose për ndonjë marrëdhënie të tij.

E parë në këtë këndvështrim, nuk është gabim interpretimi (ynë) që heroi të jetë poeti, pra një djalë, por njëkohësisht nuk përjashtohet e drejta e dikujt tjetër për ta parë heroin si një vajzë. Pikërisht kjo hapësirë interpretimi është në vetvete një nga vlerat artistike të poezisë, pse nuk kufizohet në një identitet, por fton lexuesin të ndërtojë përvojën e vet të leximit. Është pikërisht kjo hapje e mundësive interpretatative që përforcon universalitetin e ndjenjave të shfaqura, duke e bërë poeziznë të prekshme për këdo që përjeton dashuri, mall, apo nevojën për lidhje shpirtërore. Heroi apo heroina mund të jetë çdokush që përjeton këtë ndarje dhe kërkon një pikë lidhjeje përtej distancës fizike dhe kohore.

II- Në këtë poezi, ekziston mundësia që heroi të mos bashkëbisedojë drejtpë-rdrejt me një person të dashur, qoftë dhe nëpërmjet distancës, por të jetë në bisedim me ndjenjat e tij të brendshme, ku ai ruan kujtimin e personit, me të cilin është ndarë. Kjo qasje përforcon dimensionin introspektiv të poezisë, duke e bërë atë një reflektim mbi dashurinë dhe vetëdijen.

Në këtë kontekst vargjet “Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej” mund të lexohen si dialog i brendshëm i heroit, ku fjalët dhe ëndrrat janë përfytyrime që mbajnë gjallë lidhjen me personin e dashur, të ndarë fizikisht, apo juridikisht për jo shpirtërisht. Ky bashkëbisedim i brendshëm e bën atë të pranishëm në mënyrë simbolike, dhe e shndrron në pjesë të botës së tij shpirtë rore. Atëherë dhe përsëritja e pyetjes “po ç’kohë është atje” interpretohet si përpjekje e heroit për të ndier dhe krijuar afërsi me ndjenjat e tij, duke kërkuar një lidhje me atë që ka humbur. Kjo pyetje, e cila tingëllon si thirrje e heshtur, reflekton ankthin dhe dëshirën e tij për të mbajtur të gjallë kujtimin e një dashurie të kaluar. Dhe vargu “Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje” tregon një moment meditativ, ku heshtja përfaqëson më tepër vetminë e heroit se sa  ndalimin e komunikimit, dhe i jep hapësirë dialogut të brendshëm. Kjo heshtje mbart peshën e  kujtimeve, dhe e lidh heron me një dimension emocional të përjetshëm. Përmes këtij interpretimi, poezia merr kuptim tjetër: nuk është vetëm dialog me një të dashur të larguar fizikisht, por edhe një reflektim mbi dashurinë që jeton brenda shpirtit të heroit, pavarësisht rrethanave të jashtme. Pikërisht kjo ndjenjë e brendshme e bën poezinë universale.

III-Në poezi bashkbisedimi bëhet  në mbrëmje dhe natën kohë kur njeriu nis e mediton, bisedon me veten e tij, me botën e tij të brendëshme. Kjo është një pikë e rëndësishme që thekson dimensionin introspektiv të poezisë. Mbrëmja është një kohë e natyrshme për meditim dhe reflektim, dhe zgjedhja e saj si momenti kur heroi bisedon me veten shërben të theksojë  thellësisë shpirtëro -re. Mbrëmjeve dhe netëve (të gjata të dimrit) ndodhin shpesh përballjet e brendshme me mendimet dhe ndjenjat që janë të fshehura gjatë ditës, kur njeriu është më i angazhuar me aktivitetet e jashtme.

Në këtë kuptim, poezia e Zhupës fiton një natyrë introspektive. Poeti përdor mbrëmjen si kohë simbolike që i mundëson të përballet me vetveten dhe të bëjë pyetje ekzistenciale që kanë të bëjnë me koherencën e jetës dhe vdekjes. Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere të brendshme, ku pyetjet dhe pasigu-ria që shoqërojnë jetën bëhen më të dukshme dhe më të qarta. Në vargjet e poezisë:”Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje” dhe”Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje“poeti bisedon me vetveten, përballë një kohë të brendshme, ku ai përpiqet të kuptojë ku ndodhen realitetet e tij shpirtërore dhe ekziste-nciale, dhe ku ka hapësirë për meditime dhe analize. Mbrëmja dhe nata si kohë simbolizojnë një periudhë që është pa aktivitet në botën e jashtme, duke i dhënë mundësinë poetit të reflektojë mbi atë që është “atje“: koha që është kaluar, ajo që është e humbur dhe ajo që mbetet ende pa u kuptuar. Ky bashkë -bisedim me veten është i rëndësishëm sepse e shndron poezinë në akt refle-ktimi dhe shprehje të brendshme që shkon përtej thjeshtësisë së jashtme, dhe hap një dimension filozofik dhe emocional.

IV-Duke marrë shkas nga hamendësimi i mësipërm po shtojmë pyetjen tjetër se: si do ishte situate poetike nqse personi i dashur, të cilit i drejtohet heroi, të jetë një person i vdekur? Në kulturën shqiptare është i njohur rituali i bashkbi-sedimit me të vdekurin, kryesisht në vizita në varreza,psh: “Ku ke rënë moj trëndelinë/Pse s’kujton mua të zinë/Të kujtoj e qajme lot/Po jam thellë e nuk dal dot”. Kushdo që ka  në varreza gruan, burin, të dashurën apo fëmijën e njeh dhe e ka përjetuar këtë formë bashkbisedimi, e di peshën e madhe shpirtërore që të ul në gjunjë pranë varrit për të nisur bisedën, e njeh lehtësimin shpirtëror që përfiton pas tij. Ajo që dua të them është se një poet që ndërton një poezi me temë dhe përsosmëri artistike të tillë, ai ka përjetuar dhimbje të mëdha, të cilat i ka shndruar në art poetik të nivelit të epërm. Në mos gaboj ju kam folur për origjinën e Zhupës nga treva e Bregdetit ku doket zakonore rruhen edhe nëpërmjet këngëve dhe ku ritet mortore e ligjërimet vajtimore janë një pasuri rrezëllitëse poetike, dhe që ne, bijtë e kësaj  treve i kemi pjesë të zakonëshme të fjalorit të përditshëm. Sigurisht që kjo trashëgimi i shton dhe një dimension tjetër poetikës së Zhupës.

Por le të kthehemi te një vizitë në varreza, fjalët e poezisë: “Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje/ Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” janë mot a mo fjalë bashkbisedimi që bëjnë, kryesisht gjyshet dhe prindërit me bijtë e nipërit e tyre të ndjerë gjatë  vizitave në varreza, prandaj na duken të njohura e të dëgjuara. Referenca e poezisë ndaj “jetëve” dhe “vdekjeve”, ”tutje”,  “tej” nënkupton se heroi përpiqet të komunikojë me një të dashur që nuk është e pranishme fizikisht në këtë jetë, por që vazhdon të ekzistojë në një dimension shpirtëror.  Në këtë rast, poezia merr përmasa më të thella dhe më universale, duke trajtuar lidhjen shpirtërore në tejkalim të kufijve të jetës dhe vdekjes. Ky interpretim shton dimensionin metafizik në poezi, duke e bërë atë një reflektim mbi përjetësinë e dashurisë. Janë vargjet “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” ato që krijojnë një aludim të qartë për një lidhje në hapë-sirën  midis jetës dhe vdekjes.

Duke vijuar mendimin e shprehur më sipër, themi se përsëritja e pyetjes “po ç’kohë është atje” merr një tjetër kuptim në këtë kontekst. Kjo pyetje mund të shihet si një përpjekje për të kuptuar dimensionin e përtejë jetës ku ndodhet personi i dashur. Pyetja nuk është thjesht për hapësirën fizike, por për gjendjen e një bote të padukshme dhe misterioze. Vargu “Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje” simbolizon ndjenjën e vetmisë dhe mungesës së përgjigjes nga ana e personit të dashur, e cila është heshtje absolute. Duhet të themi se në këtë rast, heshtja nuk shkatërron lidhjen, por e bën atë më intime, një dialog të brendshëm që ndodh në botën shpirtërore të heroit. Nëse personi i dashur është i vdekur, poezia kalon nga thjeshtësi e mallëngjimit në poezi meditimi mbi ekzistencën, dashurinë dhe përjetësinë. Si tekst vargu është i ngjashëm me fjalët që nënat dhe gjyshet pëshpërisin apo vajtojnë mbi varrin ku prehet biri apo nipi, në formën ligjërimore: “A të dhembin plagët biro, a ke ftohtë aty, a të lag shiu. Dil pak se do rrijë nëna aty për ty” etj.

Ky aspekt gjen mbështetje dhe te tonaliteti i ulët i poezisë dhe melodiciteti i dhimbshëm i saj, por më shumë vlen të themi se kjo përmasë i jep poezisë rezonancë më të gjerë, duke i lejuar lexuesit të përjetojnë ndjenjën e humbjes në mënyrë personale dhe emocionale, përmes fjalëve të thjeshta, por të ngarkuara simbolikisht. Sigurisht që dëshirojmë që ky hamendësim i yni të jetë i gabuar, por dhimbja e madhe që përmban poezia nuk na le ta përjashtojmë si mundësi, ndonëse do vijojmë analizën në interpretimin e idilit në distancë të heroit poetik dhe të dashurës së tij të larguar.

V- Kjo poezi introspektive e Ilirian Zhupës ka një strukturë tepër interesante që nuk haset në poezinë shqipe, si dhe ndihmon në forcimin e mesazhit që poeti dëshiron të përcjellë. Poezia ka një ndërtim të qartë e të përsëritur sikur këmbngul në idenë e pritjes së përgjigjeje, duke krijuar një atmosferë meditimi dhe introspektive. Le të shohim disa aspekte të ndërtimit të vargut dhe strukturës së poezisë:

Poezia ka tre strofa dhe çdo strofë ka një strukturë të përsëritur trevargore, ku vargu i parë dhe i tretë janë të njëjtët, dhe përsëritja krijon një ritëm të fortë dhe  lidhje me kohën e hapësirën, që është tema kryesore e poezisë. Përsëritja vargjeve shërben për të theksuar idenë e kohës që është atje, ku ndodhet e dashura që mungon, pra në një realitet të paqartë dhe të largët: “Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje“. Ky varg, i përsëritur nënkupton një dyshim apo merak që ka heroi për situatën ku ndodhet personi tjetër, duke  sjellur ndjesinë e padurimit dhe meraku të madh. Vargu i dytë i secilës strofë është struktura-lisht i njëjtë, por me një ndryshim në një ose dy fjalë:, psh: “Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej” te strofa e parë, “Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej” te strofa e dytë dhe “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” te strofa e tretë. Kjo mënyrë shërben jo vetëm për të ruajtur një ritëm dhe harmoni ndërmjet vargjeve, por edhe për të theksuar ndryshimin që ndodh në çdo moment të poezisë. Kështu, poeti krijon përputhje të strukturës ndërkohë që sjell variacione në përmbajtjen, pse u jep vargjeve efekt të përsëritur, të freskët dhe me kuptime të ndryshme madje dhe me vlerën e një njësie matjeje, kur shprehet: “Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej”.

VI-Pyetja:”Po ç’kohë është atje?” është pikë e rëndësishme që thekson dimensi-onin filozofik dhe emocional të  poezisë. Ky pyetje nuk është e lidhur me motin apo kohën në sensin e zakonshëm, por ka kuptim më të thellë e më të brendë-shëm, pasqyron përpjekjen e heroit poetik për të kuptuar kohën shpirtërore dhe distancën emocionuese nga personi i dashur. Gjithashtu duhet të themi në lidhje me këtë pyetje se: për heroin, poezia flet për një kohë që nuk matet me orë apo minuta, pse është kohë shpirtërore e lidhur me përjetimet personale, dhe distancën shpirtërore. Poeti po përpiqet të kuptojë se si të përjetojë kohën që ndan atë nga e dashura, duke u fokusuar në atë se çfarë ndodh atje, dhe si ndryshon jeta dhe shpirtërimi i saj në mungesën e tij, e shprehur më thjeshtë ai do të dijë si funksionon bota “atje tej”.

Te vargjet:”Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje,/Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej.“poeti kryen një reflektim të brendshëm mbi kohezionin shpirtë-ror me të dashurën, ku ëndrrat dhe fjalët ndodhen po ashtu në një distancë të paqartë. Përsëritja e pyetjes “po ç’kohë është atje?” na ndihmon të kuptojmë që kjo kohë është ndjesi. E rëndësishme është të ndjehet se pyetja “po ç’kohë është atje?” nuk kërkon përgjigje për kohën natyrore, por është  shprehje e pasigurisë shpirtërore, një kërkim për të kuptuar se si është ndërtuar koha pa praninë e tij te e dashura. Në kuptimin literal kjo pyetje  ka qasje me një varg vajtimor të viseve të mia që thotë:  “Qysh do ma kalosh beharë/Pa motër e vëlla pranë/ Xhan o shpirt e shpirt o djalë”.

Sigurisht që mund të hamendësojmë se pyetja ka të bëjë psh. me konceptin “kohë vdekjesh” psh nga epidemia, nga lufta, apo kohë dasmash, kohë lindjesh etj. Ky  mund të jetë interpretim i mundshëm dhe shumë i vlefshëm i pyetjes “po ç’kohë është atje?”. Në këtë kuadër, poezia mund të bëjë një ndarje të dy kohrave të ndryshme, kohë të jetës dhe  kohë të vdekjes. Në vend që të kërko-jë një informacion të zakonshëm mbi kohën e një vendi të caktuar, poeti mund të jetë duke pyetur për një kohë të ndryshuar nga ndodhitë historike, shoqëro-re apo ekzistenciale si lufta, epidemitë, ose periudhat e gëzimit si dasmat dhe lindjet etj.. Janë pikërisht vargjet: “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej” në të cilat poeti sjell në kujtesë dy dimensione të kohës: njëra që është e lidhur me jetën, siç janë momente të bukura si dasmat dhe lindjet, dhe tjetra që përmban vdekjet, të shkaktuara nga luftërat, epidemitë ose tragjeditë shoqë-rore. Kjo ndarje mes dy kohrave (jeta dhe vdekja) tregon një kontrast mes periudhave të jetës dhe periudhave të krizave ekzistenciale, ku jetët dhe vdekjet nuk janë thjesht ngjarje të natyrshme, por janë të lidhura me një kohë që ka ndryshuar për shkak të ngjarjeve të rënda. Në këtë kontekst, poeti, duke e bërë këtë pyetje, mund të shprehë frikën, dyshimin dhe shqetësimin për çfarë ka mbetur nga koha e tij pas përjetimit të tragjedive..

VII-Është interesante fakti se poezia “Orëve të mbrëmjes” e Zhupës shfaq me një thjeshtësi madhështore relativitetin e kohës dhe largësitë që ekzistojnë mes individëve njerëzorë. Në vargjet e saj të përsëritura, poeti ngre pyetjen universale mbi mënyrën se si koha përjetohet ndryshe nga heroi dhe e dashura e tij, të cilët, ndonëse fizikisht (mund të jenë) pranë, ndodhen në hapësira të largëta shpirtërore. Koha këtu nuk është njësi e matshme, por një enigmë që merr formë nga ndjenja dhe vetmia.

  1. Në poezi, autori sugjeron se koha perceptohet ndryshe nga dy individët, që fizikisht mund të ndodhen afër(“dy-tri rrugë më tutje”), por realisht janë shumë larg në përjetime dhe ndjeshmëri. Pyetja e përsëritur “Po ç’kohë është atje?” shfaq dyshimin mbi egzistencën e një kohe të përbashkët. Në këtë aspekt shpaloset ideja se koha është përvojë personale, që ndriçon ose errëson shpirtin në mënyrë të pavarur nga realiteti fizik. Në një kontekst filozofik, kjo ide përputhet me relativitetin kohor të Einsteinit, ku koha nuk është absolute, por varet nga pozicioni dhe përvoja e vëzhguesit. Në përrallat dhe mitet tona (“Një ditë atje tejë ishte sa një vit këtu te ne”),koha zgjerohet apo tkurret në varësi të hapësirës e përjetimit individual, duke krijuar një metaforë për vetminë dhe lidhjet mes njerëzve.
  2. Tri momentet kryesore të poezisë: “mbrëmja”, “nata”dhe“heshtja”, nuk janë thjesht ndarje të ditës, por stade emocionale e ekzistenciale që shfaqin largësinë njerëzore. Në këtë aspekt,mbrëmja simbolizon fillimin e një ndarje. Ndërsa bie mbi heroin, ajo paralajmëron heshtjen që do pasojë dhe ngritjen e distancave të padukshme. “Nata” është një hapësirë e fshehur midis ëndrrës dhe realitetit, ku koha përthyhet e tkurret. Për atë që është “dy-tri fjalë më tej,” nata mund të jetë një harrim. Dhe “heshtja”, që mbyll ciklin, është kulmi i ndarjes ekzistenciale. Kjo heshtje nuk është thjeshstë mungesë zëri, por e mundësisë për të ndarë një botë të përbashkët. Në të, edhe jeta dhe vdekja duken si dy rrugë të paarsyeshme që ndodhin paralelisht, por nuk bashkohen kurrë.
  3. Në poezi Zhupa e trajton kohën jo si kronologji të ngurtë, por si përvojë rela-tive, ku hapësirat dhe ndjenjat e shndërrojnë atë në diçka të ndryshme për çdo qenie. Pyetja “Po ç’kohë është atje?”ngre një dyshimin filozofik mbi mundësinë e një kohe universale: nëse për heroin është mbrëmje, për tjetrin mund të jetë mëngjes, apo edhe një vit i largët në të shkuarën a të ardhmen. Kjo përplasje kujton relativitetin filozofik të përrallave, ku një ditë në një botë tjetër përjeto-het si një vit në tonën, një botë e tërhequr midis realitetit dhe iluzionit.

ç. Dukuria e kohës si përvojë subjektive lidhet me ndarjen që ekziston mes dy individëve: njëri përjeton mbrëmjen, ndërsa tjetri ndodhet jashtë këtij rrethimi kohor. Kjo ide përmban një melankoli të thellë dhe një kritikë ekzistenciale ndaj paaftësisë së njerëzve për të ndarë përvojën e njëjtë. Relativiteti i përjetimit kohor shërben si metaforë për ndarjet e mëdha që ekzistojnë midis njerëzve: ndarje emocionale, shpirtërore, apo kulturore. Dy-tre rrugë, fjalë, ëndrra apo jetë nuk janë thjesht masa të vogla largësie,ato  janë simbole të kësaj distance të pakapshme. Poezia na thotë se afërsia fizike nuk tregon përbashkësinë shpirtërore.

E lexuar në këtë kontekst ndjejmë se poezia “Orëve të mbrëmjes” është një poezi e heshtur në fjalë, por e zhurmshme në filozofinë e saj. Relativiteti i kohës shndërrohet në metaforë për vetminë dhe ndarjen , duke na kujtuar se koha dhe hapësira nuk janë njësi matëse, por dimensione ndjenjash të thella. Në këtë aspekt ndjejmë se Zhupa na lë me pyetjen e pakapshme: a mundet koha e dy qenieve të bashkohet ndonjëherë, apo secili prej nesh mbetet në mbrëmjen e vet të pashpallur?

VIII-Në krijimin “Orët e mbrëmjes” të Zhupës, tensioni poetik rritet në mënyrë graduale nga strofa në strofë,si pasojë e përdorimit të përsëritjeve, ritmit dhe zgjerimit të kuptimit  vargor. Për pasojë ky progres rrit intensitetin emocional e filozofik të poezisë, duke çuar lexuesin nga një përjetim i përditshëm drejt reflektimit të thellë mbi kohën dhe ekzistencën. Le ti shohim konkretisht sipas strofave:

a.Në strofën e parë, vargjet shfaqin një situatë të zakonshme, momentin e rënies së  mbrëmjes, një fenomen i zakonshëm natyror. Përsëritja e vargut “Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje” krijon një ritëm të qetë, por shfaq dhe një dyshim fillestar mbi ndryshueshmërinë e kohës dhe hapësirës. Pyetja “ç’kohë është atje”  të ndez një ndjenjë distance dhe misteri më shumë se një kurozitet. Formulimi i pyetjes u ngjan shumë pyetjeve të prindërve që i kanë fëmijët psh mnë një eskursion në një qytet tjetër, interesimi i tyre nuk ka të bëjë literalisht më kohën shi apo diell, por me situatën që përjetojnë fëmijët aty dmth kanë ftohtë, janë lagur apo jo.

b.Në strofën e dytë, intensiteti poetik rritet me kalimin nga “mbrëmja” në “nata.” Termi “mbrëmja” lidhet shpesh me diçka të bukur, një shëtitje në bulevradin e qytetit në mbrëmje etj, por termi “nata” ka tjetër konotacion, ai lidhet me diçka të errët dhe me rreziqe të mundëshme etj.Vargu”Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej” shton një shtresë emocionale dhe simbolike. “Fjalët” dhe “ëndrrat” përfaqësojnë intimitet, dëshira dhe komunikim të paplo-të,  rrit ndjesinë e mungesës dhe të ndarjes, (nata është koha e gjumit jo e bisedave). Përsëritja e vargut pyetës thellon shqetësimin mbi atë që ndodh “atje” duke e shfaqur dukshëm pasigurinë dhe dyshimin.

  1. Poezia arrin kulmin në strofën e tretë, ku“heshtja”dhe “nata” marrin kupti-me ekzistenciale, tyë cilat nuk na qetësojnë. Vargu: “Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej”  zgjeron kuptimin e poezisë drejt reflektimit mbi jetën dhe vdekjen, dhe e vendos lexuesin përballë pyetjeve të ekzistencës. Është heshtja ajo që shndrohet në simbol i përfundimit të bashkbisedimit dhe i mungesës absolute dhe përsëritja e pyetjes tashmë nuk është vetëm një kuriozitet, por shndrohet në një thirrje për të kuptuar kohën dhe përtej saj.

Pra, në thelb përmes përsëritjeve dhe përshkallëzimit nga “mbrëmja”, në “natë” dhe më pas në “heshtje”, Zhupa krijon një tension mbi kontrastin mes të njohurës dhe të panjohurës, mes afërsisë dhe largësisë. Është një strukturë poetike që rrit jo vetëm ritmin emocional të poezisë, por edhe reflektimin filozofik, duke e bërë lexuesin të ndiejë peshën e kohës dhe misterin e saj në çdo strofë.

IX- Në poezinë e Zhupës, figurat artistike janë të pakta në numër, por të janë nga ato figura që u ngjajnë gurëve të themelit në fillimin e një ndërtese, këtu për ndërtimin e strukturës poetike dhe shprehjen e thellësive emocionale e filozofike. Le ti analizojmë figurat artistike dhe ndikimin e tyre në efektin poetik.

  1. Në poezinë e Zhupës, “koha” dhe “heshtja”janë dy simbole që lidhen me realitetin shpirtëror dhe ekzistencial të poetit. Mbrëmja dhe nata janë jo vetëm kohë ditore, por kryesisht janë simbole të reflektimit, të meditimit dhe kalimit të kohës. Kjo kohë natyrore i jep mundësinë poetit të meditojë për jetën dhe vdekjen sit e vargjet”Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje”. “Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje” “Mbrëmja”dhe “nata” simbolizojnë një kohë të brendshme, një periudhë introspektive, ku koha nuk matet me orë dhe minuta, por me pasiguri dhe meditime. Koha “atje” bëhet një simbol i misterit dhe distancës shpirtërore që poetët shpesh e eksplorojnë.

2.Metaforat përdoren në poezi për të ndërlidhur konceptet e jetës dhe vde-kjes , gjithashtu për të shfaqur pasigurinë dhe ndjeshmërinë shpirtërore të poetit si te vargu:”Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej.” ku , “jetë” dhe “vdekje” janë përdorur si metafora që përfaqësojnë të kundërta ekzistenciale: kalimi nga një jetë plot bukuri dhe shpresë në një vdekje që përfaqëson fundin e mundësive dhe sfidave. Ky përdorim i jetës dhe vdekjes si njësi krahasuese bën që lexuesi të reflektojë për kalimin e kohës dhe ndikimin e saj në qenien njerëzore.

  1. Një tjetër figurë e dukshme janë imazhet që krijohen përmes përdorimit të fjalëve që e zbulojnë gjendjen shpirtërore të poetit. Fjalët “dy-tri” përdoren për të përshkruar distancat shpirtërore e fizike që ndodhen mes poetit e personit të dashur.”Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej.”Ky është një imazh shumë i fuqishëm dhe estetik, na tregon se: edhe pse ka një distancë fizike, ajo nuk është pengesë. Poezia luan me ndjeshmërinë, përfytyrimin dhe përdorimin e numrave që nuk janë absolutë, por përçojnë një ide të distancës shpirtërore.
  2. Personifikimi i kohësështë një tjetër figurë interesante. Në poezi, koha ka një veprim të qartë dhe natyrë që është shumë më tepër se thjesht një kalim orësh. Ajo shndrohet në një entitet që poeti mund ta ndiejë dhe me të cilin mund të bisedojë. “Po ç’kohë është atje?” Këtu ky personifikim e bën kohën të duket si  person i gjallë që mund të kuptohet dhe që ka një formë për të komu-nikuar me poetin. Pyetja “po ç’kohë është atje” është një mënyrë që poeti përdor për të dhënë peshë dhe agjencë një koncepti të përditshëm, siç është koha.

X-Nuk mund të rrija pa përmendur faktin se kjo poezi shquhet për minima-lizmin e fjalëve, dukuri që shfaqet si mjet i fuqishëm artistik për të përqendru-ar thelbin emocional e filozofik të vargjeve. Struktura e thjeshtë dhe përsëritja e pyetjes “po ç’kohë është atje?” krijojnë një ritëm të qëndrueshëm, duke e kthyer poezinë në një reflektim të ngjeshur mbi ndarjen, kohën dhe lidhjen njerëzore. Poezia nuk përdor përshkrime të gjata apo të detajuara, ajo mbë-shtetet në simbolika të përmbledhura si “mbrëmja”, “nata” dhe “heshtja”, qësi një urë e ngritur mbi tri këmbë. Këto elemente të thjeshta përçojnë një gamë ndjenjash,shmangin teprinë e fjalëve, dhe lënë hapësirë interpretimi subjektiv të lexuesit.

Minimalizmi vihet re dhe me përdorimin e një gjuhe të thjeshtë e të drejtpër-drejtë, ku çdo fjalë ka peshë dhe qëllim. Kjo thjeshtësi shërben për të theksuar ndjenjat e heroit lirik, duke mos e mbingarkuar mesazhin me detaje të panevo-jshme, por duke e mbajtur të pastër dhe emocionalisht të fuqishëm. Në këtë mënyrë, Zhupa arrin të krijojë një poezi që është njëkohësisht e thjeshtë në formë dhe e pasur në përmbajtje.

Në thelb, poezia “Orët e mbrëmjes” shquhet për ndërtimin e saj të thjeshtë në formë,me një përdorim minimalist të fjalëve, duke krijuar dialog mes kohës, hapësirës dhe ekzistencës.Me gurë të thjeshtë ai ka ndërtuar një kështjellë poetike sa të bukur aq dhe të fortë. Mjeshtërisht përmes përsëritjeve ritmike të pyetjeve që nuk (presin) marrin përgjigje dhe zhvillimit gradual të tensionit poetik, Zhupa na fton të reflektojmë mbi relativitetin e përjetimit dhe misterit njerëzor që qëndron përtej së njohurës. Kjo poezia me thjeshtësinë e saj  kapërcen përditshmërinë dhe shndrrohet në meditim filozofik dhe ekzistencial. Vlera e kësaj poezie qëndron në universalitetin e saj, ndërsa vetë Zhupa shfaqet si një poet i aftë të shpreh përjetime të thella me finesë artistike që e bën poezinë e tij të paharrueshme dhe konkuruese në poezinë europiane..

Sarandë, më Janar 2025

ORËVE TË MBREMJES

Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje,

Dy-tri rrugë më tutje, dy-tri sheshe më tej.

Këtu po bie mbrëmja, po ç’kohë është atje?

Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje,

Dy-tri fjalë më tutje, dy-tri ëndrra më tej.

Këtu po bie nata, po ç’kohë është atje?

Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje,

Dy-tri jetë më tutje, dy-tri vdekje më tej.

Këtu po bie heshtja, po ç’kohë është atje

f.16

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok