22/12/2024

RRËNJË DHE LIBRA SI NJË E ZAKONSHME NË RRUGË…

0
u6_Zhiti-Libra2

Nga Visar Zhiti

Në qytetin e madh, në një shëtitje të zakonshme pa asnjë qëllim, pa hyrë në ndonjë muzeum a ekspozitë a librari, as në bare e parqe, teksa vazhdon të ecësh mes njerëzve të shumtë, ku nuk njeh asnjërin, përveç një pjese të statujave, ndodh të të tërheqë vëmendjen diçka që është e zakonshme, por që e thyen të zakonshmen, ngjan me artin dhe ashtu është, si një fletë romani dhe pse nuk është e tillë.

Një pasdite vere në Chicago, diku ndanë kullave të larta, që arrijnë qiellin dhe shqip quhen aq bukur: rrokaqiej, më befasoi një pemë me rrënjë të dala jashtë dhe s’ishte skulpturë, jo, por copëz e vërtetë natyre.

Mua, si një i larguar, m’u duk sikur ato rrënjë bërtitën, u bërtinën dhe atyre që nuk i dëgjonin e vazhdonin të ecnin. Unë ndala, Eda ime po bënte fotot. Po kundroja rrënjët si vepër arti. Dhe ti je pemë, më thanë në heshtje, ke rrënjë, ecin si këmbët – rrënjë që shkulen, por rrënjët e mëdha, të pashkulshmet, janë brenda teje, në kujtesë e shpirt, në mendime e vepra. Dhe m’u kujtua se shqiptarët në Itali nxjerrin një revistë me emrin kuptimplotë, “Rrenjët”, ndërsa një poet që e dua, Sadik Bejko, ka një libër me poezi me titullin metaforik “Rrënjët”, botuar gjysmë shekulli më parë, kur sundonte Realizmi Socialist dhe pikërisht rrënjët e jetës kishin ngrirë në dimrin e diktaturës shqiptare…

Klasat e shkollës ishin të ftohta, mësuesi po bënte apelin, thirriste emrat e nxënësve me radhë.

– Rrënja- tha dhe ndali. Ashtu e ke emrin vërtet? – e pyeti. – E kujt je? – Vajza e vogël u skuq dhe po përgjigjej, ishte nga Korreshët, pa e kuptuar se ç’kishte për t’u habitur. Po mẽsuesi ynë ishte dhe poet, Faslli Haliti, unë më vonë do ta kuptoja pse ai ndali, nuk e vazhdoi apelin dhe po na fliste për bukurinë dhe rëndësinë e këtij emri. Unë s’e di ku është shoqja e klasës tani, çfarë bëri ajo në jetë, s’e kam parë më, por po shikoja rrënjë e një peme në Chicago, përhapeshin mbi tokë si gërsheta, si gjarpërinj.

Ka dhe gjarpërinj shtëpie, që jo vetëm nëpër bestytnira sjellin mirë.  Ka dhe rrënjëdalë, ah, dhe rrënjëshkulur, rrënjëprerë, rrënjëhelmuar… dhe ndjeva dhimbje në këmbë. Nuk ka pa rrënjë, jo!

Po që udhëtojnë dhe pemët, me anije, vazo lulesh në avione, mërgojnë pyje si njerëzit…

Ndërsa dje, teksa dilnim nga një kishë tjetër nga mesha e së dielës, pashë se disa nga pemët në trotuarin e gjerë ishin rrethuar me libra si me tulla me ngjyra. M’u dukën të vërtetë dhe u ula t’i shoh, Eda ime më fotografonte. Preka titujt e librave. si të sajuar ishin, por më tronditi idea se mos ishin statuja të librit ashtu siç u bëhen heronjve, të rënëve. Se mos ka ardhur koha e rënies së librit?! Dhe ka statuja librash nëpër metropole me emra të gdhendur: Homer, Eskil, Dante, Shakespeare, Servantes, Goethe, Whitman, Dostoevsky, Camus, Kafka… lartësohen obeliskët, duket sikur ia kalojnë njeriut… ka dhe panteonë me libra, të ndaluar madje. Ka patur kohëra që në biblioteka i mbanin librat të lidhur me zinxhirë, që të mos i rrëmbenin. Dhe erdhën kohë më moderne, që ato zinxhirë ua vunë autorëve, dënonin poetë, shkrimtarë, edhe lexues madje. Kanë dënuar dhe libra, me zjarr, me ndalime, me heshtje…

Sa pak po lexon dhe ti, qortova veten, mbete me celular në dorë, në kompjuter, duke mos bërë asgjë. Vetëdënim është dhe kjo. Dhe sa e vështirë është asgjëja!

Po jo, nuk është plotësisht ashtu, ata libra në rrugë, jo vetëm si skulptura, por dhe të vërtetë, m’u ndërmendën dhe trotuaret e Tiranës time, plot me libra që shiten, të çdo lloji, gjen Biblën dhe Kuranin, që s’lejoheshin, tani është dhe Naimi i plotë, Konica, At’ Fishta, Haxhiademi, që s’ishin, – janë si rrënjët ata, ja, dhe poetët e pushkatuar, – degë të prera, lulëzuan, shkrimtarë të burgosur, librat e tyre – copa lirie, libra rresht mbi urë si një urë tjetër, kam gjetur dhe nga të mitë me autograf, libra, libra të hedhur… mos duan të na thonë se teksa ecni, ngado që të shkoni, libra do të keni nëpër këmbë, jo, duhen nëpër kokë, pa ato nuk arrini asgjëkuni, në ëndrra, te e nesërmja, libri është si rrënjët vërtet, po brenda nesh, pyll është njerëzimi, po mendoja ngulmueshëm, ja, krahët – degët që rriten që hapen për dritën, si për të përqafuar botën të gjithë ashtu si dashuritë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok