30/12/2024

Rracizmi anti-shqiptar i Aleksandër Vuçiç i mbështetur nga rilindasit e Tiranës!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një debati me politikanë autokratë të Europës në Budapest, e ka quajtur Albin Kurtin “qibritxhi”! Me siguri ka dashur të thotë se luan lojën e tre qibritëve, ku në njërën prej tyre fshihet një kokërr. Por kjo është loja e njerëzve, që Vuçiç i konsideron si të dorës së tretë. Pa dashur të fyej askënd, në mendjen e Vuçiç Albin Kurti është “jevg”, “rom”,  e gjithçka tjetër, përveçse europian dhe lider modern jo.

Duket se në personin e Vuçiç rritet dhe zhvillohet instikti dhe subkoshienca e urrejtjes dhe hakmarrjes ndaj shqiptareve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sipas presidentit të Serbisë, shqiptarët, madje udhëheqësit e tyre, janë “njerëz me bisht”, siç i ka përshkruar ish-kryesimistri serb i fillimit të shekullit XX, Vladan Gjorgjeviç. Për Beogradin shqiptarët janë “dru me pre”, pra qymyrxhij. Dhe jo rastësisht ata e përdorin bukë-pjekjen me qymyr si simbolikën e profesionit të shqiptarëve. Por metafora është përtej këtij profesioni. Ajo shkon te përçudnimi rracor dhe fashist i shqiptarëve. Në këtë kontekst Vuçiç përdor gjithashtu fjalën qibritxhi.

Dhe nëse ndjekim historikun e shfaqjes raciste të Aleksandër Vuçiç, atëherë kujtojmë shumë e shumë gjëra të tjera. Më i spikaturi është përdorimi fyes i emërtimit të Kosovës si “Kosovo-Metohi”, madje një përdorim i sanksionuar në kushtetutën e Serbisë. Edhe kjo të kujton jo aq Milosheviçin, sa Aleksandër Rankoviçin! Ndërkaq vetë presidenti i Serbisë e kishte shfaqur racizmin e tij edhe në rastin kur ai nisi trenin e tij për ta çuar në Mitrovicë dhe u detyrua ta ndalonte në Rashkë. Asokohe pati thënë se po e çonte trenin në Mitrovicë, sepse shqiptarët nuk kanë parë tren me sy! Kësisoj ai i krahasonte shqiptarët me indianët, afrikanët dhe popuj të tjerë jo europianë, njëjtë siç i quante Gjorgjeviç si “lëkurëkuqtë e Europës”!

Në këtë atmosferë raciste zhvillohet në Serbi tifozllëku në futboll dhe sporte të tjera. Në stadiumet e Serbisë bëhet thirrje “Vriteni shqiptarin që kroati të mbetet pa vëlla”! Ndërkohë që për kryeministrin e Shqipërisë vëllai më i dashur është dhe mbetet rracisti dhe fashisti anti-shqiptar, Aleksandër Vuçiç! Për Vuçiç dhe serbët në përgjithësi, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Shaqiri, Xhafa e shumë personalitete botërore të artit, muzikës dhe sportit me origjinë nga Kosova, janë të huaj e të panjohur. Atyre u grisen posteret e reklamave në Beograd e kudo në Serbi. Sepse i përkasin “një rrace tjetër”, rracës së shqiptarëve, të cilën Vuçiç dhe shumë serbë e përbuzin.

Në këtë lloj skenari u paraqit presidenti i Serbisë në Budapest para dy ditësh. Ai e konsideroi praninë e forcave policore të Kosovës në Jarinjë e Bërnjak si akt fashist të “qibritxhiut”, Albin Kurti. Ndërkohë që në shpirtin e tij rron dhe herë pas here zgjohet sentimenti fashist anti-shqiptar. Fashizmi dhe rracizmi nuk lidhen me patriotizmin, por me ideologjinë e asaj që Vuçiç, Vulin e të tjerë e quajnë “bashkimi i botës serbe”, pra me konceptet ultranacionaliste. Bota dhe Europa duhet të mësojnë se në krye të shtetit të Serbisë drejton një model lideri i mbushur me urrejtje dhe i etur për hakmarrje bazuar në ideologjinë fashiste të rracizmit. Ky është Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa ne shqiptarët duhet të dijmë se ky Aleksandër Vuçiç gjen mbështetje te ekstremistët e majtë e të djathtë të Europës si dhe te njerëzit e afërt të kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë. Gazeta Tema dhe botuesi i saj, Mero Baze, shumë të afërt me Edi Ramën, e quanin vendosjen e reciprocitetit për targat dhe prezencën e policisë së Kosovës në veri si akt të njëjtë me veprimet e Milosheviçit në Kosovë. Ndërkohë që e etiketonin Albin Kurtin si “fashist”! Shumë njerëz të afërt të Rilindjes e të angazhuar në forume të ndryshme politike të saj, në vend që ta mbrojnë aksionin politik e policor për vendosjen e reciprocitetit në përdorimin e targave, e kanë kritikuar ashpër aktin e zotit Kurti. Po jap vetëm një shembull, por të tillë gjenden me shumicë në portalet dhe adresat elektronike të këtyre eksponentëve.

Juxhin Çela është një nga drejtuesit kryesorë të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Ai ka shkruar me dhjetra statuse kundër qeverisë së Kosovës dhe veprimeve të policisë në veri të vendit. Në to dominon mentaliteti dhe propaganda për ndarjen e Kosovës. Ja çfarë shkruante me datën 21 shtator në llogarinë e tij të Twiterit: Qeveria e Kosovës me dërgimin e autoriteteve të veta “në veri ku banojnë serbët, që s’e ka bërë asnjëherë, do përballet me mosbindje nga serbët e ndikuar prej Beogradit dhe kjo mund të nxisi cënim të paqes, sigurisë, ky është FAKT! Vetëm ndarja e Kosovës me baza etnike do sjell mbylljen finale të çdo burimi”!

Më pas, në të njëjtën datë ky Juxhin Çela shkruan se “Ne s’duam që serbët e ardhur nga Beogradi të shkojnë të armatosur në Preshevë për të zbatuar autoritetin e një shteti që shqiptarët aty se duan. Nga ana tjetër refuzojmë të kuptojmë se është e gabuar të dërgohen shqiptarë me armë nga Prishtina në zonat e civilëve serbë në veri”! Dhe nuk po citoj më shumë se kaq, as të tjerë kalemxhinj dhe sahanlëpirës të ideve dhe projekteve të Beogradit. Ndër më të dalluarit mbetet Baton Haxhiu edhe në këtë rast. Shqiptarët serbo-filë i njeh thjesht nga përdorimi i fjalës “Prishtinë” në vend të fjalës “Kosovë”. Ata e mënjanojnë gjithnjë këtë të dytën, duke imituar presidentin serb Aleksandër Vuçiç!

Duke shënuar këto deklarime të sinkronizuara (Te Rilindja asgjë nuk thuhet kot, asgjë nuk nxitet pa një synim të caktuar) duhet të kuptojmë se ato i shkojnë në dihmë presidentit të Serbisë dhe qeverisë së këtij vendi në pretendimet kundër Kosovës dhe kundër kryeministrit të saj. Në thelb edhe rilindasit po e etiketojnë Albin Kurtin si “fashist”! Po e kritikojnë atë për dërgimin e policisë për ruajtjen e rendit në territorin e shtetit të tij. Njësoj si Aleksandër Vuçiç, madje me më shumë agresivitet dhe përpjekje për të provuar se “Vuçiç ka të drejtë në rracizmin anti-shqiptar të tij dhe Albin Kurti po sillet si fashist”! Fatkeqësisht të njëjtën gjë bëjnë edhe disa “rilindas” në Prishtinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok