22/12/2024

ROMANI SI SHPALOSJE EPIKE JETËSHKRIMORE

0
Ramiz-Selimi-Deshire1

(Ramiz Selimi: “Dëshirë e djegur”, roman, vëllimi i dytë, 2023)

Nga Prend BUZHALA

Romani “Dëshirë e djegur” i Ramiz Selimit është një vepër e mirëfilltë e realizmit letrar. Është vëllimi i dytë i një cikli të romaneve që duan ta paraqesin sagën e një familjeje nëpër disa brezni. Vjen pas romanit të parë “Rrënjët e kujtesës”. Për deri sa romani i parë trajton ngjarje pas Luftës së Dytë Botërore e deri më 1981, me linja narrative përmes retrospekcionit të ngjarjeve, edhe ajo para kësaj lufte; ky roman vazhdon aty ky përfundon i pari dhe zë fill me jetën studentore të të rinjve, Dardan Ilirit, Lumirit e të tjerëve, me peripecitë e pengesat që hasin në çdo hap, me vështirësitë e një jete të rëndë sociale, si dhe me përndjekjet e vëzhgimet e policisë e të spiunëve. Mirëpo, gjatë atyre dekadave të paraluftës, shumë të rinj “emigrimin e kanë si shpresën e vetme për mirëqenie”. Këtu zë fill, nga ana kompozicionale-tematike, pjesa e dytë e këtij romani, që merret me peripecitë e kësaj gjenerate nëpër rrugët e mërgimit, dhe sidomos me aventurat e prekshme, pësimet e rënda nga matrapazë kriminel e mashtrues si Hajdar Qypi që i detyrojnë jo pak familje të shesin çdo gjë për ta siguruar “parajsën amerikane” apo atë evropiane. Dhe në këto ëndërrime dalin të dështuar. Struktura e romanit shfaqet e skematizuar sipas lëndës që e trajton dhe sipas botës së brendshme e karaktereve që tipizohen. Sado që jeta këndvështrohet nga aspekti objektiv, epik; megjithatë nëpër shtresat narrative të kësaj vepre ka edhe patos e didaktikë, ka edhe rekuizita artistike që duan ta përfitojnë dhe zgjojnë interesimin e lexuesit.

Proza jonë ende nuk e ka trajtuar të vërtetën e plotë për ato vite. Dhe një përpjekje e mirëpritur është edhe përkushtimi krijues i Ramiz Selimit që të bëjë sinteza artistike për fatin e njeriut tonë në ato dekada. Këtë gjë ia mundëson, mbi të gjitha, zhanri i romanit, i cili ngërthen mundësi të shumta për ta paraqitur jetën në mënyrë sa më të gjerë, në mënyrë sa më të gjithanshme e sa më të thellë. Ky roman paraqet një dekadë të asaj jete, të mbarsur me përplot peripeci e drama nacionale e sociale, familjare e ekzistenciale.

  1. Personazhi Dardan Iliri bart emblemën e fatit të njeriut shqiptar

Me pak fjalë, ky është syzheu i veprës. Gjithnjë, edhe te ky roman, qëllimi i autorit është të rrëfejë subjektin e zgjedhur në mënyrë realiste e me vërtetësi, për ta paraqitur sa më objektivisht jetën dhe gjërat “ashtu siç janë”, pa i hequr a shtuar diçka. Dhe në këtë drejtim pena narrative romanore e Ramiz Selimit nuk fal, duke i paraqitur përjetimet, dukuritë, fenomenet jetësore, sociale e njerëzore në lakuriqësinë e tyre, pa zbukurime e pa mbulesa të figurshme artistike apo tjetër fare.

Nuk ka idealizim apo dramatizim romantik, por gjithandej ndodh drama e jetës, ndodh drama e një brezi, me qëllime fisnike për të studiuar, për një mirëqenie familjare e jetësore. Të krijohet mbresa sikur përqafohet jo vetëm metoda krijuese balzakiane, por sikur përfillet edhe mendimi i vetë Balzakut, cili pohon te hyrja e “Komedisë njerëzore“ se “krijimi poetik dhe krijimi shkencor janë veprimtari të lidhura ngushtë, duke shfaqur prirjen e realistëve drejt marrjes së metodave shkencore”.

Emri i kryepersonazhit, Dardan Iliri, bart edhe emblemën e njeriut shqiptar, gjeneratës që i ka rrënjët thellë në histori, njeriun autokoton që trashëgon traditat dhe vetë historinë si barrë; një ideal arketipor ky i autorit; kurse, nga ana tjetër, ai përfaqëson gjeneratat që përjetuan dhunën serbe në ushtri, përndjekjet e policisë e peripecitë sociale të jetës studentore, si dhe të mashtrimeve për një jetë më të mirë. Kësisoj, edhe ambientet këmbehen, siç janë fshati, shtëpia, qyteti, ambientet universitare, më tutje ato të udhëtimeve, ambientet e kufijve, të botës së jashtme apo edhe ato të burgosjeve. Ambientet, karakteret, sado që janë ato që vijnë në kontekste të ndryshme kohore, romani është edhe një rrëfim i dhimbshëm për situatat e rënda, nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës.

Mashtrimi dhe shqetësimet për të ardhmen, zhgënjimet dhe revolta, pakënaqësia dhe shpërthimet e zemërimit, i përcjellin këta personazhe që nga fillimi, në çdo hap të jetës dhe e përjetojnë si tragjedi që vret ëndrrat e tyre :

“Nga dëshira e zjarrtë për të studiuar në fakultetin e preferuar, ata ishin të shqetësuar, mbase dyshonin se mund të binin pre e manipulimeve dhe dallavereve që ishin të pranishme në çdo hap. Prandaj gjithnjë brenda trupit u qarkullonte një dridhërimë e pakuptimshme.(…)

Ky vend, më duket katastrofë që të mos mundet njeriu të realizojë as ëndrrën e vet dhe nuk besoj se e gjen askund tjetër në botë. Kjo ishte një përvojë e hidhur pasi gjërat i kishin shkuar teposhtë. Dhe, i thelluar në mendime e nguli vështrimin përtej dritares së vogël në një kopsht gjysmë të zbrazur që mezi dallohej nga drita e hënës.”

Kur kështu krijohen situatat e rënda, atëherë kërkimi i një shtegu i shpie në aventura të reja e të rrezikshme të jetës, siç janë shtigjet e rrezikshme për kalimin e kufirit apo migrimi, kërkimi i azilit etj. Vërtet idealet për shkollim e emancipim, ashtu edhe për përkujdesjen ndaj familjes, ishin  ishin të pathyeshme.

“Ato pak para që merrte nga dhënia e tokës me qira, i shfrytëzonte deri në centin e fundit për nënën e tij. Kritikat e shumta si ato nga Coli që i dëgjonte çdo fundjavë nuk e demotivonin për asnjë çast, përkundrazi ai vazhdonte rrugën e tij me bindjen e plotë se shkollimi universitar ishte i vetmi mjet që do ta dërgonte deri atje ku ai ëndërronte.”

Edhe te ky roman tema e socialitetit të rëndë, ajo e varfërisë, përbën një linjë narrative më vete. Në këtë mënyrë, vepra hyn në ato krijime që duan ta ndërgjegjësojnë dhe zgjojnë shoqërinë për ta spikatur jo vetëm mashtrimin e shfrytëzimin e egër, por edhe stërkeqjen morale, padrejtësinë, shkatërrimin e familjeve; dhe sado që bëjnë kaq e kaq përpjekje në kërkim të rrugëve të fatit ekzistencial e jetësor, krijohet mendimi se ata protagonistë nuk arrijnë ta kapërcejnë hendekun social në kushtet e një rendi të padrejtë shoqëror, dhe nuk arrijnë të përparojnë e të ecin përpara për shkak të  mjedisit që sjell shumë pengesa ashtu sikundër dhe për shkak se me shoqërinë udhëheqin të pasurit e në, rastin e Kosovës, edhe pushtuesit. Me realizëm janë paraqitë skenat e përjetimet nga shtypja policore:

“Studentët me dhimbje në shpirt vetëm e shikonin, sesi katilët fillimisht po i shkulnin flokët dhe pastaj kur e futën në një kthinë te errët, ku nuk i dallonte askush, filluan ta grushtojnë dhe shqelmojnë pa mëshirë. Britmat e Dëfrimit nga përdorimi i dhunës brutale, i dëgjonin jo vetëm studentët e frikësuar, por edhe qytetarët nga ndërtesat përreth.”

Këtyre studentëve iu desh ta kryenin edhe një universitet tjetër, atë të burgjeve, përndjekjeve dhe përpjekjeve për liri. Kurse dhuna policore dhe shtypja sociale janë barrë dyfish e rëndë që rëndon mbi supet e njerëzve hallexhinj. Janë ato raporte ndërnjerëzore që e gërryejnë së brendshmi shoqërinë, apo edhe një shtet të tërë, siç ishte ish-Jugosllavia. Në njërën anë qëndrojnë protagonistë me ideale pozitive sociale e jetësore, siç është grupi i të rinjve apo edhe mërgimtarë që jetojnë ndershëm me djersën e tyre, dhe solidarë. Me dashuri përshkruhet portreti i nënës së Dardanit, i personazheve femra, i shokëve të Dardanit, ashtu sikundër edhe personazhi i Dedë Çelikut, mërgimtar solidar. Nga ana tjetër në secilin mjedis shoqëror e shtetëror, has edhe individë të rënë, si te studentët, ndonjëri që jepet edhe apo drogës, siç është Narkoja, student, djali i pronarit të një banese ku banojnë studentët apo edhe spiunë e njerëz të shitur te regjimi, apo edhe të degraduar e të vetmuar, ashtu sikundër ka edhe njerëz që e ruajnë dinjitetin e tyre, që e kanë ndërgjegjen e tyre dhe që përfaqësojnë edhe vetëdijen e zgjuar të kohës:

“Shoku polic, kemi dy lloj njerëzish. E para janë njerëzit e urtë si qengja, që ju i quani të besueshëm dhe atëherë kur s’iu duhen për spiunllëk apo administratë, sa herë të keni dëshirë i vendosni si kufoma mbi tavolina. Pastaj njerëzit e llojit të dytë janë trima si luanët që nuk durojnë dot robërinë. Kur ata vendosin t’iu dalin para pushtuesve, dije se po bëjnë përpjekje të jetojnë. Mirëpo, kjo do të thotë se atëherë ata janë të gatshëm edhe të vdesin menjëherë, sepse ata së pari do të bëjnë çmos t’iu eliminojnë, theksoi Dardani i bindur që e kishte të pamundur të shpëtonte dhe po e parandiente se do ta pësonte shumë keq nga kjo ekspeditë, meqë tanimë ishte përfshirë në thelb, dhe e kishte kuptuar rrezikun që i kanosej.”

Dardani përfaqëson këtë ndërgjegje të zgjuar liridashëse, sidomos pas kontaktit me Dëfrimin, i cili burgoset dhe dënohet me njëzet vjet burg.

  1. Nga mërgimi te temat e mprehta sociale e ekzistenciale

E pra, autori mban qëndrim kritik po edhe analitik ndaj realitetit social e atij politik të kohës, të bashkëkohores, gjithnjë me kërkesën për të krijuar një vizion të një zgjidhjeje nga ajo krizë morale, sociale e ekonomike, por, nga ana tjetër, me përpjekje për të depërtuar edhe në botën e brendshme psikologjike të protagonistëve të tij. Përparje e ndasi, mashtrime e intriga, hasen në çdo hap. Jeta në fshat nuk ishte aspak e qëndrueshme: njerëzit jepen pas mbijetesës sociale. Diskriminimi është i shumëfishtë. Dhe nuk është e habitshme përse gjejmë personazhe që vuajnë, që goditen nga padrejtësia jo vetëm sociale, por edhe kombëtare. Këta njerëz, studentë, prindër, fshatarë, apo edhe qytetarë, janë të izoluar, janë të hedhur në margjinat e jetës. Autori e sheh varfërinë e vuajtjen dhe dhembjen e tyre, por e sheh edhe forcën e vullnetin për të jetuar e për ta pasur dinjitetin e vet njerëzor, ata ende janë në kërkim të rrugës për çlirim.

“Dardani kishte shumë respekt për ata që ballafaqoheshin me varfërinë dhe sa herë takonte njerëz me halle ose brenga si ai, nuk ndihej mirë, sepse e dinte dhe e kuptonte në thelb se çfarë do të thotë të mbijetosh, atëherë kur mezi arrin të shtysh ditët. Në kokën e tij e kishte të qartë si kristali se përfundimi i studimeve ishte ideja dhe hapja e derës magjike për ta braktisur përfundimisht varfërinë, por arritja deri aty ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Prandaj ishte i bindur se ajo ishte rruga e duhur dhe kujtonte se s’kishte forcë që do ta ndante nga realizimi i qëllimit.”

Kur autori i përshkruan ambientet e kushteve të rënda të banimit, në botën perëndimore, ashtu siç i vuan ato Dardani apo edhe ndonjë tjetër, këtë e bën pa zbukurime, për ta paraqitur kalbjen morale e njerëzore, po edhe për ta sugjeruar seriozitetin e problematikës që trajton.

Duke qenë edhe vetë autor që jeton në mërgim, ai e njeh mirë këto shtigje, jetën e tyre dhe karakteret e njerëzve. Tashmë në të dy romanet ai e shqipton të vërtetën e kahershme për mërgimtarin: se jeta e një të mërguari nuk është e rëndomtë, se ajo i ka kaptinat e saja të veçanta të moteve, të valëve të kohës, të zjarrit të zgjuar në kujtime e përmallime. Këta personazhe, kur bëjnë kaq shumë shtegtime nëpër rrugët e botës, atëherë edhe vepra dhe rrëfimi romanor e zënë dhe e këndvështrojnë botën dhe jetën në lëvizje. Edhe ata që jetojnë jashtë, kanë kontradiktat, hallet, formimet e veta të karakterit dhe problemet delikate:

“-Në kurbet nuk mund të jesh human kur vetë nuk ke të ardhura Sament,- reagoi Lasgushi ashpër ndaj dajës së tij, ku njëherë Dardanit i iku mendja se do ta godiste me grushte.

Secili prej nesh ka halle të shumta dhe secili është i interesuar të ndajë sa më shumë para, për të ndihmuar familjet. Madje disa punojnë këtu vetëm për të ndërtuar ndonjë godinë. Kupton tani, vazhdonte Lasgushi, që nxirrte një zë të fortë nga fyti dhe gati sa nuk çirrej.”

Tashmë ky rrëfim zë e shndërrohet në shpalosje jetëshkrimore. Dhe nuk është e habitshme përse rrëfimi që e përcjell në çdo jap personazhin kryesor, Dardanin, do të ligjërojë nëpër vorbullat e këtyre shtegtimeve të furtunshme, kur shfaqen lëkundjet e qenies sonë, por duke shtegtuar, duke u larguar nga vendlindja, nuk ka se si të mos i ruajë në kujtesë e në përmallime imazhet e vendlindjes e të Atdheut, si shenjë të Identitetit të pashprishur, si thelbe të vetvetes. Përftohet përshtypja se secili shteg narrativ na shpie kah një kronologji shpirtërore e përjetimit të rrjedhës së kohës, si një autobiografi e botës së brendshme me shenja të realitetit jetësor nëpër shtigjet e jetës. Rrugëtimi ekzistencial i emigrantit ndërthuret me përsiatjet e protagonistit Dardanit, që e përkufizuam si personazh me vetëdije të zgjuar sociale e liridashëse.

  1. Arkitektura epike e veprës

Autori na zbulon një bollëk ngjarjesh, lëvizjesh, psikologjish, imazhesh e pamjesh të këtij realiteti të ndërliqshëm; herën tjetër i zgjeron kuptimet psiko-refleksive e psiko-sociale, duke gërmuar edhe nëpër trashëgiminë tonë, edhe nëpër emërtesat e realitetit të tillë. Narratori bashkëbisedon dhe bashkëndjen me fatin e tyre. Përshkrimi ambienteve të banimit në mërgim, përshkrimi i ambienteve të punës, i ambienteve të kafenesë apo edhe i atyre urbane, me kontrastet e pezmatueshme, realizohet me përshkrime të hollësishme. Ikjen nga vendlindja e gjejnë edhe si nevojë që të largohen nga realiteti i rëndë, por ata gjithnjë ëndërrojnë se do të kthehen një ditë. Largohen, duke menduar se kështu po i zotërojnë vështirësitë e jetës, se po e mundin socialitetin e rëndë se po e mposhtin realitetin e ankthshëm të kujtesës së rëndë.

Ky narrator sikur e merr edhe rolin e sociologut e të dëshmitarit për të dëshmuar mbi kohën e tij, mbi shoqërinë apo mbi komunitetin e tij; për të dëshmuar për fatin e individit, për ekzistencën e tij, për të depërtuar në substancën e shpirtit të këtij mjedisi e të mjediseve të ndryshme. Se deri ku arrin stërkeqja morale, narratori i veprës na e jep këtë përshkrim të protagonistit të Hajdarit:

“Saktësisht nuk e di se ku jeton, por thonë se diku në rrethinat e Pejës. Jam i bindur që ti do t’ia gjesh shtëpinë. Vërtet Hajdari është një njeri që tek ne thuhet në gjuhën popullore si “njëqind pa një shtëpi”, ku as fëmijën e tij, jo që vetëm nuk e respekton, por edhe nuk e konsideron si të vetin. Madje as bashkëshorten nuk e njeh si qenie njerëzore. Megjithatë kurrë s’dihet, ndoshta mund ta dëgjojë babanë e tij. Më thuaj ti, e ke parë në këta muaj ndonjëherë me gruan dhe fëmijët e tij?”

Dardani vendos t’i ndërpresë studimet për shkak të rrënimit të jetës sociale të familjes. Protagonistët e këtij romani janë edhe kryengritës, edhe atëherë kur këtë nuk e dëshirojnë, por e bëjnë nga dëshpërimi e zemra e plastë e ekzistencës së lëkundur. Jeta në atdhe dhe mërgimi kalojnë nëpër jo pak akte dramatike.

Vërtet, njerëzit bëjnë gjithçka t’i ikën vuajtjes dhe varfërisë dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre…. Por edhe secila vuajtje, thuhet, nuk është e keqe. Edhe tek vuajtjet ka fisnikëri, ka vuajtje që na forcojnë, që na ndihmojnë në shpëtimin tonë… Personazhet janë kështu përfaqësues të fatit kolektiv, nacional të asaj kohe. Autori ka arritur që të seleksionojë nga kjo shumësi fatesh ato më të theksuarat, më divegjentet, më tipiket, më esencialet. Ishte kohë, kur në skenën e jetës sociale dalin si pseudo-shpëtimtarë fajdexhinjtë, biznes-kolaboracionistët apo e tregtarët e paskrupullt. Duke e vendosur si figurë kryesore në roman të riun Dardan Iliri, autori ka dashur kësisoj që të theksojë se më së miri mund të shfaqen gjithë problematikat e kohës, tek i cili barten jo vetëm kundërthëniet kryesore të kohës, por edhe shkallëzimi i situatave historike. Ndërkaq, gdhendja e personazheve dhe e ngjarjeve, bëhet me mjetet e realizmit tradicional. Edhe arkitektura kompozicionale-tematike e veprës mbështetet në formën e epike të trajtimit.

Vuajtja rrëfehet si një refren i gjatë i fateve dramatike. Dramën e vuajtjeve të mërgimit lexuesi e ndien si dramë të atdheut të tij: janë ato dallgë që e patën përfshirë Kosovën në të kaluarën, por që e kanë hedhë në stuhitë e fatit edhe sot.

Qershor, 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok