03/02/2025

Romani i refuzimit ideologjik

0
Albane-Mehmetaj

(Gani Mehmetaj, Romani pezull, 2024)

Shkruan: Prof, asst. Albanë Mehmetaj

  1. Një metaforë e madhe

Gani Mehmetaj, që në fillimet e krijimtarisë së tij letrare, ka ofruar këndvështrime më ndryshe për luftën e fundit në Kosovë dhe pasojat e saj fizike dhe psikologjike.

Në veprat e mëparshme, po përmendim vetëm dy të parafundit, si: Zogjtë e qyqes 2021, në të cilën lufta e shqiptarëve dhe e serbëve përshkruhet prej perspektivës së një të huaji (serb), dhe Muri i heshtjes 2023, ku drama e luftës përzihet me një histori dashurie në mes një shqiptareje dhe një serbi, romane këto që i kanë dhënë vlerë trajtës objektive të shkrimit. Ndërsa, në romanin e fundit Koha pezull narrativiteti përmes një toni kritik e gjykues zhvendoset drejt analizës fiksionale të pasluftës, duke e portretizuar atë si një kohë rrënimi moral e institucional.

Gani Mehemtaj i përket atyre autorëve, që shkrimin e merr si një ”akt intelektual”, po edhe si një mekanizëm nga i cili duhet të zbulohen realitetet letrare dhe joletrare, të cilat japin njohje për fenomene të rëndësishme, sidomos të lidhura me historinë dhe luftërat e shqiptarëve. Prandaj, duke pasur përherë objekt përqendrimi këtë problematikë, Mehmetaj na del si një qëmtues serioz letrar, dhe si një rrëfimtar që synon të japë njohje dhe mësime letrare e ideoestetike, duke i ndërtuar ato përmes shkrimit artistik dhe efekteve estetike.

Romani Koha pezull mbart një metaforë të fuqishme, duke u motivuar nga koha dhe hapësira reale, nga viti 1999 e këtej, në të cilën vendi gjendej  në një konfuzion të madh, në mes të shpresës e dëshpërimit.

Mehmetaj shënjon një kohë, që nuk lëviz drejt një vije të qartë e të natyrshme, por ngërthehet në tranzicionin e dhimbshëm në mes luftës dhe paqes. Ky koncept kohor ka një kuptim të ndjeshëm letrar, e kuptim të thellë psikologjik, që sugjeron një limbo ekzistenciale që e karakterizon periudhën e pasluftës.

Romani Koha pezull strukturohet në pesë pjesë, si shenja të veprimit dramatik klasik e klasicist: Prologu, Amoku, Prita, Vdekja e prijësit dhe Epilogu, përmes së cilës strukturë kompozicionale paraqitet një rrëfim kompleks, që i vë në pah karakteristikat e shqiptarëve të Kosovës,  në një periudhë tranzicionale.

Prologu nis me një përshkrim dramatik të së kaluarës historike të Dardanisë, në të cilën ndërthuren ngjarje me përmasa epike, me tragjedi të thella sociale. Në këtë kontekst, Mehmetaj ndërton një linjë historike të ngjeshur me simbolikë, në të cilën Kosova (Dardania- siç dëshiron gjithmonë autori ta quajë) shfaqet si një hapësirë tragjike, e mbushur me rezistencë, sakrificë dhe fatalitet. Kjo mënyrë e shkurtër e paraqitjes, që zë fill me Pjetër Bogdanin, sikur do të thellojë ontologjinë mbi identitetin kolektiv dhe qëndrueshmërinë e tij përballë zhdukjes.

Gjuha e Mehmetajt, që në prolog karakterizohet nga një diskurs kritik dhe, ndonjëherë, ironik, sidomos kur ndërthur faktet historike me interpretimin personal. Diskursi i tillë ndjek modelin e një narrative ndriçuese të luftës në të kaluarën dhe të një narrative të errët të së tashmes.

Prologu përmban, gjithashtu një ndërthurje figurative midis sakrificës së Pjetër Bogdanit dhe rezistencës bashkëkohore. Përplasja e një trashëgimie heroike me degradimin moral të pasluftës krijon një kontrast të fuqishëm që formëson boshtin tematik të veprës. Ndërkaq, figurat e ‘çlirimtarëve’, që abuzojnë me pushtetin japin një kritikë të ashpër ndaj formave të reja të kolonializmit politik dhe social.

Prologu e paraqet këtë periudhë si një “dramatizim të apokalipsit”, në të cilën shoqëria ballafaqohet me hakmarrjen, abuzimin dhe përvetësimin e padrejtë nga individë të cilët, të maskuar si çlirimtarë, rrënojnë vlerat themelore të shoqërisë. Mehmetaj prek një realitet të ashpër: uzurpimin e pronave dhe vrasjet e intelektualëve, duke ngritur pyetje mbi çmimin moral të çlirimit.

  1. Një mision i (pa)mundur

Romani hapet me një prolog, që prezanton narratorin-personazh, një shtetas amerikan, i ngarkuar me një mision madhor: të zbulojë disa të vërteta të errëta dhe të pashqyrtuara të periudhës së luftës dhe pasluftës. Në fokus të këtij misioni janë zbulimi i disa krimeve të rënda me natyrë politike dhe zbërthimi i ndodhive tragjike, që pasuan çlirimin e Kosovës. Narratori thekson që në fillim se të dhënat do t’i marrë nga subjektet kombëtare e ndërkombëtare, nga bisedat me njerëz të zakonshëm, me intelektualë për të ndriçuar të vërtetën. Ai, po ashtu thekson për frikën, dhe rezervat që kishin njerëzit për të dëshmuar, por që me strategjinë e tij disa i  bindë që të flasin. Misioni i tij del prej një shenjtori, i cili përkushtohet deri në fund të zbulojë atë që duhet zbuluar, pa u prekur shumë emocionalisht pasi nuk është pjesëtar i ngjarjeve, vetëm rrëfyes e dëshmues, i tyre. Dëshminë, siç shkruan edhe vetë do që ta nisë nga dita e parë.

Pjesa e parë e romanit titullohet Amoku, e cila shenjohet  si një metaforë e dhunës, duke nënkuptuar një gjendje të tërbuar, përmes të cilës  autori përshkruan  një paradigmë të përgjithshme të degradimit njerëzor në kontekste lufte, ku shkatërrohet arsyeja. Autori do ta vendosë theksin mbi ditën e parë të çlirimit duke i hapur dhe analizuar me këtë pikë problemet e së kaluarës dhe të ardhmes. Ikja e paramilitarëve serbë, e popullatës serbe në përgjithësi, si dhe ushtarëve rusë pas tyre (të cilët vendosen të parët në kryeqytet, duke ngjallur tmerr dhe frikë te popullata shqiptare) shpërfaqen si shenja semiotike të cilat nënkuptojnë një ndërrim epokal në planin politik e atdhetar.

Narratori krijon një përballje të heshtur në mes të ikanakëve (siç i quan autori serbët) dhe refugjatëve shqiptarë, që ktheheshin në shtëpitë e tyre, duke vënë në pah daulitetin dhe fatin e historisë. Heshtja e tyre gjatë ikjes mbart shumë kuptime, në të cilat  autori fton që lexuesi ta interpretojë më shumë sesa vetëm atë që është e dukshme, të shohë brenda heshtjeve, shenjave dhe diskursit të historisë.

  1. Aktanti brenda rrëfimit

Gazetar Bardhi, që është edhe protagonisti i romanit, përmes narratorit del si një dëshmitar i së vërtetës së historisë të dhunës serbe, dhe si një aktant brenda rrëfimit. Ai në fillim përshkruhet në një gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike pas shtatëdhjetë e tetë ditë izolimi. Por, i cili gjen fuqi t’i bashkohet turmës së mbledhur poshtë ndërtesave për të festuar ndërprerjen e luftës e gëzimit të ardhjes së ushtrisë miqësore: NATO-s. Nëpërmjet shprehjeve psikologjike, dramacitetit të situatave dhe të shpresës për ardhjen e jetës së re, autori e ndërton pjesën e parë të rrëfimit, duke e lënë tekstin pastaj të rrjedhë me drejtëpërdrejtshmërinë e vet, duke krijuar drama edhe më të mëdha. Njohja e jetës se re me një ushtri që nuk vret, e nuk djeg përbën një ngjarje të madhe të cilën historia e qytetit nuk e njihte. Por ky entuziazëm zgjatë pak, pasi që narrativa e autorit këmbëngulësisht fokusohet mbi dëmet në radhë të parë që la ushtria serbe: vrasjet që ndodhnin në dalje, eksplodimin e minave nëpër shtëpi e podrume te shqiptarëve, frika për t’u kthyer nëpër shtëpitë e tyre, etj.  Për të shpalosur më tej dëshmitë historike e tmerret e luftës të disa muajve, autori përqendrohet në dy gazetarët Astritin dhe Bardhoshin, fytyra e të cilëve tregonte vragat e luftës. Autori nëpërmjet tyre flet edhe për kohën para bombardimeve të NATO-s, për debatet e gazetarëve që kishin për dhunën që ushtrohej ndaj bashkëkombësve, për gjendjen politike, për shënjestrën e tyre nga policia sekrete serbe. Autori këtu shpalos edhe rrezikun që e kishin gazetarët kosovarë në përgjithësi nga kjo ushtri dhe për punën e vullnetin që kishin për t’i ndihmuar vendit, nëse jo më diçka tjetër, me shkrime e raportime të përditshme. Pastaj rrëfimi dramatizohet edhe më tej, kur dy miqtë tregonin për tmerrin që ndienin nëpër radio për pushkatimin e miqve të tyre, besa edhe për lajmet e rreme që lajmëronin për vdekjet e tyre., gjendje të cilët gazetarët e paraqitnin si të pa përshkruar ndonjëherë.

Por, menjëherë pas përshkrimit të shkurtër të entuziazmit të çlirimit, autori fokusohet në pikat kyçe të kohës së pasçlirimit të cilat do të jenë si mekanizma të prodhimit të kuptimit. Varfëria, mjerimi i qytetit, plaçkitja, uzurpimi i banesave të vendësve e të serbëve, shantazhi,  tarifa ndaj  bizneseve, vrasja e intelektualëve  bën që qyteti i Bardhit të mbështillej nga veli i së panjohurës e “të dridhurash epilepsie”. Kjo vijë e errët e rrëfimit degëzohet më tej kur narrator përmes ditarit të Bardhoshit paraqet pushtuesin e ri:

Kur të vrisnin pushtuesit ishte e dhimbshme, por nuk shkoje me turp, të qanin dhe u dhimbseshe njerëzve, por kur të vrisnin të xhindosurit nga Amoku, ta lëshonin një thashethemnajë prapa që s’kishe si e hiqje. (Mehmetaj,  44)

“Ka qenë bashkëpunëtorë i armikut”, u përhap një thashethemnajë. Pakkush e besonte, por nuk e kundërshtonte. U shmangeshin bisedave të tilla. Të gjithë e dinin kush është shantazhuesi, por askush nuk e thoshte. Ishte rrezik të flisje apo të bëje me dorë. Më vinte plasja kur më thoshin: “Gazetat duhej të paraqesin vlerat e luftës, sukseset. Ata që shkruanin ndryshe janë armiq”.(45)

Është Bardhi i cili e  kundërshton kategorisht këtë atmosferë të krijuar, në trajtën e monologut, ditarit  dhe dialogut, duke u shprehur  me ton ironik që përshkon gjithë tekstin e romanit.

  1. Frika si nyje e si lajtmotiv

Pjesa më shënjuese e romanit del pra rrëfimi i cili shenjon fatin e gazetarëve shqiptarë të pasluftës, të atyre që raportonin për vrasjet e njerëzve, politikanëve, gazetarëve, biznesmenëve, të etiketuar si “armiq të popullit”. Në këtë vështrim Bardhi është në qendër të raportimit dhe të kërcënimit, i cili nuk del vetëm si një objekt i një fati njerëzor, por edhe simbol i dhunës së përgjithshme. Mehmetaj këtu e shtyen narratorin, që të kërkojë zgjidhje  nga kjo situatë e cila del si e pamundshme, duke ngrehur pyetje ekzistenciale, e duke krijuar tablo të frikshme të realitetit. Ditët ne vazhdimësi ridëshmojnë frikën e vrasjes  duke rritur tragjiken në vepër: si kërcënimet e njëpasnjëshme në emër anonim ndaj Bardhit, thirrjet telefonike, etj,  deri sa një ditë vinë edhe në redaksi për ta vrarë, por shpëton fal ndërprerjes së energjisë elektrike, që ishte e zakonshme për atë periudhë kohore.

Këtu narratori del si një mjeshtër i detajeve, kërkues i së vërtetës letrare, duke shpalos ambiente reale, vrasje reale,  e përmes përshkrimeve paraqet qytetin e  mbërthyer nga frika, me vrasje tinëzare, me kërcënime të redaksive, e strese të gazetarëve. Dhe, kjo është nyja e gjithë rrëfimit kompozicional të rrëfimit, i cili kalon nëpër gjendje e rrëfime të njëpasnjëshme, duke pasur objekt të njëjtën problematikë. Mirëpo, Mehmetaj në këtë roman krijon tipin e heroit trim të kulturës, i cili nuk ndryshon mendje edhe pas kërcënimeve të emrave anonim, as pas lutjeve të gruas (Sarës, arsimtare e anglishtes në gjimnaz), as sugjerimit të Astritit, i cili e lut të mbyllë gazetën (ai për vete lë punën si gazetar, dhe ik në një vend tjetër, sepse nuk mendon se duhet të vritesh për një tekst gazete dhe të quhesh tradhtar). Ai kishte vetëm përkrahjen e djalit Rronit, i cili ishte tip luftëtari, siç e quan narratori, e që mendonte se babai ka të drejtë, të luftonte kundër këtyre fenomeneve.

Në këtë mënyrë, vepra ka një strukturë të organizuar dhe të shkallëzuar idesh, duke artikuluar tendencë letrare të autorit të shtypjes dhe vrasjes së fjalës se lirë, duke paraqitur Bardhin në nivel të drejtpërdrejtë të  përjetimit të jetës së vet të kërcënuar. Situatat e rrëfyera, të cilat dalin tërësisht të menduara drejt temës së autorit, shpërfaqin veprime konform rrënimit të jetës së individit.  Ky rrafsh gjithnjë e më shume e bënte personazhin ta shihte hijen e vdekjes të cilën e kishte përballë, e  i cili ne vazhdimësi merrte letra anonime, telefonata anonime të cilat  potenconin që ishte në shënjestër, d.m.th. paralajmëronin vdekjen.

Por, personazhi i Mehmetajt, jo vetëm që nuk e ndalë  punën e të shkruarit dhe të rrëfimit të ngjarjeve të përditshme që ndodhin në qytetin e tij, kryeqytetin e Kosovës, por kujdeset që edhe shqetësimin e tij mos ta vërejë askush, as kolegët e redaksisë, as familjarët. Luftën e tij me vdekjen, autori e krahason me protagonistin e Bergmanit të Vulës së shtatë, duke e menduar dialogun, “se jeta është një lojë e vazhdueshme shahu me vdekjen”, të cilën e kishte model Bardhi.

Rënia e Bardhit vërehej ngadalë nga të gjithë, nga miqtë e tij që nuk mund ta ndihmonin, nga ai vetë që e shihte vdekjen që po e ndiqte, edhe pse thoshte se kishte shumë punë për të bërë. Pjesa e fundit të kapitullit të parë gjithnjë e më shumë e paralajmëron  fatalitetin:

Vrasja tjetër ishte edhe më e rëndë: u gjet trupi i gjymtuar i një veprimtari politik pasi u zhduk disa javë në rrethana të dyshimta. Lufta politike po merrte viktima. Vendi ishte nën protektorat ndërkombëtar, ndërsa forcat e nëntokës që përpiqeshin të kapnin majat e pushtetit shkelnin mbi viktima. Akuza dhe kundërpërgjigjet, mallkime e skërmitje dhëmbësh flakëronin opinionin. Përmendej gjaku i martirëve dhe sakrificat si kërcënim. Pjesëtarët e një partie vrisnin pjesëtarët e partisë tjetër, shkruanin mediet ndërkombëtare. Ato thoshin edhe partinë që vriste kundërshtarë. (f. 93)

Pjesa e dytë, titulluar Prita hapet me një thirrje anonime që lajmëron vrasjen e Bardhit, duke e kthyer realitetin në një makth për Rronin, djalin e tij. Gjendja rrëqethëse e Bardhit, i shtrirë në gjak në ballë,  pranë gazetave, bukës dhe librit të përditshëm, dëshmon për ndërprerjen jo vetëm të jetës së një individi, por të ndërprerjes së demokracisë e fjalës së lirë. Rroni përjeton një dhimbje të madhe, duke e përshkuar të tërin, vrapimi i tij i dëshpëruar për në vendngjarje, pamundësia për të përballuar pamjen dhe sprova me një realitet të copëzuar shprehin më së miri tronditjen e një djali që sheh botën e tij të shembet. Ndërkohë, turmat që grumbullohen për të parë tragjedinë, të heshtura dhe të frikësuara për të dëshmuar, zbulojnë një shoqëri të mpirë nga frika dhe oportunizmi.

Përmes kthimit në spital dhe përshkrimit të dhimbjes së Rronit, autori nënvizon humbjen e njerëzve më të dashur  dhe mbizotërimin e një atmosfere pasigurie e vetmie. Pyetja e heshtur që Rroni ia shtron vetes, nëse dorëheqja e babait nga angazhimi politik do të kishte parandaluar vrasjen, e bën këtë fragment një shenjë të thellë mbi moralin, guximin dhe pasojat e përfshirjes publike në një kohë të mbushur me konflikte. Dhimbja individuale, po ashtu indiferenca kolektive krijon një përshkrim të fuqishëm narrativ dhe një analizë të qartë të frikës dhe heshtjes në një shoqëri të traumatizuar. Kështu, Mejmetaj shfaqet një autor model i psikonarracionit, duke marrë premisa e një autori semiotik e narratori të gjithdijshëm.

  1. Absurditeti kafkian

Romani në vazhdimësi gjithmonë e më shumë përshkruan një realitet të zymtë pas një vrasjeje që shënjon mohimin e fjalës së lirë, traumatizimin nga lufta e  dhuna. Lexuesi tashmë e ndien thellë atmosferën e absurditetit, dhe frikës, ndërsa ndërtimi kompozicional shkon drejt pafuqishmërisë e guximit qytetar për të thënë të vërtetën. Një shenjë tjetër, që e vë në pah këtë gjendje të rëndë të qytetarëve është qyteti, të cilin autori shpeshherë e ndërfut në tekst si personazh, si dëshmitar të të ndodhurave të njerëzve të tij, por pa fuqi veprimi. Qyteti si një mikrokozmos i dramës njerëzore paraqitet herë duke frymuar në mënyrë të veçantë, herë i tronditur, shpeshherë i pa mësuar me kësi gjendje, e rrallë herë dilte i shkëlqyer.

Vizita e hetuesve në banesën e Sarës dhe Rronit është një akt formal, që nuk jep shumë shenjë e shpresë, për besueshmëri, sepse edhe ata janë të humbur përpara këtij realiteti. Deklarata e Sarës: Të gjithë e dinë, askush nuk guxon ta thotë, zbërthen thellësinë e frikës dhe heshtjen  që ka paralizuar njerëzit e vendit të saj.

Pra, sipas këtij koncepti tematik e kompozicional, narratori thur idenë e autorit si një absurditet kafkian, ku ligji dhe morali janë të robëruar nga nëntoka politike. Gani Mehmetaj na fton që njëtrajtshmërisht të hymë në botën e territ, në botën e mosnjohjes, si rrjedhojë e shfaqjes së një kategorie njerëzisht.

Bardhi, si gazetar dhe intelektual, përfaqëson viktimën e idealeve të lirisë dhe të fjalës së lirë. Ai shënon paradoksin e një epoke, ku individët shpëtojnë nga tmerret e luftës e vritet në ‘liri’ nga një grup njerëzish, që ndërtojnë frikë dhe dhunë strukturore. Artikujt e matur të gazetave dhe frika për të organizuar një përkujtim e bëjnë edhe më të prekshme këtë situatë, duke theksuar edhe më shumë gjendjen e frikës.

Varrimi i Bardhit kthehet në një akt simbolik proteste, një marshim heshtjeje ku mijëra qytetarë shprehin dëshpërimin dhe zemërimin e tyre të heshtur. Prania e zyrtarëve të lartë partiakë dhe mbrojtja e tyre nga policia ndërkombëtare përforcon kontrastin mes pushtetit të moralit dhe pushtetit të dhunës ekzekutive. Ligji i “mujshisë”, që bën nëntoka politike dhe mungesa e drejtësisë zbulojnë një shoqëri të paralizuar nga një frikë ekzistenciale.

Atmosfera e varrimit është e mbushur me trishtim dhe dëshpërim. Shpërndarja e heshtur e njerëzve me ndjenjën e pafuqisë përforcon absurditetin e një kohe ku pyetja: Kush është në radhë?, nuk është thjesht retorikë, por një përfytyrim tragjik i vazhdimësisë së dhunës. Kjo pyetje përkufizon një gjendje absurde ku frika nuk është thjesht për të tashmen, por për një të ardhme që nuk mund të ndryshojë.

Orët, ditët, javët, muajt dëshmojnë frikën, pasigurinë, duke motivuar gjithherë e më shumë pyetjet e tilla rreth mundësisë së vrasjes. Kjo pjesë përbën një shtresë të rëndësishme të rrëfimit, duke nxjerrë në pah mënyrën se si dhuna politike dhe psikologjike manifestohet jo vetëm përmes aktit të vrasjes, por edhe përmes manipulimit të perceptimit publik. Vrasësit mundoheshin edhe ta zhvishnin viktimën nga integriteti moral e kujtesa publike , duke e njollosur me thashethemet e njohur, nuk e kanë vrarë badihava, diçka ka bërë apo ka qenë bashkëpunëtor i armikut.

Zemërimi i autorit përshkallëzohet vazhdimisht në tekst përmes metaforës së “urithit”, si qenie e nëndheshme, duke mishëruar  strategjinë tinëzare të pushtetit,  që nuk vepron  në mënyrë të hapur, por mbetet i fshehur në hije. Narratori shpalos vazhdimisht nëpër rrëfim se si dhuna, nuk është vetëm fizike, por edhe ontologjike, duke depërtuar në vetë strukturën e njerëzve e duke u përforcuar atë nga  brenda. Po ashtu, nëpërmjet metaforës së “rrjetit të merimangës”, autori potencon një sistem që kap viktimat e saj në mënyrë të pandjeshme, duke i paralizuar.

Nga këndvështrimi semiotik, rrjeta është një shenjë e shumëfishtë, që shpreh njëkohësisht dhunën e hapur dhe atë të fshehur, që të kapë ngadalë e nuk të lëshon më. Në narratologjinë moderne, ajo mund të trajtohet si një element që krijon hapësirën e narrativës së heshtur – një hapësirë ku personazhet e shohin vetveten të robëruar dhe të paaftë për të vepruar.

Pra, nëpërmjet këtij sfondi rrëfimor si figurim i reales, vë në pah edhe një çështjen e ndjesisë së familjarëve dhe shokëve të Bardhit, pas vrasjes së tij, si: Sara, Rroni dhe Astriti. Sara, përveç dhimbjes së rëndë që e ka në vetë qenien e saj, për humbjen e madhe, mundohet me gjithë shpirt të bëjë  të zëshme kundërshtimin moral. Edhe pse ajo e sheh të pashpresë këmbënguljen e saj në një botë që e ka humbur kuptimin, ndaj mundohet në të gjitha mënyrat të denoncojë ‘vrasësit monstrumë’.

Në këtë gjendje melankolie  ajo  herë pas here zhytet në mendime rreth pyetjes se  a do të jetonte Bardhi?,  sikur të hiqte dorë nga veprimtaria politike, nga jeta publike, e të mbyllej brenda, ose të zgjidhte ndonjë profesion tjetër. Rronit, po ashtu të cilit iu përmbys bota kur i vranë babanë, udhëhiqej nga ndjenja që të hakmerrej e të grinte, duke i urryer për vdekje vrasësit. Astriti, shoku e bashkëpunëtori  i Bardhit të cilët kishin punuar shumë për çështje të mëdha atdhetare përmes  shkrimit, e kur ishin gjendur në situata shumë te vështira nga dy palë armiqsh, emigron në Londër (para vrasjes së Bardhit, për të cilën gjë e këshillon edhe atë), duke hequr dorë nga profesioni e nga e drejta për të shkruar,  duke parë se absurditeti e ka kapluar vendin.

  1. Mes reales dhe simbolikes

Kapitulli i tretë, Vdekja e prijësit paraqet një rrëfim që thur kufijtë mes reales dhe simbolikes, duke ndërtuar një figurë lideri që përfaqëson sakrificën dhe mençurinë si vlera themelore të një populli, në kërkim të identitetit dhe pavarësisë. Prijësi, i përshkruar përmes një toni solemn dhe përkushtues, mbetet i lidhur me vendin dhe popullin deri në momentet e fundit të jetës, edhe pse vuan nga një sëmundje e rëndë. Në qendër të rrëfimit është përpjekja e tij e madhe  për të çliruar vendin dhe për t’i mbajtur dhe forcuar raportet me miqtë ndërkombëtarë.

Figura e prijësit shënjohet  me një theks të veçantë në planin human dhe kombëtar, si dhe në shqetësimet e tij të brendshme dhe brengës që kishte për vrasjen e bashkëpunëtorëve të tij. Këtu, prijësi shndërrohet në një simbol të përbashkët të popullit, një figurë që përçon jo vetëm urtësinë e udhëheqjes, por edhe tragjedinë e saj. Duke treguar e shënjuar detaje më karakteristike nga jeta e prijësit (që supozohet të jetë Ibrahim Rugova), vërehet edhe një tendencë e krahasimit të prijësit  me Pjetër Bogdanin, të cilit autori i referohet si pararendës shpirtëror dhe intelektual i shqiptarëve të Kosovës.

Kjo vijë e unifikimit të popullit me të, do të shpërthejë e do të shfaqet fuqishëm kur prijësi vdes, përmes turmave që vërshojnë në varrim dhe dialogëve të njerëzve të cilët ndërtojnë një pamje gjithëpërfshirëse të dhimbjes dhe nderimit (me këtë sfond edhe hapet pjesa e tretë e kapitullit. Dashuria për  të ngrihet në kult, për prijësin  nacional që e deshi atdheun deri në fundin e tij. Autori, me stilin e tij  shndërron këtë ngjarje në një elegji madhështore, duke përshkruar me krenari gjithë homazhet për të.

Shqetësimi intelektual i autorit shkon duke u thelluar më tej, kur në përvjetorin e Bardhoshit shfaqet një atmosferë të zymtë, ku prania e një numri të vogël njerëzish përfaqëson personazhe të rënduar nga ndjenja e dështimit moral e ligjor. Figura e Astritit, mikut të Bardhoshit, merr një dimension të veçantë si një personazh që përfaqëson disidencën dhe humbjen personale.

Ironia e autorit shkon më tej edhe në raport me ish-luftëtarët, duke shpalosur përplasjen e tyre psikologjike, sociale dhe zhgënjimin e madh në raport me luftën dhe konceptimin ideologjik për të. Kjo çështje vërehet krejt në fund kur njujorkezi, rrëfimtari që thur krejt këtë narrativë letrare  takohet me  fqinjin e tij krejt rastësisht, i cili ishte shqiptar, por kishte lindur e jetuar atje. Përmes këtij luftëtari e një diskursi realist, Mehmetaj shenjon dilemat morale dhe kontradiktat e individëve në kohë lufte, duke përdhosur idealizmin heroik. Figura e Xhorxhit përfaqëson kontrastin midis realitetit shqiptar dhe perceptimit për luftën.

  1. Refuzimi ideologjik

Romani Koha pezull, me krejt kompleksitetin e tij, rrëzon narrativat e mëdha dhe merr premisat e një romani të refuzimit ideologjik, ideologjinë e keqpërdorimit të luftës, ideologjinë e nëntokës, që mbjellë frikë e dhunë deri në fatalizëm. Autori ka ideale dhe ky idealizimi i tij thyhet nga përballja me realitetin e ashpër të vendit. Përmes tij, autori paraqet ushtrinë të përçarë, e cila përballet jo vetëm me armikun e jashtëm, por edhe me armiqtë e “shpikur “ të brendshëm, me njerëzit e vet shqiptarë, duke i arrestuar e vrarë, e për më tej, duke i shpallur si armiq. Kjo situatë krijon një pamje frike e kaosi, duke e përmbysur pritshmërinë e Xhorxhit në këtë rast, po edhe shumë luftëtarëve tjerë, që kanë ardhur me shumë dashuri për atdheun, po janë ndeshur me tjera probleme ideologjike, e që me gjuhë dhe veprim refuzohet. Kjo ideologji e mbrujtur në romanin  Koha Pezull dallon nga ideologjia nacionale, e cila venitet përballë asaj politike dhe i jep kahje tjetër përpjekjes për liri, e cila gati zhbëhet. Rrëfimi  për Xhorxhin merr peshë tjetër, si të  dëshmitarit të disa vrasjeve, dhe  disa ndëshkimeve të cilat e përcjellin tërë jetën pas vetes, duke luhatur edhe psikologjinë e tij:

– Shokët e mi të armëve kur i kapnin kundërshtarët politikë, bashkëkombës, i mbanin në disa burgje mesjetare në kushte të rënda, ndërsa përpiqeshin të thoshin se janë bashkëpunëtorë të armikut. Askush nuk doli të dëshmonte. Nuk bënin gjyqe. Pas disa kohësh të burgosurit nuk ishin më. (f. 203)

Përmes përshkrimeve të arrestimeve dhe trajtimit të individëve si “tipa paqësorë” apo “të frikësuar nga lufta”, autori nxjerr në pah absurditetin e një sistemi që funksionoi në luftë, por edhe pas luftës. Krejt kjo del në pah përmes gjuhës së mprehtë dhe ironike të autorit, i cili arrin të na inkorporojë  brenda një bote të re letrare të refuzimit ideologjik, që ka të bëjë me situatat  e luftës, e të pas luftës, të cilat përmes imagjinatës së autorit dalin disi më ndryshe, më të dhimbshme, por me efekt më të madh të reales se që jemi mësuar lexojmë e të diskutojmë.

Në përgjithësi autori ndjek metodën e shkrimit në mënyrë të përmbledhur për personazhet  e tij, duke u mbështetur në informacione të jashtme dhe  vetanake, po edhe të imagjinuara, për të paraqitur historinë më ndryshe përmes literaritetit e dokumentaritetit. Kjo  trajtë kritike e shkrimit, më shumë e refuzimit ideologjik, e veçon Gani Mehmetaj në të gjitha shkrimet, edhe kur aktualizon probleme të ndryshme shoqërore, aktuale, si edhe në çështje të letërsisë kur i mbështjellë ato me estetikën e artin e fiksionit, aty ku shfaqet refuzimi estetik (Rugova). Pëshpërimat që rrinin “pezull në ajër” ose “vdekjen që rri pezull në ajër”, janë kuptimet që autori do t’i shpalosë në nivel të sipërfaqes dhe në një kuptim më të thellë, të cilat dalin si shenjëzime tragjike. Kështu, këto shenja letrare që përçojnë sistemin e dhunës shkojnë drejt një  vije estetiko-politike, duke ndërtuar një realitet estetik të dokumentimit e të dëshpërimit politik, si një shenjë pathyeshmërisë së konstantave të tij letrare dhe ideologemave nacionale.  Shqetësimi autorial, duket se nuk mbaron as në fund të romanit, e kjo del qartë në kapitullin e fundit Epilog, kur narratori në vetën e parë rrëfen, pas hulumtimit të disa shembujve të vrasjeve të pasqaruara, e hapjes së disa varreve pa histori, e bisedimeve më njerëz të përcaktimeve të ndryshme historike, sërish koha qëndronte pezull.

Autorja është profesorësh në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i letërsisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok