27/01/2025

Robër të telefonave celularë thuaja janë bërë të gjithë

0
Hamza Halabaku 1

(Letër imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili)

Nga Hamza Halabaku

I dashuri Zejnullah,

Sa e sa herë po të shkruaj për gjërat që ndodhin në Kosovë e rreth Kosovës, ndërsa kam harruar të të shkruaj për një gjë që e ka kapluar tërë globin, e jo vetëm ne në Kosovë. Fjalën e kam për telefonat celularë, kështu po u thonë vëllezërit tanë në Shqipëri telefonave të dorës. Janë telefona dore. Të vegjël dhe i merr me vete kudo të shkosh, e me tre ose katër euro, je “i lidhur” me tërë botën. Edhe telefona të mençur po u thonë!

Fëmijët vijnë brenda dhe përshëndeten me prindërit me një “tung”. Tung, babi, ose tung, mami dhe vazhdojnë me celularët në dorë. Të merr malli të flasësh e të bësh një bisedë për çfarëdo qoftë! Nuk ke me kë bisedon as për motin e ditës që jemi, e le më për diçka tjetër!

Të merr malli të ulesh rreth sofrës për ta filluar së bashku me tërë familjen drekën ose darkën dhe, pasi të çohet sofra, për ta shtruar bisedën me njëri-tjetrin për tema të ndryshme. Si në familje më! Të merr malli të bisedosh edhe me më të afërmit.

Kur vijnë fëmijët për vizitë, secili e mban celularin e vet në dorë. Askush me askënd nuk flet drejtpërdrejt. Flet me telefon, jo me ne që jemi të pranishëm në dhomë, por me ata, të afërmit, miqtë e shokët ose shoqet, që janë në largësi. Dikush dëgjon muzikë, dikush me dikë këmben fjalë e fotografi. Mund të këmbejnë, po, edhe i këmbejnë edhe video-regjistrime, që i filmojnë vetë me telefonat e dorës.

*

Kur ecën rrugës, sheh njerëz që flasin pa pasur askënd në afërsi! Ose më mirë të thuash, që flasin, o Zot, s’di si të të them?! Fiton përshtypjen se ai është i çmendur dhe flet me vetveten. Jo, ai është duke biseduar me dikë në largësi, përmes celularit, ose me dikë në një qytet tjetër, kjo s’ka rëndësi. Kufjet në veshë e telefonin në një xhep të xhaketës ose të mantelit dhe fol, djalë, me kë të duash. Nuk kushton shumë! Këso rastesh ka për­ditë e më shumë. Edhe ata që nuk kanë, ose më mirë të them nuk punojnë as për bukën e gojës, e s’kanë as për të ngrënë, e që për ta kujdeset shteti e organizatat humanitare, edhe ata kanë celularë. Bile të shtrenjtë! Që flasin dhe mund ta shohin edhe fotografinë, qoftë në qytetet e largëta ose edhe përtej Atlantikut! Ndoshta është e çudit­shme, por është e vërtetë!

*

Robër të telefonave celularë thuaja janë bërë të gjithë. Bile edhe ministrat e zëvendësmi­nistrat. Edhe kur janë në mbledhje qeverie apo kudo të jenë… Edhe deputetët në mbledhjet ple­nare të parlamentit, kudo, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup e në Preshevë… Natyrisht, fjala është për tërë globin. Të paktën, atë që po e shoh unë…

Telefonatat nuk të lënë të qetë madje as gjatë varrimeve. Më ka rastisur, kur kam marrë pjesë në ndonjë varrim të ndonjë të njohuri, në Prishtinë ose në fshatin tim të lindjes, jo vetëm të dëgjoj cingërima telefonash, por edhe biseda jo të shkurtra. S’ka lidhje që dikush është duke lexuar nekrologun për të vdekurin. Edhe hoxha ose prifti nëse është duke bërë lutjen për të vdekurin, pronarit të celularit nuk ia ndien dhe flet me celular. Edhe në të pame, për ngushëllime, pra, nuk ka shans të mos ndihen cingërima celulari. Tani pritjet për ngushëllime rëndom po i organi­zojnë tri ditë, në ndonjë çadër të madhe ku i zë më shumë se tridhjetë apo pesëdhjetë veta dhe rastis që më shumë të dëgjohen ata që bisedojnë me telefon sesa ata që shprehin ngushëllime.

*

Teknika ka ecur shumë shpejt dhe ka arri­tur shumë larg! Falënderoj të madhin Zot që na janë krijuar këso kushtesh për të komunikuar me kë të duam, pa marrë parasysh largësinë fizike! Jo vetëm telefonat, po edhe televizioni ka ecur shumë larg përpara. Me një antenë satelitore mund t’i shohësh mijëra programe televizive. Në Kosovë tanimë ke disa kompani që ofrojnë lidhje interneti dhe lidhje kabllore me qindra studio televizive. Auuuu, secili fshat, gati, ka bërë studio televizive dhe transmeton programe nga aty e ti, kudo të jesh, mund ta ndjekësh cilindo program televiziv. A ke çka të shohësh të mirë aty, do të më pyesësh ti? Shumë pak ose aspak!

E tash, unë që jetoj në Gjermani, shoqja ime, shikon ca programe TV, e unë jam para kompju­terit. Ajo është “bos” i televizorit. Kur unë kërkoj të shoh ndonjë emision, ajo “nuk më lejon me dëshirë”. E ka uzurpuar televizorin dhe nuk ka bir nëne që ia merr teledirigjuesin e televizorit. Edhe bijat e mia janë, natyrisht, në anën e mamit. Më thonë, babi, mos e nga nënën. Lëre, le të shikojë çka të dojë ajo!

*

Më irritojnë shumë jo vetëm shkuarjet nëpër dreka e darka në restorantet më të njohura në vend e jashtë vendit, por edhe publikimi i foto­grafive dhe videoregjistrimeve duke konsumuar ushqime e pije shumë të shtrenjta, kuptohet me para të buxhetit të vendit. Qytetarët i paguajnë taksat e ata (zyrtarët) i hanë dhe i pinë!

Këtë letër po e lë me kaq.

Dritë paç, o miku im i mirë!

(Nuremberg, 20 shkurt 2018)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok