21/12/2024

Rezistenca e fortë e ukrainasve, na e kujton një fakt themelor të luftërave për liri

0
u6_Blerim-Latifi

Blerim Latifi:

Rezistenca e fortë e ukrainasve përballë agresionit rus, na e kujton një fakt themelor të luftërave për liri: duhet të kesh armë të mjaftueshme dhe një shkallë të madhe patriotizmi tek popullata.

Tek ukrainasit këta dy faktorë duket të jenë optimalë.

Tek ne të dy këta faktorë kanë çaluar shumë. Ne nuk kishim armë të mjaftueshme në asnjë periudhë të luftës dhe patriotizmi ynë luftarak kurrë nuk arriti të mobilizonte më tepër se 20 mijë njerëz.

Kjo shpjegohet me faktin se për një kohë të gjatë ne kemi qenë të bindur se nuk mund t’i rezistojmë ushtarakisht Serbisë, prandaj edhe nuk besonim në suksesin e luftës çlirimtare.

Nëse nuk beson se mund të çlirohesh vetë, sigurisht se nuk do t’i rrokësh armët kurrë.

Mosbesimi tek vetja, frika nga armiku dhe patriotizmi praktik nuk shkojnë kurrë bashkë.

Fatkeqësisht edhe gati 23 vjet pas çlirimit ne vazhdojmë të jetojmë me mentalitetin e frikës nga Serbia dhe të mosbesimit se një ditë do të mund të jemi në gjendje të qendrojmë përballë saj pa ndihmën e ndonjë protektori të madh.

Dikush ka thanë se mentaliteti i të qenit rob zgjatë edhe shumë kohë pasi të ketë marrë fund gjendja e robërisë objektive.

Megjithatë kjo që po ndodhë në Ukrainë na i kujton disa leksione, të cilat, në kohërat e paqes, i harrojmë lehtë: nuk ka paqe të përhershme në histori dhe se patriotizmi është shpirti i një kombi të lirë.

A do t’i marrim seriozisht këto leksione ndonjëherë?

Nuk e di. Zakonisht ne nuk shquhemi në të mësuarit nga gabimet dhe dështimet tona.

_______

Drejt Ukrainës janë duke vërshu me tonelata armë nga shumë shtete. Armë nga më të sofistikuarat. Ne të shkretit u dashke me gomarë e kuaj me i futë armët në Kosovë, duke kaluar mes maleve e kufirit të blinduar nga ushtria serbe. Eh, sa djem të Kosovës kanë ra në kufi gjatë rrugës për të shku në Shqipni me marrë një pushkë e me u kthy në Kosovë për të luftuar. Ishin të pabarabartë me armikun, por zemrën e kishin të madhe.

Lavdi i qoftë emrit dhe heroizmit të tyre të rrallë!

Sot e përgjithmonë.

_______

Rusia cariste i ka shtypur pamëshirë gjatë gjithë historisë së saj. Kush e ka lexu “Haxhi Murati” të Tolstoit, ka mundur të kuptojë dramën e kësaj shtypjeje.

Bashkimi Sovjetik nuk i ka trajtuar hiç më mirë. Gjatë kryengritjeve të tyre për pavarësi, në vitet ’90 të shekullit të kaluar, e gjithë Çeçenia ishte kthyer në tokë të djegur nga ushtria ruse. Ishte pikërisht Putini ai që e varrosi me gjak aspiratën e çeçenëve për pavarësi.

Për t’i mbajtur nën kontroll mbi krye u ka vënë një bandit klasik, i cili qeveris duke tundur koburën. Sot 10 mijë çeçenë qenkan mobilizu në formacione paramilitare për t’i ndihmuar xhelatit të tyre të djeshëm në pushtimin e Ukrainës. Detyra e tyre, siç po shkruajnë mediat, qenka mbjellja e terrorit në tokën e Ukrainës.

Robëria nuk është fundi i një populli.

Fundi është kur ai heq dorë nga aspirata për liri dhe shndërrohet në vegël qorre të sunduesve të tij.

_______

Rusia e sotme nuk është më agresive se Bashkimi Sovjetik i djeshëm, por sot Rusisë i mungon një instrument shumë efektiv të cilin e kishte Bashkimi Sovjetik: joshjen ideologjike përmes përdorimit të ideologjisë komuniste dhe përrallave të bukura të saj.

Sot, agresioni i Rusisë, në mungesë të një justifikimi moral, duket krejtësisht si një agresion barbar, deri në përmasat e fashizmit. Prandaj sot Rusia ndodhet pothuajse e vetmuar përballë gjithë botës, e cila, me gjithë problemet e mëdha, nuk është e gatshme ta pranojë një rend botëror të bazuar në ligjin e xhunglës.

Ukraina edhe mund të gjunjëzohet nga pesha e forcës ushtarake, por aventura e rrezikshme e Rusisë që synon eksportimin e autoritarizmit nëpër botë, nuk ka shansa të dalë e suksesshme.

_______

“Oso Kuka” i Ukrainës. Për ta ndaluar avancimin e tankeve ruse i riu Vitaly Skakun qenka martirizu duke hedhur veten në erë bashkë urën nga do të kalonin ato.

Veç dashuria e pakusht për lirinë e atdheut, mundëson heroizma të tillë.

_______

Ja një njeri që i jep kuptim të plotë fjalës president!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok