22/12/2024

REXHEP GJELI- PËR NE, ÇLIRIMI I KOSOVËS DHE BASHKIMI ME SHQIPËRINË, ËSHTË I PA KOMPROMIS

0
Rexhep-Gjeli

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1906- u vra më 3 tetor 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi i madh, Rexhep Gjeli, u lindi në Likoshan të Drenicës, më 16 maj 1906. Rexhepi lindi në një familje të varfër fshatare, por atdhedashuria ishte mbi të gjitha. U edukua bashkë me brezin e vet në oda që ishin universitetet më të mira të kohës. Në këto oda pati rastin të takohej me burra të urtë e të mençëm, trima e atdhetar të pashoq. Nga ata mori edukimin, u frymëzua e motivua se pa luftë nuk ka atdhe e as liri. Andaj, rruga e vetme ishte që ai të vazhdoi me traditën e të parëve duke bërë rezistencë ndaj bandave çetnike e atyre partizane gjatë ripushtimit të territoreve shqiptare. Babai i Rexhep Gjelit kishte edhe tre djem të tjerë Qerimin, Mehmetin e Muharremin.

Vëllai Qerim Gjeli ishte ushtar i Hasan Prishtinës i cili duke luftuar kundër pushtuesve bullgar, vritet më 1916. Po ashtu edhe vëllai tjetër i Rexhep Gjelit, Mehmet Gjeli ishte njeri ndër prijësit e çetave të Azem Bejtës në betejën te Guri i Bardiqëve (1921) kundër pushtuesve serb mbetet i plagosur rëndë. Pushtuesit sllav shpallin amnisti për luftëtarët e Azem Bejtës dhe një pjesë e luftëtarëve kthehen në shtëpitë e tyre. Kështu veproi edhe luftëtari trim Lutë Gllanasella, por me të u kthyer xhandarmëria e arreston Lutën dhe e dërgon në drejtim të Rezallës së Re, gruaja e Lutës Azemine Kiqina shkon në Likoshan e informon Mehmet Gjelin, i cili arrin ta liroj Lutë Gllanasellën.

Mund të thuhet se në fillim të vitit 1945 në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare u koncentruan forca të shumta ushtarake, policore dhe një aparat shumë i dhunshëm represiv. Udhëheqja jugosllave kishte planifikuar nënshtrimin e plotë të shqiptarëve dhe me pas shpërnguljen e tyre, prandaj qysh gjatë depërtimit forcat e shumta partizane dhe struktura e OZN-së ushtruan dhunë dhe terror të paparë ndaj tyre. Prandaj, edhe kundërvënia e shqiptarëve dhe lufta për mbrojtjen e vatanit mori karakter të thuash epik.

Dhuna dhe terrori i ushtruar në Drenicë në vitin 1944 bëri që popullsia e kësaj treve të organizohet për mbrojtje, më qëllim të ruajtjes së jetës, nderit, pasurisë së popullit, e sigurimin e rendit publik. Në dhjetor, 1944 u formua Brigada e Drenicës me Komandant Shaban Palluzhën, dhe zëvendës komandant të parë Rexhep Gjelin. Më tu kthyer nga fronti i Shalës 10.02.1945, Mehmet Gradicës i caktohet detyra e zëvendës komandantit të parë, kurse Rexhep Gjelit komandant i Gardës së Shtabit Suprem.

Shtabin e brigadës e përbënin: Azem Aruqi, Rexhep Gjeli, Feriz Boja, Hamëz Istogu. Hazir Xhaka, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Mulla Ilias Broja, Rifat Maloku, Sadik Lutani dhe Ukë Sadiku. Brigadën e përbënin 7 batalione, çdo batalion përbëhej nga 4 kompani sipas sistemit të ushtrisë shqiptare. Po ashtu ishte formuar dhe Garda e Shtabit Suprem. komandant i Batalionit të Parë ishte caktua Isa Zymberi; komandant i Batalionit të Dytë- Sadik Zeka nga Vushtrria; komandant i Batalionit të Tretë-Miftar Llausha-Bajraktari; komandant i Batalionit të Katërt- Aziz Xheku nga Oshlani; komandant i Batalionit të Llapit- Rifat Maloku; komandant i kompanisë së Çetës ishte caktua Iliaz Muli; komandant i kompanisë ishte caktua Hakif Rimanishta; komandant i Çetës së Llapit- Abdullah Mihaliqi (prej të gjithë regrutëve 25% ishin pa armë); komandant i kompanisë Islam Vatofci nga Qyqavica; komandant i kompanisë përcjellëse të Shaban Polluzhës- Ajet Qezi. Pasi që kjo Brigadë do të kthehet nga rruga në Podujevë për në Drenicë, duke mos iu bind urdhrave të Shtabit Operativ, me të drejtë sepse në prapavijë, sidomos në Drenicë, OZNA-a kishte bërë mizori, do të zhvillohen sulme ndaj saj nga ana e Divizionit 52 që e drejtonte krimineli Petar Brajeviq, nga 10-23 shkurti 1945.

Brigada e Shaban Polluzhës ishte mjaft mirë e organizuar ngase në të merrnin pjesë njerëzit me virtyte të larta kombëtare, të guximshëm dhe të besës. Paria e brigadës së Shaban Palluzhës me ftesën e partizanëve jugosllav kishin shkuar në Mitrovicë për bisedime, për shkuarjen e tyre në frontin e Sremit. Takimi kishte dështuar ngase Shaban Polluzha nuk ishte pajtuar. Por, duhet theksuar se shumë i zëshëm kundër shkuarjes në Srem ishte atdhetari i madh Rexhep Gjeli. Për të kishte rëndësi çlirimi i atdheut pa marrë parasysh se kush ishte pushtuesi qoftë gjerman serb apo ndonjë tjetër.

Për të realizuar më me efikasitet likuidimin e “bandave” dhe “ballistëve” shqiptarë, repartet ushtarake jugosllave krijuan një rrjet të gjerë spiunazhi. Të besuarit e regjimit evidentonin njerëzit ”që posedonin armë”, caktonin llojet dhe numrin e tyre dhe përpilonin listat e ”ballistëve”, që duheshin eliminuar. Të gjithë këta arrestoheshin, kryesisht natën, dërgoheshin në kampe përqendrimi ose në burgje, por shpesh pushkatoheshin sapo nxirreshin nga shtëpitë. Kundër banorëve, që u detyruan të braktisnin shtëpitë e të fshiheshin pyjeve, pasonin urdhrat për t’u konfiskuar kafshët dhe pasurinë, me pretekstin se ishin marrë me kriminalitet. Qçllimi i tyre ishte që Kosova të zbrazet nga shqiptaret.

Rexhep Gjeli nuk donte të dilte jashtë Kosove, ngase e parandiente se shqiptaret ishin në rrezik nga hordhitë çetnike. Forcat partizane nga spiunët e ndryshëm kishin kuptuar se kush ishte më i zëshmi, andaj për ta bindur Rexhep Gjelin, me një shpejtësi organizojnë shkuarjen në Likoshan dhe kidnapojnë djalin e vetëm të Rexhep Gjelit, duke e marr peng. Forcat e Lëvizjes ishin duke u kthyer nga Mitrovica, ku Rexhep Gjeli vëren se partizanët kishin marrë një djalë të ri, pa e ditur se ishte djali i ti, shkon drejt tyre dhe e nxjerr djalin nga njësiti partizan. Gëzimi ishte edhe më i madh kur e sheh se ai ishte djali i tij. Ata- partizanët kishin vendosur që djalin e kidnapuar ta çonin në burgun e Skenderajt për ta likuiduar. Djalin e nxjerr me dhunë, duke detyruar komanduesin e këtij njësiti t’i dorëzojnë armët. Duke mos pasur zgjedhje tjetër, partizanët largohen (gjithnjë) nën komandën e Rexhep Gjelit dhe kështu shpëton djalin. Ndërsa më pas këta partizan i liron Shaban Polluzha.

Se ishte luftëtar i madh, dëshmon edhe lufta në Gradicë, në një moment derisa lufta zhvillohej më intensitet të madh Rexhep Asllani i drejtohet Rexhep Gjelit dhe Brahim Lutës me fjalët ”O Rexhep Gjeli e Brahim Luta do të luftojmë në këtë kullë përderisa themelet e saj nuk do rrafshohen më tokë, nga granatat, topat e mortajat e armikut dhe asgjë nuk më dhimbet të jap jetën për lirinë e vatanit”. Vlen të theksohet së më vonë njësitet e Lëvizjes në Gradicë u pozicionuan me një përpikëshmëri të caktuar strategjike e luftarake, ashtu të maskuar pritnin kundërsulme të forcave të armikut. Më 14 shkurt 1945 Rexhep Gjeli dhe Brahim Luta organizojnë mbledhje me eprorët e njësive ushtarake më të cilët shqyrtonin gjendjen e krijuar dhe konstatuan se; Me pushtimin e Kozhicës, Krasmirocit (në Krasmiroc ishte i vendosur Shtabi Suprem pjesë e të cilit ishte dhe Rexhep Gjeli) dhe të disa vendeve strategjike ne Gradicë u shkëput lidhja me njësitet të tjera dhe Shtabin Suprem, po ashtu është vërejtur edhe koncentrimi shumë i madh i forcave armike në këto anë. Më 14 Shkurt në oren 20:00 pas përgatitjeve dhe në befasi sulmohen pozicionet e armikut në pjesën lindore të Gradicës më një gjatësi frontale 5 km në dy drejtime: ne krahun e majtë në rajonin e rrafshit të Bardiqëve njësitet ushtarake të udhëhequra nga Regjep Gjeli, Ajet Qirezi, ndërsa nga malete Litkocit njësitet e udhëhequra nga Asllan Lladrovci e Beqir Vinarci. Mbas këtij sulmi u vu lidhja me njësitet e tjera dhe Shtabin

Rexhep Gjeli e dinte se besë me çetnikët e konvertuar në partizan nuk kishte, andaj, duke u nisur nga ky fakt, ai do të luftoi kundër tyre dhe do të angazhohej edhe më tepër në luftë kundër armikut. Ishte çdo kund ku e kërkonte atdheu. Ishte krahu i djathtë i Shaban Polluzhës dhe do të luftojë me të, deri në fund. Gjatë Luftës së Drenicës tregoi një aftësi të rrallë luftarake, në shumë raste do të udhëheqë shumë aksione dhe do të fitojë autoritetet në mesin e bashkëluftëtarëve të vet.

Në Terstenik u zhvillua beteja e fundit e udhëhequr nga Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Sipas Shtabit Operativ të Kosovës të ushtrisë jugosllave thuhet se aksioni më i madh luftarak kundër forcave të Shaban Polluzhës është zhvilluar me 21 Shkurt 1945 në Tërstenik. Beteja vendimtare ishte të Dvoranet e Tërstenikut, dhe duhet thënë se kjo betejë i dërgoj këta komandant në përjetësi. Nga të shtënat e artilerisë plagoset rëndë Komandanti Suprem i forcave të Lëvizjes Shaban Polluzha. Komanda kalon të Mehmet Gradica, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të Shtabit Suprem merr vendim se qëndrimi i mëtutjeshëm në këtë vend paraqet rrezik të madh. Merret vendim që në mbrëmje forcat e Lëvizjes të tërhiqen duke sulmuar armikun në tre drejtime: Në lindje, të sulmoj njësiti ushtarak nën komandën e Mehmet Gradicës, Jusuf Gjilanit, Brahim Lutës, Ajet Gjelit. Në Juglindje, të sulmoj njësiti ushtarak nën komanden e Azem Aruqit, Hamëz Istogut e Rifat Galicës. Krahu i majtë i njësitit të parë nën komandën e Regjep Gjelit, Ajet Qirezit, Shasivar Alisë.

Para se të filloj sulmi, Mehmet Gradica u bëri vizitë të gjitha pozicioneve të lëvizjes duke u konsultuar individualisht me eprorët kryesorë, por për fat të keq në momentin e parë kur filloj sulmi një predhë artilerie e godet Mehmet Gradicen. Granata i kishte këputur këmbën e djathë mbi gju Mehmet Gradicës, ndonëse mungonin mjetet sanitare, Mehmetit ju dha ndihma e parë dhe e strehuan në një vend të përshtatshëm deri sa të ndërmerrej hapi tjetër.

Pas vrasjes së Shaban Polluzhës e plagosjes së Mehmet Gradicës, Rexhep Gjeli ishte emëruar komandant i Shtabit Suprem të Brigadës së Shaban Palluzhës. Në atë gjendje si ishte Mehmet Gradica, i plagosur rëndë, ftoi anëtarët e tjerë të Shtabit Suprem të lëvizjes në konsultë. U vendos unanimisht që komandën e përgjithshme ta merrte Rexhep Gjeli, anëtar i Shtabit Suprem. Më të marr komandën Rexhep Gjeli vendos të veproi sipas planit të miratuar më parë, shpërthimin e rrethimit të trefishtë. Para se të fillonte sulmi ishte bërë edhe plani për tërheqjen e Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës, qe planifikuar ti hipën në kuaj dhe në mbrojtjen e zjarrit të armëve të nxirren prej rrethimit. Për këtë punë u angazhua Rexhep Gjeli, Ajet Qirezi, Isuf Gjilani e të tjerë. Forcat ushtarake të Lëvizjes nën komandën e Rexhep Gjelit shpërthyen rrethimin dhe nisen në drejtim të Gllogovcit (Drenasit), në fshatin Qikatovë e Vjetër. Si pasojë e plagëve te marra Komandanti Shaban Polluzha ndërroi jetë, të cilin e varrosin nën akull të Lumit Drenica, tek vendi i quajtur Bresillë në Çikatovë. Nga këtu, Mehmet Gradicën e plagosur, e bartin bashkëluftëtarët e tij Brahim Luta, Rexhep Gjeli, Isuf Gjilani e Xhemë Zeqiri, në drejtim të fshatit Dobroshevc, tek shkolla e këtij fshati ndërroi jetë në mbrëmje të po kësaj dite.

Rexhep Gjeli ishte ai i cili pas vrasjes së Mehmet Gradicës, së bashku me Isuf Gilanin dhe Brahim Lutën do ta varrosin në një vend të fshehtë në Gllanasellë, në mënyrë që të mos bjerë kufoma në duar e atyre që e kishin vrarë. Pasi varros Mehmet Gradicën do të dalë në Çiçavicë për të vazhduar rezistencën kundër komunistëve.

Komandanti Rexhep Gjeli dhe shokët e tij e mbajtën besën e dhënë, duke vazhduar luftën e armatosur, por tani në një formë tjetër, më luftë guerile. Kështu, Rexhep Gjeli vazhdon më beteja të tjera.  Më vonë në një përleshje me njësitin e OZN-së mbi Krasmirovc (Çiçavicë) do t’i vritet djali që e kishte shpëtuar në Serbicë. Megjithëse e kishte shpërthyer rrethimin, me të hetuar se djali ka mbetur i vdekur do të kthehet përsëri në front dhe do të vritet më 3 tetor 1946, gjatë përleshjes në të njëjtin vend.

Më pas do të vriten bashkëluftëtarët nga Gradica: Milazim Leci, Vesel e Lam Dervishi, Bahtir Muja, Maliq Hykolli, Hisen e Maliq Bardhi. Ndërsa, Smail Muja vritet pabesisht në fshatin Nekovc.

Andaj, akti i tyre i vetëmohimit dhe i sakrificës qëndron në themel të qëndresës së përgjakshme kundër politikës shoviniste, që tashmë ishte veshur me petkun komunist. Në krye të kësaj lufte u vunë prijës të thjeshtë popullorë, patriotë të shquar, të cilët, mbështetur në përvojën historike, u treguan shumë më largpamës se udhëheqësit shqiptar me bindje komuniste. Qëndresa e armatosur kundër zgjedhës jugosllave, lufta për çlirim kombëtar, e radhiti Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në kampin e forcave më të avancuara demokratike të Ballkanit dhe të Evropës Lindore.

Mu për këtë thuhej se, Rexhep Gjeli ishte njëri nga këta luftëtar, i cili luftën për çlirimin e vendit dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një Shqipëri Etnike i zhvilloi në këtë frymë, të udhëhequr nga Shaban Palluzha e Mehmet Gradica. Ishte luftëtar i pa kompromise, dhe emri e trimëritë e tij kishin marr dhen. Ai ishte bërë ankth i komunistëve çetnik serb, që ngadalë po sigurt hyri në analet e historisë shqiptare e më gjerë. Sot, shumë rrugë qytetesh e fshatrash të Kosovës, për nder të tij mbajnë emrin e Rexhep Gjelit, duke përfshirë dhe shkollën e Likoshanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok