16/11/2024

RËNDËSIA E LIRISË SË SHTYPIT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN

0

Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë!

Nga Frank Shkreli

15 shtatori 2022 shënoi 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë qysh në vitin 2007, me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe të lirisë. Në këtë ditë,  njëherazi, u kërkohet shteteve anëtare të OKB-së që të shënojnë këtë ditë, në mënyra sa më të përshtatshme, duke promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë dhe të lirisë, në vendet e tyre. Sipas OKB-së, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë në botë dhe poër të promovuar vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Demokracia është po aq proces sa edhe një qëllim dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë, nga bashkësia ndërkombëtare, organizmat qeverisëse kombëtare, shoqëria civile dhe individët, mund të realizohet ideali i demokracisë dhe lirisë, për të gjithë dhe kudo, pa dallim, thuhet në njoftimin e OKB-së. Si temë e e këtij viti për të shënuar 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është zgjedhur Liria e Shtypit dhe Demokracia.  Liria e shprehjes është njëra nga të drejtat themelore të njeriut, e mbrojtur nga neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Në deklaratën e OKB-ës në këtë përvjetor thuhet se ndërkohë që kriza e COVID-19 ka shkaktuar sfida të mëdha globale, një krizë e re në Evropë na kujton se parimet tona demokratike gjënden përballë kërcënimeve të ndryshme, anë e mbanë botës.  OKB-ja paralajmëron me këtë rast se, sot më shumë se kurrë, Demokracia po tkurret, hapësira për debat shoqëror po ngushtohet, mosbesimi dhe keq-informimi po shtohen, ndërkohë që kërcënimet, kundër lirisë së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias vijnë duke u shtuar, nga ditë në ditë. Prandaj, si përfundim i kërcënimeve ndaj lirisë së medias në botë, OKB-ja ka vendosur që në këtë 15-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë të përqendrohet mbi rëndësinë dhe rolin që luan liria e shtypit në zhvillimet demokratike dhe në sigurimin e paqës në botë. Media e lirë, e pavarur dhe pluraliste, e aftë për të informuar shoqërinë mbi çeshtje të interesit publik, është një pjesë përbërse e Demokracisë së mirëfilltë.  OKB-ja thekson me këtë rast se, gjithnjë e më shumë, vihet re se gazetarët, anë e mbanë botës, përballen me pengesa të llojllojshme ndaj lirisë së tyre për të kryer detyrën si gazetarë – gjë që ka pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për zhvillimet demokratike kudo.

Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehet se “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit.”  Kjo është edhe arsyeja që mbrojtja e lirisë së medias konsiderohet si një pjesë përbërse — kritike — për ndërtimin e një demokracie të shëndosh, ka thënë ai. “Pa lirinë e shtypit, demokracia nuk mund të mbijetojë. Pa lirinë e të shprehurit, nuk ka as liri të tjera”, theksoi udhëheqsi i organizatës botërore, ndërsa u bëri thirrje qeverive të mbarë botës që të “sigurohet liria dhe të mbrohen të drejtat e të gjithë njerëzve, pa dallim dhe kudo në botë”. International Day of Democracy | Messages | United Nations.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden bëri një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Statement by President Joseph R. Biden, Jr. on the International Day of Democracy – The White House — “15-vjet më parë, shtetet anë e mbanë botës janë bashkuar për të deklaruar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – një ditë kjo për të treguar mbështetjen tonë të përbashkët për qeverisje përfaqsuese, transparente; për të reflektuar mbi barazinë, respektin për të të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor dhe për shtetin e të drejtës”, tha ndër të tjera, Presidenti Biden. Udhëheqsi amerikan pranoi se vitet e fundit, “demokracia anë e mbanë botës ka pësuar disa sfida të dukshme”, ndërsa ai fajësoi ata që i quajti “autokratë dhe forca të tjera, të cilat bëjnë trysni ndaj atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.”  Në 15-vjetorin e shpalaljes së Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga OKB-ja, Presidenti Biden shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po bashkpunojnë me shtetet e tjera demokratike në mbarë botën për të zgjidhur sfidat më të mëdha me të cilat përballet bota”sot, ndërsa përmendi “luftën brutale dhe të pajustifikueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, si një nga ato sfida.

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të tijën nga Departamenti i Shtetit, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Commemorating the International Day of Democracy – United States Department of State u shpreh se në “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne theksojmë angazhimin tonë ndaj demokracisë ndërsa përpiqemi për një botë më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më paqësore.  Siç ka theksuar edhe Presidenti Bajden, shtoi diplomati lartë amerikan, “… ne duhet të fillojmë me diplomacinë e rrënjosur në vlerat demokratike më të dashura dhe më të shtrenjta të Amerikës, e që janë: mbrojtja e lirisë, mbështetja e mundësive të barabarta për të gjithë, respektimi i të drejtave universale, respektimi ndaj sundimit të ligjit dhe trajtimi me dinjitet i çdo personi… Duke vendosur të drejtat e njeriut në zemër të politikës sonë të jashtme, Shtetet e Bashkuara avancojnë respektin për liritë themelore, edhe në nivel global.  Ne e dimë se respekti, për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, është thelbësor për paqën e qëndrueshme dhe begatinë e vazhdueshme në botë. Ky respekt bazohet në përvojën tonë si shtet demokratik, ndonëse jo i përsosur, por, vazhdimisht, duke punuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”, për të gjithë, është shprehur, ndër të tjera, Kryediplomati amerikan Antony Blinken me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, me 15 shtator, 2022.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënohet  çdo vit më 15 shtator me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin publik vlerave të demokracisë dhe lirive të njeriut, në përgjithësi. Veprimtari të ndryshme të sponsorizuara nga ente qeveritare dhe ente jo-qeveritare zhvillohen anembanë botës për të promovuar demokracinë në këtë ditë dhe gjatë gjithë vitit. Udhëheqës shtetesh si Presidentët e Amerikës dhe të tjerë anë e mbanë botës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e shënojnë këtë ditë me deklarata në mbështetje të demokracisë dhe lirive bazë të njeriut.

Ashtu ndodhi edhe sivjet. Por m’u duk se përjashtim këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Shqipëria dhe Kosova, bënin pjesë me vendet që nuk e shënuan Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, zyrtarisht, dhe jo me vendet demokratike si Shtetet e Bashkuara, ku kjo ditë u shënua nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij pranoi se megjithë përvojën e gjatë demokratike – megjithëse jo të përsosur — është e nevojshme që edhe Amerika ta kujtojë Ditën Ndërkomëtare të Demokracisë, si një angazhim i përherëshëm ndaj vlerave demokratike, përfshir promovimin e të drejtave të njeriut, përfshir lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit për individët.

Fatkeqsisht, më duket se, në këtë tranzicion tepër të zgjatur prej 32- vitesh, dielli i demokracisë së vërtetë shqiptare, të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës konfliktuale politike të korruptuar shqiptare. Ose të pakën të ketë devijuar shumë keq nga rruga që duhej të ndiqte në zhvillimin e demokracisë dhe lirive bazë të

njeriut, në tranzicionin e pafund “post-komunist” në Shqipëri, e deri diku edhe në Kosovë. Për fat të keq, paralajmërimi im jo aq i kahershëm se, “Demokracia Nuk Pret”, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite, kur bota shënon 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe lirisë së shtypit, në Shqipëri as nuk përmendet fjala Demokraci. Në vend të Demokracisë së vërtetë, kemi autoritarizëm, jo përmirësim të vlerave të lirisë e demokracisë, përfshir lirinë e shtypit. Por një përkeqësim të tyre – ashtu siç reflektohet në shumë raporte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut —   ndoshta më keq se kurdoherë në këto tre dekada “post-komunizëm. Kapja e drejtësisë Në 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, jo vetëm që “Demokracia Nuk Pret”, por sipas vlerësimeve të analistëve të brendëshm dhe të jashtëm, demokracia — sidomos në Shqipëri — është në rrezik. Kapja e drejtësisë nga qeveria, nepëmjet një “reforme” që mbështetet dhe financohet nga ndërkombëtarët, nuk i shërben thellimit të demokracisë as mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët, padallim.

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit”, porositi Sekretari i Përgjithëshpëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtator, 2022.  Demokracia Nuk Pret!

Jo vetëm që Demokracia nuk pret më, por duket se ajo është në     rrezik…”Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok