22/12/2024

RAMA – AKSIDENTI MË I MADH I TRANZICIONIT SHQIPTAR!

0
u6_Aksidenti-Rama

NGA ILIR ÇUMANI

Tashmë dihet nga të gjithë, se Shqipëria që prej 2013 – tës nuk drejtohet më nga një Qeveri demokratike dhe nga një Kryeministër i përgjegjshëm, por nga një bandë e pa nginjur grabitqarësh dhe dhunuesish të pa shpirtë me maskën e pushtetit.

Ky vend i kapur nga Mafia me pushtet, i zhytur në krim, drogë dhe korrupsion administrativ, qeveriset tashmë nga një Sulltan me emrin: Edvin Rama.

Së bashku me aradhën e tij të jeniçerëve të pagëzuar me emrin “rilindas”, Kryeministri ynë i’a ka mbushur mendjen vetes se ai është Zoti në qiell dhe Zoti në tokë, dhe se ai, dhe vetëm ai në këtë vend duhet të drejtoj dhe mbaj peng jetët tona, jetën e çdo shqiptari, edhe të atyre që s’kanë lindur dhe do të lindin nesër…

Ky, Edvini i Rilindjes, në delirin dhe çmendurinë e tij, i’a ka mbushur mëndjen vetes se çdo gjë në këtë vend duhet të ketë bekimin dhe vullnetin e tij, sepse çdo gjurmë, çdo gjë nga e shkuara dhe historia jonë e përbashkët në këtë vend duhet të fshihet me gomë, dhe se gjithçka duhet të nis nga e para me epokën Edviniane…(Kështu mendojnë të gjithë diktatorët që drejtojnë popujt e tyre në tirani, sepse përmës tiranisë, ata mbajnë gjallë me të gjitha mënyrat dhe me çdo çmim pushtetin e tyre të pamerituar).

Kujtoni pak, si ka vepruar në këto vite të qeverisjes me disa objekte të rëndësishme që kanë qenë pika kyçe referuese për Tiranën dhe që e identifikonin këtë qytet 100 vjeçar me traditat, kulturën dhe historinë e shkuar të saj…

Kujtoni ish – Liqenin Artificial të Tiranës, ku në emër të statusit që mban si ekzekutiv dhe në emër të politikave zhvillimore për qytetin, në bashkëpunim me kryejeniçerin Veliaj, uzurpoi hapësira pafund të gjelbërimit të këtij Parku Kombëtar, kinse për të ndërtuar lojra dhe pika kreativiteti për fëmijët…

Ndërkohë, sot atje gëlojnë pafund biznese dhe betoni ka bërë kërdinë mbi mushkrinë më të madhe të Tiranës…!

Kujtoni ish Stadiumin “Qemal Stafa”, një vepër e rëndësishme sportive e arkitekturës italiane e fillim shekullit të ’20 – të, e cila në vendin ku ndodhej ajo, harmonizohej aq bukur dhe organikisht me kompleksin e godinave të tjera përreth, siç janë Korpusi i Universitetit Shtetëror, Akademia e Arteve dhe Biblioteka e Universitetit, etj.

Tashmë, gjithçka është fshirë nga kujtesa që e lidhte atë stadium me të shkuarën dhe historinë e Tiranës, sepse në vend të saj është ngritur një përbindsh me një kullë gjigande ku vetëm bëhet biznes dhe qarkullojnë para oligarkësh me bekimin e PPP – ve të pushtetit korruptiv të Sulltanit tonë…Hidhini një sy Sheshit – Gungë me emrin: “Skënderbej”, gjithashtu, edhe ish – Lulishtes kryesore në këtë qendër.

Tashmë, asgjë nuk e lidh me traditën dhe historinë e qytetit të Tiranës, përveç një superbiznes prej milionash që Bashkia e Kryejeniçerit të Sulltanit tonë i përfiton prej gararzhdit gjigand të nëndheshëm…

Duket sikur ajo gungë “moderne” në qendër të Tiranës, e sfidon të gjithë ansamblin e Ministrive dhe godinave neoklasike përreth.

Madje, ajo gungë, i bën karshillëk edhe Heroit tonë Kombëtar duke i thënë: ç’farë bën aty, ke më shumë se pesë shekuj që qëndron mbi atë kalë… Zbrit që andej, sot kemi Skënderbeun tonë, Edvinin, ai që më solli në jetë, dhe ja ku jam, i madh, dominues mbi të gjithë ju….

Tashmë, ne po jetojmë epokën e ndritur të tij, dhe ai e meriton të qëndrojë mbi atë kalë…(!!!) Nuk e kupton se tashmë t’i përket së shkuarës, ndërkohë që me Skënderbeun dhe Mamicat e ditëve tona, ne po rilindim të ardhmen tonë…!?

Hidhini një sy Parkut Rinia, dhe shikoni se ç’farë po ndodh aty…!

Është një barbari dhe përçudnim që ka pësuar peisazhi mahnitës i Parkut të dikurshëm, që tashmë është deformuar dhe zor se tiranasit tradicional dhe autokton, por, edhe banorët e rinj të ardhur në vitet e fundit në kryeqytet do të mund të përshtaten me atë hapësirë – gungash pa fund… Ato qëndrojnë si çibanë me qelb në mushkritë e sëmura të kryeqytetit tonë!

Të gjithë shqiptarët, i madh dhe i vogël, janë bërë dëshmitarë të një lufte të paprinciptë dhe të pafund nervash mes qeverisë dhe pushtetit korruptiv, përballë komunitetit të madh të artistëve, intelektualëve, medias, Shoqërisë Civile dhe institucioneve ndërkombëtare që mbrojnë të drejtave e Trashëgimisë Kulturore, siç është edhe Europa Nostra, në lidhje me tentativën e shëmbjes së Teatrit Kombëtar përmes procedurave aspak transparente dhe korruptive, me synimin e vetëm grabitjen e truallit ku ndodhet ky objekt.

Protestat e shumta në tre vitet e fundit, rezistenca e pashembullt, e kulturuar dhe e admirueshme që populli i Tiranës, artistët dhe Shoqëria Civile i bënë mbrojtjes së këtij institucioni të rëndësishëm të Kulturës tonë Kombëtare, përballë arrogancës, makutërisë dhe agresionit të pushtetit policor të Kryeministrit Rama, përfundoi dje me një nga ngjarjet me të zeza të historisë tonë moderne.

Policia e gjeneralit të Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) Sandër Lleshaj, kësaj rezistence të pashoqë, i zuri pusinë në mesnatë me forca të panumërta policore, duke e shembur me rruspa e fadroma këtë pasuri të Trashëgimisë së Kulturës, e vetmja e mbetur në qendër të Tiranës.

Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori, është fakti se Kryeministri Edi Rama, nuk u tërhoq nga qëllimi final i shëmbjes së Teatrit Kombëtar, edhe pse vendi sot po përballet me shumë probleme të mëdha dhe më të rëndësishme, siç janë pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit, situata aktuale e pandemisë Covid – 19, dhe ajo që është më kryesorja, masat që kjo qeveri duhet të ndërrmarë për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë…

E gjitha kjo, të bën të gjykosh se afera e kësaj historie është me përmasa të pa imagjinueshme, dhe krimi për shëmbjen e Teatrit Kombëtar nuk është individual.

Ai nuk ka vetëm një emër, atë të Kryeministrit Rama… Krimi është institucional dhe politik…. Ndaj, edhe përmasat e këtij krimi, janë kaq të frikshme dhe kaq të rrezikshme për Demokracinë….!

Sepse sot, kemi një Njeri që mban peng jetën e të gjithë vendit, i cili i ka kapur të gjitha pushtetet në mënyrë antikushtetuese.

Edi Rama do të mbahet mend si Kryeministri më antipopullor e më destruktiv në raport me Lirinë e fjalës, me të drejtat e Njeriut dhe me demokracinë. Është individi më represiv dhe më shpirtlig që ka prodhuar ndonjëherë politika shqiptare….

Është politikani që ka provokuar dhe është tallur si askush tjetër me një popull kaq të pafat e të vuajtur siç janë shqiptarët.

Ai është mjeshtër i manipulimit, arrivist patologjik, akrobat dhe pehlivan i kurimit të imazhit të tij të rremë, si para mediave, ashtu edhe para ndërkombëtarëve, shkelës i besës së dhënë dhe lojacak fjalësh me synim arritjen e qëllimit për të dëmtuar pa asnjë lloj mëshire cilindo që i del para dhe ka mendim ndryshe nga ai.

I shtirur si Lider me ide dhe vizione, kinse me një staturë perëndimore, në fakt, është një mbetje e kontaminuar bizantine, një despot me kulturë otomane, sundimtar diktator me nuanca të theksuara të tiranisë mbi më të dobëtit dhe më të pambrojturit.

Trim në delirin e pushtetit që ka, dhe frikacak e lëpirës kur ndodhet në situata kritike e krizash, në veçanti kur e sheh veten jashtë “kështjellës” së pushtetit.

Frikacak edhe më i madh, burrec infantil para atyre që i’a njohin mirë vesin, inferioritetin e dështakut kronik, si në planin personal, ashtu edhe në atë publik.

Këta të fundit, dinë t’ia tregojnë vendin kur zullimi i çmendurisë së tij që i buron nga deliri dhe dehja e pushtetit e kalon vijën e kuqe…

Emptaik dhe human..!? Njerëzor…!? Social apo socialist….!? Me asnjërën nga këto nuk ka kurrfarë lidhje….

Thjesht, ai është një frymor narcist me natyrë malinje, ziliqar dhe lakmitar i verbër, i nginjur, i pabesë, tinëzar dhe dinak që nuk ndalet asnjëherë për të arritur të paarritshmen që “egziston” vetëm në imagjinatën e tij aluçinante….

Më thoni, ç’lidhje mund të kenë të gjitha këto me një politikan që në misionin e tij duhet të udhëhiqet nga parimet humane dhe shembulli i urtësisë, nga modeli i një shërbestari të përulur për popullin e tij….!?

Si përfundim, Kryeministri Edi Rama nuk është gjë tjetër, është thjesht “aksidenti” më i madh politik (nga shumë aksidente të tilla) që prodhoi tranzicioni 30 vjeçar shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok