22/12/2024

RA QË TË MOS BINTE JUNIKU

0
Heroi-Bastri-Beqiri

Në përkujtim të dëshmorit Bastri Hajzer Beqiri (1976-1999)

Nga Bedri Tahiri

Familja e dëshmorit Bastri Beqiri ishte një trung i lashtë burrërie. I ati, Hajzeri, i lindur më 1921, dallohej për të mirë në gjithë rrethinën ku jetonte. Ishte i fjalës, i besës dhe gjithmonë eci në rrugën e lavdisë. Ende pa i mbushur mirë të njëzetat radhitet përkrah luftëtarëve të Shaban Polluzhës, duke marrë pjesë edhe në luftën e Pazarit të Ri në mbrojtje të shqiptarëve dhe myslimanëve nga bandat çetnike të Drazho Mihajloviqit. Paskëtaj mori pjesë në shumë beteja e luftime të zhvilluara në Artakoll, në Shalë e veçan në Drenicë. Kah përfundimi i luftës, iu bashkëngjit Brigadave shqiptare dhe për nëntë muaj sa qëndroi aty e mësoi shkëlqyeshëm të folmen e tyre sa të gjithë zunë ta thërrisnin “Toskë”, emër ky që e përcolli deri në vdekje.

Pas luftës, një kohë qëndroi në mal me Sefer Beçukun e disa luftëtarë tjerë, derisa u bë një amnisti e përgjithshme. Megjithatë, pushteti kurrë nuk e la të qetë. Ishte edhe pjesëtari i Ballit Kombëtar dhe përherë u keqtrajtua nga policia serbe, sidomos gjatë aksionit famëkeq te mbledhjes së armëve në vitin 1956.

Hajzer Beqiri dallohej edhe për mençuri. Dinte të fliste nëpër kuvende dhe besa edhe i këndonte shumë këngë trimërie e sidomos ishte interpretues i këngëve kreshnike. Sa më qejf i këndonte këngët për Azem Galicën, Lec Gradicën etj. Është pjesë e Projektit hulumtues Eposi i Kreshnikëve dhe për kontributin e dhënë ka m

Në jetën private i eci fati mbarë. U martua me Vahiden nga Kopriva e Mitrovicës dhe pati gjashtë fëmijë: Veseli, Fatimja, Mustafa, Ajshja, Murtezi (u dallua si kundërshtar i madh i regjimit serb, e theri me thikë një serb gjatë helmimit të nxënësve dhe refuzoi ftesën për ushtrinë jugosllave) dhe Bastriu.

Djaloshi syshqiponjë

Fëmija i gjashtë i këtyre prindërve qe Bastriu, i cili në këtë botë erdhi më 26 qershor 1976. Qysh si i ri u dallua prej të tjerëve. Ishte i shkathtë dhe syshqiponjë. Mësimet e para i mori në Pantinë, kurse të mesmet në Vushtrri.

Dashurinë për atdheun dhe të parët e vet e kishte thadruar në mendje qysh si fëmijë, duke dëgjuar rrëfimet e pleqve urtakë dhe këngët e trimërisë. Dhe, kur plasën demonstratat dhe lëvizjet kundër pushtuesit të përtej Tunës, ishte i gatshëm të futet në radhët e para, duke mos i bërë syri tërr para tytave vrastare serbe.

Mirëpo, kur i dëgjoi krismat e para andej përtej kodrave, në Drenicën heroike, ku dragonjtë kamxhikosnin kuçedrën shumëkrerëshe, zemra e tij u bë mal. Atentatet e njëpasnjëshme të Adem Jasharit me shokë kundër policisë serbe, sa në Skënderaj, sa në Drenas, sa në Mitrovicë, kishin zënë t’ua fusin lepurin në barkë kukudhëve, në njërën anë, dhe t’u jepnin zemër shqiptarëve për ta luftuar më me forcë armikun shekullor.

Në radhët e UÇK-së

Djaloshi Bastri Beqiri kontaktet e para me luftëtarët e lirisë i bëri në Pantinë, ku me kohë ishin formuar njësitet e para ushtarake, duke vënë edhe pikat vepruese, madje mu pranë rrugës që shpie për në Ashlan e në Mitrovicë. Kjo u pat dhënë zemër banorëve të kësaj ane dhe gatishmëria e këtyre trimave për t’u flijuar për atdhe garantonte fuqishëm se liria nuk ishte larg.

Faktikisht, Bastriu, u mobilizua në shtabin lokal të Ashlanit, më 26 qershor 1998, i cili drejtohej nga eprorët Shasivar Shala e Brahim Gjaka. Sakaq, numri i vullnetarëve luftëtarë shtohej e armatimi mungonte. Dhe, më 19 korrik 1998, pasi dhanë betimin në Ashlan, nën komandën e Ibrahim Gjakës, rreth 500 luftëtarë, të prirë nga eprorët Rrahman Rama, Bekim Shyti e Avni Imeri, u nisën drejt Alpeve Shqiptare për ta kaluar kufirin e mallkuar vëllandarës shqiptaro-shqiptar. Në mesin e tyre ishte edhe Bastri Beqiri.

Ra që të mos binte Juniku

Vajtje-ardhjet e luftëtarëve të lirisë shtigjeve të Alpeve Shqiptare dhe furnizimi i vazhdueshëm me armatim e municion i fronteve të luftës në Kosovë, u kishte rënë në sy barbarëve serbë dhe me çdo kusht përpiqeshin ta pengonin e ta ndërprisnin atë arterie shpëtimtare. Me tërë arsenalin policor-ushtarak ishin përqendruar përgjatë kufirit. Një grup i madh, me mbi 1000 veta, kishte rënë në pritën kobtare serbe në Padesh, te Rrasa e Zogut, ku kishin mbetur të vrarë disa luftëtarë të UÇK-së. Kjo kishte ngjarë mu kur grupi i Bastriut po nisej andej. Por, fati e deshi që ky grup të kalonte pa probleme.

Kur arrijnë në Junik, Bastriu me disa bashkëluftëtarë si: Sadri Morinën nga Akrashtica, Blerim Kalludrën nga Pantina, Maxhun Malokun nga Juniku etj., takohen me eprorët e shquar Bekim Berisha-ABEJA, Bedri Shala Elton Zherka e Bashkim Leku. Dhe, vendosën të ndalonin aty e t’u ndihmonin në mbrojtjen e Junikut që ishte rrethuar nga të gjitha anët dhe ende po qëndronte i pamposhtur.

Më 10 gusht 1998 zhvillohet edhe një betejë për Junikun. Forcat serbe u thyen keq, duke lënë edhe një tank në fushëbetejë. Bedriu i afrohet tankut, duke thënë: “Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë”! Dhe, tamam kur po hynte në tank, një plumb i snajperit serb e godet në kraharor. Në mbrojtje të trupit të tij niset edhe Bekim Berisha- ABEJA, i cili, po ashtu vajti në përjetësi. Atë ditë, në fushën e nderit ranë edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka, Përmet Vula e Bashkim Leku.

Bastri Beqiri me disa bashkëluftëtarët e tij besnikë ishin pozicionuar afër trafos, në pikën “7 Shtatori” dhe qëndronin si dragonjtë e pathyeshëm. Forcat serbe i kishin shumë afër, komunikonin e shaheshin gojë me gojë. Sakaq, një predhë minahedhësi pëlcet mu pranë tyre. Bastriu plagoset rëndë, por nuk pranon të tërhiqet nga vija e frontit. Ashtu me ciflën e granatës në shtat lufton e qëndron, derisa popullata arrin të tërhiqet nga rreziku.

“Bastri Beqiri merr pjesë në Betejën e Junikut me armë në dorë kundër forcave serbe. Këtu, në Junik, caktohet në vijën e frontit tek Lagjja “7 Shtatori” dhe luftoi i paepur në mbrojtjen e Junikut, në afërsi deri në 150 metra me armiqtë. Luftoi pa u trembur, me guximin prej luftëtari që di pse lufton…”

Në ndërkohë, bashkëluftëtarët e tërheqin dhe para duarsh e dërgojnë deri në lagjen Gacaferri, në ambulancën e improvizuar. Prej aty e nisin për në qytetin Bajram Curri, ku e merr helikopteri ushtarak dhe e dërgojnë në spitalin ushtarak të Tiranës. Plagët ishin të rënda dhe nuk shërohen dot. Kështu, më 17 gusht 1998, shpirti i tij vajti në amshueshmëri dhe zuri vend nderi në Altarin e Pavdekësisë. Trupi i tij varroset në Tiranë. Më 24 qershor 2004, eshtrat e tij u zhvarrosen për t’u rivarrosur më 25 qershor 2004, në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë.

Lavdi për jetë e mot dëshmorit Bastri Beqiri!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok