22/12/2024

QEVERITARË, KRIJONI PUNËN! (Që të mos ikin shqiptarët)

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Kaloi një vit, 2023-i, që rrumbullakosi plot dhjetë vjet të socialistëve në pushtet, me të njëjtin kryeministër. Janë bërë pallate, rrugë, sheshe, tunele. Janë zgjatur kullat mbi Tiranë si “xhirafa”. Doemos që janë bërë punë publike, siç janë vonuar apo kanë mbetur përgjysmë disa të tjera. Por një gjë nuk është bërë tash tridhjetë vjet, puna! Prandaj dhe ikin njerëzit përditë, pa e kthyer kryet mbrapa, jo se nuk e duan me shpirt këtë vend. Po krijohet një Shqipëri që nuk ofron punësim dhe jetesë normale. Nuk po e kupton këtë në radhë të parë qeveria, por as sipërmarrjet e mëdha ekonomike, të cilat nesër (në mos që sot) do të mbetën pa punëtorë. Pa medyshje që qeveria ka peshën kryesore sa i përket krijimit të mundësive për punësim, pasi ajo i bën politikat e zhvillimit të vendit, por në njëfarë mënyrë duhet të gjithë të japin ndihmesën e tyre në krijimin e punës për vete dhe për të tjerët. Doemos dhe opozita, e cila, e kapërthyer në konfliktin “jetik” mes klanesh, nuk mund të luajë rolin e saj në këtë mes.

Pse themi, pikë së pari qeveria? Më e pakta ajo nuk ushtron kurrëfarë autoriteti ligjor që sipërmarrjet e ndryshme ekonomike të investojnë për perspektivën, përfshi dhe infrastrukturën e objekteve ku punojnë me kontrata disavjeçare, si miniera, fabrika, hidrocentrale etj. Duke mos u bërë kjo, kur ata largohen, pasi të jenë majmur, lënë pas një shkretëtirë “mesjetare”. Si mund të lejohet që një kompani e huaj që ndërton HEC t’ua zgjasë rrugën banorëve të zonës me disa kilometra, për më tepër duke ndërtuar në vend të së mëparshmes një rrugë më të pasigurtë?! Mirëqenia e komunitetit është kushti i parë në investime të tilla. Dhe kur banorët shohin se janë të pafuqishëm ndaj zaptimit që i bëjnë pasurisë së tyre sipërmarrësit e ndryshëm me bekimin (nën-dorën) e qeverisë, krisin e ikin. Shqiptarët e kuptojnë se oligarkët e politikës dhe të ekonomisë po ndërtojnë një Shqipëri për mirëqenien e tyre dhe aspak atë të popullit, siç trumbetohet në fushata. Nëse do të ishte kjo e fundit, publiku do të dëgjohej se çfarë është e mirë për të, por të ashtuquajturat dëgjesa publike janë thjeshtë farsa hipokrizie, për të qenë në rregull me demokracinë formale, meqë na mbikëqyr BE për ato detyrat e shtëpiës etj.

Njerëzit janë të ndjeshëm ndaj hapave konkretë. Kohët e fundit qeveria ka miratuar kredi lehtësuese për treqind mjekë, policë e ushtarakë. Ndërkohë që vendit po i ikin ndërtuesit etj., apo nuk është nevoja për inxhinierë dhe arkitektë, pasi këta të fundit i marrim hua nga jashtë, sa herë të na duhet të projektojmë objektet tona?! Doemos dhe studiot e huaja, por jo vetëm ato. Gjithsesi, po ta kishte bërë këtë lehtësim qeveria me kohë, me nga treqind specialistë çdo vit, të larguarit do të kishin qenë më të paktë. Vërshimi i turistëve verën që shkoi dëshmoi se puna është e mundur, nëse harmonizohen të gjithë faktorët dhe aktorët. E prapë, qeveria dhe këtu është e para sot për sot, sa të krijohet infrastruktura e duhur e bregdetit. Turistët nuk duan vetëm detin, ata po aq duan dhe malet shqiptare. Po a jemi të gatshëm ne të presim turistë dhe në male? As deri në Ulëz rruga nuk është e sigurtë teknikisht. Nëse do të ishin bërë ato njëqind fshatrat që pati premtuar qeveria, me siguri që atje do të ishin punësuar njerëz. Le pastaj sikur ato njëqind të bëheshin treqind, do të ishte krijuar një bazë e mirë për më tej. Ta provojnë qeveriratët e bujqësisë e blegtorisë të ngjitën ne male te barinjtë, me ndonjë paketë lehtësuese për biznesin e tyre dhe do të shohin se tufat e të imtave dhe familjet blegtorale do të dy e trefishoheshin. Por kjo duket një utopi. Zyrtarët tanë nuk dalin më në male, atje ku është puna e padukshme, puna që pret, puna që mund të jetë.

Problemi është kompleks, ekonomik, social dhe psikologjik. Mendësia e punësimit në shtet është ende dominuese, pasi shteti shihet si një “ndërmarrje” e madhe ku mund të punësohet kushdo, ndërkohë që askund në botën e qytetëruar administrata publike nuk krijohet me punësim të papunësh e militantësh politikë, por me konkurim për vendin e punës apo pozicionet drejtuese. Në një bashki, brenda tre muajsh, u depozituan mbi treqind kërkesa për t’u punësuar sanitare? Duket sikur gjithë gratë e papuna të qytetit duan të punojnë pastruese në shkolla, konvikte, koshpte, çerdhe. Kur bashkia u mundësoi punësim në sektorin privat një pjese të tyre, askush nuk shkoi!? Kuptohet, në këtë rast, punësimi kërkohet thjeshtë për të pasur një rrogë shteti “qyl” dhe jo për të punuar.

Gjithmonë ka pasur ministri të punës apo agjensi kombëtare të punësimit, zyra lokale dhe drejtori rajonale të punës, që merren me politikat e punësimit, që nuk “punësonjë” askënd, thjeshtë prodhojnë shkresa, statistika, burokraci. Çdo fund viti nga qeveria publikohen përqindje punësimi, ku asnjëherë nuk mungon fjalia: “Shënohet rritje krahasur me një vit më parë”. E kush mund ta besojë këtë, kur njerëzit largohen dita-ditës për jashtë vendit, atje ku gjen punë pa qenë nevoja e të ashtuquajturave “zyra pune” që vegjetojnë!? Na ka mbetur kjo sëmundja e krahasimeve që nga regjimi i kaluar, ku çdo pesëvjeçar ishim më “lart” se ai pararadhës, megjithëse ekonomia kishte hyrë në krizën e pakthyeshme të rënies së sitemit, që nuk ishte sistem. Pra, kjo punë e shifrave kinse me rritje është thjeshtë demagogji për vota dhe asgjë tjetër…

Mund të jenë bërë reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi etj., po kurrëfarë reforme qeveria nuk ka bërë në administratën publike, që në rastin e punësimit, zyrat përkatëse të jenë lehtësuese dhe udhërrëfyese të të rinjve drejt punësimit dhe karrierës. Ka gjasë që në vend të tyre të jenë ngritur disa “agjensi” që i nxisin ata drejt emigrimit e punësimit të paligjshëm në Angli etj. Ana tjetër e problemit është se nuk ka punëtorë dhe punonjës të kualifikuar, ku duket se kjo gjë ka mbetur vetëm në rrafshin e shkollave të mesme profesionale, që gjithsesi janë një arritje bashkëkohore, ashtu siç kanë qenë dhe në të kaluarën. Nuk ka kamerierë, kuzhinierë, hotelierë, menaxhues turistikë, pasi nuk ka politika e strategji për kualifikimin e punonjësve. Disa trajnime që bëjnë organizatat e huaja nuk e zgjidhin problemin. Kërkohet hidraulik dhe jo punëtor i thjeshtë komunaleje kur prishen tubat e ujit në shtëpi, kurse në administratën e shtetit mund të fillohet punë pa kurrëfarë kualifikimi e specializimi përtej diplomës. Ndodh kështu që nga viti i largët 1944…

Post scriptum. Do të ishte e mirë që dy-tre rreshtat e fundit të përmbanin një si mesazh pozitiv për lexuesin, që të ndihej sadopak shpresa se diçka mund të levizë për mirë në këtë drejtim këtë vit. Qëllimisht titullin e shkrimit e formuluam në formë thirrjeje për qeverinë, edhe pse besimi është i vakët…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok