15/11/2024

QENËSIA ROMANORE E IDENTITETIT DHE E KUJTESËS NACIONALE

0

(Ramiz Selimi, “Rrënjët e kujtesës”, vëllimi i parë, roman)

Nga Prof. Prend BUZHALA

Vepra “Rrënjët e kujtesës” është një roman social dhe historik, që i paraqet me realizëm përjetimet e familjes së Ilirit. Rrëfimi thuret mbi rrjedhën e njëpasnjëshme të ngjarjeve, por me ndërprerje në kohën e rrëfimit me episode retrospektive. Koha, për të cilën rrëfen ky roman, është ajo e pas Luftës së Dytë Botërore, deri më 1981, kurse linja narrative përmes retrospekcionit të ngjarjeve, është edhe ajo e para kësaj lufte, përmes kallëzimeve të të moshuarve.

  1. Shtresimet tematike të romanit

Sado që në roman rrëfehet për fatin e familjes së Ilirit dhe djalit të tij Dardanit, megjithatë këta personazhe shndërrohen në personazhe emblematikë, duke paraqitur përballjet e individit e të kombit shqiptar në situatat ekzistenciale e sociale nën pushtimin serb, çështje të jetës e të vdekjes, të jetës nën tortura, shtypje e vrasje. Tematika e luftës për mbijetesë, nga njëra anë, dhe kërkimi për t’i ruajtur rrënjët e identitetit kombëtar e njerëzor, nga ana tjetër, përbëjnë makrotemën e romanit. Janë të shumta edhe shtresimet tematike të veprës, ku spikatet çështja e identitetit nacional, ai i traditës, si dhe shtresimet tjera, siç janë mënyra e jetesës, e qëndresës dhe e emancipimit arsimor e nacional të fshatit shqiptar në Kosovë. Familja patriarkale ka paragjykimet e veta, ka qëndrimet e prapambetura ndaj femrës, ka edhe përçarjet e brendshme, por ka në qenësinë e saj edhe solidarësinë me njëri-tjetrin.

Ndryshe nga romanet familjare të letërsive të mëdha, ku jepen histori të familjeve në rënie, këtu shquhet ideja e forcimit të familjes, ideja e trashëgimisë nga të parët, që e përcakton fatin e mëtejmë të saj dhe të kombit përgjithësisht.

Personazhi kryesor është i riu Dardan, ani se Iliri është i pranishëm deri te vdekja e tij, kur e lë amanetin e fundit.

Brendia e këtij personazhi më shumë paraqitet  nëpërmes përshkrimeve të jashtme të ngjarjeve e veprimeve, se sa nëpërmes botës së tij të brendshme, psikologjike. Pothuajse dialogu është mjeti kryesor i ballafaqimit të personazheve, monologu është tejet i rrallë. Rreth personazhit të Dardanit dhe Ilirit sillen të gjitha ngjarjet, konfliktet, përplasjet, qofshin ato në gjirin e familjes, apo edhe në atë të shoqërisë. Dardani është përfaqësues i brezit të ri, hidhet n ë veprim për të arritur qëllimet e tij jo vetëm familjare e jetësore, por edhe nacionale. Forcën e tij e gjen si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, si burim energjish të reja veruese. Përbirohet nëpër shumë situata të rrezikshme, pëson shpesh edhe situata dramatike.

Në vepër Iliri paraqitet me veshjen e tij kombëtare, të cilit i vdes gruaja e parë dhe martohet me të dytën, me rugovasen Rina, pasi është miqësuar me Hero Malësorin. Prija e rugovasve për lirinë e femrës, bie ndesh me paragjykimet patriarkale të vendlindjes së Ilirit. Martesa e dytë gjithnjë kishte të bënte me qëndrimet e pikëpamjet patriarkale të fshatit shqiptar për ta pasur medoemos një trashëgimtar në familje; patriarkalizmi tradicional shqiptar mund edhe atë fetar:

Mungesa dhe pritja e gjatë për lindjen e një djali, ja kishte sfilitur thellë shpirtin. Me gjithë përpjekjet që bënte për ta fshehur mërzinë, ajo i lexohej çdoherë në fytyrë… Edhe pse bindja dhe botëkuptimi i tij ideologjik i përkisnin besimit islam, ai asnjëherë nuk dëshironte që në të njëjtën kohë të lidhte marrëdhënie martesore me dy femra. Për grupin e njerëzve që e rrethonin kjo dukuri nuk përbënte ndonjë problem, pasi feja në asnjë formë nuk ia ndalonte. Prapëseprapë, edhe atëherë kur ndjenjat e shpirtit i thoshin se patjetër duhet të kishte një trashëgimtar të vetin, ai përmbahej.”

Problemet për trashëgimi barten edhe në familje, siç janë personazhet afër Ilirit, Shtatmiri, një personazh shpesh nevrik, me veprime të pamatura, lakmitar, por edhe solidar, kur kërkohet nevoja.

Skenat e dhunës së pushtuesit zëvendësojnë njëra-tjetrën. Romani, pra, e shtjellon edhe temën e ndjeshme të dhunës së pushtuesit, por dhunë bëjnë edhe shqiptarët lakmitarë brenda familjes, edhe bandat plaçkitëse, edhe ato të policisë që bëjnë bastisje të egra, arrestime e përndjekje, edhe eprorët ushtarakë. Madje romani përfundon me dhunën ndaj të rinjve shqiptarë në shërbimin ushtarak jugosllav, që nis pas vitit 1981 e ku dëshmitar vrasjesh e plagosjesh është vetë Dardani. Inskenimet, kurthet, nxitja e përçarje e dredhitë e qarqeve sunduese janë të pafund e makabre. Parakalojnë situata të ethshme shoqërore, siç janë ato të vitit 1981, demonstratat, arrestimet, lëvizjet ilegale, plagosjet etj. parakalojnë personazhe shqiptarë si dy vajzat e Ilirit, Zana dhe Nora, Dimali e gruaja e tij, Gacani, Taulanti (me të cilin Dardani ndan të mirën e të keqen), MËSUES SI Ndue Guxheli, Ramiz Pitja/Kasapi, mësuesja e matematikës, Genti, Coli, apo emra të ilegales si Platoni e Olti etj. Parakalojnë protagonistë të taborit armik, emra policësh, oficerësh e xhelatësh të tjerë.

  1. Vetëdija letrare

Vepra letrare jetësohet dhe e bën jetën e vet nëpërmes lexuesit. Ky roman na i shtron edhe dy çështje të problematizuara, siç janë personazhi, lexuesi dhe krijuesi i tipit puer (i ri) dhe të tipit senex (i moshuar), së këndejmi na vijnë që në titull dy fjalë-nocine të shtjelluara në roman: rrënjë dhe kujtesë.

Lexuesit të kultivuar në rini, të pasionuar që i ri, ëndërron të ardhmen, si trashëgimtar. Marsel Prust, shkrimtar i shquar frëng, ky shkrimtar i kujtesës proverbiale romanore, thotë:

Ndoshta në ditët tona të fëmijërisë, të përjetuara me kaq shumë mbushullima, ngjajnë në ato për të cilat kemi besuar se i kemi humbur në jetë, por që i kemi poseduar dhe përjetuar nëpërmes librave të preferuar….si një kënaqësi hyjnore…”

Nuk është për t’u habitur, prandaj, pse me Imagjinatën identifikohet Krijuesi i Ri, Protagonisti i Ri, Trashëgimtari, Dardani, kurse me Kujtimin Krijuesi i Pjekur, protagonisti i moshuar, Trashëguesi. “Jashtë nesh, në fushën e historisë, zhvillohet pandërprerje procesi i polarizimit në senex dhe puer”, thotë James Hillman.

Kujtimet që i ringjall leximi, janë dhe një triumf mbi kohën. Të duket sikur kohët i merr përdore, si fëmijën, bashkëbisedon me to ngeshëm, duke e ringjallur me shpirt të rinuar. Ato libra ringjalljesh, janë një përmendore e bukur e kujtesës, përmendore e përjetimit dhe e kënaqësisë së leximit krijues…

Periudha e krijimit të romanit në Letërsinë shqipe gjatë viteve ’90 e këndej, deri në dekadën e parë të shekullit XXI, do të mund të karakterizohej si Letërsi e çlirimit tematik, e atij artistik dhe e çlirimit estetik. Letërsia shqipe, në të dy krahët e saj, në Shqipëri dhe në Kosovë; pati fatin e keq që të ndërlidhej qoftë me dogmat komuniste shtetërore, qoftë me censurën politike që kufizonte tematikën e me rrudhjet tjera artistike, për të mos thënë dhe me prirjet anti-artistike e antihumaniste, si ndodhi në Shqipëri.

Mirëpo, në Kosovë, letërsia shqipe pengohej nga politika sunduese antishqiptare serbe. Nëse flitet për letërsinë shqipe të pas viteve të ’90-ta, flitet në kuadrin e ndryshimeve politike, që sollën edhe lirinë e shprehjes e të botimit. Nëse ky çlirim ndodhi si pasojë e rrethanave të reja që u krijuan me plasjen e rrathëve të ekzorcizmave të shteteve totalitare, nën të cilat jetuan shqiptarët, atëherë romani shqiptar i kësaj periudhe, gjithsesi, do ta ketë ndjerë këtë ndryshim të horizontit të receptimit  (term i H. R. Jausit): do të hiqen ndalesat mbi shkrimtarët e anatemuar, do të shtohet numri i shtëpive botuese dhe i firmave të reja të autorëve, do të botohen artikuj, recensione, monografi studimore e madje edhe libra të tërë historiko-letrarë, do të botohen një numër shumë më madh i veprave letrare, do të bëhen përkthime të reja të veprave të letërsisë botërore, do të përhapet tregu i botimeve, do të formohen klube, shoqata e forma të reja organizimi dhe do të botohen revista të reja e faqe të reja për letërsi në shtypin ditor. Mbahen konferenca shkencore që i kushtohen letërsisë.

Tashmë krijuesi do të gjendet përballë sfidës estetike: si do të krijosh sa më shumë vlera artistike apo si do të botosh libër, kur nuk e ke më përballë as censurën as vlerësimin jashtëletrar të artit? Dhe, tashmë përgjegjësia i bie barrë më së shumti vetë krijuesit, përballë shumë fenomeneve tjera që do të shfaqen gjatë këtyre viteve. Larmia e madhe e tipologjisë së romaneve, ka shënuar gjithnjë një vijë ngjitëse…

Ramiz Selimi nuk e ka pretendimin që të ndërthurë prozë të tipit modern a postmodern, me kapërthurje procedimesh të ndërliqshme narrative apo stilistike. Zaten, ai takon asaj plejade prozatorësh që vëmendjen e përqendron te realiteti i drejtpërdrejtë letrar, si kriter i përafrimit me tekstet letrare, për t’u distancuar nga epoka që përjashtonte kriterin estetik.

Të gjitha këto situata jetësore, historike, shoqërore të një kohe e periudhe të caktuar, përpiqet t’i paraqesë si gjendje shpirtërore që ndryshojnë vazhdimisht, që shënojnë ngritje e pjekuri të vazhdueshme të vetëdijes historike e jetësore.

Është personazhi i këtij romani që gjithnjë e paraqet dhe synon ta shqiptojë të vërtetën në kuadrin e një vizioni të mundshëm si në planin e filozofisë së jetës, si në planin personal, si në atë të subjektivitetit krijues.

  1. Nga situatat atipike deri te personazhet emblematikë

Sigurisht që personazhet e këtij romani aspirojnë lirinë, sigurinë e jetës, ecjen përpara, megjithëse pengesat e jashtme siç është politika e shtypjes, apo pengesave të brendshme, siç janë patriarkalizmi, mendësitë e paemnacipuara qofshin ata në familje, në shoqëri e madhe edhe në arsim.

Sado që në vepër ka atipizime, situata atipike aty-këtu, megjithatë personazhi i këtij romani i zgjeron cilësitë e veçoritë e tij të karakterit, të natyrës së tij psikologjike e enigmatike në përmasa të duhura; ashtu sikundër që begatohet përvoja njerëzore në qenien e tij shoqërore, historike e shpirtërore; po ashtu pasurohet dhe zgjerohet e thellohet edhe personazhi letrar, i cili pushton hapësira gjithnjë e më të gjera të lirisë, të lirisë së shprehjes, formësimit e formimit, të veprimtarive të tij të pakufishme njerëzore e shoqërore dhe të manifestimeve tejet të pasura psikologjike e shpirtërore. Ç’ është një situatë atipike a karakter atipik? Emri i Ilirit, bie fjala… Gjenerata e tij nuk besohet të ketë pasur ndonjë shqiptar këndej, në viset pa arsimin e duhur, me emrin Ilir, sado që kanë ditur se kush janë ilirët. Këtë atipizim autori e bën për t’i dhënë personazhit karakter shënjues, emblematik: që përfaqëson rrënjën e lashtë të trungut shqiptar e si vazhdimësi, edhe emri Dardan, që shfaq prirjen emancipuese identitare, reale dhe historike. Atipzime tjera janë raportet e Kosovës me regjimin komunist në Shqipëri gjatë periudhës para vitit 1990. Gjeneratat e reja nuk e kanë urryer Shqipërinë gjatë viteve ’70 e ’80, dhe nuk kanë pranuar ta shajnë a sulmojnë Shqipërinë për shkaqe historike: përkundrazi, janë identifikuar sa më shumë me Shqipërinë, sepse sulmet e fyerjet drejtoheshin e vinin prej Beogradit; ani se historikisht (gjatë Luftës së Dytë Botërore e disa vite pas), kishte një rezistencë antikomuniste këndej e andej kufirit. Por edhe ky atipizim shfaqet si arketip autorial për ta “arsyetuar” një kohë që do të vijë më vonë, si kohë e çlirimit ideologjik, atij politik e çlirimit nga pushtuesi.

Nga kjo perspektivë romanore, duket, pra, që rrënimtari i përzien këndvështrimet e tij: jeton në një kohë reale, por ligjëron e përsiat nga perspektiva e një kohe tjetër!

Atipizimet janë të njohura në artin letrar, për t’iu dhënë shtysë më shumë ideve të romanit, ideologemave krijuese, se sa realitetit vetë. Megjithatë, autori e shikon jetën ashtu si ka ndodhë, me gjithë rrjedhat e tij nacionale, familjare, shoqërore e individuale.

Ky personazh, duke u zgjeruar e duke i mbajtur lidhjet me karakterin tradicional të letërsisë që nga Aristoteli e këndej; ai nuk e ka humbur identitetin e tij, por e ka formësuar e forcuar këtë identitet letrar e artistik. Qëndresa shqiptare për të mos u asimiluar as dhunshëm, jepet re ky pasazh romani:

Sot do ta ndryshojmë identitetin tuaj. Jeni turq dhe arnaut, ose çfarë dreqërish jeni? Nëse dëshironi të jetoni edhe më tutje në këto treva, patjetër që do të merrni të dhënat e reja personale. Në të kundërtën duhet të shpërnguleni në Turqi. Refuzuesit do t’i vrasim, kurse femrat do t’i përdhunojmë, bërtiste me tone kërcënuese komandanti i çetës së armatosur. E gjithë kjo po vinte pas asaj nate të tmerrshme, ku frika akoma qëndronte brenda palcës kurrizore. Gjyshi për veten e tij, nuk trembej fare, por i druhej ndonjë pabesie ndaj anëtarëve të familjes, pasi ata në shumë raste përdhunonin gratë dhe vrisnin fëmijët. Nuk vonoi dhe komandanti kriminel me zërin e lartë piskamë filloi t’i pyeste familjarët, se si quhen.”

Mirëpo, kjo kategori estetike (e personazhit), mund të jetë me funksion të përdorimit problematik, më pak përshkrues, d.m.th. interpretues, (apo mbi-interpretues), kur ajo (kategori), si e tillë, aplikohet për veprat e mëparshme që mbajnë shenjën e paradigmës së romanit “realist” të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shpesh e favorizuar nga teoricienë me konceptimin: ajo përcjell një seri të tërë të supozimeve, veçanërisht në aspektin e analizës psikologjike, krejtësisht të huaj për letërsinë antike dhe klasike. Përmendja thjeshtë e “karakterit” apo “personazhit”, mund të jetë, në fakt, një anakronizëm për tekstet antike dhe klasike. Albert Thibaudet thotë: “Romancieri i vërtetë krijon personazhet e tij me drejtime të pafund në jetën e tij të mundshme, romancieri krijon model me një linjë të vetme nga jeta e tij e vërtetë. Historia e vërtetë është një autobiografi e mundshme (…) gjeniu i romanit na bën të jetojmë të mundshmen, pa e zbuluar të vërtetën.”

  1. Semantema romanore e rrënjës dhe kujtesës

Ç’ është rrënja te ky roman?

Është qëndresa e fortë te identiteti shqiptar, me rrënjë të lashta ilirike, siç e emblematizon edhe personazhi i Ilirit. Te Fjalori i shqipes, ndër të tjera, kjo fjalë ka edhe këtë kuptim të figurshëm: “Burimi më i parë e më i thellë i një dukurie, prejardhja; mbështetja e thellë, mbi të cilën rritet e zhvillohet diçka, themeli.”

Ky edhe është ideali narrativ i personazhit.

Po përse kujtesa? Rrënjët qëndrojnë në kujtesë?

Si Iliri, ashtu edhe Dardani, dinë për të kaluarën vetëm nëpërmes rrëfimeve gojore, oralitetit, në mungesë të shkrimit. Në këso çastesh, ani se dëshmitë nuk janë shënuar askund, ato janë kujtuar, kur Dardani e pëson, me shokun e tij Taulantin, nga një i maskuar serb, Lubomiri, si gjoja i sëmurë psikik:

“-Në vitet e shkuara biri im edhe ne kështu e kemi pësuar gjatë jetës, ndonëse brezi ynë ka vuajtur edhe më shumë represionin dhe brutalitetin e armikut, – vijoi ai duke i rrëfyer Dardanit vuajtjet nga e kaluara e tij.

– Gjyshi im më ka rrëfyer fije e për pe, se si njëherë edhe unë kur isha foshnjë gati e pata pësuar, nga një bandë kriminelësh serbë në shtëpinë që kishim ndërtuar me purteka e të lyer me baltë. Isha me fat! Copa e drurit që kishin hedhur mbi mua nuk më kishte qëlluar. Mirëpo unë akoma e mbaj të freskët në kujtesë një ngjarje tjetër të shëmtuar shtatë vjet më vonë, atëherë kur gjyshi bënte maksimumin ta ruante familjen nga bishat e egra.”

A do të ndërpritet ky zinxhir vuajtjesh?

Dhe përse është ushtruar i gjithë ky presion e kjo dhunë? Ja si rrëfen prindi të birit:

“Ne shqiptarët brez pas brezi kemi pasur hasmëri me sllavët. Ata janë ardhacakë biri im. Origjina e tyre e vërtetë është nga Karpatet, kurse ne këtu jemi autoktonë. Duke lakmuar  territoret tona nuk pushuan asnjëherë konfliktet. Me epërsinë e tyre ushtarake na detyruan disa herë të largohemi nga vatrat tona ilire, duke na zaptuar në çdo njëqind vjet nga një pjesë të territoreve. Nuk është e largët koha, kur pas masakrave dhe vrasjeve etnike, i detyruan shqiptarët të iknin nga shtëpitë dhe tokat e veta në rajonin e Toplicës. Të gjithë fqinjët tanë që cilësohen si muhaxhirë, vijnë nga ajo trevë. Është një territor i madh, përafërsisht sa Kosova sot, një trevë me disa qytete. Popullatën e pambrojtur e masakruan, e përdhunuan dhe në fund e zbrazën nga shqiptarët, duke i depërtuar për në Turqi.”

Edhe kur erdhi “shkrimi” (arsimi i shqip pas Luftës së Dytë Botërore), e vërteta shtrembërohej, paraqitej e deformuar. Kësisoj, ekzistonte edhe “historia alternative”, Historia Tjetër, ajo e vërteta, e që mbijetonte përmes rrëfimit gojor ose literaturës së fshehtë. Ajo përcillet nga brezi në brez.

“ -Ti je trashëgimtari im, kultivoje rrënjën tënde, mos e le të thahet, amanet bir që kurrë të mos ikësh nga rrënjët e tua, – i përsëriti djalit këto fjalë në çastet e fundit të jetës. Madje i kërkoi Dardanit të mos pikëllohej fare, meqë një ditë të gjithë do të vdesin. Thoshte me mendjen e kthjellët dhe të qetë se dhimbjet i kishte graduale dhe të buta, saqë nuk e demoralizonin. Si besimtar i devotshëm, ai mbështetej besimplotë se gjendej në dorën e krijuesit dhe ishte plotësisht i bindur në mirësinë e tij. Po ashtu ishte i mendimit se kishte një jetë të përjetshme dhe pasi ishte lutur gjithë jetën qysh nga vegjëlia, thoshte se po ia dorëzonte pjesën e pavdekshme të madhërishmit. Kur i thoshte këto fjalë Dardanit i dukej i ati më i dashur se kurrë. Motra e vogël Nora i tha me zë të ulët Zanës, se nëse ekziston parajsa, ishte e bindur se aty ishte i rezervuar një vend për Ilirin. (f. 310)

Ngjarjet e përjetimet e përshkruara në roman ringjallin edhe kujtesën e brezave të sotëm, meqë ato kohë edhe i kanë përjetuar, secili në mënyrën e vet, pasi ata dëshmitarë kohe ende janë gjallë.

Janë reminishencat e njohura të faktografisë reale të atyre dekadave të errëta, që vijnë e marrin formë nga kujtesa e gjallë e protagonistëve, nga ringjallja e imazheve të ambienteve që nga errësirat e thella historike e deri tek pamjet e rënda të vrasjes së ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave.

Nëse nëpërmes personazhit të Ilirit, shpesh edhe si bartës rrëfimi e kujtese, shpalohen histori, bëma, përshkime të bukura të jetës, të traditave, të solidarësisë  e të mikpritjes  në fshat, dhe, nga ana tjetër,  shpalohen mall e nostalgji; nëpërmes bartësve të tjerë të rrëfimit, si është Dardani, apo nëna e tij, Rina. Historia i riaktualizon pamjet e kujtesës e të tragjedive të jetuara. Në vepër shpesh gërshetohen tekste të lëndës psiko-etnografike që ndërkëmbehet me atë realiste e psikike, kurse lënda e kujtesës me atë të një perspektive të jetës… Dhe kudo nëpër faqet e romanit hasim dhe poentën etike deri te ajo etike. Etika e këtyre personazheve është e fortë përballë furive të kohës. Trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive, e memorizuar në kujtesën e kombit, përmes kujtesës së personazheve. Nga edukimi i tillë estetik e etik, edhe bota shqiptare e këtyre personazheve tashmë është ridimensionuar dhe ka marrë formën e frymës epike e  artistike të rrëfimit.

  1. Aktet e mbijetesës dhe vizioni i ri historik

Aktet e kësaj mbijetese janë të shumëfishta. Ato përpiqen të lëshojnë rrënjë në shumë drejtime. Marcus Garvey, një nacionalist pan-afrikan, për lirinë e popujve, shprehet se “Një popull pa njohuri për historinë, origjinën dhe kulturën e tij të kaluar është si një pemë pa rrënjë.” Nuk është e rastit që këso përshkrimesh paralele mes drurëve, natyrës dhe kujtesës, hasen shpesh te ky roman. Aty e gjejnë kuptimin e vërtetë të ekzistencës së tyre vetëm tek etnia e tyre e lasht, te identiteti i tyre. Kjo do të thotë se ata nuk aspirojnë vetëm mbijetesën, por kapërcejnë këtë kuptim gjallimi, duan trashëgiminë, rrënjën, mbetjen gjallë të asaj që ka shpëtuar nga zhdukja a po shuarje nën armiq të shumtë.

Le të bëhet, çfarë të bëhet! Nuk jam penduar aspak për veprën që bëra. Çdo pëllëmbë e këtyre tokave është skuqur nga gjaku dhe lavdia jonë. Rrënjët tona këtu janë të thella dhe të ushqyera me gjuhën që flasim unë e ti, kurse Lubomiri në këto toka do të thahet shpejt, pasi rrënjët i ka diku tjetër. Ne patëm dyndje të njëpasnjëshme nga shumë armiq i dashur vëlla, sulme, rrethime, shkatërrime, djegie, vrasje por ne shpëtuam nga hiri e gërmadhat, të uritur në mungesë të bukës, pa veshje e pa mbathje. E sigurt se edhe kësaj radhe do të mbijetojmë. (f. 52)

Ai bën përshkrime të jashtme të natyrës së tillë burimore, por në të vërtetë, ai kërkon përbrendësimin e saj, të etnisë, një shpirtëzim të saj. Ata përplasen nëpër shumë stuhi jetësore, por sikur ato i forcojnë edhe më shumë, sikur ato rrënjë nguliten edhe më thellë. Dardani gjendet në atë udhëkryqin historik përballë disa shkollave të jetës: në atë të edukimit atdhetar e etnik familjar. Në atë të arsimit (ideologjik) të kohës dhe në atë të ilegales atdhetare. Ai merr nga të tria dhe shfaqet si personazh i vigjilencës, që arrin të dalë nga situatat e ndërliqshme dhe përplot kurthe, jo vetëm me guximin e tij, por edhe me formimin e dijen e tij. Ai lëviz drejt së ardhmes, sepse ka një njohje, formim e ndjesi të mirë për të kaluarën. Nëntoka (rrënja, e kaluara, historia e vërtetë dhe e fshehtë përballë armikut), e krijon dhe e mbëlton atë që është mbi tokë, njësoj si pemët. Së këndejmi, ka një gërmim gjithnjë e më të thelluar në këtë “nëntokë”, në vetëdijen e ndërdijen e personazheve për t’i përforcuar këto ngulitje në thellësi të qenies e qeniesimit. Ata rezistojnë, sepse nuk pranojnë të nënshtrohen, janë gjithnjë e më të fortë, ani se në vepër jepen edhe karaktere të lëkundshëm, madje edhe të dobët… deri te ata që spiunojnë. Amanetet e Ilirit për të birin sikur i ngjajnë asaj thënies së Goethe-s: “Ka vetëm dy amanete të qëndrueshme që mund të shpresojmë t’u japim fëmijëve tanë. Njëra prej tyre janë rrënjët, tjetra, krahët.”

Çfarëdo që të jetë forma e romanit, personazhi është pika thjerrëzuese a motori i fikcionit, me anë të të cilit e matim shkallën e vërtetësisë dhe të autenticitetit. Karakterizimet e personazhit mund të jenë të qarta, eksplicite; shkrimtari pikturon portrete, bën analiza psikologjike që portretizojnë një karakter, por më shpesh nënkuptohet me konotacione që i referohen vetvete, apo kombinimit narrativ të diskursit social dhe të marrëdhënieve shoqërore, të cilat, në mënyrë të tërthortë, plotësojnë njohuritë tona mbi personazhin. Romancieri në rolin e demiurgut, e përqendron vëmendjen në gjasat e botës që ai ka krijuar. Në këtë mënyrë, edhe dy personazhet kryesore i nënshtrohen romansierit demiurg. Ndërlidhjen e brezave autori e zhdrivillon nëpërmes metaforikes së rrënjëve:

Nga entuziazmi edhe Iliri atë ditë qe zgjuar me ndjesinë e të qenit i dërrmuar. Jo që e kishte nga frika, por i dukej sikur pasardhësi i denjë që gradualisht po rritet dhe po ngul rrënjët në vendin e tij do bëhet intelektual i respektuar. Gjatë qëndrimit afër qelqit të tejdukshëm të dritares duke pritur bashkimin e Albanit dhe shokëve të tij, ai vizatonte figura të ndryshme me gishtin e dorës në xhamin e avulluar që e nxirrte me hukamë nga goja. Në këtë monotoni ishte e pamundur të mos i ikte mendja tek mësuesit dhe tek enigma që e priste ditën e sotme.” (f. 95)

Romancieri i jep personazhit një identitet të cilin dëshiron ta bëjë të besueshëm dhe të rëndësishëm. Përshkrimi këtu është një mjet i privilegjuar i karakterizimit eksplicit: nga pozitat e gjithëdijshme – për të zbuluar të kaluarën e një karakteri, për të zbuluar mendimet e tij, sintetikisht, e mandej për të organizuar një tablo të detajuar. Nga aspekti fizik: personazhi paraqitet me një trup e me tiparet e veta karakteristike të zgjedhura, piktoreske, por edhe në aspektin e detajeve të veçanta që mund të sugjerojnë tipare. Nga aspekti moral: romancieri fokusohet në shprehjen e ndjenjave, është i interesuar të depërtojë në manifestimet e tyre, tek shfaqja e lotit, buzëqeshjes, apo në gjeste të rëndësishme. Personalitetin e personazhit mund ta vendosë diku tek një individ i veçantë, ose ta paraqesë si një hero, ai mund ta bëjë atë në vend të kësaj një kopje e vetme e një specie sociale.. Nga aspekti social: personazhi paraqet një mjedis, një veshje, një vend pune, paraqet gjuhën, ideologjinë… Ai kështu bëhet një tip dhe, së këndejmi, buron një tipologji e pasur e personazheve.

Baladat e jetës përcjellin mesazhet e veta letrare dhe njerëzore. Aty këmbehen e bukura te një episod dashurie, me fatin socio-ekzistencial. Ambiente janë ato rurale dhe ato të urbane, ku mbisundojnë policia e ushtria.

Aty ligjëron, flet, rrëfen, dëshmon, përjeton, përplaset, ballafaqohet e ecën tutje vetë jeta me protagonistët e antagonistët e saj.

Ky roman, i lexueshëm, e ruan fillin e komunikimit me lexuesin, pikërisht pse është i drejtpërdrejtë, i prerë, ani se me stërzgjatje që e kërkon zhanri epik i rrëfimit. Autori nuk reshtet të bëjë përshkrime lirike, siç ndodh te autorët tjerë…

Ato rrënjëzime nuk janë vetëm të mbetjes gjallë, por edhe të shpirtit, që dhurojnë fruta të pasura të dijes, emancipimit, këndshikimit ndryshe të qëndrimit ndaj gruas e femrës përgjithësisht.

Ky popull u gjend përballë murit historik të shumëfishtë, murit pushtues dhe atij ideologjik e diktatorial, por gjithnjë qartësia e vështrimit dhe e formimit të këtyre personazheve vjen nga burime më të thella për të shikua përtej murit, pra, përtej një kohe, me vizione të reja historike. Vetëdija e personazhit, Ilirit, që një person që e di se nga është dhe cilat janë rrënjët e tij, ai jo vetëm do të mbijetojë, por edhe do të ngjitjet gjithnjë e më lart. Autori këtë na e jep përmes shembullit të jetës së Dardanit, nxënës i dalluar, i ri me pasion dhe personazh vigjilent e vetëdije e zgjuar në jetë dhe mjaft frymëzues. Njohja e rrënjëve të veta i jep vlerë njeriut. I dhuron thelbin e ekzistencës. Ato janë fryma autoktone e jetës dhe e një kolektiviteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok