11/01/2026

PUSHTETET AUTOKRATE DHE TË KORRUPTUARA, JANË PASQYRA E NJË SHOQËRIE TË LODHUR….

0
Ilir-Cumani

Nga Ilir Çumani

Demokracitë nuk rrëzohen gjithmonë nga goditje të befasishme apo nga ngjarje dramatike që tronditin ndërgjegjen kolektive.

Më shpesh, ato konsumohen ngadalë, pothuajse në heshtje, derisa një ditë shoqëria zgjohet dhe kupton se po jeton në një sistem që ende quhet “demokraci funksionale”, por që në fakt nuk prodhon më as kuptim, as shpresë, as ndjesi përfaqësimi.

Institucionet vazhdojnë të funksionojnë formalisht, zgjedhjet mbahen, ligjet miratohen, por hallkat dhe lidhja morale mes pushtetit dhe qytetarit janë këputur.

Në këtë fazë, politika nuk është më garë idesh apo vizionesh, por administrim i një realiteti të zbrazur, ku pushteti qëndron jo sepse mbështetet, por sepse tolerohet.

Ky është pushteti post-legjitim; është një pushtet që nuk ushqehet më nga miratimi i shumicës, por nga lodhja e shoqërisë dhe nga bindja e përhapur se çdo përpjekje për ndryshim është e kotë.

Ai nuk ka nevojë të jetë i dashur apo empatik ndaj kërkesave legjitime dhe nevojave bazike të qytetarit, por mjafton të jetë i pashmangshëm.

Dhe kjo nuk kërkon entuziazëm, por apati; nuk synon bindjen, por dorëzimin psikologjik. Sa më e shpërndarë të jetë pakënaqësia dhe sa më e fragmentuar të jetë rezistenca, aq më i fortë bëhet ky pushtet, pavarësisht dobësisë së tij morale.

Në këtë realitet, propaganda nuk shfaqet më si gënjeshtër e hapur, por si sistem i përhershëm mjegullimi.

Ajo nuk e mohon të vërtetën, por e shndërron atë në një zhurmë të padallueshme, ku gjithçka relativizohet dhe asgjë nuk mbetet mjaftueshëm e rëndësishme për të shkaktuar reagim.

Qytetari nuk është i painformuar; ai thjesht është i çorientuar dhe i tejlodhur. Dhe çorientimi është shumë më i dobishëm për çdo pushtet të delegjitimuar sesa padituria.

Tashmë, skandalet e mëdha nuk përbëjnë më sensacion dhe nuk tronditin, sepse janë të shumta dhe të pranuara në heshtje si normalitet.

Dhe kur gjithçka është skandal, asgjë nuk është alarm. Inflacioni moral e shkatërron ndjeshmërinë publike njësoj si inflacioni ekonomik që shkatërron kursimet.

Në këtë klimë, heshtja nuk është më zgjedhje personale, por akt politik me pasoja kolektive.

Mosreagimi nuk është neutralitet; është kontribut i heshtur në vazhdimësinë e një pushteti të delegjitimuar. Ironia, cinizmi dhe distancimi emocional, të gjitha këto forma moderne të “mençurisë” qytetare, nuk janë gjë tjetër veçse mënyra elegante për të justifikuar dorëzimin.

Demokracia nuk kërkon heroizma të përditshme, por kërkon minimumin etik: guximin për të thënë se diçka është e gabuar. Kur edhe ky minimum mungon, pushteti nuk ka më asnjë kufi moral.

Por ky pushtet nuk do të mbijetonte kaq gjatë po të mos ishte shoqëruar nga një dështim paralel dhe po aq serioz i opozitës.

Në teori, opozita ekziston për të kanalizuar pakënaqësinë shoqërore drejt ndryshimit politik.

Në praktikë, kur ajo copëtohet, kur mbyllet në konflikte të brendshme, kur ushqehet nga ego personale dhe llogari të vogla, ajo e shndërron pakënaqësinë në frustrim të pafuqishëm.

Këtu lind paradoksi më i rrezikshëm i sistemit: sa më i dobët pushteti moralisht, aq më e fortë duhet të jetë opozita. Kur kjo nuk ndodh, pushteti mbijeton jo nga forca e tij, por nga pafuqia e kundërshtarit.

Fragmentarizimi opozitar nuk është thjesht çështje strukturash apo liderësh. Ai është simptomë e një krize të thellë kulturore, ku politika shihet si mjet vetërealizimi dhe jo si përgjegjësi historike.

Mungon gatishmëria për sakrificë, për humbje të përkohshme, për dorëzim vanitetesh në funksion të një qëllimi kolektiv. Politika pa sakrificë është thjesht administrim ambiciesh personale dhe nuk prodhon kurrë ndryshim real.

Një nga iluzionet më të rrezikshme që ushqehet në këtë klimë është ideja se pushteti bie vetvetiu kur konsumohet ose korruptohet mjaftueshëm.

Por ky është gabimi më i madh dhe më i rëndë në doktrinën e mendimit dhe veprimit të aksionit politik për të sjellë një ndryshim real.

Historia politike e rrëzon pa mëshirë këtë besim naiv. Pushtetet nuk bien sepse janë të këqija; ato bien vetëm kur përballë tyre ndërtohet një alternativë e besueshme, e organizuar dhe këmbëngulëse.

Pa këtë alternativë, edhe pushtetet më problematike zgjasin, thellojnë dëmin dhe e normalizojnë deformimin. Koha nuk është faktor neutral; ajo gjithmonë punon në favor të atij që vepron, jo të atij që pret.

Kjo e vendos opozitën dhe shoqërinë përballë një prove që është thellësisht morale: ose zgjidhet rruga e bashkimit mbi parime minimale demokratike, duke kapërcyer mosbesimin dhe interesat e ngushta, ose zgjidhet rruga e konfrontimit të hapur, pa kompromise dhe pa iluzione.

Të dyja kërkojnë guxim. Të dyja kërkojnë përgjegjësi. Çdo rrugë e ndërmjetme është thjesht mënyrë elegante për të shtyrë vendimin dhe për të ruajtur pozicionet personale.

Ndërkohë, çdo vonesë ka kosto reale dhe të prekshme, jo vetëm politike, por shoqërore dhe morale.

Emigrimi masiv, cinizmi kolektiv, shkatërrimi i meritës dhe humbja e besimit nuk janë efekte anësore; janë plagë strukturore që thellohen me kohën.

Edhe kur pushteti ndryshon, këto pasoja nuk zhduken. Ato mbeten dhe e bëjnë rimëkëmbjen më të vështirë, më të ngadaltë dhe më të dhimbshme.

Në fund, pyetja thelbësore nuk është thjesht kush qeveris sot, por çfarë shoqërie po ndërtohet gjatë kësaj pritjeje të pafund.

Historia nuk i gjykon shoqëritë vetëm nga pushtetet që duruan, por nga momentet kur e kuptuan se durimi ishte kthyer në bashkëfajësi. Demokracia nuk humbet në një ditë; ajo humbet kur qytetarët pushojnë së besuari se fjala, reagimi dhe angazhimi kanë ende peshë.

Në këtë kuptim, ndryshimi nuk fillon nga rënia e pushtetit, por nga rikthimi i ndjenjës së përgjegjësisë qytetare, sepse pushtetet që jetojnë nga lodhja e shoqërisë nuk janë të pathyeshme.

Thjesht, ato janë pasqyra e një shoqërie të lodhur dhe që ende nuk ka vendosur të përballet seriozisht me vetveten.

Tiranë, e shtunë – 10 janar, 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok