03/10/2024

Pse u refuzua projekti kapital “Rugova-rilindasi i fundit” nga juria e Qendrës Kinematografike?

0

Nga Gani Mehmetaj, producent, ish-drejtor i Kosovafilmit

Juria e Qendrës Kinematografike të Kosovës me ktheu përgjigjen negative për projektin kapital “Rugova-rilindasi i fundit”!

Kam punuar dy vjet me regjisorin Artur Tahiraj dhe bashkëpunëtorët për këtë projekt; kemi konsultuar arkivat filmike të disa qendrave ndërkombëtare e kombëtare, kemi shfletuar literaturë dhe kemi biseduar me bashkë kohanikë të Rugovës, por kot, QKK në emër të jurisë së emrave të panjohur ma ktheu një përgjigje të thatë. Asnjë sqarim dhe asnjë arsyetim pse është refuzuar filmi i gjatë dokumentar -artistik “Rugova…” Ishte e turpshme dhe arbitrare mënyra e shpërfilljes.

Me përjashtim të Melihate Qenës (regjisore teatri për fëmijë e të rinj, ajo u tërhoq për shkak të konfliktit të interesit), kurrë nuk kam dëgjuar për asnjërin nga anëtarët e jurisë së QKK-së, përkatësisht të përzgjedhurit e Ministrisë së Kulturës.

Të gjitha qendrat kinematografike në Evropë e publikojnë biografinë e anëtarëve të jurisë (kryesisht janë ekspertë, producent e regjisor filmi me emër, apo shkrimtarë të njohur), kurse QKK-ja nuk e dha asnjë fjalë për ta, sepse s’kanë ç’të thonë.

Në një gjoja arsyetim me shkruajnë se konkurrenca ishte e madhe! Përgjigje cinike e fyese.

Sa për dijeni të bosëve të jurisë që e kanë përzgjedhur këtë grup anonimësh, po ua kujtoj se filmi “Kukumi” ku unë isha producent e drejtor i Kosovafilmit ka marr pjesë në 66 festivale ndërkombëtare, ka marr çmime të arta në Festivalin e Venedikut, Festivalin e Filmit shqiptar dhe në disa festivale të tjera ndërkombëtare. Të gjithë filmat e Kosovës pas 2004-tës nuk kishin çmime e festivale sa filmi “Kukumi” e Kosovafilmi që e udhëhoqa 17 vjet.

Dy vjet më parë po ashtu juria e QKK-së, pa emra dhe pa biografi, e refuzoi filmin “Rugova- rilindasi i fundit ” edhe pse ishte i vetmi projekt dokumentar-artistik.

“Sivjet për herë të parë nuk e mbështetem asnjë film dokumentar”, u arsyetuan në QKK, sepse s’mund të shkruanin se nuk e mbështesim filmin për Ibrahim Rugovën.

Shkelja e rregullores për formimin e Komisionit dhe për shpalljen e jurisë është imtësi për ta. Ndërkaq, këto shkelje i kanë bërë. Poashtu, pas katër ditësh të përditësimit të jurisë i shpallën rezultatet. Edhe sikur të ishin supermen nuk do të arrinin t’i lexojnë mbi 30 skenarë filmi e t’i vlerësojnë mbi 30 projekte kinematografike  me tritmen, sinopsise, buxhetin, biografi autorësh etj.

Por duket rezultatet i kishin të gatshme, s’kishin pse lodheshin.

Në ligj dhe rregullore QKK-ja nuk ka lënë mundësi ankese! Si në shtetet totalitare.

Prandaj Ministria e Kulturës duhet të shkarkojë jurinë e QKK-së, të zhvlerësoj rezultatet e konkursit dhe të formojë juri të re në afate ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok