08/06/2026

PSE SHQIPËRIA E MILIARDAVE TË PAKICËS KLEPTOKRATE NË PUSHTET NUK E NDAL DOT URAGANIN E PROTESTËS POPULLORE…?

0
Ilir-Cumani1

Nga Ilir Çumani

Prej afro tri dekadash, Edi Rama ka qenë pothuajse gjithmonë në majat e pushtetit shqiptar: ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër.

Një periudhë kaq e gjatë do të duhej ta kishte transformuar Shqipërinë jo vetëm në fasadë, por më së shumti  në jetën reale të qytetarëve. Do të duhej të kishte krijuar mirëqenie, siguri ekonomike, shërbim të qëndrueshëm arsimor dhe shëndetësor, punësim për rininë, besim tek e ardhmja dhe arsye për të qëndruar në këtë vend.

Por pyetja që sot rëndon mbi çdo familje shqiptare dhe që reflektohet në mënyrë kaq epike prej një jave tek ai ortek madhështor protestuesish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është më e thjeshtë dhe shumë më dramatike: ku shkuan miliardat?

Shqiptarëve u është folur për vite me radhë për investime gjigante, për projekte strategjike, për porte turistike, aeroporte moderne, rrugë, resorte luksi, qytete inteligjente dhe transformime historike.

Është folur për Portin e Durrësit, për Sazanin, Porto Romanon, aeroportet e Kukësit dhe Vlorës, për digjitalizimin dhe për “rilindjen” ekonomike.

Propaganda ka qenë monumentale. Shqipëria është paraqitur si një vend që po hyn në epokën e artë të zhvillimit, por realiteti social tregon diçka krejt tjetër, një sfond social tepër të zymtë dhe dramatik.

Nëse një vend investon miliarda euro dhe dollarë, atëherë kjo duhet të reflektohet drejtpërdrejt në jetën e njerëzve të zakonshëm.

Duhej të ishin rritur prej kohësh pagat dhe mbështetja sociale për shtresat më në nevojë. Duhej të ishte përcaktuar me ligj minimumi jetik, si një garanci dinjiteti për çdo qytetar. Duhej të ishte forcuar shtresa e mesme, të ishte rritur besimi tek e nesërmja, të kishte më shumë stabilitet ekonomik, më shumë vende pune dhe më pak arsye për të marrë rrugën e emigrimit.

Në vend të pasigurisë dhe mbijetesës, njerëzit duhej të kishin ndier më shumë mbështetje, më shumë drejtësi sociale dhe më shumë shpresë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre.

Mirëpo në Shqipëri po ndodh e kundërta: sa më shumë flitet për miliarda, aq më shumë boshatiset vendi.

Ky është paradoksi më i madh i realitetit shqiptar.

Shqipëria sot vazhdon të ketë ndër pagat më të ulëta në rajon, kosto jetese gjithnjë në rritje dhe një ekonomi që mbështetet kryesisht te konsumi, ndërtimi dhe paratë informale.

Ndërkohë, mijëra të rinj largohen çdo vit drejt Europës Perëndimore, jo për luks, por për mbijetesë, dinjitet dhe një mundësi reale për të ndërtuar jetën e tyre. Ata nuk ikin sepse nuk e duan Shqipërinë, por sepse ndihen të përjashtuar prej saj.

Sepse një sistem i kalbur nga korrupsioni, klientelizmi dhe propaganda u ka vrarë ëndrrat, u ka shuar shpresën dhe u ka mbyllur horizontin e së ardhmes në vendin e tyre.

Përballë një pushteti që pasuron një pakicë dhe braktis shumicën, që ka ngritur mekanizma kontrolli dhe survejimi politik mbi jetën e qytetarëve përmes rrjeteve parazitare të patronazhistëve, jesmenëve dhe militantëve partiakë, shumë prej tyre nuk shohin më asnjë arsye për të qëndruar.

Në vend të lirisë, meritës dhe mundësive, ata përballen me frikën, presionin dhe ndjesinë se shteti është shndërruar në instrument hakmarrës dhe represiv i pushtetit dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Por drama më e madhe shqiptare nuk shihet vetëm tek aeroportet e mbushura me emigrantë, por më së shumti shihet tek shtresat më të pambrojtura të kësaj shoqërie, të cilat prej vitesh jetojnë në kufijtë e mjerimit dhe të mbijetesës, ndërsa pushteti flet për miliarda dhe “suksese historike”.

Janë afro 740 mijë pensionistë që vazhdojnë të marrin pensione si lëmoshë poshtëruese, të pamjaftueshme për ilaçet dhe ushqimet bazë.

Njerëz që kanë punuar gjithë jetën, që kanë ndërtuar këtë vend me sakrifica dhe mund, sot detyrohen të numërojnë qindarkat për të mbijetuar deri në fund të muajit.

Në vend që të trajtohen me dinjitet, ata shpesh janë përdorur si dekor propagandistik në prag të zgjedhjeve, me bonuse fyese të mëshirës sociale, ndërsa realiteti i tyre mbetet tepër dramatik.

Po aq e rëndë është gjendja e personave me aftësi të kufizuara, e invalidëve, të moshuarve të vetmuar, të cilët përballen çdo ditë me një sistem social dhe shëndetësor të rrënuar e të padhembshur.

Shumë prej tyre nuk arrijnë të mbulojnë as kostot minimale të jetesës, trajtimeve mjekësore apo barnave jetike.

Në një shtet normal, këta qytetarë do të ishin prioritet absolut i politikave mbrojtëse dhe mbështetëse sociale. Në Shqipëri, ata mbeten ndër më të harruarit dhe më të margjinalizuarit.

Akoma më tronditëse është situata e 31.000 fëmijëve jetimë dhe e nënave që i rrisin të vetëm mes varfërisë dhe mungesës së mbështetjes reale shtetërore.

Ka nëna që luftojnë çdo ditë për të ushqyer, shkolluar dhe mbajtur me dinjitet fëmijët e tyre, ndërsa ndihma që shteti u jep jetimëve mbetet në kufij absurdë dhe po aq fyese për çdo ndërgjegje njerëzore.

Në një vend ku flitet për miliarda euro investime, është tragjike që shtresa më e pambrojtur e shoqërisë trajtohet me ndihma simbolike, që nuk mbulojnë as nevojat më minimale të një fëmije.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si ka mundësi që një vend ku pretendohet se investohen miliarda, prodhon një nivel kaq të lartë varfërie sociale, pasigurie ekonomike dhe emigracioni masiv?

Kuptohet se problemi nuk qëndron vetëm tek mungesa e investimeve reale, por tek modeli ekonomik dhe politik që është ndërtuar gjatë këtyre viteve. Është një model ku propaganda ka zëvendësuar zhvillimin, ku imazhi ka zëvendësuar prodhimin dhe ku fasada ka zëvendësuar shtetin funksional.

Shqiptarëve u tregohen makete 3D, por jo bilance reale ekonomike. U flitet për turizëm rekord, ndërsa fshatrat boshatisen. U premtohet modernizim, ndërsa spitalet, arsimi dhe bujqësia mbeten në krizë të vazhdueshme.

Investimet përqendrohen kryesisht tek projektet që prodhojnë spektakël mediatik dhe interesa të mëdha financiare, por jo domosdoshmërisht zhvillim të qëndrueshëm kombëtar.

Në çdo vend normal, suksesi ekonomik matet me cilësinë e jetës së qytetarëve. Me fuqinë blerëse. Me mundësinë për të ndërtuar jetën në vendin tënd. Me besimin tek e nesërmja. Ndërsa në Shqipëri, suksesi po matet me rendera, me propagandë vizive dhe me kronika televizive të kontrolluara politikisht.

Ndaj edhe shqiptarët që protestojnë nuk po u besojnë më statistikave zyrtare. Ata i besojnë jetës së tyre të përditshme. I besojnë frigoriferit bosh, pamundësisë për të blerë një shtëpi, pagave që nuk mjaftojnë deri në fund të muajit dhe fëmijëve që largohen nga vendi.

Asnjë propagandë, sado e sofistikuar të jetë ajo, nuk mund ta fshehë gjatë krizën reale të një shoqërie. Dhe kriza më e madhe e Shqipërisë sot nuk është vetëm ekonomike, por në radhë të parë është kriza morale e besimit se ky vend mund të ndërtohet për qytetarët e tij dhe jo vetëm për një pakicë të lidhur me pushtetin dhe oligarkinë.

Dhe në fund mbetet vetëm një pyetje, të cilës propaganda e pushtetit korruptiv nuk po arrin dot t’i japë përgjigje:

Nëse Shqipëria po pasurohet kaq shumë, pse shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë prej saj?

Ndaj edhe orteku madhështor i protestave masive popullore që ka zbritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshe të ndryshme të Shqipërisë dhe në sheshet e kryeqyteteve të botës ku jetojnë emigrantët shqiptarë, nuk lidhet vetëm me mungesën e transparencës për investimet në Zvërnec, Rrjoll apo Sazan, por më së shumti edhe me revoltën e thellë të një populli që ndihet i mashtruar, i varfëruar dhe i përjashtuar nga pasuritë e vendit të vet.

Ai lidhet me pensionistët e poshtëruar nga pensionet tallëse, me invalidët e braktisur nga shteti, me nënat që rrisin jetimët mes pamundësive, me të rinjtë që po largohen masivisht nga Shqipëria sepse këtu nuk shohin më as drejtësi, as meritë dhe as të ardhme.

Sepse kur një vend pasuron pakicën dhe humbet njerëzit e tij, kriza nuk është më vetëm ekonomike apo politike. Ajo bëhet krizë kombëtare, krizë morale dhe krizë e vetë besimit tek Shqipëria.

Sukseset e një vendi nuk çmohen me kullat që ngrihen për pakicën, por me dinjitetin dhe normalitetin e jetës që u garanton njerëzve të zakonshëm, nuk maten as me propagandën që prodhon një pushtet i padhembshur, i korruptuar dhe arrogant, por me shpresën që ndjejnë qytetarët për të nesërmen e tyre.

Dhe kur pensionistët jetojnë në mjerim, kur invalidët ndihen të braktisur, kur nënat luftojnë të vetme për të rritur fëmijët, kur të rinjtë largohen masivisht nga vendi sepse nuk shohin më as meritë, as drejtësi dhe as të ardhme, atëherë problemi nuk është më vetëm ekonomik apo politik.

Ingranazhet e mekanizmit abuziv të pushtetit, në këto 35 vite tranzicion, kanë funksionuar si një mulli i pandalshëm për përvetësimin dhe shpërndarjen klienteliste të të mirave publike.

Nën petkun formal të ligjit, por shpesh në kundërshtim me frymën e tij, është ndërtuar një sistem që i ka kthyer institucionet në instrumente të privilegjit dhe jo të interesit publik.

Në thelb të këtij mekanizmi ka qenë filozofia Kryeministrit Edi Rama me të tijët, e njohur tashmë nga vetë opinioni publik si “KÇK-ja” — kap ç’të kapësh — ku pushteti politik dhe administrativ e ka konsideruar shtetin jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si plaçkë për t’u ndarë mes një pakice të privilegjuar.

Mjafton të kujtojmë mënyrën sesi, në një konsensus pothuajse unanim dhe me një procedurë të përshpejtuar nga të gjithë ligjvënësit, majtas dhe djathtas, u votua ligji për dyfishimin e pagave të deputetëve, menjëherë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.

Votimi erdhi në një moment kur shumica e qytetarëve përballeshin me rritjen e kostos së jetesës, emigracionin masiv dhe pasigurinë ekonomike, ndërsa klasa politike vendosi të garantojë fillimisht rehati financiare për vetveten.

Me skemën e re, paga bruto e një deputeti u rrit nga rreth 157 mijë lekë të reja në afro 310 mijë lekë të reja në muaj.

Por paga zyrtare është vetëm maja e ajsbergut. Asaj i shtohen të tjera përfitime me dieta, rimbursime telefonike, qira banese, karburant, akomodime hoteli, pagesa shtesë mbi pagat për mbledhje komisionesh parlamentare dhe privilegje të tjera financiare, të cilat, në shumë raste, e çojnë përfitimin real mujor në shifra që variojnë nga 600 mijë deri në 700 mijë lekë të reja, një shifër kjo e barabartë me 60 pensione.

Ky nuk është thjesht problem page, por një çështje që lidhet me filozofinë e KÇK – së të një pushteti të panginjur dhe të mënyrës sesi konceptohet administrimi i pasurisë publike.

Sepse paralelisht me varfërimin e një pjese të madhe të shoqërisë, është ngritur një piramidë privilegjesh shtetërore, e legalizuar përmes kartonëve të shumicës parlamentare.

Sot ekzistojnë rreth 38 nivele pagash dhe përfitimesh privilegjesh në hierarkinë shtetërore, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, e deri te drejtuesit e niveleve të ndryshme të administratës publike.

Kjo skemë e zinxhirrit piramidal admninistrativ shtetëror, konsumon një pjesë të konsiderueshme të shumatores totale të fondit të pagave, ndërsa hendeku midis elitës politike dhe qytetarëve të zakonshëm vazhdon të thellohet në një disproporcion anormal dhe të paimagjinueshëm.

Në këtë realitet, qytetarët nuk ndihen më pjesë e një shteti social që shpërndan drejtësisht barrët dhe përfitimet, por spektatorë të një sistemi ku pushteti shpërblen vetveten me burimet publike.

Dhe pikërisht këtu nis kriza më e madhe: jo vetëm ekonomike, por edhe morale e politike. Sepse një shoqëri mund të tolerojë për një kohë padrejtësinë, por vështirë se mund të pranojë pafund arrogancën e privilegjit në mes të pasigurisë kolektive.

Këto dhe shumë arsye të tjera dëshmojnë se kemi përballë një plagë më të thellë kombëtare, sepse Shqipëria nuk po zbrazet nga mungesa e dashurisë për vendin, por nga humbja e besimit se ky shtet mund të ndërtohet për qytetarët e tij dhe jo vetëm në shërbim të një pakice të lidhur me pushtetin, privilegjet dhe oligarkinë.

Dhe kjo është arsyeja pse asnjë ekran 3D, asnjë maket luksoz dhe asnjë kronikë televizive e blerë dhe e kontrolluar sot nga Kryeministri më zullumqar dhe autokrat i historisë së Shqipërisë nuk mund ta mbulojë më të vërtetën që shqiptarët e jetojnë çdo ditë:

Një vend që humbet njerëzit e tij, nuk mund të quhet kurrë i zhvilluar.

Tiranë, e diel – 7 qershor, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok