21/12/2024

Pse po bie interesi për shkollën?!

0
Albert-Zholi

Shkolla jo gjithmonë jep njohuri, shpesh vetëm një diplomë

Nga Albert Z. ZHOLI

Lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati i jep dhe i merr. Më mirë të bëhesh nxënës në pleqëri sesa të largohesh nga kjo botë i paditur. Sistemi më i mirë arsimor nuk sjell gjë të re nëse njeriu nuk ndryshon, nëse nuk arsimohet moralisht dhe shpirtërisht. Sepse njeriu është gjenerator i posaçëm i të gjithave ndryshimeve të vazhdueshme jetësore. Pa ndërrimin e njeriut të gjitha reformat ekonomike, politike, financiare, kulturore, arsimore etj., janë të pamundura të realizohen për krijimin e një jete më të mirë. Sepse në zemrën e njeriut vihen themelet e reformave dhe strukturave të reja. Edhe ligji më i mirë në dorën e njeriut të paedukuar, pra të njeriut apo të shoqërisë së pamoralshme dhe të keqe, nuk mund të jetë funksional. Është e njohur thënia se askush nuk mund ta ndërrojë gjendjen e një populli, derisa ata të ndërrojnë vetveten. Po deshe të jesh i mënçur, mësohu të pyesësh me mend, të dëgjosh me vëmëndje, të përgjigjesh i qetë dhe të pushosh së foluri, kur nuk ke ç’të thuash më,- ka thënë Fonten (Francë). Por mënçuria është e lidhur pazgjidhshmërisht me librin, pra me shkollën. Realiteti i sotëm tregon se, një nga problemet e mijëvjeçarit të tretë është dhe rënia në mënyrë të ndjeshme nga ana e fëmijëve e interesit për të (shkollën). Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin kjo sindromë e padëshirueshme po merr përmasa alarmante. Në mbarë botën sipas një sondazhi dhe statistikave të publikuara nga “Blagg” (Institut për problemet e arsimit), rreth 11,3 % e fëmijëve janë analfabetë. Nga shumë psikologë mësues dhe sociologë është nxjerrë përfundimi se, dy janë arsyet (proceset) që karakterizojnë sjelljen refuzuese të fëmijës ndaj shkollës. 1- “Mohimi”, i cili nënkupton mosdëshirën për të vajtur në shkollë dhe për t’u marrë me gjëra të tjera, që i pëlqejnë fëmijëve jashtë dëshirave dhe kërkesave të prindërve (ku shumë herë prindërit duan t’i detyrojnë fëmijët për preferencat e veta). 2-Frika ndaj shkollës, e cila përmban në vetvete dimensione psikologjike (disiplinë, kërkesë llogarie, frenim për lojrat, kufizim kohe). Ndonëse specialistët nuk bëjnë shumë dallim midis këtyre dy arsyeve (proceseve) duhet pranuar se rasti i dytë është shumë serioz dhe shpesh kërkon ndërhyrjen apo punën e vazhdueshme me psikologun. Ç’farë presupozon apo nënkupton “Mohimi” për shkuarjen në shkollë? Në ç’moshë shfaqet ky mohim? Sot pohohet nga shumë prindër se fëmijët shfaqin frikë për shkollën qysh në momentin kur atyre u thuhet apo u bëhet prezente një diçka e tillë. Lidhur me moshën në të cilën një fëmijë mund të shfaqë frikë shkollore, specialistët theksojnë se është më e mundëshme që kjo frikë të shfaqet në nxënës të moshës 10-12 vjeçarë dhe arrin deri te të 14-tat. Ndërsa nga ana tjetër shkolla amerikane (më vete), mbështet idenë se mosha më kritike për të shfaqur frikë shkollore është midis pesë dhe dhjetë vjetëve. Në vija të përgjithshme fëmijët me frikë shkollore paraqesin zakonisht dobësi serioze në marrjen e inisiativës, tregojnë më të madh se mosha e tyre, vuajnë nga ndonjë pikëllim dhe mbajnë një qëndrim pa shprehje. I bezdis prania e librave, nuk janë sistematikë në përgatitjen e mësimeve dhe në vendosjen e librave.

Faktorët shkaktarë?

Faktorët, që çojnë në lindjen e një problemi të tillë janë të shumtë; por nga specialistët më të rëndësishmit janë sidomos ato që kanë të bëjnë me familjen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek të dy grupet e fëmijëve. Eshtë karakteristike studimi i përfunduar nga Blagg në vitin 2008, që lidhet me një nga faktorët familjar, që lidhet me një nga problemet me rëndësi jetike sikurse është niveli i papunësisë së prindërve. Ky studim nxorri në pah dy probleme apo u bazua mbi dy pista. Pra; 1-Fëmijët që kanë `prindër pa punë dhe që kanë frikë nga shkolla. 2- Fëmijë me prindër pa punë dhe që kanë dëshirë apo largohen përfundimisht nga shkolla ku edhe familja në kësi rastesh nuk kundërshton në mënyrë stoike. Studimi i tij tregoi se niveli i papunësisë së prindërve te nxënësit me frikë shkollore llogaritej në rreth 1,8 % , ndërsa përqindja korresponduese për prindërit e fëmijëve, që largohen nga shkolla llogaritej 26,7 %. Gjithashtu, për fëmijët, që paraqesin frikë shkollore është vënë re se përveç faktit, që vijnë nga familje të shtresës mesatare shpesh iu duhet të përballojnë ankth të madh dhe shqetësim kur detyrohen të braktisin shtëpitë dhe prindërit e tyre. Sipas psikologëve është arritur në `përfundimin se, për të shmangur këtë sëmundje tek fëmijët (në të dy rastet edhe frika edhe largimi nga shkolla), rëndësi kryesore dhe peshë transformuese ka familja. Dhe së dyti del në pah edhe roli i shkollës. Konkretisht tek roli i shkollës, si factor, që ndikon shumë herë në krijimin e problemit, studime të shumta kanë treguar se gati 50 % e nxënësve europianë shprehin ankth dhe shqetësim për disa anë të jetesës së tyre në shkollë. Si rezultat i këtyre dy arsyeve vitet e fundit sidomos në Afrikë, Azi, por edhe në Europë dhe Amerikën latine rreth 25, 5 e nxënësve, që hyjnë në kategorinë e dytë largohen përfundimisht nga shkolla. Ata janë kontigjenti i parë i shfrytëzimit për rrjetin e lypësave apo trafikimit të organeve, ndërsa një pjesë janë të detyruar të punojnë qysh në atë moshë për të nxjerrë bukën e gojës. Shumica e tyre që janë ende nën kontrollin e prindërve bëhen zanatçinj apo fillojnë punë në moshë tepër të njomë duke njohur një shfrytëzim barbar (punë në të zezë), apo duke mos marrë fare shpërblim përveç vafteve të ushqimit. Mosshkollimi sjell edhe pengesa dhe probleme të shumta në jetën dhe veprimtarinë e përditëshme të fëmijëve. Të mos lidhurit me shkollën i lidh ata me drogën, me veprime kriminale, prostitucionin, alkoolin etj. Njeriu mëson për jetën duke parë të përparuarën dhe e përparuara nuk mund të merret në një shoqëri jashtë librit, jashtë dëshirës për dituri. Qysh në lashtësi ka pasur përkufizime shumë sinjifikative për diturinë si “ai që nuk di, është si ai që nuk sheh.” Padituria është shoku më i keq. Realisht është vërtetuar se rrënjët e diturisë janë të hidhura, kurse frytet shumë të ëmbla (thotë një fjalë e urtë latine). Kushdo që lë mënjanë mësimin në të rinjtë e tij , humbet të shkuarën dhe është i vdekur në të ardhmen, – ka vulosur rëndësinë e diturisë qysh në lashtësi Euripidi (Greqi).

Më mirë të bëhesh nxënës në pleqëri sesa të largohesh nga kjo botë i paditur.

Box

Shtatë kujdesjet e mësuesit ndaj nxënësve:

1) Mbështetja, 2) Inkurajimi, 3) Dëgjimi 4) Pranimi, 5) Besimi. 6) Respekti, 7) Zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Ne mësojmë. . .

10% e asaj që lexojmë

20% e asaj që dëgjojmë

30% e asaj që shohim

50% e asaj që shohim dhe dëgjojmë

70% e atyre që flasim

80% e atyre që përjetojmë

95% e atyre që u mësojmë të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok