23/12/2024

“Pse nuk jam marksist?”

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Ky titull s’ është i imi. Është titull i një shkrimi të Branko Merxhanit dhe është botuar në vitin 1937, pak para se shtrëngata e tmerrshme marksiste ta rrëzonte për tokë kombin shqiptar.

Teksti i Merxhanit është emblematik dhe i ka rezistuar kohës dhe harresës, sepse trajton dallimet ndërmjet doktrinës marksiste dhe vlerave dhe virtyteve të qytetërimit europian, qytetërim ky që ka thellësi 2000 e më shumë vjeçare.

Komunizmi kudo ka lëshuar rrënjë ka shkaktuar tmerre dhe ka vyshkë jetën njerëzore, prandaj teksti në fjalë bëhet i vlefshëm për  secilën stinë politike, sidomos kur në shoqëri vërshon injoranca, helmi e arroganca, siç ngjet këto ditë në Kosovën tonë të bukur.

Shqiptarët atëbotë sikur të mos rreshtoheshin me marksizmin, por të dëgjonin Merxhanin, Fishtën, Harapin, Frashërin, Krujën e plot të tjerë, fati i kombit tonë me siguri do të ishte shumë më i lumtur dhe mbi ne s’ do të rëndonin kaq shumë dhimbje e tragjedi.

Por shqiptarët e atëhershëm gabuan dhe u rreshtuan pas marksizmit, u ndanë nga qytetërimi i përparuar europian, ku mbizotëron liria dhe u lidhën në litarin despotik që atyre u solli izolim, urrejtje, vrasje e varfëri pafund.

Por çuditërisht pas kaq dekadash, sot ndër shqiptarë dëgjon zëra të përçartë tek thonë se s’ka rrezik nga kjo filozofi, ndonëse e vërteta është e kundërt dhe për këtë ka prova sa të duash.

Pavarësisht faktit se s’ka mjedis për instalim të njëmendësisë politike, duhet thënë e vërteta, se kjo filozofi është bimë e keqe dhe po u mboll e shkreton jetën e një kombi, prandaj

për arsye të forta historike, ekonomike, kulturore dhe para se gjithash politike, duhet t’ i themi JO të madhe marksizmit si filozofi për jetën, historinë, politikën dhe ekonominë. Sepse, siç thotë Merxhani, “filozofia marksiste nuk lë çështje pa futur në klishenë e saj të përgjithësimit” dhe duke klishetizuar çdo çështje në laboratorin e vet ideologjik bluan jetë njerëzish, duke tentuar t’i pastrojë ideologjikisht.

Secili shqiptar që e mundon pak kokën dhe që lexon me vëmendje lëvizjet politike të VV- së, gjuhën që e tipologjizon, e sheh qartë se kjo organizatë funksionon sipas disa parimeve të njohura marksiste, prej faktit se s’lë çështje pa e futur në klishenë e përgjithësimit, deri te predikimet për çlirimin e Kosovës nga e keqja, manifestimi i ideve proletare dhe premtimet utopike për lumturi në një pushtet ku gjuha politike vendoset aty ku duhet të jetë drejtësia.

Prandaj tendenca për ta relativizuar natyrën marksiste të kësaj organizatë është fort e pashëndetshme dhe bile edhe rrezikshme për proceset e sotme në vendin tonë.

Pa dyshim, shqiptarët kanë nevojë për zgjerim të kulturës demokratike, kanë nevojë për risi politike, për ndryshime politike, për parti të shëndosha e me energji demokratike, kanë nevojë për pluralitet e ide, për të djathtën e të majtën e për ide liberale, por kurrsesi s’ kanë nevojë për pushtet ideologjike marksist që i mbivendoset politikës dhe tenton të bëhet alfa dhe omega e shoqërisë.

Këtë mësim na jep historia universale dhe kombëtare dhe këtë mësim na tregon edhe Merxhani i cili në tekstin e përmendur ndër të tjera thekson dallimet esenciale mes botëkuptimit europian dhe botëkuptimit Marksist dhe shton : “të dyja këto botëkuptime nuk ndahen vetëm në punën e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës.”

Marksistët predikojnë sikur të jenë destinuar për të çliruar racën njerëzore nga të këqijat.

A nuk sillet kështu VV-ja sot në raport me popullin e Kosovës?

Pikërisht kjo është arsyeja pse zgjedhjet i quajnë referendum, kurse pushtetin e ardhshëm si epokë të lumturisë, meqë vendi, sipas predikimeve të tyre të marra, do të nxjerrët nga balta, meqë ata kanë zbuluar çelësin magjik të parajsës së ardhshme.

Kjo është marrëzi utopike, të cilën qëmoti e ka piketuar Merxhani:

“Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brenda në shtet ose nëse predikojnë se paskan zbuluar çelësin e çuditshëm të parajsës së ardhshme, mua më duket se tërë këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjetër veçse vjellja e injorancës së tyre.”

Prandaj shqiptarët e Kosovës, kanë arsye të forta të bashkohen me Branko Merxhanin dhe të thonë me zë të lartë:  “Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe anti-komunist. Hem si njeri mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri – shqiptar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok