22/12/2024

PSE NUK I BAHET NUREMBERG GJENOCIDIT KOMUNIST?!

0
75 VJETORI I NUREMBERGUT

Nga Fritz RADOVANI

PO KU ME E FILLUE ?!..

30 Nandor 1944… Shqipnia komuniste marrshon… Po kush ishte kjo?

Një mbretni errësine, ku çdo dritë apo shkëndi e saj shuhet me dhunë!

Shkëlqente deri në marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”.

Drita që shpërndante ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe e fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, pra nënkuptohet të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”… Ai ishte “dija e pafund”!… Edhe njerzit që kanë pasë rast atij me i dhanë dorën janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësimi ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të kushtonte me kokë…Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shqiptar. Fotografia e tij ishte në krye të vendit!.. Kudo, në zyre, rrugë kryesore, sheshe, shkolla e edhe në mjaft shtëpija .., jo vetëm komunistësh por edhe njerzish të thjeshtë…

Bustet e statujat e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit! Ku nuk ishin ata!?

Komunizmi në Evropë asht kenë në disa “tonacione” të tij, po të flasim me gjuhën e piktorve… Rusia e kishte të kuq në të verdhë, …Italia rozë, Franca pak ma të mbylltë se Italia, Gjermania lindore ma të çiltë se e kuqja e vendëve tjera Lindore, Vendët Baltike e kishin të kuqen mjaftë të fortë…vendët ballkanike edhe ma të fortë se të tjerët… Na në Shqipni e kishim ngjyren e kuqe të gjakut të freskët…të përditshëm ose ma mirë me thanë: “të komunizmit real totalitar stalinjano – enverjan”!…

Na ishim një laborator hermetik ku eksperimentohej çdo “mendsi” e çmendi e kësaj teorije të shëmtueme antinjerzore, ku qenja mbi të cilën bahej prova ishte “një shifer”… por kurr, i quejtun as formalisht “njeri”! Mbas vendimëve të Jaltës, ku Ruzvelti ndau zonat e influencës në Botë me Stalinin dhe “vezhgues” Çiurçillin, komunizmi u nda në Evropë në tre tipare të përaferta, por kurr të barabarta…

Lindja komuniste stalinjane deri në vitin 1953, ka provue terrorin dhe diktaturën stalinjane pa konçesione. Përendimi, Franca, Italia dhe mjaft shtete që na nuk i njohim nga vetëmbyllja e jonë, kaluen në sisteme socialiste por tue u gërshetue me “demokraci” të imponueme nga prania e forcave ushtarake të bloqeve Përendimore, nuk mujtën me aplikue as “Revolucionin socialist”, të cilin e penguen me dashje për mos me u shtri në krejt Evropën, gja e cila do të rrezikonte edhe Amerikën, prandej, mendoj unë se, nga këta shtete së bashku u “sakrifikue” i shkreti populli kinez.., i cili, mbas vitit 1966 – 67 ka provue edhe ai shfarosjen stalinjane të Mao Ce Dunit. Rusia, Kina dhe Shqipnia nuk kanë ndryshue ngjyrë fare njeni nga tjetri, mbasi duhej ruejtë “tansia tokësore” me armë në dorë, për vetë faktin e zhvillimeve të ngjarjeve.

Rusia fatzezë shumëkombesh e besimesh shumë ma kontradiktore se Kina. Kina shumë kontradiktore nga vetë natyra gjeografike e saja… Prej Tibetit dhe Mongolia, Tajvani, Shangai, Hongkong.., si t’ishin instalue nga kontinente të ndryshme në atë vend aq të largët, por me baza kulture mijra vjeçare nën diktatin e shkatrrimit. Shqipnia, me tre besime kontradiktore që u mbështetëshin nga fqinjtë për të sigurue sundimin e tyne.., si Orthodoksët nga sllavët dhe anadollakët lindorë, për të zhdukë çdo element Atdhetar të kulturuem në Perëndim! Pra, përveç kenjes “pakicë” inteligjenca Katolike, ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe terroriste që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për çkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta evropjano Përendimore, ku perfshihej edhe Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, vetëm me punën e palodhun dhe sakrifica të pashkrueme asnjëherë nga askush shkollat e kulturës evropjane

Nuk duhej prekë interesi sllav që sundonte tokat tona, si Kosoven, Hotin, Gruden e zonat e Tivarit e Ulqinit nga Mali i Zi… A po Vori Epirin e Maqedoninë e Veriut… Bashkimi i Tyne me trojet Shqiptare do të fuqizonte edhe Veriun, gja e cila nuk i ka interesue kurr as Serbisë, as Greqisë as edhe Rusisë.

Për këte arësye unë në librin tem “Një Monument nën dhé” kam shkrue:

“Sigurimi i shtetit  vëpronte kështu se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit përmish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovenistët sllavo – aziatikë. Torturat mizore të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë”, edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari!

Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye përtokë dhe mandej, qetësohej e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në gjakun e pastër të prehës së tij….” (“Yjet e Kombit” faqe 61.) Kjo asht arësyeja e vërtetë e masakrave të bame që në Janarin e vitit 1945, mbi trupin e Atdhetarit, Klerikut, publiçistit, shkrimtarit, poetit dhe njenit nga të parët Demokrat i Opozitës Shqiptare i vitit 1924, Don Lazër Shantoja!.. E, kjo vazhdoi jo një e dy dekada, por 47 vjet pandërpremje me të gjithë Ata Atdhetarë Shqiptarë që guxuen me thanë se “jam Katolik” ose jam “vëlla me Katolikët” si, Muzafer Pipa, Qemal Draçini, Fahri Rusi, Xhevat Korça, Myfit Q.Bushati, Arshi Pipa, Ragip Meta, Elez Troshani, Sami Repishti etj. Komunizmi asht vetëm një propagandë fund e maje vetëm rrena apo gënjeshtra.

Komunizmi asht kenë e mbetet sistemi i sundimit ma përbindsh i Shekullit XX.

Ndersa në Shekullin XXI, “rilindja e komunizmit” çerdhen e vertetë e ka në selitë e terrorizmit, propagandës mashtruese dhe krimit t’ organizuem nga shteti hajdut mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” të vorfnisë pashoqe, derisa t’ arrijnë me këthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë…

Shqiptarët edhe sot nuk duhet të harrojnë monumentët me një dorë naltë, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort e, që asht dora e diktatorit që mbjellë frikë, terror, vrasje, pasiguri dhe kërcnim tue shpërba edhe pamjen e tyne si njerëz…

Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sëpse aty gjenë terrenin e vet me mashtrue me parullen ma të njohtun por, edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabet i pat sigurue me hy në vathën e tij. Kështu, pergatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe false të “popullit” krejt kastën shtetnore të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër shumë të kulturuem dhe përparimtar dhe, tue e zëvendsue ate me kastën e “re” të paditun dhe pa kurrfarë tradite, po vetem për me organizue shtetin socialist.

Duhet theksue se Shqipnia nuk ishte shtet i angazhuem në Luftën Botnore, në asnjë blok, prandej edhe nuk u zharit e shkatrrue prej asnjënës palë, madje mbas Luftës Shqipnia dhe Shqiptarët dolën edhe ma mirë se ishin para saj. Shqipnia që në vitin 1942 ishte ma mirë ekonomikisht se Italia, Jugosllavia dhe Greqia… Ndërsa, mbas vitit 1991 ajo nuk mund të rreshtohet as me vëndet e Botës së katërt.

Sot asht vendi ma i varfën në të gjithë shtetët e Evropës Lindore e Përendimore. Kush e solli Ate këtu përveç, komunizmit dhe “rilindjes” së tij?

Parimi i “barazisë për të gjithë asht vorfnimi i tejskajshëm për të gjithë Popullin!

Nuk duhet harrue edhe shpronsimi dhe shtetizimi i pronave dhe pasunive private, tatimet dhe konfiskimet, të cilat marrin me vedi edhe mijra kilogram ar e monedha të grave shqiptare të ruejtuna, për me i shpenzue kur të vijë dita.., që populli ka me hangër bar “me lugë ari”… Skutat e vrimat diheshin nga shegertat e dyqaneve, sëpse pjesa ma e madhe e tyne tue u vetquejt “proletar” u lidhën me komunistët…

Fillimi i gjyqeve të mëshefta dhe barbarizmat ndër hetuesi, janë mjeti me të cilat shteti arrinë që mijra e mijra njerëz me të njajtat vlera, përfundojnë viktima të Sigurimit… Kështu, në mënyrë të vetdijshme pranojnë humbjen e Lirisë, si një “dhuratë” për këdo që do me jetue.., tue pranue si të ligjëshme edhe dhunimin dhe shkeljen e të drejtave dhe Lirive të njeriut, “të mbrojtuna” vetëm në letra nga shumë institucione ndërkombëtare.

E gjithë kjo “betejë” që ka vetëm një qellim: “Majtjen e Pushtetit me dhunë” dhe qeverisjen e gjithë popullit nga një dorë marksiste – leniniste terroriste, që u realizue në Shqipni me kriminelin anadollak Enver Hoxha, por që ka pasë një mbështetje të fuqishme dhe shumë të organizueme në Sigurimin e Shtetit dhe metastazat e tij në çdo skutë të vendit… Në këte organ të shemtuem grumbullohen të gjithë ata që nuk kanë asnjë tipar të dukshëm ose të mbrendshëm të njeriut. Brajan Capmen thotë: “Thesari ma i çmueshëm i një diktatori janë spijunët dhe informatorët, mbasi me ta mbjellët përçarja në popull, ndërsa me vrasësit ruhet sundimi. Spijunët janë njerëz të stërvitun për vepra të ulta, të rritun mjedis poshtnimit”. Mbasi të rilexoni edhe njëherë këte citat keni me kuptue se, cila kje arësyeja që Enver Hoxha me të gjithë aparatin e tij terrorist qeverisës, vorfnoi popullin, e shpërftyroi njeriun, e mbajti 47 vjet nën diktaturë komuniste, tue aplikue metodat ma të mnershme e djallzore të “luftës së kllasave”, tue privilegjue dhunuesit dhe torturuesit apo edhe organet e “drejtësisë”, që shtonin numurin e këtyne spijunve, të gjithë të lindun, të rritun dhe edukue në kurset e analfabetizmit dhe nga “shkolla e re socialiste” e kudondodhun…

Duheshin sa ma shumë kampe pune dhe shfarosje, të interrnuem dhe ushtarë për të sigurue me punën e tyne të pashpërblyeme fitimet përrallore dhe garancinë e sotme nga ata kapitale ndër të gjitha bankat dhe shtetet Përendimore!

Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha nëpërmjet të dhunës që ushtrohej nga institucioni ma i paligjshëm i tij Sigurimi komunist, vetëm mbi një parim friksimi, kërcënimi dhe shtypje të pashoqe.

Kjo ngjante sëpse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të vitit 1967 në qytetin Martir të Shkodres.

Ja dhe reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë…” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparët e Tij Shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shembë Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugave të gërbetit dhe tue harrue zakon e traditë mijravjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare. Ja Populli Shqiptar i njohtun në Evropë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së të Drejtave njerzore : Të Madhin Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Nanë Terezën e Shqipnisë… “në mes të Evropës”… por jashta Saj!..

Nëse, Presidenti Havel foli në vitin 1999 në Tiranë, para Pallatit të Kryeministrisë për komunistët çek të konvertuem, dhe rrezikun që i sjellin ata demokracisë ashtu asht si thotë Ai, por kur bahët fjalë për komunistët shqiptarë, ata nuk do të konvertohën kurr, sëpse “ata janë të konservuem”! Këte e verteton “qeverisja” e sotme!

Në vitin 1946 një Murgeshë që shërbente si infermjere në spitalin e burgut, në podrumet e Spitalit Civil të Shkodres, e quejtun nga të sëmurët e torturuem “Engjulli i birucave” (Gjyzepina Radovani), ka thanë: “Si mbas parimit komunist: Sytë që kanë pa duhën verbue e, duhën shurdhue veshët që kanë ndigjue e, pré gjuhët që mund të flasin e, shkurtue, krenat që mund të mendojnë”…

Ky asht parimi thëmelor i  komunizmit!..

E ky parim do të shkombtarizojë perfundimisht Shqipninë e Kastriotit!

Melbourne, 30 Nandor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok