22/11/2024

Pse Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje?

0

Nga Enver Bytyçi

Dorëheqjet janë mjeti që e bëjnë të shëndetshme demokracinë dhe jetën e qytetarëve. Ministri i Brendshëm i Sllovenisë dha dorëheqje për një skandal jo të lidhur drejtpërdrejt me të dhe për këtë shkak duket se ky vend do shkojë në zgjedhje të reja. Në Kosovë dorëheqja është karakteristikë e përgjithshme për shumë eksponentë të qeverisjes, në mesin e të cilëve bën dallim Ramush Haradinaj.

Po pse atëherë Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje, megjithëse ndaj tij është ngrit një akt-akuzë për krime kundër jetës së disa qytetarëve?! Pse ai nuk e ndjek shembullin e Ramush Haradinajt? Cilat janë disa nga arsyet e mbajtjes me zor të postit të presidentit? Nëse gjykojmë me gjakftohtësi dhe nëse analizojmë rrjedhat që janë zhvilluar deri tani, atëherë duhet të vemë në dukje disa faktorë:

Së pari, Hashim Thaçi nuk është një lider politik, i cili zbaton parimet e demokracisë. Ai e sheh veten lart, shumë më lart se Haradinaj dhe e konsideron dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës si tragjedi. I marrosur pas pushtetit ai nuk mund ta përfytyrojë veten jashtë posteve më të larta në Kosovë. Po t’i shtojmë kësaj edhe pasurinë që ka vënë pas ardhjes në politikë e në pushtet, atëherë mosdorëheqja e tij motivohet nga domozdoshmëria e të qëndruarit në pushtet, si kusht për të ruajtur privilegjet ekonomike e financiare. Thaçi i përket linjës së liderëve autokratë. Nëse do kishte mundësitë dhe forcën e Vladimir Putin, ai do ta ndryshonte kushtetutën për ta konfirmuar veten në pushtet edhe për 20 vjet të tjera. Kjo është mendësia e zotit Thaçi.

Së dyti, presidenti i Kosovës qëndron në detyrë edhe pas datës 24 qershor kur u publikua akt-akuza ndaj tij, sepse ka frikë nga Gjykata Speciale dhe ndëshkimi që e pret pas përfundimit të procesit gjyqësor. Nëse nuk do kishte frikë, pra nëse do ishte i pastër në jetën e tij dhe nuk do të ishte fajtor për së paku disa nga ato akuza, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë. Një njeri i pafajshëm ka interes jetik ta mbyllë sa më shpejt procesin e hetimit dhe gjykimit, me qëllim që ta konfirmojë pafajësinë e tij dhe më pas të rikthehet akoma më fuqishëm në jetën politike të vendit të tij. Duket qartë se Hashim Thaçi ka frikë nga Gjykata Speciale, ndaj nuk jep dorëheqjen dhe nuk është i gatshëm të fitojë kohën për një rikthim në skenën politike të Kosovës.

Së treti, është logjike të besohet se mosdorëheqja e zotit Thaçi lidhet me presionin që të tjerët ia bëjnë atij për të mos u dorëhequr. Edi Rama ishte në Prishtinë me miratimin e Aleksandër Vuçiç, me qëllim që ta inkurarojë presidentin e Kosovës që ai të mos dorëhiqet. Interesi i Serbisë është që me ose pa Thaçin të realizojë projektet e saj për Kosovën, shkurt ta realizojë ndarjen e saj, pra ndryshimin e kufijve përmes shkëmbimit të territoreve. Këtë interes Beogradi e realizonte shumë më mirë me Thaçin si partner në bisedime. Ndaj dhe Vuçiç u deklarua se ai “nuk ka asnjë problem të bisedojë për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi edhe me Hashim Thaçin”. Që do të thotë se presidenti i Serbisë i jep mbështetje presidentit të Kosovës për të vazhduar ushtrimin e detyrës së tij.

Eshtë i pari rast në historinë e shtetit të Kosovës pas qershorit 1999, kur qeveria e Beogradit njeh legjitimitetin e një lideri politik në krye të institucioneve të Kosovës, edhe pse për të hapet një proces hetimi për krime lufte. Në çdo rast tjetër Beogradi ka vënë alarmin për “krimet e luftës së UÇK-së, me qëllim që ta zhvleftësojë luftën e shqiptarëve për liri. Në rastin e Hashim Thaçit po ndodh e kundërta. Asnjë rrjesht nuk shkruhet nga shtypi serb e rus, nuk flasin as TV-të dhe radiot e këtyre dy vendeve. Pra, Beogradi e Moska vazhdojnë ta duan Hashim Thaçin si partner në bisedime, pasi ai u ka dhënë atyre garanci për realizimin e projekteve që këto dy kryeqytete kanë në Ballkan. Edhe Edi Rama ishte në Prishtinë me këtë mision. Por europianët dhe amerikanët nuk do ta pranojnë Hashim Thaçin në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Ndaj dhe Kosovës i duhet një kryenegociator me legjitimitet, i cili del vetëm prej zgjedhjeve të reja.

Së katërti, Thaçi nuk jep dorëheqjen, sepse ka marrë premtimin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç për mundësinë e një zgjidhjeje të ngërçit të krijuar. Ata po mendojnë se si mund ta ndalojnë një vendim qënjeh akuzën ndaj zotit Thaçi. Ndaj presidenti e kushtëzoi dorëheqjen e tij me vendimin e gjyqtarit special. A do t’ia arrijë kësaj lobi serbo-rus? Vështirë të thuhet, sepse askush në Europë nuk merr përsipër prishjen e ekuilibrave gjeopolitikë të rajonit, ekuilibra, të cilat i ka shkatërruar treshja Vuçiç – Rama – Thaci.

Së pesti dhe më e mundshmja, ka të bëjë me përzgjedhjen e një personi që garanton trashëgiminë e Thaçit në postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Edhe kjo është në axhendën e Vuçiç dhe Ramës, si plan B. Një person besnik i Thaçit si kryetar (e) shteti në Kosovë, do të thoshte edhe lojalitet me Beogradin. Por presidenti i Republikës duhet të jetë legjitim, jo produkt i pazareve politike. Prandaj duhen bërë fillimisht zgjedhjet e më pas të zgjidhet presidenti.

Për të gjitha këto arsye Thaçit i duhet bërë presion nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të japë dorëheqjen sa më shpejt, mundësisht sot ose nesër. Çdo ditë që kalon vetëm sa e përkeqëson pozitën e Kosovës në raport me Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok