Pse gjuajmë me armë në dasma?
Nga Prof. Blerim Latifi
Kjo gjuajtja me armë nëpër dasma është relikt i një forme të vrazhdë të martesës, e cila ka qenë e përhapur gjithandej botës së lashtë, asaj mesjetare e deri në fillimet e modernitetit. Fjala është për atë që quhet “martesa me rrëmbim”. Një fenomen i tillë ka qenë i shprehur kryesisht në shoqnitë ekzogame, pra në shoqnitë që lejojnë martesën vetëm jashtë lidhjes fisnore. Një grup njerëzish të armatosur sulen në një fis tjetër dhe me dhunë rrëmbejnë vajzat e tij. Nëse ia dalin me sukses kësaj pune, ata kthehen si triumfatorë në fisin e tyre duke shtënë me armë e duke brohoritur.
Letërsia e vjetër është e mbushur me mite mbi martesën me rrëmbim. E kemi Rrëmbimin e Sabinave në mitin e themelimit të Romës. Pastaj mitin e Rrëmbimit të Helenës tek Iliada e Homerit.
Thuhet se Konstandini i Madh ishte përpjekur ta zhdukte këtë lloj martese, por më kot. Edhe kanunet kishtare kishin dështuar në këtë drejtim.
Në historinë paramoderne të Ballkanit ky fenomen gjendet tek të gjithë popujt. Në Eposin e Kreshnikëve një pjesë e madhe e heroizmave lidhet me rrëmbime grash. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit ka një referencë interesante që duket si gjurmë përkujtuese e këtij fenomeni arkaik, të cilin Kanuni e ndalon. Aty krushqit cilësohen në kët’ mënyrë: “Krushqt vijn si grabitçarë e si një tubë cubash at natë, per me ra pre e marrë nierin si rob të xanun, e s’vijn si miq”.
Martesat me rrëmbim kanë qenë akte të demonstrimit të fuqisë së fisit përballë fiseve të tjera. Ka gjasa që edhe miti i errët i atyre që i njohim si “varreza të krushqve” të ketë lidhje disi me këtë fenomen. Me ardhjen e modernitetit ky model martese është zhdukur, por ajo që ka mbetur ende është ana simbolike e tij, dalldia dhe të shtënat e grabitçarëve të natës.
_________________
Po e shoh se në media kësaj bazilikës ku u zbulua mbishkrimi i perandorit Justiniani i Parë, po i referohen si bazilikë paleokristiane. Ky përshkrim është i gabuar.
Pse? Nëse kjo kishë është e shekullit të gjashtë, ajo nuk mund të jetë paleokristiane. Periudha historike e Paleokristianizmit, apo e Krishterimit të hershëm, ka përfundu dy shekuj para ndërtimit të saj. Ai që quhet Krishterimi i hershëm fillon në shekullin e parë me përhapjen e Ungjillit nga dishepujt e Krishtit dhe përfundon në vitin 325 kur nën drejtimin e perandorit Konstandini i Madh mblidhet Koncili i Nikesë, i cili e kodifikon doktrinën e besimit kristian. Gjatë Krishterimit të hershëm nuk ka pasur bazilika e katedrale, ngase në atë kohë të krishterët bënin një jetë pothuajse ilegale nën hyqmin romak dhe as që bëhej fjalë për ndërtime kishash, aq më pak të përmasave të bazilikave.
300 vjet pasi e kishte kryqëzuar Krishtin, Roma përqafoi besimin në të. Dhe kjo falë një perandori që po ashtu vinte nga Dardania, Konstandinit të Madh.
_________________
7030 blerima qenkemi në Kosovë. Një ndër emrat ma të përhapur. Disa gjuhëtarë thonë se ky emër vjen prej fjalës proto- shqipe *blōr-. Disa e shohin të afërt me flōrus të latinishtes, e të tjerë shkojnë edhe ma larg duke e lidhur me blaros të proto-keltishtes. Sidoqoftë emër i vjetër sa vetë historia.