22/12/2024

PROGRAMI NACIONAL I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

0
Lidhja-Prizrenit

(10 Qershor 1878)

Ky shënim është përgatitur si referat për tu lexuar para bashkatdhetarëve dhe aktivistëve të LDK-së, në manifestimin që organizoi Nëndega e LDK-së në St. Gallen, në qershorin e vitit 1995. (Po e ripublikojë për të dëshmuar, se me çfarë përkushtimi iu kemi qasur të gjitha manifestimeve që mbaheshin në vitet e ’90-ta! Padyshim, ky referat është lexuar edhe në shumë manifestime të tjera, duke hequr a shtuar diçka nga të gjithë ata që e kenë marrë për t’i zbukuruar manifestimet e tyre)

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është organizata e parë patriotike e politike mbarëshqiptare, që u ngrit nga vet shqiptarët, në truallin shqiptar dhe që përfshiu të gjitha krahinat e vendit.

Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si organizatë politike e cila udhëhoqi të gjitha ato luftëra legjendare për të realizuar programin dhe platformën e Rilindjes Kombëtare, ajo bëri shumë në afirmimin e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, dhe mbrojti me konsekuencë tërësinë territoriale të Shqipërisë duke realizuar edhe formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndodhte pikërisht në vitet e Krizës Lindore (1875-1881), ajo udhëhiqej nga ideologu iRilindjes Kombëtare Abdyl Frashëri i cili mendonte se programi i Rilindjes Kombëtare dhe platforma e Lidhjes parashihte edhe luftën e armatosur për ta çliruar vendin nga Perandoria Osmane.

Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte domosdoshmëri e kohës, kurse urgjencën e saj e dramatizoi sigurishtTraktati i Shën Stefanit i cili shqiptarët i solli në një situatë krize, ndonëse kjo ishte hedhur më parë si ide dhe si nevojë për krijimin e një organizate politiko-ushtarake e cila do t’i dilte zot vendit dhe do të mbronte tërësinë territoriale të atdheut. Ishin këto rrethana të krijuara që para pjesëmarrëseve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shtroi objektiva të veçante për t’i realizuar dhe për ta mbrojtur atdheun nga gllabërimet e reja që synoheshin nga qarqet shoviniste të shteteve fqinje.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte pjesë përbërëse e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ajo me konsekuencë i realizoi synimet e saja jo vetëm politike e diplomatike por edhe në planin ushtarak e kulturor, (po sidomos), u veçua mendimi i saj politik e filozofik në kohën kur ploja e mesjetës ende terratiste hapësirën ballkanike, dhe në planin kombëtar krijoi unitetin e pashembullt brenda etnitetit nacional, gjuhësor dhe kulturor pa dallim bindjesh fetare, ngase programi iLidhjes shqiptare të Prizrenit i konsideronte më të fuqishme lidhjet gjuhësore, traditat dhe zakonet se sa në planin fetar që ishte synim i armiqve për ta ndarë në tri pjesë kundërshtare Shqipërinë. Por në saje të zgjuarsisë së krerëve të Lidhjes planet e zeza të armiqve të Shqipërisë mbetën si kartë e djegur.

Pavarësisht nga ndikimi fetar që luante rol në atë kohë, të gjithë krerët e Lëvizjes Shqiptare te Prizrenit por edhe protagonistet e Rilindjes Kombëtare ishin të vetëdijshëm se populli shqiptar do të shpëtonte vetëm nëse lidhet përunitetin kombëtar, për gjuhën zakonet dhe traditën e përbashkët që nga Jugu në Veri, deri në Rrafshin e Kosovës e tëDukagjinit dhe në Luginën e Pollogut e më gjerë. Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për kohën padyshim do të mbetet dokumenti më me vlerë kombëtare pasi në te parashihej mbrojtja e territoreve etnike dhe bashkimi i vilajeteve në një shtet etnik.

Me këtë pikëpamje politike dhe me këto nocione filozofike për kombin, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, krijoi në planin ideologjik një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX, duke vu në themel të platformës politike kriterin etnik ku pjesë e Shqipërisë numërohet secila trevë a territor ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë të atij vendi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit bëri përpjekjet fondamentale për të ndryshuar statusin politik të Shqipërisë në marrëdhëniet me Portën e Lartë, duke kërkuar haptazi bashkimin e territoreve dhe vilajeteve shqiptare në një shtet etnik dhe me udhëheqje autonome që do ta administronin njerëzit e vet të cilët më mirë se kushdo tjetër njohin gjuhën, zakonet dhe traditën e këtij vendi. Pikërisht gjatë viteve 1878-1881, kjo organizatë politiko-ushtarake e ngriti në një shkallë më të lartë vetëdijen shtetformuese dhe udhëheqjes së saj i preferoi konceptin demokratik me tipare kombëtare, me administratë civile dhe ushtarake shqiptare e cila u detyrua edhe të konfrontohet me Portën e Lartë për të mbrojtur autonominë.

Lidhja shënoi jehonë dhe shumë shpejt arriti të krijoi administratën shqiptare, caktoi nëpunës shqiptar, filloi hapjen e shkollave shqipe, futi në përdorim gjuhën shqipe kudo në administratë dhe krijoi organet gjyqësore të saj si dhe ushtrinë e vilajeteve të cilat nuk ishin nën urdhrat e Portës. Forcimin e pikëpamjeve dhe ideve përparimtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i forcuan edhe më tej në Kuvendin Kombëtar i mbajtur në Gjirokastër në vitin 1880, si dhe pikëpamjet e Lidhjes për pretendimet greke në Jugun e Shqipërisë. Kurse në vitin 1881 Komiteti Qendror që kishte themeluar Lidhjennë Prizren u shpall Qeveri e përkohshme, kurse komitetet lokale u shndërruan në organe administrative të saj, kurse formacionet ushtarake në ushtri kombëtare të saj.

Me aktin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nis filli i formimit të shtetit autonom shqiptar i cili po dilte nga kthetrat ePortës së Lartë mjaftë i lodhur dhe i drobitur. Krahas përpjekjeve politike e diplomatike ajo u ndesh me luftëra të pareshtura gjatë vitit 1879-1881 me ushtritë mercenare të vendeve fqinje sidomos janë të njohura lufta heroike dhe e armatosur kundër ushtrisë së Knjaz Nikollës për mbrojtjen e Gucisë, Plavës, Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Ulqinit, qëKongresi i Berlinit dhe Porta e Lartë ia dorëzuan principatës së Malit të Zi. Ndërkohë ajo u detyrua të bëjë luftë të fuqishme edhe kundër ushtrisë osmane, e cila në epërsi kryengritjen shqiptare e shtypi në prill të vitit 1881. Pavarësisht nga kjo humbje, Qeveria e përkohshme arriti brenda një kohe të shkurtër ta merrte tërësisht Kosovën e cila ishte bërë gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit, një nga vatra kryesore e luftës së armatosur kundër ushtrisë osmane për realizimin e programit autonomist. Janë të njohura betejat e përgjakshme të Slivovës, Shtimjes, Duhlës e Suharekës ku triumfoi heroizmi i pamposhtur i popullit të Kosovës duke u lënë brezave të ardhshëm një trashëgim të vyer moral dhe duke jua kultivuar dashurinë për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u desh të përballet edhe me probleme diplomatike e cila krahas organizimit të brendshëm duhej të zhvillonte diplomaci të spikatur dhe të gjente aleat e përkrahje ndërkombëtare për t’i realizuar dy nga objektivat themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale dhe formimin e shtetit autonom shqiptar.

Heroizmi i popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut është e rrënjosur thellë në mendjet dhe zemrat e gjithë shqiptarëve dhe do të kujtohet brez pas brezi si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme që i dha kahe platformës kombëtare për liri dhe pavarësi. Padyshim Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qitur ideolog të vyer të cilët më vonë ishin organizator dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejt të aktit final për Shpalljen e Pavarësisë  Shqipërisëduke i ushqyer vazhdimisht shqiptarët gjer në ditët e tanishme me idealet e lirisë dhe të pavarësisë.

Në programin dhe platformën politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjinden idetë e themelta dhe pikëpamjet demokratike të drejtës së pakontestueshme të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë për liri dhe mëvetësinë e vendit. Prandaj rikthimi dhe rikujtimi i kësaj ngjarje dhe i Lëvizjes si Organizatë patriotike, si dhe i ngjarjeve të më vonshme që i përkasin asaj kohe, kanë një analogji identike me të tashmen e trazuar të Ballkanit dhe me revoltën dhe mllefin e pa shuar që nuk e përmban populli i Kosovës deri sa ta realizon pavarësinë e saj.

St. Gallen, 1995.

Marrë nga libri: Sh. Dibrani “VIRTYTE E VISARE”, publicistikë, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2010, faqe 251-256. ISBN 978-9951-06-330-2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok