30/12/2024

Profesori i Universitetit të Oksfordit dhe… Putini

0
Eshref-Ymeri1

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Profesori Andrea Zorin (1956) është filolog, studiues i letërsisë dhe historian rus, specialist në fushën e kulturës ruse, kritik letrar, doktor i shkencave filologjike, Profesor i Universitetit të Oksfordit që prej vitit 2004, autor i shumë librave për Rusinë, përfshirë një biografi të rëndësishme për Tolstoin dhe një ese me titull “Periferia e Evropës”, në të cilën shpjegon se si Rusia e ka ndryshuar perceptimin mbi territore si Ukraina. Gjatë një interviste në Skajp (Skype) nga Anglia, Zorin merr telefonatën që e kishte pritur prej kohësh. Gruaja dhe djali i tij sapo kishin mbërritur nga Moska me një nga fluturimet e fundit të disponueshme. Ai theksoi se këtë herë ishte një udhëtim vetëm me një drejtim. Shprehte keqardhjen që u largua nga atdheu familjarisht, sepse atje nuk ekzistojnë më kushtet për të qëndruar.

Ja si shprehet Profesori për… Putinin:

“Për habinë e madhe të të gjithëve, vitet e fundit Vladimir Putini është shndërruar në një historian amator, duke filluar të shkruajë ese mbi të kaluarën e Rusisë. Shumë njerëz e konsideruan të çuditshme këtë sjellje. Megjithatë, për të ishte një mënyrë për të krijuar një konsensus, dhe për të justifikuar një luftë të pamotivuar si kjo që sapo ka nisur. Cilat janë, sipas Putinit, momentet më të rëndësishme në historinë e Rusisë? Janë tre të tilla.

Së pari, ne rusët ju duam ju perëndimorëve, por jeni ju që na urreni. Prandaj, ne kemi të drejtë të mbrohemi. Ky parim është përhapur gjerësisht përmes televizionit dhe brezave të rinj nëpërmjet librave shkollorë. të rishikuar dhe korrigjuar, bazuar tek ky supozimi i presidentit rus.

Së dyti, Putini thotë: “T’i shndërrojmë humbjet në fitore, apo në një premisë të fitores së ardhshme”.

Narrativa jonë historike, diktohet nga shndërrimi si përmes një mrekullie i poshtërimeve në triumfe absolute. Kundër Polonisë në shekullin XVII, kundër Napoleonit, kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Putini ka zgjedhur ta kristalizojë këtë vizion, ta bëjë atë të përhershëm, duke krijuar një pritshmëri të përjetshme për hakmarrje ndaj Perëndimit.

Së treti, ndaj çfarë disfate do të hakmerret ai me pushtimin e Ukrainës? Këtë e thotë vetëm ai. Në këtë kuptim, asgjë tjetër nuk është në përputhje me pikëpamjen e tij të shtrembëruar. Hakmarrja e tij është e dyfishtë. Për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, të cilën ai e konsideron një tragjedi absolute, jo një çlirim, por një poshtërim, si dhe për dështimin e përfundimit të luftës së nisur në vitin 2014, e cila nuk u çua deri në fund për fajin e Perëndimit. Po ç’lidhje ka Ukraina me këtë qasje? Kjo është ndoshta pika më e rëndësishmja. Putini e sheh Ukrainën si simbolin e copëtimit të “familjes” sovjetike. Kur ai thotë se rusët dhe ukrainasit janë një popull, siç e tha për herë të parë në një ese të botuar verën e vitit të kaluar, ai rikthehet pas në kohë, para revolucionit të vitit 1917, kur termi rus nënkuptonte popullin tonë, ukrainasit dhe bjellorusët. Ne ishim thjesht Velikorosy, Malorosy dhe Belorusy, që do të thotë Rusët e Mëdhenj, Rusët e Vegjël dhe Rusët e Bardhë. Që në këtë lloj dallimi, është i qartë roli i “vëllait të madh” që na është caktuar ne rusëve. Putini nuk mund të tolerojë që ukrainasit t’u referohen rusëve si “moskalë”*. Për të, kjo luftë është si një bashkim familjar. Po a kanë këto teza ndonjë bazë reale?

Këto janë teori të çuditshme, të cilat mund të jenë pasojë e izolimit të tij, qoftë edhe fizik, gjatë dy viteve të fundit. Historia nuk bëhet duke zgjedhur nga “tasi” vetëm “qershitë” që na pëlqejnë më shumë. Historia është një rrjedhë e vazhdueshme dhe e pandashme ngjarjesh. Ne nuk mund ta injorojmë faktin sesi një popull, në këtë rast ai ukrainas, e konsideron veten e tij. S’mund ta injorojmë vullnetin “perëndimor”, që u shfaq në sheshin Maidan. Përndryshe, gjithçka është thjesht një propagandë e shtrembëruar. Bazuar në këtë vizion, çfarë roli i cakton vetes Putini? Rolin e kultit të fitores përfundimtare, të shndërruar në një lloj feje shtetërore, përfshirë mitologjinë e liderit, e cila ka kuptim vetëm në kohëra të vështira. Historia “e tij”, është një ndër mjetet për ruajtjen e pushtetit dhe të një kontrolli të fortë mbi popullin rus. Mesazhi që po imponohet me forcë është ky:

“Në rast se do që të jesh një person i denjë, atëherë duhet të rreshtohesh vetëm në anën e duhur, atë të Putinit”.

——————-

*Në ukrainisht, kjo fjalë përdoret si nofkë përbuzëse në adresë të rusëve, me kuptimin “njeri me dy fytyra, dhelparak, hajdut, mburravec”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok