PROFESORESHA HËNA PASHO – TERMINOLOGE DHE LEKSIKOGRAFE SHQIPTARE
Profesore Hëna Pasho (1941-2025)
NGA GANI S. PLLANA
Në veprimtarinë e kryer në fushën e terminologjisë shkencore shqipe, një kontribut shumë të veçantë është veprimtaria e zhvilluar, me dekada, nga terminologia dhe leksikografia Hëna Pasho, e cila ka vënë bazat shkencore për shumë anë të terminologjisë, sidomos për fusha të ndryshme të dijes, si: ekonomisë, mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë etj. Gjithashtu terminologia Pasho është marrë me probleme gjuhësore të terminologjisë në gjuhën shqipe dhe për standardizimin e terminologjisë tekniko-shkencore shqipe, duke ndihmuar në krijimin e një gjuhe teknike të përbashkët, të kuptueshme për profesionistët dhe përdoruesit e gjuhës, kryesisht duke u bazuar në veprat e terminologëve më të shquar vendor dhe botëror. Kontributi i saj, me vlera shkencore, për marrëdhëniet e leksikut të përgjithshëm me leksikun terminologjikë, për problemet gjuhësore të terminologjisë, për zhvillimet kuptimore në terminologjinë e ekonpomisë në gjuhën shqipe, për fjalën shqipe në terminologjinë e ekonomisë, për togfjalëshat e zgjeruar emërorë në terminologjinë e ekonomisë, përdorimin etermave të ekonomisë, shfaqjet e shumëkuptimësisë, të sinonimisë dhe të antonimisë në terminologjinë e ekonomisë, përdorimin e termave të ekonomisë, gjithashtu duke parashtruar detyra për studime më të gjëra në praktikën terminologjike dhe hartimin e fjalorëve të fushave të ndryshme të dijes me përqasje me gjuhët më të njohura botërore, si: anglishten, frëngjishten, italishten dhe rusishten.
Hyrje
Profesorja Hëna Pasho lindi në Përmet, ku kreu shkollën tetëvjeçare. Shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” e kreu në Tiranë, dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë shqipe e Letërsi, të cilat i përfundoi në vitin 1966. Për tri vjet punoi si mësuese dhe si drejtuese shkolle në Përmet. Në vitin 1969 filloi punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, kurse në vitin 1972 filloi punën në Sektorin e terminologjisë pranë IGJL, ASHSH, deri në vitin 2009, kur del në pension.
Prof. Pasho ishte e vetmja femër që mbante titullin “Profesore” në Sektorin e terminologjisë. Ajo ka punuar bashkarisht me akad. Eqrem Çabejn, me akad. Mahir Domin, me akad. Androkli Kostallarin, me akad. Jani Thomain, dhe me shumë dijetarë të tjerë, si : prof. Lirak Dodbibën prof. Ferdinand Lekën, prof. Jorgji Gjinarin, prof. Miço Samarë, prof. Agron Duron e të tjerë, nga të cilët mësoi shumë. Ishte një studiuese dhe grua shumë fisnike.
Prof. Pasho ishte anëtare dhe sekretare shkencore e Këshillit Shkencor të Institutit, anëtare e redaksisë së revistës “Studime filologjike” dhe përgjegjëse e seksionit të terminologjisë.
Themelimi i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë si edhe i Sektorit të Terminologjisë
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 u themelua Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë, si pjesë e Institutit të Shkencave, që ishte institucioni i parë shkencor në Shqipëri. Pranë këtij institucioni, në vitin 1955 u themelua Sektori i Terminologjisë, i cili ndërmori dhe drejtoi hartimin e botimin e shumë fjalorëve disa-gjuhësh në serinë “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore” duke filluar në vitin 1963. Në mesin e studiuesve në IHGJ dhe në Sektorin e Terminologjisë u angazhuan: Gjuhëtarë/albanologë Aleksandër Xhuvani, Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Lirak Dodbiba, Selman Riza etj. Në sektorin e Terminologjisë punuan, përveç Lirak Dodbibës si bashkautor e redaktor edhe gjuhëtarë/terminologë, si: Ferdinand Leka, Sofia Morska, Hëna Pasho, Agron Duro, Vladimir Dervishi etj., si edhe studiues nga fizika e matematika.
Pas hartimit të një vargu fjalorësh terminologjikë në sektorin e Terminologjisë të IGJL lindte nevoja edhe për përgjithësimin teorik të asaj përvoje dhe kapërcimin e një farë empirizmi të pashmangshëm në fazën fillestare të përpunimit sistematik të terminologjive, ku shquhet gjithashtu edhe terminologia Hëna Pasho me punimet shkencore teorike në fushën e terminologjive shqipe, për zgjidhje të reja më sistematike edhe në aspektin e praktikës terminologjike.
Terminiologia Pasho, vend të veçantë u ka kushtuar mundësive potenciale të shqipes, pasurimit të terminologjisë dhe veçanërisht për pastrimin e saj nga termat e huazuar pa nevojë nga gjuhët e huaja, duke u mbështetur në të gjithë faktorët kompleks që kushtëzojnë mundësinë e heqjes apo të lënies së termit të huaj, si shkalla e motivimit, e ngulitjes së termave në gjuhë, për lidhjet e termit në sistem etj.
Veprimtaria shkencore e terminiologes dhe leksikografes Hëna Pasho
Profsoresha Hena Pasho, gjuhëtare shqiptare e njohur për kontributin e saj në fushat e terminologjisë dhe leksikografisë, dy disiplina shumë të rëndësishme të gjuhësisë së zbatuar, ka dhënë një ndihmesë të madhe në zhvillimin e standardit të shqipes, sidomos në përpunimin dhe sistemimin e fjalorit të gjuhës për qëllime shkencore, teknike dhe profesionale.
Si terminologe: Terminologjia merret me përpunimin e termave (fjalëve teknike ose shkencore) të përdorura në fusha të ndryshme të dijes. Në këtë drejtim, Hena Pasho ka:
Përpiluar dhe sistemuar terma nga fusha të ndryshme të dijes, për mjekësi, bujqësi, ekonomi, drejtësi etj.;
Punuar për standardizimin e terminologjisë në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në krijimin e një gjuhe teknike të përbashkët, të kuptueshme për profesionistët dhe përdoruesit e gjuhës;
Bashkëpunuar me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, në kuadër të përkthimeve dhe përafrimeve terminologjike në shqip, në përputhje me nevojat e integrimit europian.
Profesore Hëna Pasho-leksikografe: Leksikografia është shkenca që merret me përpilimin e fjalorëve. Kontributi i saj në këtë fushë përfshin:
Hartimin dhe redaktimin e fjalorëve të specializuar, ku janë përfshirë fjalë dhe shprehje nga fusha të veçanta, si:
Fjalorë të terminologjisë ekonomike, juridike, teknike, mjekësore etj.
Fjalorë dygjuhësh ose shumëgjuhësh, për të ndihmuar përkthyesit, studiuesit dhe profesionistët në komunikim ndërgjuhësor.
Përpunimin e fjalësit të shqipes në mënyrë sistematike dhe shkencore, duke i dhënë rëndësi jo vetëm kuptimit të fjalëve, por edhe përdorimit të tyre në kontekste të ndryshme.
Rëndësia e punës së saj: Kontributi i pofesores Hena Pashos është i rëndësishëm për:
Zhvillimin e gjuhës së standardizuar në kontekste shkencore dhe teknike,
Formimin e një baze të qëndrueshme terminologjike, e nevojshme për arsimin, shkencën dhe administratën.
Lehtësimin e përkthimeve cilësore dhe të komunikimit ndërkombëtar të institucioneve shqiptare.
Bashkautore, kryeredaktore e redaktore e fjalorëve disa-gjuhësh, për shumë fusha të dijes
Fjalor i fermave të gjeografisë (shqip-rusisht-frëngjisht) (bashkautore), Tiranë, 1975.
Fjalor i fermave të ekonomisë politike (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 1983.
Fjalor i termave të statistikës (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 1983.
Fjalor i termave të anatomisë (shqip-latinisht-frëngjisht-rusisht) (bashkautore), Tiranë, 1984.
Fjalor i termave. të financës dhe të kontabilitetit (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 1985.
Fjalor i termave të sẽ drejtës (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore), Tiranë, 1986.
Fjalor i termave të planifikimit (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore ), Tiranë,1988.
Fjalor i termave të tregtisë së jashtme (shqip-anglisht-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 1989.
Fjalor i termave të tregtisë së brendshme (shqip-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 1999.
Fjalor i termave të ekonomisë së transportit (shqip-anglisht-frëngjisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 2002.
Fjalor i termave të bankës (shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht) (bashkautore dhe redaktore kryesore), Tiranë, 2014.
Monografi: Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe (nga Rilindja deri në vitet ’80
të shek. XX), Tiranë, 2005.
Veprat themelore teorike dhe praktike të profesores Hëna Pasho në terminologjinë e ekonomisë dhe problemeve gjuhësore të terminologjisë:
- a) Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe (nga Rilindja deri në vitet ’80 të shek. XX),Tiranë, 2005 (Pasho, 1-178).Në këtë vepër, studimi është bërë në rrafsh historik. Historia e zhvillimit të ekonomisë gjatë kësaj periudhe është historia e formimit të sistemit terminologjik, si pjesë e fundit të fjalorit të gjuhës. Studimi i autores është përqëndruar në këto drejtime:
Ndryshimet leksikore në sitemin e terminologjisë së ekonomisë në t% dy periudhat, para dhe pas vitit 1945;
Proceset kuptimore, marrëdhëniet ndërmjet leksikut special të gjuhës së përgjithshme, procesi i terminologjizimit dhe shterminologjizimit në këtë sistem terminologjik;
Ndryshimet dhe rindërtimet e lidhjeve togfjalëshore lidhur me specializimin e tyre;
Rrugët e formimit të termave dhe
Huazimet në kët% terminologji.
Analiza e të gjitha këtyre apspekteve të këtij sistemi terminologjik ka rëndësi teorike dhe praktike. Në rrafshin teorik ka rëndësi se zbulon prirjet kryesore dhe ligjësitë e përgjithshme të zhvillimit, karakteristikat për këtë sistem, si në rrafshin e shprehjes edhe në rrafshin e përmbajtjes. Në rrafshin praktik ka rëndësi sepse këto përfundime plotësojnë parimet e përgjithshme të cilat janë në bazë të udhëzimeve praktike në punën për njësimin dhe bashkërendimin e kësaj terminologjia, si detyrë kryesore e punës në fushën e terminologjisë.
- b) “Probleme gjuhësore të terminologjisë në gjuhën shqipe”,Botimet Albanologjike, ASA IGJL, Tiranë,2017 (Pasho, 2017:7-271):Vepra përfshinë probleme gjuhësore që lidhen me përpunimin edhe studimin e terminologjisë së fushave të ndryhme të dijes. Autorja jep përgjigje shkencore për terminologjinë tekniko-shkencore dhe vendin e saj në shqipen standarde, duke dëshmuar se terminologjia funksionon si nënsistem brenda sistemit të gjuhës letrare. Burim kryesor i formimit të termave është fondi i leksikut të përgjithshëm. Autorja thekson se termat formohen sipas modeleve fjalëformuese që funksionojnë në gjuhë dhe u nënshtrohen ligjeve e normave të gjuhës. Gjithashtu në monografi trajtohen problemet e marrëdhënieve të leksikut të përgjithshëm me leksikun terminologjikë; leksiku dialektor në terminologjinë tekniko-shkencore; fjalët terma të huaja në gjuhën letrare shqipe; studimi gjuhësor i terminologjisë dhe kultura e gjuhës; zhvillimi i terminologjisë së ekonomisë pas vitit 1945 dhe pasqyrimi i saj në dy fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe; togfjalëshat e zgjeruar emërorë në terminologjinë e ekonomisë; disa qasje të shumëkuptimësisë, të sinonimisë dhe të antonimisë në terminologjinë e ekonomisë; fjala shqipe në terminologjinë e ekonomisë; përdorimi i termave të ekonomisë; termat fetarë në sistemin e termave të pasqyruar në fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, ku autorja ndihmon për përzgjedhjen e termit më të përshtatshëm në kufijtë e sistemit terminologjik.
Vlerësime të punës së profesores Hëna Pasho
Përgjegjëse e sektorit të terminologjisë (IGJL),
Çmimi i Republikës së Shqipërisë, klasi III,
Çmim i Albanologjisë (Tiranë, 2022) (në ceremeninë “Ditët e Albanologjisë”).
Konsulente gjuhësore për termat shqip në projektin ndërkombëtar për hartimin e një fjalori shumëgjuhësh me terma të bibliotekës:Resarch Development Department National and University Library, Ljubljana, Slovenia.
Prof. Hëna Pasho është përfshirë në “International Who’s in Translation Terminology/ Traduction et Terminologie-Répertoire biographique internacional”, në vitin 1995.
Përfundim
Terminologia dhe leksikografia profesorja Hëna Pasho kishte brengë ta madhe pastrimin e gjuhës shqipe, me theks të veçantë terminologjitë e fushave të ndryshme të dijes, nga fjalët e huaja, sidomos kur kemi barasvlerësit nga gjuha “Në qoftë se vazhdojmë kështu, nuk do ta njohim më gjuhën tonë; një fond i gjerë fjalësh të huaja, e kanë barazvlerësen shqip shumë më të bukur”.
Profesoresha Hëna Psho është padyshim terminologe më me zë e bashkëkohore shqiptare. Ajo ka kontribuar në mënyrë të veçantë në zhvillimin teorik të terminologjisë shqipe, poashtu edhe në kuadër praktiko-terminografik për termat shkencorë, në fushat e ekonomisë, mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë etj.
Krahas të gjitha ideve të profesoreshës Hëna Pasho, detyrat kryesore që shtrohen nga studiuesit shqiptarë, për terminologjinë shkencore të shumë fushave të dijes, është bashkëpunimi i qendrave kryesore: Tiranë, Prishtinë e Shkup, si edhe qendrave simotra shqiptare që merren me terminologjinë, me ripunimin e plotësimin e fjalorëve të botuar më parë, dy e shumë gjuhësh, si edhe pastrimin e fjalësit terminologjikë nga termat e huaj të panevojshëm, në baza shkencore, duke u bazuar në terminologjitë e standardizuara, si të anglishtes, frëngjishtes, italishtes e rusishtes.
Sugjerim real i prof. Pasho është përqasja e gjuhës shqipe me gjuhët ndërkombëtare të standardizuara, për shumë fusha të dijes, si me anglishten, me frëngjishten, me italishten dhe me rusishten, si zgjidhje praktike me bazë shkencore.
Bshkëpunimi i gjuhëtarëve dhe specialistëve të fiushave të ndryshme të dijes rreth pastrimit dhe pasurimt të thesarit terminologjik është mëse i nevojshëm në ditët e sotme.
Fusha saj e ngushtë e studimeve ishte terminografia dhe terminologjia e shkencave shoqërore. Ajo punoi në dhjetëra grupe pune me specialistë e gjuhëtarë për hartimin e 12 fjalorëve terminologjikë normues (shqip-gjuhë të huaja) për disiplinat e ekonomisë, të drejtësisë, të gjeografisë e të anatomisë, që janë vepra kolektive dhe ku ndihmesa e saj si drejtuese dhe si hartuese janë të vlerësuara shkencërisht.
Prof. Hëna Pasho ka publikuar mjaft artikuj e studime në revista shkencore brenda e jashtë vendit për probleme të terminologjisë, të lidhjeve të termit me gjuhën letrare, si edhe për vepra të autorëve të ndryshëm.
Në vjetët e fundit të jetës së saj dha ndihmesë të çmuar në pasurimin e veprës madhështore elektronike për Fjalorin e Madh të Gjuhës shqipe, në Tiranë, që është pothuaj në përfundim (rreth 120.000 fjalë).
