PROFECIA E HEGELIT PËR SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Me rastin e 4 korrikut, Ditës Kombëtare të SHBA-së
Nga Blerim Latifi
Viti 1822. Në Universitetin e Berlinit, Hegeli u flet studentëve për historinë botërore. Mes tjerash ai thotë: Krejt çfarë ka mundur të arrihet në rrafshin e ideve, tanimë është arritur. Në këtë kuptim, historia botërore ka përfunduar. Një student ngrihet dhe e pyet : – z.profesor, e kujt i përket e ardhmja? Hegeli i përgjigjet : – Nuk është punë e mençur të merremi më parashikimin e të ardhmes. Ne jetojmë brenda kohës tonë dhe nuk mund të dalim jashtë saj, në asnjë formë, ashtu siç njeriu nuk mund të dalë nga lëkura e tij. Megjithkëtë, në këtë rast, unë do të bëj një përjashtim dhe do të të përgjigjem : E ardhmja i takon Amerikës. Atje, në shekujt që janë para nesh, do të shpaloset pesha e historisë botërore! Studentët mbetën të habitur dhe mosbesues. Dhe kishin arsye të mbanin një qëndrim të tillë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ende në procesin e formimit si komb, ndërsa fuqitë europiane, në krye me Britaninë e Madhe dhe Francën, sapo kishin filluar të pushtonin botën. Gjithçka fliste kundër parashikimit të Hegelit, e si rrjedhojë e kësaj ai u la në harresë, si një gjë e pavlerë.
Do duhej të kalon mbi 120 vite që bota të shihte saktësinë e këtij parashikimi: Shekulli XX ishte shekulli gjatë të cilit barrën kryesore të historisë botërore e bartën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky mision vazhdon edhe sot, në mbrojtjen e demokracisë liberale nga turri i fuqive të reja të autoritarizmit lindor. Vetë liria e Kosovës është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shekullit amerikan.
Po sikur sot ta përsërisnim pyetjen e studentit të Hegelit : E kujt i përket e ardhmja? Vështirë se do të mund të merrnim një përgjegjje, shkaku se sot filozofisë perëndimore i mungojnë mendjet gjeniale, siç ishte Hegeli. Për pasojë, sot jemi nën mëshirën e falltorëve të historisë, të cilët herë na shfaqen nën petkun e religjionit, e herë nën petkun e science fiction, për të na ritreguar përrallën e vjetër për fundin e afërt të botës.