21/12/2024

PROF. DR. SYLEJMAN LLESHI, NACIONALISTI I PËRBETUAR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR

0
Sylejman-Lleshi

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1914- u pushkatua më 11 gusht 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Profesor Doktori dhe atdhetari i devotshëm Sylejman Lleshi u lind në Tiranë, më 7 dhjetor 1914. Nga babai Muharrem Lleshi. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Tiranë, duke tregua sukses të shkëlqyeshëm. Më vonë vazhdoi studimet për veterinari në Torino të Italisë. Por, Sylejmani i ri, donte më shumë letërsinë, andaj më vonë e regjistroi edhe atë. Në rinin e tij, ai, ishte i gjithanshëm. U tregua i zoti si në lëndët që studionte, por edhe në letërsi, në sport, në njohjen e gjuhëve të huaja dhe në gjithçka tjetër. Bile, më 1932, kishte marr medaljen e artë në hedhje shtize. Me okupimin e Shqipërisë nga italianët, me 7 prill 1939, ai udhëton për Itali, për të studiuar me një grup studentësh shqiptarë si: Halim Begeja, Seit Kazasi, Abdullah Shehri e shumë të tjerë. Sylejmani i ri e urrente fashizmin andaj nuk ishte i rastit organizimi që ndërmori me grupin e studentëve që studionin në Torino, për të bërë atentat  në Benito Musolinin, më 14 maj 1939, kur me këtë datë, do të mbante një fjalim në vendin ku studionin. I tërë ky aksion dështoi ngase zbulohet atentati . Më 10 gusht 1939, e fusin në burg në ishullin San Nikolla di Tremiti. Aty qëndroi deri në tetor 1941. Gjatë kohës sa ishte në burg Sylejmani mësoi gjuhën gjermane dhe angleze, ndërsa gjatë shkollimit kishte mësua gjuhën italiane dhe  frëngjishten. Pasi del nga burgu, më 1941, ai përsëri u angazhua që të përfundoi studimet për veterinari. Nga Italia u kthye me dy diploma dhe me dy doktorate. Sylejman Lleshi nuk ishte njëri që kënaqej me pak. Veç mësimeve që bënte ishte shumë i pakënaqur me luftën që zhvillohej në vendin e tij, andaj, pa humbur kohë angazhohej me forcat nacionaliste dhe formojnë Ballin Kombëtar. Balli Kombëtar në Tiranë menjëherë pas formimit hodhi në Tiranë traktin e parë që e kishin quajtur Dekalogu, që njëherë ishte edhe programi i tyre politik. Në Dekalog  bëhej thirrje për bashkim  gjithëkombëtar kundër pushtuesit italian dhe pushtuesve të tjerë. Më 1 gusht 1943 u mbajt mbledhja e Mukjesë, në të cilën mori pjesë edhe Sylejman Lleshi. Nga këtu Sylejmani arrestohet ndërsa i vëllai internohet në Porto Ramano. Ndërsa në Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar, që u mbajt në Berat me 3, 4 e 5 janar 1944, Sylejman Lleshi ishte caktuar delegat nga Tirana.

Në maj, te vitit 1944, kishte ardhur lajmi se forcat çetnike kishin sulmua Bihorin, tokë shqiptare në Malin e Zi, dhe po bënin kërdi në popullatën e pafajshme. Ky ishte sulmi i dytë në Bihor. Me iniciativën e Mit’hat Frasherit, Sulejman Lleshit, Seit Kazazit e Halim Begese, u formua një batalion vullnetaresh me te rinj nga Balli, qe u pagëzua me emrin e dëshmorit “Besnik Çano”. Pas një luftimi të madh që bënë në Morinë, ata kthehen në Tiranë. Në ndërkohë, Sylejman Lleshi me një grup të rinjsh ballist zihen  nga një batalion i Brigadës së Tretë partizane, më 1944. Ata i dorëzohen këtij batalione, pasi se Sylejmani merr vesh se  komandant i tij ishte shoku i tij nga studimet në Itali- Hamit Kuçi. Me forcat partizane ai hynë në Kosovë, respektivisht në qytetin e Gjakovës.

E thamë se Sylejman Lleshi ishte antikomunist i përbetuar, andaj me ardhjen në Gjakovë ai e shfrytëzon rastin, ngase e mundonte shumë reumatizmi dhe çalonte në një këmbë dhe, ecte, me ndihmën e një bastuni. Me arsye se nuk mundte të vazhdonte më tej me brigadën, kërkon që të mbetët në Gjakovë. Prof. Zekiria Rexha, kishte dëgjua për shkollimin superior të tij dhe për aftësitë që kishte profesori, andaj kërkoi që të takohet me të. Pas njohjes me të, kërkoi nga brigada që ta lironin dhe menjëherë e emëroi drejtor të gjimnazit në qytet.

Pasi filloi punën si drejtor, njohjet e tij ishin të mëdha me shumë patriot të Kosovës. Duke e parë situatën e krijuar, ai nuk mundi të rrinte duarkryq. Pas një kohe u angazhua që të formonte Komitetin e Organizatës “Besa Kombëtare” në Gjakovë. Qëllimi i organizatës “Besa Kombëtare” ishte, që të formojnë sa më shumë komitetet të reja në terrenin e Kosovës dhe të Sanxhakut. Sipas instruksioneve të prof. Ymer Berishës, u angazhuan që fillimisht të formonin në Pejë, një komitet, e më vonë edhe në qendra tjera. Me formimin e dy komiteteve në Pejë, u formua edhe Komitetin e Ri Qendror. Në komitetin e ri Qendror u caktua Hajdar Planeja- Maloku, për kryetar, për anëtar u caktua Enver Sudi, Gjergj Bahtiri, Kiolë Parubi, Marsel Vuçaj dhe at Bernard Llupi. Detyrat e komiteteve, që kishin prioritet, ishin ato që sa më shumë të rinj të përfshihen në radhët e organizatës dhe të bëhej informimi i drejt për riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Të vinin sa më tepër kontakte me masat e gjëra, dhe sa më shumë ti brumosnin me ndjenjën patriotike ndaj atdheut, dhe të nxisnin urrejtjen ndaj okupatorit. Lirisht mund të thuhet se këto ishin detyra të përgjithshme që vlenin për tërë organizatën. Si detyrë tjetër me prioritet për  Komitetit të Ri Qendror ishte fillimi i menjëhershëm i përgatitjeve për luftë të armatosur kundër okupuesit, dhe të punohet sa më shumë në drejtimin e bashkimit të trojeve shqiptare.

Në ndërkohë u formuan komitetet e rretheve në Gjakovë, në Prizren, në Istog, në Drenicë. Në Pejë ishte i formuar komiteti më herët. Komitetet e komunave u formuan  në Kievë të Rahovecit, në Has të Prizrenit, në Ponoshec, në rrethin e Gjakovës, në Polac, në Glanasellë në rrethin e Drenicës, në Klinën e Poshtme dhe të Epërme dhe në Runik.

Të gjitha komitetet kryenin detyrat që iu kishte caktuar komiteti Qendror. Por, një aktivitet më të dendur e zhvillonte komiteti i rrethit të Gjakovës. Ky rreth me punën e vet formoi edhe dy komitete rajonale. Kryetar i komitetit të rrethit të Gjakovës ishte drejtori i shkollës Prof.dr. Sylejman Lleshi, anëtarë ishin: Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, Skender Curri dhe Mavrush Nura profesor nga Gjakova, Dula Hilmiu e Murteza Kryeziu mësues, Nusret Zeka nga Shqipëria. Gati shumica e anëtarëve të këtij komiteti më parë i takonin partisë së juristëve të Sylejman Rizës nga Gjakova.  Me një unitet të madh të gjithë këta anëtarë ia dolën të zhvillojnë një aktivitet dhe të kryejnë punë shumë të frytshme në organizimin e organizatës.

Aktiviteti i madh dhe i përkushtuar i drejtorit Sylejman Vokshi, nuk kaloi pa u hetuar nga organet e ndjekjes jugosllave. Më 1946, në muajin shkurt, në banesën e tij hynë udbashët pa paralajmërim dhe e arrestojnë profesorin patriot. Të nesërmen para se të fillonte mësimi, u njoftuan nxënësit dhe mësimdhënësit për arrestimin e  profesor Sylejman Lleshi. Të gjithë ata, e priten me një indinjatë. Atë ditë nuk u mbajt mësimi dhe të gjithë protestuan ashpër kundër arrestimit. Pas protestave, profesorin e liruan për ta arrestuar disa ditë më vonë.

Prof. Sylejman Lleshin e arrestuan me tradhti, duke e marr gjëja se po shkonin në Deçan për të mbajtur një ligjëratë para nëpunësve të këtij qyteti. Nga aty me duar të lidhura e dërgojnë në burgun e Pejës- Kulla e Sheremetit, që ishte një Had i vërtet. UDB-ja nuk do të ishte e tillë po qese do të ndalet me kaq. Andaj, në ndërkohë u arrestuan edhe profesorët e tjerë si: Skender Curri, Zef Neka. Pas një viti, me 1947, u arrestuan edhe Nevruz Nura, duke e dërguar në burgun e Prishtinës, ku u mbajt dy vjet.

Pas një hetimi disa mujor, duke përdorur maltretime, dhunë e tortura të papara, grupi i ilegales patriotike shqiptare doli para gjyqit, ku dënimet ishin paracaktuar edhe pse nuk kishte fakte. “Gjykimi i profesor Sulejmanit dhe të tjerëve”, kështu e quajtën procesin gjyqësor. Ymer Ismail Ukshini, një dëshmitar nga fshati Morinë i Gjakovës, kishte treguar se , “Gjykimi u mbajt ne maj te vitit 1946, ne gjykatën e qarkut te Pejës dhe zgjati 3 dite. Trupi gjykues përbehej prej gjykatësit Shoshkovic, prokurorit dhe dy poroteve. Ne gjykatore, ishin sjell të burgosurit. Në të kishin marr pjesë edhe familjarët. Nga kjo kuptojmë se, gjykimi kishte qenë i hapur. Ditën e pare ishin marr në pyetje Sulejman Lleshi dhe Skender Curri. Ndërsa në ditën e dytë, ishin marr në pyetje Ibrahim Ukshini, Ahmet Ibrahimi nga Peja dhe Bajram Morina nga Gjakova. Te gjithë këta kishin mohua akuzat dhe nuk kishin pranuar asgjë. Gjykatësi iu kishte shqiptua dënimet si: Sulejman Lleshit, iu kishte shqiptua dënimi me 12 vjet burg; Skënder Currit, me 19 vjet burg; Ibrahim Ukshinit, i shqiptuan me 20 vjet burg; Sefedin Komonit- 16 vjet burg të rëndë, Ahmet Ibrahimit- 18 vjet burg, Myrteza Kryeziut- 14 vjet burg; Ramë Çollakut- 8 vjet burg; Mustafë Dylazekës- 5 vjet burg dhe Bajram Morinës 5 vjet burg. Të gjithë këta u dënuan me akuzën se kishin veprua për shkatërrimin e rendit komunist dhe propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për nacionalizëm. Pas kësaj, të dënuarit i kishin dërgua përsëri në Kullën e Sheremeti, në të cilën qysh më herët ishte marr vendimi për likuidimin e tyre. Më 11 gusht, më 1946, erdhi dita e kobshme e inskenimit se gjëja u thye burgu në pikë të ditës dhe nga aty dolën të burgosurit: Sylejman Lleshi,  Skender Curri, Xhelal Preveza, Muharrem Mitrovica dhe shumë intelektual- patriot të tjerë, derisa, ata dilnin nga burgu, në ndërkohë burgun e kishin rrethua forca të mëdha ushtarake, policore e civile serbo-malazeze që pritnin vetëm një sinjal për të shkrepur pushkët e tyre. Shenja u dha, gjëmoi rënd qyteti i Pejës me rrethin. Ndërsa, në rrugë mbeten të shtrirë nga rafalët bijtë më të mirë kombit shqiptar. Aty, të shtrirë për tokë,  qëndruan derisa filluan të dekompozohen kufomat. Më vonë të gjithë ata i futen në një varr, të cilëve kurrë nuk iu zbulua vendi i varrimit.

Prof.dr. Sylejman Lleshi, në kohën kur u pushkatua kishte vetëm 32 vjet. Në bazë të të dhënave të veprimtarisë së tij ilegale, mendoj se profesori, gjatë tërë jetës së vet qëndroi dhe eci i papërkulur dhe për asnjë moment nuk u nënshtrua. Shpirti i tij prej poeti dhe prej një atdhetari të devotshëm, mbeti një shpirt që gjakonte lirinë, një shpirt i një shtegtari që e kërkonte atë me çdo kusht. Edhe tani kur po e kujtojmë atë, me këtë shkrim, zëri i tij na vjen si një ushtimë që na fton për realizimin e ëndrrave të të gjithë atyre që ranë në altarin e atdheut që qëllim suprem patën bërjen e Shqipërisë Etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok