PROF. ASOC. DR. THANAS GAÇE-KORÇARI QË SHKËLQEU NË PRAGË GJATË STUDIMEVE DHE NË AUDITORËT E TIRANËS E TË PRISHTINËS

0
Thanas-Gace

Nga Gani S. Pllana, Prishtinë

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe lindi në Drenovë të Korçës (Shqipëri) më 23 shkurt 1930. Arsimin fillor e kreu në vendlindje gjatë viteve 1937–1942, ndërsa shkollën unike e përfundoi në Korçë në periudhën 1942–1945. Studimet e mesme teknike i nisi në Korçë gjatë viteve 1945–1946 dhe i vijoi më pas në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, ku u diplomua në vitin 1949 në profilin Teknik Ndërtimi dhe me rezultate të shkëlqyera.

Gjatë viteve të studimit në Politeknikum u dallua për rezultate të shkëlqyera. Në numrin e datës 30 korrik 1949, gazeta “Rinia” e renditi ndër dy nxënësit më të mirë të Politeknikumit “7 Nëntori”, të cilët përfunduan maturën me të gjitha notat maksimale të kohës. Për këtë arsye, Drejtoria e shkollës e shpalli nxënës të dalluar dhe iu mundësua vazhdimi i studimeve universitare jashtë vendit. Studimet e larta i kreu në Universitetin Politeknik të Pragës, C.V.U.T në Çekosllovaki, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1953, duke fituar titullin “Inxhinier i diplomuar” në fushën e Inxhinierisë Mekanike.

Pas përfundimit të studimeve universitare, në vitin 1953 kthehet në Shqipëri dhe emërohet Pedagog efektiv pranë Katedrës së Matematikës, Mekanikës Teorike dhe Fizikës të Institutit të Lartë Politeknik të Tiranës, sot Universiteti Politeknik i Tiranës. Që nga viti 1954, krahas zhvillimit të lëndës së Mekanikës Teorike, ai mbajti në mënyrë të pavarur leksione dhe seminare në lëndën “Mekanika e Aplikuar në Makina” (TMM), dy prej disiplinave themelore për formimin teorik dhe shkencor të inxhinierëve.

Emërimi pedagog pranë Katedrës së Rezistencës së Materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës

Prof. i ascoc. Thanas Gaçe gjatë periudhës 1957–1973 emërohet pedagog pranë Katedrës së Rezistencës së Materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, ku ishte titullar i lëndëve “Mekanika Teorike” dhe “Termoteknika e Ndërtimit – Ngrohje, Ventilim dhe Kondicionim”. Veprimtaria e tij pedagogjike karakterizohej nga përgatitja dhe përkushtimi në mësimdhënie dhe nga kontributi në formimin profesional të brezave të rinj të inxhinierëve. Përmes leksioneve të tij, ai kontribuoi në formimin e brezave të rinj të specialistëve, duke përcjellë jo vetëm njohuri të thelluara shkencore e profesionale, por edhe kulturën e punës, seriozitetin akademik dhe pasionin për profesionin.

Formimi, kualifikimi dhe kontributi akademik

Formimi shkencor dhe profesional i prof. asoc. Thanas Gaçe karakterizohet nga një përkushtim i vazhdueshëm ndaj dijes, kërkimit shkencor dhe përsosjes akademike. Në vitin 1958 ai kreu një specializim dymujor në Pragë, Çekosllovaki, në fushat e Mekanikës Teorike dhe Termoteknikës së Ndërtimit (Ngrohje, Ventilim dhe Kondicionim), duke zgjeruar më tej formimin e tij profesional në disiplinat që do të shoqëronin gjithë veprimtarinë e tij akademike dhe  inxhinierike.

Vlerësimi i punës së tij pedagogjike dhe shkencore u pasqyrua në mënyrë të vazhdueshme në ecurinë e karrierës universitare. Në vitin 1962 iu akordua titulli “Pedagog i Parë” nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në qershor të vitit 1967 përfundoi me sukses provimin pasuniversitar në lëndën e “Gjeometrisë diferenciale”, ndërsa në shkurt të vitit 1972, me vendim unanim të Katedrës së Rezistencës së Materialeve dhe të Këshillit Shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë, iu dha titulli “Docent”.

Në vitin 1995 fitoi gradën “Doktor i Shkencave” me temën: “Disa aspekte të dinamikës së pikës dhe sistemit mekanik”, një studim që trajtonte problematika bashkëkohore të mekanikës, me vështrim të veçantë mbi fluturimet reaktive, përdorimin e metodave energjitike të mekanikës analitike dhe zhvillimet e arritura në fushën e fluturimeve kozmike.

Në vitin 2004, në vlerësim të kontributit të tij shumëvjeçar në arsimin  universitar dhe inxhinierinë shqiptare, fitoi titullin “Profesor i asociuar”.

Pedagog në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinë në degën e Makinerisë

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe gjatë viteve 1972–1976 si pedagog me shumë  përvoje në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, por dhe i pari i Mekanikës Teorike u angazhua për katër vjet pranë Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës në Degën e Makinerisë, ku zhvilloi lëndët “Mekanika II”, “Dinamika” dhe “Teoria e Lëkundjeve” në gjuhën shqipe dhe hartoi tekstet përkatëse me të njëjtin emër, të cilat u kryen por jo pa mundim, dhe janë përdorur e përdoren gjerësisht edhe në kohën e sotme nga studentët e Universitetit të Prishtinës e të Tiranës. Pajisja me tekste origjinale të lëndëve që zhvilloi në Universitetin e Prishtinës u bë pandërprerë me zhvillimin normal të lëndëve që kishte në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në të njëjtën periudhë, mori pjesë si anëtar i komisioneve për mbrojtjen e diplomave dhe doktoratave në Universitetin e Prishtinës, duke kontribuar në vlerësimin akademik dhe shkencor të studentëve të disa gjeneratave.

Në vitet 1973–1978 shkoi me qarkullim në Elbasan, ku punoi si Inxhinier pranë Byrosë Teknologjike të Drejtorisë së Përgjithshme të Ndërtim-Montimit të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, ku mbuloi problematikat teknike dhe proceset e montimit të objekteve industriale të kombinatit. Krahas kësaj detyre, deri në nëntor të vitit 1977, ushtroi veprimtarinë si Pedagog i jashtëm në filialin e Fakultetit të Ndërtimit në Elbasan.

Pas një aksidenti në punë në objektet e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, në nëntor 1977, ku iu rrezikua jeta, në vitin 1978 filloi punën në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Nr. 4 në Tiranë. Në këtë institucion, gjatë periudhës 1978–1985, mbajti detyrën e Shefit të Grupit Hidro-Sanitar për Projektimet Industriale, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në hartimin dhe realizimin e projekteve inxhinierike të Sektorit Industrial. Në shtator të vitit 1985 përfundoi veprimtarinë e tij profesionale aktive dhe doli në pension, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në fushën e arsimit të lartë, inxhinierisë dhe projektimeve teknike.

Pedagog në vitet e tranzicionit të Shqipërisë

Në vitet e tranzicionit të Shqipërisë, kur arsimi i lartë përballej me sfida të shumta, prania e pedagogëve me përvojë dhe përkushtim si Prof. asoc. Thanas Gaçe përbënte një vlerë të veçantë për institucionet universitare. Leksionet e tij ndiqeshin me interes të madh nga studentët, të cilët  vlerësonin qartësinë e shpjegimeve, kulturën e gjerë profesionale dhe aftësinë e tij për ta shndërruar mësimdhënien në një proces frymëzues, ku dija shkencore ndërthurej natyrshëm me përvojën praktike dhe përkushtimin ndaj edukimit të brezave të rinj. Prania e tij në auditorë dhe në praktikën inxhinierike përbënte një burim të çmuar përvoje dhe frymëzimi për studentët, kolegët dhe specialistët e rinj.

Pas daljes në pension mbeti aktiv në fushën e Inxhinierisë në Institutin e  Studimeve dhe Projektimeve Nr.4, duke dhënë kontributin e tij në një sërë projektesh, ku përvoja e gjatë profesionale, kompetenca teknike dhe gjykimi i tij inxhinierik vlerësoheshin vazhdimisht nga kolegët dhe bashkëpunetorët. Paralelisht ai vazhdoi veprimtarinë akademike si Pedagog me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjeologjisë, Gjeofizikës, Naftës dhe Minierave dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Pyjore, në Katedrën e lëndëve bazë Inxhinierike dhe në Degën e Industrisë të Përpunimit të Drurit.

Në këtë mënyrë, Prof. asoc. Thanas Gaçe vijoi të japë një kontribut të vyer në arsimin e lartë dhe në zhvillimin e inxhinierisë shqiptare deri në fund të jetës së tij.

Veprimtaria kërkimore-shkencore e prof. asoc. dr. Thanas Gaçes

Veprimtaria kërkimore-shkencore ishte e lidhur ngushtësisht me fushën e inxhinierisë mekanike, si në aspektin e mësimdhënies universitare, ashtu edhe në punën projektuese të zhvilluar në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Nr. 4 dhe në Fakultetin e Inxhinierisë.

Njohuri të gjuhëve të huaja

Një tregues i kulturës së gjerë profesionale të prof. asoc. Thanas Gaçe ishte edhe zotërimi i disa gjuhëve të huaja. Ai njihte në nivel profesional gjuhët e huaja: çeke, ruse dhe italiane, ndërsa anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten i përdorte me kompetencë për studimin dhe shfrytëzimin e literaturës tekniko-shkencore ndërkombëtare.

Leksione dhe seminare në një gamë të gjerë disiplinash themelore të inxhinierisë

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe përgjatë dekadave të mësimdhënies universitare, zhvilloi leksione dhe seminare në një gamë të gjerë disiplinash themelore të inxhinierisë, ndër të cilat “Mekanika Teorike: Statika, Kinematika, Dinamika dhe Teoria e lëkundjeve” dhe “Termoteknika e Ndërtimit, Furnizimi me Nxehtësi dhe Ventilimi-Kondicionimi”. Përmes punës së tij si pedagog titullar i këtyre lëndëve mësimore, ai kontribuoi në formimin teorik dhe profesional të mijëra studentëve të degëve të ndërtimit, mekanikës, elektroteknikës dhe gjeologji-minierave. Qartësia e shpjegimit, rigoroziteti shkencor dhe përkushtimi ndaj studentëve e bënë atë një figurë të respektuar të auditorëve universitare dhe një nga pedagogët që la gjurmë të qëndrueshme në arsimin inxhinierik shqiptar.

Tekstet universitare dhe trashëgimia akademike

Një nga dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë akademike të Prof. asoc. Thanas Gaçe është pikërisht kontributi i tij në hartimin dhe botimin e literaturës universitare për formimin e inxhinierëve shqiptarë. Në një periudhë kur literatura tekniko-shkencore në gjuhën shqipe ishte ende e kufizuar, ai iu përkushtua përgatitjes së teksteve dhe materialeve mësimore që do t’u shërbenin brezave të studentëve në universitetet shqiptare. Këto botime u karakterizuan nga qartësia didaktike, rigoroziteti shkencor dhe përshtatja me nevojat e programeve universitare të kohës, duke u bërë për shumë vite bazë reference për studimin e disiplinave themelore të inxhinierisë.

Ndër tekstet universitare dhe materialet mësimore të hartuara nga prof. asoc. Thanas Gaçe, veçohen:

  1.     Gaçe, Th.: “Kurs i Mekanikës Teorike – Statika”, konspekt leksionesh, DBUT, Tiranë, 1958;
  2.    Gaçe, Th.: “Mekanika Teorike – Kinematika dhe Dinamika”, Tiranë, 1959;
  3.    Gaçe, Th.; Floqi, E. (Përkthyes): “Kursi i mekanikës teorike” (Autor: I. M. Vorovkov): Dispensa 1, 242 f., Dega e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1959.
  4.    Gaçe, Th. (Përkthyes): “Kursi i mekanikës teorike” (Autor: I. M. Vorovkov): Dispensa 3, 191 f.: Dega e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1960.
  5.    Gaçe, Th.: “Termoteknika e ndërtimit”: Dispensë, 136 f., Dega e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1962.
  6.    Gaçe, Th.: “Furnizim me nxehtësi”: tekst për degën e Ndërtimit të Fakultetit të Inxhinierisë, 210 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Dega e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1964.
  7.    Gaçe, Th.: “Ventilim”: për Fakultetin e Inxhinierisë, 94 f., Fakulteti I Inxhiniesrië: Dega e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1964.
  8.    Gaçe, Th. (Përkthyes): “Kursi i mekanikës teorike” (Autor: I. M. Vorovkov): Dispensa 2, 233-400 f., Drejtoria e Botimeve të Universitetit, Tiranë, 1965.
  9.    Gaçe, Th.: “Statika: konspekt leksionesh”: Dispensa 1, 81 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1966.

10.Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 2, 105 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1967.

  1. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 3, 110 f., Fakulteti I Inxhinierisë: Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1967.
  2. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë 3, 85 f., Fakulteti I Inxhinierisë: Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1967.
  3. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, 35 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1967.
  4. Gaçe, Th. (Përkthyes): “Kursi i mekanikës teorike” (Autor: I. M. Vorovkov): Dispensa 3, 592 f., Drejtorinë e Botimeve të U.SH.T, Tiranë, 1967.
  5. Gaçe, Th. (Përkthyes): “Kursi i mekanikës teorike” (Autor: I. M. Vorovkov): Dispensa 3, 401-592 f., Shtypur në Drejtorinë e Botimeve të U.SH.T, Tiranë, 1967.
  6. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 1, 228 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë, 1970.
  7. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 2, 205 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë, 1970.

18.Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike: dinamika”: Dispensë, 116 f., Drejtoria e Botimeve të USHT, Tiranë, 1969, 1972.

  1. Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 1, 227 f., Fakulteti i Inxhinierisë: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1972.
  2.                   Gaçe, Th.: “Mekanika inxhinierike: statika e trupave të ngurtë”, 350 f., SHBLU, Tiranë, 1997.
  3. Gaçe, Th.; Geca, A.:”Teoria e lëkundjeve“, Botues: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, 236 f., Prishtinë, 1999.
  4.                    Gaçe, Th.: “Dinamika”: Dispensa 1, 144 f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1983.
  5.                    Gaçe, Th.: “Dinamika”: Dispensa 2, 223 f., Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1984.
  6.                    Gaçe, Th.: “Leksione të Mekanikës Teorike – Statika”, tekst universitar, 227 faqe, për specialitetet Ndërtim, Mekanikë dhe Elektrike;
  7.                    Gaçe, Th.: “Leksione të Mekanikës Teorike – Kinematika”, tekst universitar, 117 faqe, për specialitetet Ndërtim, Mekanikë dhe Elektrike;
  8.                    Gaçe, Th.: “Leksione të Mekanikës Teorike – Dinamika”, tekst universitar, 314 faqe, për specialitetet Ndërtim, Mekanikë dhe Elektrike;
  9.                    Gaçe, Th.: “Termoteknika e Ndërtimit”, tekst universitar, 136 faqe, për specialitetin Ndërtim;
  10.                   Gaçe, Th.: “Furnizimi me Nxehtësi”, tekst universitar, 210 faqe, për specialitetin Ndërtim;
  11.                    Gaçe, Th.: “Ventilim-Kondicionim”, tekst universitar, 94 faqe, për specialitetin Ndërtim;
  12.                   Gaçe, Th.: “Mekanika Inxhinierike”, tekst universitar, 350 faqe, për specialitetet Ndërtim, Mekanikë, Elektrike, Gjeologji-Miniera, Naftë dhe fusha të tjera inxhinierike.

Vepra “Leksione të Mekanikës Teorike” botimi në Tiranë dhe “Teoria e lëkundjeve” në Universitetin e Prishtinës Fakulteti i Makinerisë

Veçanërisht i rëndësishëm mbetet fakti se vepra “Leksione të Mekanikës Teorike” e prof. asoc. Thanas Gaçe përfaqëson tekstin e parë të plotë në gjuhën shqipe në këtë fushë. Për vite me radhë ajo shërbeu si literaturë bazë për studentët e universiteteve shqiptare dhe u përdor me sukses jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Universitetin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit inxhinierik në gjuhën amtare.

Një vend të veçantë në veprimtarinë e tij botuese zë edhe teksti universitar “Teoria e Lëkundjeve”, i hartuar si autor i parë (me bashkautor A. Geca) për Universitetin e Prishtinës, me 236 faqe, për specialitetin e Mekanikës. Ky tekst u vlerësua nga komuniteti akademik dhe u referua edhe në Konferencën Shkencore të Termoteknikës, mbajtur në Tiranë më 17 dhjetor 1999.

Artikuj, studime dhe kumtesa drejt zgjidhjes së problematikave konkrete të inxhinierisë dhe termoteknikës në kushtet e Shqipërisë

Krahas veprimtarisë së tij të pasur pedagogjike dhe projektuese, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe zhvilloi një aktivitet të vazhdueshëm kërkimor-shkencor, të orientuar drejt zgjidhjes së problematikave konkrete të inxhinierisë dhe termoteknikës në kushtet e Shqipërisë. Punimet e tij trajtonin çështje me rëndësi praktike për projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin ekonomik të objekteve, duke kombinuar analizën teorike me nevojat reale të zhvillimit të vendit.

Megjithëse numri i artikujve, studimeve dhe kumtesave të tij shkencore është i konsiderueshëm, një vend të veçantë zënë punimet që trajtojnë problematika të lidhura me ngrohjen e ndërtesave, efiçiencën energjetike, përdorimin e gazit dhe materialet termoizoluese, tema që ruajnë aktualitet dhe vlerë praktike edhe sot. Ndër më përfaqësueset mund të përmenden:

  1.     Gaçe, Th.: “Ndikimi i klimës së vendit tonë mbi ngrohjen e ndërtesave”, studim i botuar në Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria e Shkencave Natyrore, Nr. 3, f. 89-106, Tiranë, 1960, me një trajtim të veçantë të ndikimit të kushteve klimatike shqiptare në projektimin e sistemeve të ngrohjes;
  2.    Gaçe, Th.: “Problemi i konsumit të lëndës djegëse në sistemet e ngrohjes qendrore”, kushtuar analizës së faktorëve që ndikojnë në ekonominë e energjisë dhe përdorimin racional të karburanteve;
  3.    Gaçe, Th.: “Mbi përdorimin praktik të gazit në ndërtesat e banimit”, një studim që trajtonte mundësitë dhe përfitimet e përdorimit të gazit në sektorin e banimit;
  4.    Gaçe, Th.: “Mendimi i përparuar i ndërtuesve të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit”, punim i lidhur me përvojat teknike dhe organizative në një nga veprat më të rëndësishme industriale të vendit;
  5.    Gaçe, Th.: “Diametrat më ekonomikë të tubave në sistemet e ngrohjes me qarkullim mekanik të ujit”, studim me karakter të theksuar inxhinierik dhe aplikativ;
  6.    Gaçe, Th.: “Problemet e furnizimit me gaz të qytetit të Tiranës”, kumtesë me vëllim prej 20 faqesh dhe pesë fletë vizatimi teknik, ku analizoheshin aspektet kryesore të projektimit dhe organizimit të sistemeve urbane të furnizimit me gaz;
  7.    Gaçe, Th.: “Materialet termoizoluese dhe hidroizoluese dhe përdorimi i tyre në projektimin ekonomik të ndërtesave”, një punim i botuar në formë broshure dhe i përdorur si material pasuniversitar, që trajtonte rëndësinë e izolimit termik dhe hidrik në përmirësimin e performancës së ndërtesave;
  8.    Gaçe, Th.: “Drejtimet e ngrohjes moderne – kuptimi i rendimentit të thjeshtë për sistemet e ngrohjes”, kumtesë e referuar në Konferencën Shkencore të Termoteknikës, mbajtur në Tiranë më 17 dhjetor 1999.

`        Përmes këtyre studimeve, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe dha një kontribut të vyer në zhvillimin e mendimit teknik shqiptar, duke ofruar zgjidhje të argumentuara shkencërisht për problematika me rëndësi të drejtpërdrejtë për projektimin, ndërtimin dhe funksionimin e objekteve civile e industriale. Punimet e tij dëshmojnë jo vetëm nivelin e lartë profesional, por edhe përkushtimin e vazhdueshëm për ta vënë dijen shkencore në shërbim të zhvillimit praktik të vendit.

Recensim tekstesh mësimore dhe projekte diplomash

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe ka bërë edhe recensim tekstesh mësimore me autorë shqiptarë, recensime për projekte diplomash dhe të doktoratave. Ndër recensimet më të rëndësishme po i paraqesim si në vijim:

  1.     Petrika, K.: “Mekanika teorike: statika, kinematika dhe dinamika” për teknikumet, 158 f., Tiranë, 1963;
  2.    Prifti, L.: “Mekanika teorike”, 400 f., UBT, Tiranë, 1965;
  3.    Jagxhiu, F.: “Mekanika-Statika” Pjesa I, 326 f., UP Fakulteti Teknik, Prishtinë, 1974;
  4.    Pllana, S. G.: “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga mekanika teorike me programe në C++”, Pjesa I, Libri shkollor, Prishtinë, 2005;
  5.    Pllana, S. G.: “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga mekanika teorike me programe në C++”, Pjesa II, Libri shkollor, Prishtinë, 2006;
  6.    Pllana, S. G.: “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga mekanika teorike me programe në C++”, Pjesa III, Libri shkollor, Prishtinë, 2007;
  7.    Geca, A.: “Dinamika”, 344 f., UP Fakulteti i Makinerisë, Prishtinë, 2002;
  8.    Pani, S. A.: “Projektimi i linjës së transportit pneumatik të sodës së kalçinuar”, 82 f., Dega e mekanikës industriale, Tiranë, 1986;
  9.    Mersini, E. E.: “Projektimi i sistemit të aspirimit të tallashit, nga makinat drupunuese”, 91 f., Dega e mekanikës industriale, Tiranë, 1986;

10.Bendo I. L.: “Përdorimi i avullit për proces teknologjik gjatë riparimit të instrumenteve të çpimit”, 88 f., Dega e mekanikës industriale, Tiranë, 1987;

  1. Lazo, H. A.: “Sistemi i ngrohjes-ventilimit të laboratorit KIP të Uzinës Ferro-Kromit, Elbasan”, 95 f., Dega e mekanikës industriale, Tiranë, 1989;
  2. Naska, P. A.: “Projektimi i sistemtit të ngrohjes-ventilimit të fabrikës për ngjyrosjen e pambukut në K.T.-Tiranë”, 87 f., Dega e mekanikës industriale, Tiranë, 1990.

Veprimtaria projektuese dhe kontributi në Infrastrukturën Inxhinierike

Krahas veprimtarisë së tij pedagogjike, shkencore dhe botuese, Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe dha një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e projektimit inxhinierik. Përvoja e fituar në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor u reflektua drejtpërdrejt në zgjidhjet teknike dhe projektet që ai hartoi gjatë karrierës së tij profesionale. Veprimtaria e tij projektuese u përqendrua veçanërisht në sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të objekteve publike, kulturore, arsimore dhe industriale, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve teknike dhe funksionale të shumë ndërtimeve me rëndësi kombëtare.

Ndër projektet më përfaqësuese të realizuara në fushën e sistemeve të ngrohjes dhe ventilimit për objektet publike veçohen:

  1.     Teatri Popullor, sot Teatri Kombëtar;
  2.    Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve;
  3.    Teatri i Operës dhe Baletit;
  4.    Konservatori (sot Akademia e Arteve);
  5.    Korpusi Kryesor i Universitetit të Tiranës; një kontribut të veçantë ai dha gjithashtu në projektimin e sistemeve të specializuara të ngrohjes dhe ventilimit për një sërë objektesh industriale dhe kulturore, ndër të cilat:
  6.    Stabilimenti “Mihal Duri”;
  7.    Teatri “Migjeni” në Shkodër;
  8.    Fabrika e Këpucëve në Tiranë;
  9.    Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë;

10.Sistemi i ngrohjes së sallës së madhe të Korpusit Kryesor të Universitetit të Tiranës;

  1. Sistemet e ngrohjes për dy shtesat e reja të Korpusit Kryesor të Universitetit të Tiranës.
  2. Veprimtaria e tij projektuese u shtri edhe në sektorin e telekomunikacionit dhe transmetimeve televizive, ku kontribuoi në projektimin e sistemeve teknike për:
  3. Stacionin Televiziv të Dajtit në Tiranë;
  4. Stacionin Televiziv në Gllavë të Beratit;
  5. Stacionin Televiziv në Mide, Pukë.

Po kështu, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe mori pjesë në projektimin e një numri të konsiderueshëm objektesh industriale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke përfshirë industrinë kimike, industrinë ushqimore, industrinë e tekstilit, prodhimin e vajrave lubrifikante, pluhurave larës dhe industrinë qeramike.

Këto projekte dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të veprimtarisë së tij profesionale dhe për aftësinë për të ndërthurur njohuritë teorike me zgjidhjet praktike inxhinierike. Përmes tyre, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe la gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e infrastrukturës teknike dhe industriale të vendit, duke kontribuar në realizimin e objekteve që për dekada me radhë i shërbyen jetës kulturore, arsimore dhe ekonomike të Shqipërisë.

Laboratori i Termoteknikës, mësimdhënia dhe udhëheqje akademike

Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Prof. asoc. Thanas Gaçe lidhet me kontributin e tij në organizimin dhe konsolidimin e punës laboratorike dhe akademike në fushën e Mekanikës dhe Termoteknikës. Ai është ndër themeluesit e Laboratorit të Termoteknikës, në Universitetin e Tiranës duke luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e bazës eksperimentale dhe didaktike për zhvillimin e mësimdhënies praktike në këtë disiplinë.

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe kontribuoi gjithashtu në vlerësimin shkencor të punimeve të ndryshme akademike, duke ushtruar oponencë për disertacione dhe projekte diplome. Ndër to veçohen studimi “Mbi një kriter të ri të paqëndrueshmërisë në deformimin e trupave elastikë”, si dhe dy tema diplome universitare të vitit 1986: “Mbi linjën e transportit pneumatik të sodës së kalciumit” dhe “Sistemi i aspirimit të tallashit nga makinat drupunuese”.

Në fushën e formimit të studentëve, ai ka udhëhequr me sukses më shumë se tridhjetë punime diplomash universitare, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen profesionale të një numri të madh inxhinierësh të rinj. Përmes kësaj veprimtarie, ai ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e kulturës akademike dhe në forcimin e lidhjes midis teorisë dhe praktikës inxhinierike.

Nderime dhe vlerësime institucionale

Për kontributin e tij të vazhdueshëm në fushën e inxhinierisë, arsimit të lartë dhe zhvillimit tekniko-shkencor të vendit, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe është vlerësuar vazhdimisht nga institucione shtetërore dhe universitare brenda dhe jashtë vendit.

  •       Më 25 tetor 1980, ai është nderuar me “Medaljen e Punës” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në vlerësim të kontributit të tij në thellimin e revolucionit tekniko-shkencor dhe në përmbushjen me sukses të detyrave gjatë ndërtimit dhe montimit të objekteve të rëndësishme industriale, veçanërisht në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
  •       Më 11 gusht 1984, i është akorduar “Urdhri i Punës të Klasit të III-të”, gjithashtu nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, për kontributin në futjen e metodave të reja në hartimin dhe analizën e preventivave, si dhe për përpjekjet në përvetësimin dhe zbatimin e shkencës së informatikës në praktikën inxhinierike.
  •       Më 7 tetor 2002, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës, me rastin e tridhjetë e pesë vjetorit të themelimit të tij, e ka vlerësuar me “Mirënjohje” për punën shumëvjeçare dhe kontributin në vendosjen e themeleve dhe zhvillimin e suksesshëm të procesit mësimor në gjuhën shqipe gjatë viteve ’70.
  •       Më 7 mars 2009, prof. asoc. Thanas Gaçe është nderuar me “Mirënjohje” nga Universiteti Politeknik i Tiranës, në vlerësim të kontributit të tij të shquar në konsolidimin e arsimit të lartë inxhinierik shqiptar dhe përkushtimit të vazhdueshëm në edukimin e brezave të inxhinierëve.

Përmbledhje

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe përfaqëson një figurë të shquar të inxhinierisë shqiptare, i cili gjatë gjithë jetës së tij profesionale kontribuoi në mënyrë të gjithanshme në zhvillimin e arsimit të lartë, të kërkimit shkencor dhe të praktikës inxhinierike në vend. Veprimtaria e tij shumëvjeçare karakterizohet nga një ndërthurje e qëndrueshme midis punës akademike, aktivitetit kërkimor dhe angazhimit të drejtpërdrejtë në projektimin e veprave inxhinierike me rëndësi publike dhe industriale.

Prof. asoc. dr. Thanas Gaçe si pedagog dha një kontribut të çmuar në formimin e brezave të inxhinierëve në Shqipëri dhe në Kosovë, duke zhvilluar lëndët themelore të “Mekanikës Teorike: statikë, kinematikë, dinamikë dhe teori e lëkundjeve” dhe  të “Termoteknikës”, si edhe duke ndikuar në forcimin e bazës shkencore të arsimit inxhinierik. Përmes qartësisë së shpjegimit, rigorozitetit akademik dhe përkushtimit ndaj studentëve, ai la gjurmë të qëndrueshme në jetën universitare.

Në fushën shkencore, prof. asoc. dr. Thanas Gaçe kontribuoi me studime dhe publikime me vlerë praktike, të orientuara drejt zgjidhjes së problematikave konkrete të inxhinierisë në kushtet e Shqipërisë, duke ndihmuar në zhvillimin e mendimit teknik kombëtar. Ndërkohë, në veprimtarinë projektuese, ai u angazhua në realizimin e një sërë veprash të rëndësishme publike, kulturore dhe industriale, të cilat mbeten pjesë e infrastrukturës teknike të vendit. Veçanërisht e rëndësishme mbetet edhe veprimtaria e tij në hartimin e literaturës universitare, e cila për shumë vite shërbeu si bazë e formimit akademik në disa degë të inxhinierisë, duke kontribuar në konsolidimin e mësimdhënies në gjuhën shqipe.

Në tërësi, trashëgimia akademike dhe profesionale e prof. asoc. dr. Thanas Gaçe përfaqëson një kontribut të qëndrueshëm në zhvillimin e inxhinierisë shqiptare, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik, duke e vendosur atë ndër figurat me ndikim të rëndësishëm në ndërtimin dhe konsolidimin e traditës inxhinierike në Shqipëri.

Bibliografia

  1.     Gaçe, Th.: “Leksione të mekanikës teorike”: Dispensë, Vol. 1, Fakulteti i Inxhinierisë: Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1972.
  2.    Gaçe, Th.: “Mekanika inxhinierike: statika e trupave të ngurtë”, SHBLU, Tiranë, 1997.
  3.    Gaçe, Th.; Geca, A.:” Teoria e lëkundjeve“, Botues: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Prishtinë, 1999.
  4.    Gaçe, Th.: “Dinamika”: Dispensa 1, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1983.
  5.    Gaçe, Th.: “Dinamika”: Dispensa 2, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 1984.
  6.    Buletin i shkencave teknike (1973-1990), Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok