23/12/2024

Pro-shqiptarizmi i presidentit kroat dhe anti-shqiptarizmi i kryeministrit shqiptar!

0
Enver_Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, sot në samitin e NATO-s në Bruksel ka propozuar që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike. Në fakt ai e kishte përmendur nevojën që Kosova të bëhet pjesë e aleancës gjatë një vizite në Prishtinë më 25 dhjetor të vitit të kaluar, pra, para tre muajsh. Atë moment kishte raguar qeveria e Zagrebit, duke u distancuar nga pozicioni i presidentit të vendit të saj. Por atëherë bota dhe Europa nuk përballeshin me një agresion rus në Ukrainë.

Ndërkaq Milanoviç është shprehur disa herë kundër Open Balkan, duke e konsideruar atë të panevojshëm dhe jo funksional, sa kohë që nuk janë pjesë e saj Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Eshtë interesant fakti që presidenti kroat u shpreh në rastin e agresionit rus në Ukrainë se Kroacia do të qëndrojë larg këtij konflikti, duke ushqyer një lloj neutraliteti të vendit të tij. Edhe ndaj kësaj deklarate të para një muaji u distancua qeveria kroate, duke shprehur mospajtimin e saj me pikëpamjen e kreut të shtetit.

Sot sërishmi Milanoviç i drejtohet forumit më të lartë të Aleancës Atlantike me propozimin direkt e pa ekuivok të pranimit të Kosovës si anëtare e kësaj Aleance. Por Milanoviç nuk është aleat i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai është aleat i madh i shqiptarëve, ashtu si edhe qeveria dhe populli kroat. Kurse kryeministri ynë nuk pranon të jetë përkrah tyre. Sot në Bruksel zoti Rama nuk e tha asnjë fjalë në mbështetje të presidentit kroat, Zoran Milanoviç, për Kosovën. Ai as propozoi diçka të tillë në atë samit, as tha ndonjë fjalë miratimi e aq më pak falenderimi ndaj kreut të shtetit kroat.

Kjo ndodh, sepse Edi Rama ka vendosur piketa të tjera në marrëdhëniet e tij me fqinjët. Në vend të një aleance në drejtim të Vjenës prej Tiranës, në Podgoricë, pastaj në Sarajevë e deri në Zagreb, kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur tashmë një aleancë tjetër, në kahje të kundërt, atë nga Tirana në Shkup e në Beograd. Përmes Beogradit më pas shkohet drejt Moskës dhe Minskut, por jo drejt Brukselit, ku kanë qendrën e vet NATO dhe Bashkimi Europian. Ndërsa përmës Zagrebit shkohet në Vjenë, Berlin e me një trajektore të butë, në Bruksel. Edi Rama ka zgjedhur trajektoren e Lindjes! Punë për të!

Megjithatë shqiptarët, edhe pse pragmatikë e të pashpresë për shkak të mungesës së një opozite serioze, nuk e ndjekin dhe nuk do ta ndjekin nga pas një të marrë! Ata janë përcaktuar në integrimet euro-atlantike dhe janë të vendosur të udhëtojnë drejt Brukselit. Krerët e shteteve dhe të qeverive anëtare të NATO-s sot në Bruksel kanë marrë një trokitje të fuqishme në veshët e tyre për Kosovësn. Propozimi i Zoran Milanoviç është zë që thërret për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për forcimin e shtetësisë së saj. Heshtja e Edi Ramës është uverturë e politikave dhe diplomacisë diversioniste të Serbisë në Kosovë. Kaq e thjeshtë është të bëhet dallimi midis pro-shqiptarizmit të një presidenti kroat dhe anti-shqiptarizmit të një kryeministri, fatkeqësisht shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok