PRILLI – MUAJI I NËNAMENËVE DHE I SHPRESËS

Shkruan: Neshat Shaqir Mehmedi
Prilli, ky muaj i luhatshëm, i paqëndrueshëm dhe i çuditshëm, mbërrin gjithmonë me një thes të mbushur me befasi. Në gojë të popullit, ai njihet si muaji i “nënamenëve”, apo “nëndamendeve” dhe bora “vdora” e plugut “pllugjave”, sepse koha në të ndryshon nëntë herë brenda një dite – një ditë e vetme mund të nisë me diell, të vijojë me erë, shi, breshër apo borë, e të përfundojë sërish në qetësi. Kështu e ka natyrën prilli: i paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm, me shumë teka, por gjithmonë me një ritëm të vetin – të hershëm dhe të urtë.
Në këtë muaj, qielli dhe toka duken sikur bëjnë biseda të çuditshme: herë me diell, herë me re, herë me rrebesh. Por në këto luhatje fshihet një ritëm i lashtë, një rit që katundari shqiptar e ka njohur mirë dhe e ka përkthyer me thjeshtësi poetike. Katundari, toka dhe shpresa. Kjo është kohë pune dhe shprese, sepse gjithçka që mbillet tani, pret të japë fryte në verë e vjeshtë.
Për shkak të luhatjeve të shpeshta të motit, njerëzit në katund thonë me urtësi:
“Bie bora e plugut” – një borë e vonë që bie sapo njeriu ka filluar të punojë tokën.
“Bora e luleve” – kur pemët fillojnë të çelin, por bora i zbardh përsëri, si për t’i kujtuar natyrës se nuk është ende verë.
“Bora e qengjave” – një tjetër borë e butë që bie nga fundi i prillit, kur qengjat janë lëshuar në lëndina dhe natyra i mashtron me një kthim të papritur të dimrit.
Këto borëra janë më shumë se dukuri natyrore – ato janë shenjë e marrëdhënies mes njeriut dhe natyrës, një marrëdhënie që katundari shqiptar e ka vëzhguar për shekuj me radhë dhe e ka përkthyer në shprehje plot ndjenjë.
Koha që s’i zihet besë, por i besohet
Prilli është muaj i pavendosur: si një fëmijë i ngazëllyer që s’e di çfarë do – herë qesh, herë qan. Ndryshimet e tij të shpeshta nuk janë shenjë e luhatshmërisë, por pjesë e një kalimi të madh – nga dimri në pranverën e plotë. Ato ndryshime janë si drithërima e natyrës përpara zgjimit të madh.
Muaji i prillit është si një portë me lule që na çon drejt stinës së gjelbërimit. Edhe pse sjell mot të paqëndrueshëm dhe ndonjë borë të papritur, ai sjell gjithashtu shpresë, mbjellje, jetë të re dhe fillime të reja. Dhe kjo luhatshmëri është pjesë e bukurisë së vet – një kujtesë se jeta nuk është kurrë e njëtrajtshme, por gjithmonë në lëvizje dhe rilindje. Ose më mirë me thënë: prilli na kujton se jeta nuk vjen gjithmonë në mënyrë të rregullt, por në valë, në kthesa, në befasi që bartin brenda vetes edhe magjinë, edhe sfidën.
Edhe pse sjell stuhi të befta, prilli është fillimi i një rigjallërimi. Është muaji kur njeriu mbjell me shpresë, kur bari çel edhe në gur, kur shpresa merr formë luleje. Prandaj populli nuk e gjykon, por e duron – sepse prilli është si jeta vetë: i paparashikueshëm, por plot gjallëri.