21/12/2024

PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. VJOSA OSMANI VIZITON KISHËN KATOLIKE SHQIPTARO-AMERIKANE NË NJU JORK

0
Shkreli-Vjosa-SHBA2

Në 35-vjetorin e vizitës së parë në Amerikë të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Nga Frank Shkreli

“Bashkë me mërgatën e jashtëzakonshme shqiptare në Amerikë, forca shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën. Faleminderit Dom Pjetrit dhe komunitetin tonë për mikpritjen!”   Kështu shprehet Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani në faqën e saj zyrtare të rrjeteve sociale, ku edhe boton disa fotografi nga vizita e saj në Kishën e parë Katolike Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres” në Hartsdale, Nju Jork, ditën e dielë me 22, Shtator, 2024 – në kuadër të vizitës së saj në atë qytet për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Është interesant fakti – që në kuadër të takimeve të tjera me komunitetin shqiptaro-amerikan në këtë qytet — Presidentja Osmani ka zgjedhur, që kësaj radhe, të vizitojë edhe Kishën Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në Nju Jork.  Ndonëse kanë kaluar 35-vjet, por ishte pikërisht kjo kishë, që kishte ftuar dhe pritur Profesorin dhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në atë kohë — më vonë Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën për të marrë pjesë në seminarin e organizuar — me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit — nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Ishte  pra, 35-vjet më parë (4 Tetor, 1989) që Dr. Ibrahim Rugova me kolegun dhe mikun e tij Dr Engjëll Sedaj – të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, e para e tillë në Shtetet e Bashkuara – për të marrë pjesë me shumë akademikë të tjerë shqiptarë të ftuar — për të folur — në Seminarin përkujtimor që ishte organizuar nga Dom Rrok Mirdita dhe nga Këshilli i kësaj Kishe, me Kryetar Z. Tonin Mirakaj, me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit.

Këtë ngjarje me rëndësi historike – Profesori i nderuar Dr Sami Repishti e ka cilësuar si, një “fitore të madhe e bashkësisë sonë”.  Këtë fitore, Kryetari i Këshillit të Kishës, në atë kohë, “Zoja e Këshillit të Mirë” – 35-vite më parë – Tonin Mirakaj e ka përjetësuar më vonë me botimin e një libri titulluar, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, ku janë përfshir historiku dhe fjalimet e mbajtura me atë rast.  Ky libër, me të drejtë, konsiderohet si një kontribut me vlerë, një manifestim kulturor dhe atdhetar, që jo vetëm ve në dukje dhe përshkruan kontributin e vet Z. Mirakaj, si Kryetar i Këshilli të Kishës dhe shumë bashkpuntorëve të tij në organizimin e tij.  Por, njëkohsisht, siç e dijmë, tashti, 35-vite më vonë, ajo vizitë shënon dhe dokumenton edhe fillimin e një udhtimi historik për Presidentin e ardhëshëm të Kosovës dhe të miqësisë së përhershme, siç preferonte të thonte ai vet, të një miqësie të përhershme midis dy kombeve tona, shiqptar dhe amerikan – një miqësi që gëzojnë sot shqiparët dhe amerikanët.

Me 5 Tetor, 1989, një ditë pas arritjes së tyre në Nju Jork, dy profesorët nga Dardania Dr Ibrahim Rugova dhe Dr Emgjëll Sedaj, vizituan Kishën, “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku u pritën nga administratori Dom Rrok Mirdita, (më vonë Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit), nga ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, diakon Marash Shkreli dhe nga kryetari i komisionit përgatitor të seminarit, Tonin Mirakaj, e të tjerë.   Dy ditë më vonë u mbajt seminari, kushtuar 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit në Universitetin e njohur të jezuitëve, Fordham, të Nju Jorkut.  “Më lejoni që, në fillim, të përshëndes kishën Katolike Shqiptare të New York-ut, që mori kët hap për të shënuar 300- vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na, dy studiues nga Kosova, të japim ndihmesën tonë në kët drejtim”.

Ashtu e ka hapur bisedën e tij, në atë kohë, Ibrahim Rugova para më shumë se njëmijë pjesëmarrsve në seminarin kushtuar Pjetër Bogdanit.  Sikur e kishte parashikuar rendësinë historike të vizitës së tij të parë në Amerikë, Dr Rugova fakënderoi për ftesën, duke u shprehur se “Nisma e Kishës Katolike Shqiptare, që të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, ashtu që të filloi një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.”  Pjesa tjetër, e këtij bashkpunimi historik, në këtë 35-vjetor të vizitës së Dr Ibrahim Rugovës dhe Dr Engjell Sedaj, është tashti histori për brezat e ardhëshëm!

Sot, 35-vjet më vonë, me 22 Shtator, 2024, pasardhsja e denjë e të ndjerit President historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës – Presidentja aktuale e Republikës së pavarur të Kosovës, Dr Vjosa Osmani, vizitoi pikërisht atë kishë dhe atë qendër, e cila 35-vjet më parë kishte ftuar për vizitën e tij të parë, por jo të fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.  Me praninë e saj në Kishën katolike Shqiptare të Nju Jorkut – me dijeni ose jo – Preasidentja Vjosa Osmani shënoi dhe kujtoi, dinjitetshëm, 35-vjetorin e vizitës së para-ardhsit të saj të nderuar dhe shumë të respektuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos në atë kohë, por edhe sot — pa dallime feje as krahine – Dr Ibrahim Rugovën.

Me vizitën tuaj sot në Kishën Zoja e Shkodrës, e nderuara Zonja Presidente e Republikës së Kosovës, Ju, Dr. Vjosa Osmani, me delegacionin tuaj, nderuat veten, nderuat dhe kujtuat Ibrahim Rugovën në 35-vjetorin e vizitës së tij të parë në Amerikë dhe, njëkohsisht, nderuat komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithsi dhe pa dallime. Të lumtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok