21/12/2024

Precedentët e sherrit shqiptar

0
u1_Vangjush-Saro

Nga Vangjush Saro
Lajme e komente kontradiktore përplasen pareshtur, sa i takon zhvillimit ekonomik e social, si dhe jetës politike; në Shqipëri dhe në Kosovë. Gjithnjë lindin apo sajohen gjarje të vogla dhe të mëdha, të rëndësishme dhe të parëndësishme, por që shndërrohen në precedentë sherri. Këtë herë, midis shumë e shumë temave të tjera, gjithaq patetike, është fjala për ish-Këshilltarin diplomatik të kryeministrit të Shqipërisë, z. Gent Cakaj, që u emërua zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, kurse këto ditë iu deleguan edhe përgjegjësitë e Ministrit përkatës, çka është shoqëruar me objeksione pa fund. (“Shqiptarët nuk janë stërvitur për diskutime.” M. U. Montegu/ 1716)
Zëvendësministri ynë i shumëpërfolur u bë i ‘njohur’ pikërisht nga sajesa të tilla, tipike shqiptare. As më shumë e as më pak, ‘përcjellja’ e politikës së jashtme te individi, që nuk u pranua nga një rreth i gjerë kundërshtuesish, nga të gjitha ngjyrat e politikës dhe të intelektualizmit, sapo ka hedhur në realitetin gri të vendit edhe një precedent tjetër për sherr. Ka hamendje të ndryshme për këtë, që nga ato me integrim e hapje negociatash me BE-në, deri te punët vetiake të Kryeministrit. Por, gjithsesi, e habitshme kokëshkrepja (shqiptare) e tij për ‘punët e jashtme’ dhe për zotërinë që duhet me doemos të jetë Ministër i Punëve të Jashtme, z. Gent Cakaj, kosovar i papranueshëm dhe i kritikueshëm nga vetë kosovarët (!) Bie fjala, ka një qëndrim tejet skeptik në lidhje me këtë emër edhe nga ‘Vetëvendosja’.
Dikur mendoja se duhej të kishte pak mirëkuptim, në të dyja vendet, sidomos për zgjedhje të tilla. Por… siç thoshte edhe i madhi Lev Tolstoi, qeveria s’është veçse një ‘shoqatë burrash që na dhunojnë ne të tjerëve’. Le të ulemi në këtë çështje. Për hir të së vërtetës, nuk kam parë a dëgjuar deri më sot askënd që mund ta vlerësonte a ta përcillte gjestin politik të Kryeministrit në mënyrë entuziaste, madje qoftë edhe me një pohim pranues. Një numër intelekualësh dhe ish-zyrtarësh të lartë, njerëz të Drejtësisë gjithaq, kanë formuluar kundërshtimet e tyre për këtë zgjedhje dhe për këtë kokëshkrepje. Ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nuk gjen argumente pse duhet t’i kalohet detyra. Madje ai cilëson: “Kjo quhet shkelje e betimit kushtetues. Gjesti i marrjes së detyrës kushtetuese, për të mos e kryer vetë, është mashtrim. Ata që e bëjnë, kryejnë abuzimin më të rëndë me detyrën publike.”
Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, gjithashtu ka reaguar në mënyrë negative pas delegimit nga Kryeministri Rama të përgjegjësive të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme te z. Gent Cakaj. Politikania Gjosha tha se akti i sotëm ‘është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën’. Madje ajo ka nota edhe më të ashpra se kaq në adresë të Kryeministrit. “Akti i sotëm i Kryeministrit me kalimin e përgjegjësive të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, është një akt që tregon edhe një herë përpëlitjet e fundit të një diktatori të sëmurë për pushtet.”
Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, gjithashtu u shpreh se individi në fjalë nuk ka vlera, është zhgënjyes. Ai kishte parasysh fjalimin e prezantimit të të shumëpërfolurit z. Cakaj. Në thelb, Mustafaj u shpreh: “Prisja të fliste (dje) se cilat janë sfidat kryesore, ndërkaq që Shqipëria për të parën herë do të marrë drejtimin e radhës së OSBE; ai foli për ‘integrimin rajonal. Unë s’e di ç’ është kjo tezë…” (Ngre supet politikani i njohur.)
Janë pak a shumë në të njëjtën linjë edhe një sërë emra të tjerë të njohur të Politikës dhe Drejtësisë. Prof. Luan Omari, konstitucionalist: “Kushtetuta nuk parashikon një rast të tillë. Sidoqoftë unë mendoj se zëvendësministri në këtë rast nuk e luan dot rolin e ministrit. Ai nuk mund ta përfaqësojë dot ministrin në takimet me homologët apo të firmosë për çështje me rëndësi kapitale.” Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese: “Sidoqoftë, zëvendësministri mbetet zëvendësministër dhe nuk bëhet dot ministër me të gjitha kompetencat që i jep ai post”. Thimio Kondi, ish-ministër i Drejtësisë: “Kryeministri, në këtë rast edhe ministër i Jashtëm, mund të delegojë disa kompetenca, por jo të gjitha. Janë disa gjëra që ministri duhet t’i mbajë vetë… Janë disa gjëra kryesore që i takojnë ekskluzivisht atij. Në karrigen e ministrit nuk mund të ulet zëvendësi. Edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kështu ndodh. Askush nuk mund të ulet në karrigen e ministrit dhe as të flasë në emër të tij. Janë rregulla të qarta këto.”
Por përkundër gjithë kësaj klime të ftohtë, me kaq shumë shi pikëpyetjesh, Kryeministri Edi Rama thotë ‘Jo’. Është zgjedhja e duhur. Dhe kështu, ne shohim çdo ditë shfaqje me kukulla e klakerë në një vodevil politik të cilësisë më të ulët; ne shohim se si kastat politike – në disa vende të Ballkanit, por veças tek të dyja vendet tona (shqiptare) – janë të çoroditura, të pakuptueshme në veprimet dhe mosveprimet e tyre… E tillë është edhe këmbëngulja e Kryeministrit në këtë precedent të ri për llafe e për sherr. Pra, vazhdojmë me budallallëqet e zakonshme të racës sonë. Kurse njerëzit presin pa le ç’përparim kemi për të bërë… Siç thotë edhe studjuesi i njohur amerikan F. Fukuyama, ndërtimi i shtetit ‘është një punë e vështirë dhe kërkon një kohë të gjatë për t’u përmbushur”.
Problemi është se ne edhe e duam, edhe s’e duam shtetin, pa le ç’dërdëllisim orë e çast e, sidomos, këto tre dekada. F. Kafka: “Ka një pafundësi shpresash në këtë univers…por ato nuk janë për ne.” Wow! Sa keq më vjen që nuk gjeta për këtu në fund ndonjë citim më me dritë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok