22/12/2024

Populli shqiptar i Dardanisë a i njeh politikanët tradhtarë?

0
Eshref-Ymeri

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të ditës së sotme, 03 shkurt 2022, ishte botuar një analizë mjaft interesante, me titull “Ngjashmëri historike”, me autor ushtarakun e lartë veteran, kolonel Dilaver Goxhaj.

Në këtë analizë më tërhoqën vëmendjen disa gjëra tepër domethënëse të kolonelit të nderuar. Po i përcjell në vijim:

Së pari, koloneli citon ministrin e jashtëm serb, i cili paska deklaruar:

“Bisedime me Albin Kurtin nuk do të zhvillohen”.

Sigurisht që Serbia nuk dëshiron të zhvillojë bisedime me Albin Kurtin se i ka ngecuar sharra në gozhdë pas 14 shkurtit të vitit 2021.

Tani, normalisht, shtrohet pyetja:

Po pse u dashkan zhvilluar këto bisedimet me Serbinë? Për ç’arsye? Përderisa Serbia s’i pranon absolutisht krimet fashiste që kreu në Dardani gjatë viteve ’90, e le më të kërkojë ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar? Mua personalisht, si shqiptar që ushqej respekt të veçantë për Dardaninë, më vjen shumë keq dhe e ndiej veten të zhgënjyer për diçka.

Në vitin  2014, Albin Kurti pati deklaruar:

“… me Vetëvendosjen në qeverisje, nuk do të ketë bisedime me Serbinë, por vetëm me serbët e Kosovës dhe me Tiranën zyrtare” (Citohet sipas: Kurti: “Bashkimi Kosovë – Shqipëri nuk çon në luftë të tretë ballkanike”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Express”. 01 prill 2014).

Po atëherë cila qe arsyeja që Albini nuk iu përmbajt asaj deklarate? I bëri presion brukselizmi? Po vallë nuk e dinte Albini që brukselizmi ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë gjithmonë anën  e Serbisë, çka e ka dëshmuar më së miri me emërimin e Borelit dhe të Lajçakut si ndërmjetës në bisedimet me Bogradin, përfaqësues këta nga dy vende që nuk e njohin pavarësinë e Dardanisë? Vallë ta ketë harrur Albini se çfarë pati njoftuar gati 11 vjet më parë ish-Shefi i UNMIK-ut  Lamberto Zanieri, i cili pati deklaruar si më poshtë:

“… pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas: “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).

Prandaj deklarata e ministrit të jashtëm serb, sipas të cilit nuk do të zhvillohen bisedime me Albin Kurtin, është pasojë e mosrespektimit nga ana e Albinit e deklaratës së vitit 2014.

Së dyti, koloneli shkruan:

“Ish-ministri i Jashtëm… Enver Hoxhaj, u deklarua se mbështet Asosacionin si kusht për arritjen e marrëveshjes me njohje të ndërsjellë të Serbisë e të Kosovës. Ngjashëm edhe Skënder Hyseni u shpreh në emër të LDK-së, se “Kosova nuk mundet të bëhet shtet pa Serbinë”.

Pra, Enver Hoxhaj dhe Skënder Hyseni, si tradhtarë të Dardanisë, nuk duan t’ia dinë absolutisht për vendimin  e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, e cila marrëveshjen e kryetradhtarit Thaçi me Beogradin për krijimin  e bashkësisë së komunave serbe, e pati hedhur poshtë si të papranueshme.

Së treti, koloneli është ndalur në deklaratën edhe më revoltuese të tradhtarit Xhavit Haliti, deputet  i PDK-së, i cili paska thënë:

“… duhet të fillojë negocimi i çështjeve, të cilat i ka kontestuar Gjykata Kushtetuese”!

Pra, ky tradhtar kërkon të vërë nën kontroll pushtetin  e pavarur gjyqësor, me të vetmin qëllim që të hidhet poshtë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Në një analizë, të botuar në internet dy ditë më parë, thuhet:

“Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse kryeministrit Albin Kurti nuk i pëlqejnë marrëveshjet e deritanishme që i ka arritur Kosova, le t’i sjellë ato në Kuvend dhe le t’i shfuqizojë” (Citohet sipas: Fahri Xharra.“Kosova në zgripin e saj më të rrezikshëm”. Faqja e internetit “Drini”. 01 shkurt 2022).

Me sa duket, tradhtari Enver Hoxhaj është i bindur plotësisht për një gjë: nëse Albin Kurti i çon në Kuvend marrëveshjet tradhtare të Thaçit me Beogradin që prej shpalljes së pavarësisë deri më 14 shkurt 2021, ato do të hidhen poshtë nga shumica e deputetëve. Dhe një gjë e tillë ka shumë mundësi të ndodhë, sepse oligarkët e partive opozitare, të cilat janë në pararojë të tradhtisë së Dardanisë, në bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, do të investojnë shuma të majme për blerje deputetësh për të votuar pro atyre marrëveshjeve. Besoj se të gjithëve iu kujtohet se si Thaçi dhe Haradinaj shkuan natën në shtëpinë e deputetit Shala, të cilin e blenë për të votuar për rrëzimin e qeverisë Kurti 1, sepse vota e tij ishte vendimtare.

Në këtë situatë, kur politikanët e lartpërmendur të opozitës kanë dalë sheshit me pallën e tradhtisë, si duhet të veprojnë Presidentja, Kryeministri, dhe Kryetari i Kuvendit? Unë mendoj, dhe këtë e them me bindje të plotë, se ata duhet t’i çojnë në Kuvend të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më 14 shkurt 2021, në mënyrë që të merret një vendim  përfundimtar. Tre udhëheqësit kryesorë le të kenë parasysh fjalët e deputetit Skënder Hysenaj, i cili, siç u përmend më lart, ka deklaruar:

“Kosova nuk mundet të bëhet shtet pa Serbinë”!!!

Lind pyetja: populli shqiptar a është i bindur se kjo është një deklaratë sa tradhtare, aq edhe poshtëruese për dinjitetin kombëtar të Dardanisë? Kjo deklaratë është në vazhdën e deklaratës së një tjetër politikani tradhtar të Dardanisë, të bërë publike 16 vjet më parë. Asokohe, në një faqe interneti shkruhej:

“Më 4 janar 2006 (pikërisht në kohën kur në Vjenë po vazhdonin negociatat Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës), Behgjet Pacolli zhvillon një intervistë të gjatë (prej 8 faqesh) në gazetën serbe “Nedeljni Telegraf”, me titull: “Sudbina regiona je u rukama Beograda: Kosovo ne može bez Srbije (Fati i rajonit është në duart e Beogradit: Kosova e ka të pamundur pa Serbinë)” (Citohet sipas: “Në qeverinë e Thaçit militon edhe shërbëtori i UDB-së Behgjet Pacolli”. Marrë nga faqja e internetit “kosova.de”. 17 janar 2014).

Pra, Kreministri Kurti le ta marrë parasysh rekomandimin  e deputetit Enver Hoxhaj, le t’i çojë marrëveshjet në Kuvend, në mënyrë që të shikohet se ç’vendim do të marrë. Nëse Kuvendi i hedh poshtë të gjitha ato marrëveshje, atëherë problemi është i mbyllur dhe Beogradi, së bashku me politikanët tradhtarë të opozitës në shërbim të tij, le të mbeten me gisht në gojë. Por nëse Kuvendi voton pro atyre marrëveshjeve, atëherë Kryeministri le t’i drejtohet popullit për të vendosur me referendum. Nëse populli do të pranojë të shitet dhe të blihet dhe të votojë pro atyre marrëveshjeve, atëherë e gëzoftë mikroshtetin  serb në veri të Dardanisë dhe e shijoftë me kënaqësi ujin  e liqenit të Ujmanit që do ta blejë nga Serbia. Nëse ngjarjet marrin këtë drejtim, atëherë Kryeministri Kurti duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe tradhtia le të rikthehet në pushtet. Por unë jam i  bindur që populli do të votojë kundër atyre marrëveshjeve dhe e këshilloj Kryeministrin të mbështetet fuqimisht te populli, duke  zbatuar me vendosmëri githçka që i ka premtuar.

Kaliforni, 03 shkurt 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok