POEZIA, STACIONI I PËRJETSHËM I KRIJUESIT
(Çaste leximi letrar me vjershën “POEZIA” të Ismail Kadaresë, në 88-vjetorin e lindjes)
Nga Prend BUZHALA
Ismail KADARE:
POEZIA
Poezi,
Udhën gjer tek unë si e gjete?
Mamaja ime shqipen mire s’e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje,
Babai u end në rini në të tjera dete,
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim
Të gurtë, të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe
Nr.16.
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,
Për shumë dëshira kam qenë citta aperta,
Po prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës,
Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
===============
I shkruar në kohë jo të lehta për rrethanat e krijimtarisë letrare, teksti lirik “Poezia” i Ismail Kadaresë të shtyn të reflektosh për shumëçka në këtë drejtim: të shkruash me një gjuhë qartësisht të komunikueshme dhe brenda saj ta ngërthesh realitetin e kohës dhe simbolikën, këtë arrijnë ta bëjnë vetëm krijuesit e mëdhenj të fjalës. Si e nis tekstin e tij Kadare?
1.
E nis me një pyetje retorike lirike se si ndodh kërkimi poetik: “Udhën gjer tek unë si e gjete?” Përse kjo pyetje? Si vetëdije e aktit krijues, poezia si guximtare e kohës që e gjen një autor që i druhet pushtetit që fjalën e konsideron rrezik? E, po, poezia është një shtegtim që ka ndjekur rrugët e saj për të arritur te vetja, te poeti; poezia e gjen vetveten te qenia njerëzore, ndryshe, ajo shuhet!
Aty janë edhe pjesëmarrës të tjerë, mamaja dhe babai, si familje dhe si pjesëtarë të poezisë.
Pjesëtarë?
Gjithsesi: mamaja dhe babai kanë ndikuar në gjuhën dhe letërsinë e tij, poeti përshkruan se nëpër çfarë rrugësh ka arritur ta gjejë shtegun e vet, në një atmosferë ku nëna shkruan letra të ngjashme me ato të Aragonit, pa pikë dhe presje! Ndodh si një ngjarje e jetës: përcjellja e babait te stacioni,; andej ngjarja tjetër ësh ecja e poetit )si folës lirik) nëpër qytetin e tij të qetë.
Këtu, tiparet që e dallojnë qytetin e tij dhe natyrën e tij, përdoren si përbërës për ta përshkruar një ndjesi të vërtetë dhe të qetë: përmendet numri 16 dhe detaji i rrugës së kalldrëmit, detaje të vogla, por kanë një domethënie simbolike, ani se jo krejtësisht e komunikueshme: se poezia nuk është vetëm përshkrim i detajit dokumentues biografik, por edhe krijim i një realiteti artistik.
Më tutje, poeti shfaq përplasjet e jetës dhe të dashurisë. Poeti rrëfen me pak fjalë: ka dashur shumë gjëra dhe ka ndjerë shumë emocione në jetë, por, së mbrami, ai i është kthyer poezisë si një stacion i fundit. Ai përdor, me këtë rast, një krahasim me djalin që kthehet vonë në shtëpi pas një nate të lodhshme, duke paraqitur veten si një udhëtar i shqetësuar nga përvojat dhe aventurat e jetës.
Së fundmi, poeti përmend lidhjen e tij me poezinë si një stacion i fundit, duke e kthyer atë në një veprimtari të qëndrueshme për të gjetur kuptim dhe qetësi në jetën e tij.
Dhe, a thua, a e gjen qetësinë e kërkuar?
Në gjithë këtë “rrëfim” për veten dhe artin e tij poetik, mu në hapësirat e konsumimit kaq të drejtpërdrejtë, ai sikur e fut një karakter misterioz dhe simbolik, dhe i lë duar të lira lexuesit për shumë interpretime. Këtë shumësi leximesh e ka vetëm poezia e mirë: nuk i mbyll asnjëherë shtigjet për lexim e për prodhim kuptimesh të reja.
2.
Kadare përdor trajtën e bashkëbisedimit me poezinë; ajo, poezia, shndërrohet në personifikim të së kërkuarës, shndërrohet në figurë antropomorfike, në qenie, në këtë rast, në qenie arti, me të cilën dialogon poeti. Trajta e tillë, e bashkëbisedimit me poezinë e tij, është një shqyrtim e kërkim i thellë i marrëdhënies së tij me krijimin letrar. Poezia është një medium për të shprehur ndjesitë e tij, reflektimet dhe shqetësimet e tij. Po qe se ndalemi për një çast dhe e shohim bashkëbiseduesen që hesht, poezinë; duket sikur ajo qëndron si diçka e largët, e ftohët, e huaj, një forcë e rrezikshme që ndalon aty te njeriu që dëshiron “ta gllabërojë”, por aty për aty, dialogu papritmas i ndërron rolet; poezia vjen e ndrojtur (“Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe“). Tashmë asaj i drejtohet në veten e dytë, si të ishte një vashë që e dashuron; ajo vjen me dridhma. Vjen aq e dashur dhe aq e afërt te krijuesi i saj, nëpërmes shtegut të muzës poetike.
Me pyetjen e hapjes, “Udhën gjer tek unë si e gjete?” poeti bën fjalë për rrugën e tij të gjatë dhe kërkimin aq këmbëngulës e të dëshiruar. Pyetja duket sikur ka një mister brenda vetes, krijon një atmosferë fshehtësie, për të zbuluar kuptimin e thellë të kërkimit poetik: në kontekstin kohor dhe në atë universal, si muzë arti. Sa herë vetë poetët e shquar kanë deklaruar se frymëzimi poetik është një mister. Atmosfera e tillë (e panjohur e pyetjes), e fton lexuesin që edhe ai të reflektojë te kjo pyetje mbi kërkimin e thellë për kuptimin dhe ndjenjat që i sjell arti poetik. Udhëtimi (“udha”) sugjeron shtegtimin e një qenieje, poezisë: “gjer tek unë si e gjete?” Pyetja shtron një rrjet të gjerë asociacionesh për ta gjetur të fshehtën, për t’i takuar thellësitë e botës dhe të jetës së poetit. E, pra, hapja e tillë e menjëhershme, goditëse, lexuesin, por edhe poetin, sikur e bën menjëhershëm qenie të pasigurt, krijuesi është një dyshues: ç ‘kërkon te unë që gjendem diku në rrugë te stacioni apo te rruga nr. 16? Më tutje, ky asociacion zgjerohet, lexuesi së bashku me poetin shpallin paktin e pajtimit me artin, ndjekin marrëdhënie të mira me poezinë.
3.
Për pak poezia të shndërrohet në roman jete: përcjellja e babait në stacion, i paraprirë nga një varg kujtese: “Babai u end në rini net e tjera dete”, përshkrimi qytetit si një vend i qetë, i gurtë (kujto romanin “Kronikë në gur”), një stacion tjetër, si i trenit, ku ia beh poezia, kudo që ti të gjendesh. Kësaj radhe, ky stacion është shtëpia (“Trokite drojtur/ në shtëpinë trekatëshe/ Nr. 16.”).
Vargjet:
Babai u end në rini në të tjera dete,
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim
Të gurtë, të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe
Nr. 16.
paraqesin një çast imazhi jetësor, një pamje të ngjarjeve dhe ndjenjave të ndryshme. “Babai u end ne rini net e tjera dete“, frazë që përcakton një ngjarje të rëndësishme nga jeta e poetit. Babai ka përfunduar në det gjatë rinisë, meqë vargu ngjall, me këtë shqiptim, imazhe dhe ndjenja të forta të ndarjes dhe largimit. Mbase, është një çast i rëndësishëm dhe i transformueshëm në jetën e poetit. Tek vargjet tjera: “Po ti erdhe/ Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim/ Të gurtë, të qetë”- poeti fokusohet te një “ngjarje” tjetër”: cila është ajo ecje kaq e bukur? Është një zhurmë hapash që ndjell nostalgji e përjetim: a janë të ndonjë person të dashur, të së dashurës, apo të dikujt tjetër, që është i rëndësishëm, – që vjen duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit, me gurët e qetë: Qetësia sugjeron një atmosferë pa shqetësime dhe, gjithsesi, një moment të bukur, pa telashe. Folësi lirik na e zbulon se kush qenka: “Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe / Nr. 16, Poezi” Numri i shtëpisë gjithsesi që përfaqëson jo vetëm vendndodhjen, si stacion jete, po edhe një element emocional, kaq të ndjeshëm për poetin; aty ia beh poezia, diku në vetminë e tij krijuese. Në kënaqësinë krijuese, natën vonë.
4.
Janë ato reminishenca lirike që thurin asociacione me romanet e tij përplot biografema letrare. Qyteti dhe stacioni,- mund t’i lexojmë si simbole të qëndrueshmërisë (të të paluhatshmes), sigurisë dhe destinimit a pikësynimit të fundit.
Vijnë vargjet:
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në jetë,
Për shumë dëshira kam qenë citta aperta,
që sugjerojnë kontradiktat e jetës dhe dashurisë e të procesit të kundërt (çdashur), duke rrëfyer për emocionet e forta dhe aventurat e jetës. Megjithatë, ai zbulon se pavarësisht shpërthimeve të ndryshme, gjithmonë kthehet tek poezia si një formë e qetësimit dhe gjetjes së qetësisë, pas këtyre andrallave:
Po prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës,
Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.
na thuret pamja e Kthimi dhe Përcaktimi i poezisë si Stacion i Fundit, duke u identifikuar plotësisht me poezinë:
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
“Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur ne jetë“: thekson atë gamë të gjërave që ka dashur dhe çdashur në jetë, përshkruan një përvojë të pasur dhe të ndërliqshme, e cila përfshin emocione të ndryshme dhe kërkesa të ndryshme. “Për shumë dëshira/ kam qenë citta aperta”: Fjala “citta aperta” është një referencë ndaj një qyteti të hapur, një vendi ku mund të ndodhin shumë gjëra dhe ku ndjenjat dhe dëshirat janë të lira për t’u shprehur. Le ta lexojmë këtë varg si një dëshirë për të qëmtuar, gëzuar e trajtuar jetën në të gjitha format e saj. “Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,/ I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e natës”, na vjen me krahasimin e një pamjeje të njohur: është ai i një djali që kthehet vonë nga aventurat e natës, i lodhur dhe i sfilitur. Ky personazh përfaqëson një përvojë të përgjithshme njerëzore të lodhjes dhe ndjenjës së humbjes. Mbase, edhe të kënaqësisë “nga aventurat”. “Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri/ Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti”, – është ndeshja me vetveten, me përpjekjet për të shpjeguar, kërkuar dhe përjetuar shumë gjëra; gjithnjë kthehet TE NJË PIKË STACIONI aq e njohur: te POEZIA. “Ti” i referohet poezisë vetë, si qenie nga e cila nuk shqitet, si bashkëbiseduese, si një mënyrë e poetit për të gjetur qëndrueshmëri, siguri dhe kuptim te krijimi i tij letrar. Fraza poetike “Stacioni im i fundit” interpretohet si një vend i qëndrueshëm, një ndalim a pikësynim përfundimtar, destinim i fundit: është mënyrë e përsosur për ta gjetur qetësinë dhe kuptimin e vërtetë të jetës vetjake.
Poetizohet një rrugëtim i thellë emocional dhe intelektual i poetit me krijimin e tij; se si poezia është bërë një pjesë e pashmangshme e jetës dhe identitetit të tij si njeri dhe si krijues.
5.
Le të hidhemi edhe nëpër vargjet tjera:
Mamaja ime shqipen mire s’e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pike dhe presje,
Këto dy vargje nga vjersha “Poezi” e Ismail Kadaresë, përshkruajnë një pjesë të rëndësishme të marrëdhënies së poetit me gjuhën dhe artin e shkrimit.
Cilët janë këta përbërës thelbësorë të këtij komunikimi?
A mos është një disonancë, një mungesë harmonie, mes origjinës së tij dhe mamasë që gjoja “nuk e njeh shqipen mirë”? Jo, këtu mbillet një tjetër liri e asociacionit, kur përmendet poetika e Lui Sragonit (“Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje”). Interpunkisoni i bardhë (poezitë pa shenja pikësimi) aso kohe në Shqipërinë e regjimit në fuqi, konsideroheshin si veprim e ndikim i nartit dekadent. “Dekadente” dhe analfabete të jetë mëma?! Poeti e lë të ngurosur lexuesin: Louis Aragon ishte një poet, romancier dhe eseist francez i shquar, një figurë e rëndësishme në lëvizjen surrealiste dhe tek më vonë u lidh me Partinë Komuniste Franceze. Aragon ishte një nga themeluesit e lëvizjes surrealiste së bashku me André Breton dhe Philippe Soupault. Surrealizmi ishte një lëvizje artistike dhe letrare që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, duke u përqendruar në shprehjen e ndërthurjes së vetëdijes me ndërdijen, si dhe për lirinë e imagjinatës. LIRI E IMAGJINATËS! Kjo liri kaq e kufizuar aso kohe në Shqipëri! Po porse Kadare përmend Aragonin e jo, bie fjala, poetët tjerë surrealistë? Mbase, për faktin që të gjente “një kompromis” për artin e imagjinatës: afrohen dy figura, aq të dashura, Aragoni e mamaja! Aragoni (le të jetë një figurë ku romanet e tij lexoheshin në Shqipëri). Një qortim krejtësisht i butë, i pasherr, ndaj mamasë që shkruan “keq” (por aty mamaja, sigurisht, mbjell shpirtin e pafund të dashurisë, le ta kujtojmë romanin “Kukulla” dhe romanet tjerë). Aragon ishte nga pak aventurier (le t’i kujtojmë aventurat e tilla që Kadare i përshkruan më vonë, nga takimet e tij në Moskë e gjetiu me vajza, si Aragon me poeten surrealiste Elsa Triolet). Të jetë edhe Kadare “një dekadent” si Aragon?! “Afrimi” dhe “kritika” për krijimet “pa pikë e presje” e thonë të njëjtën gjë: nderimin për qenien më të dashur, mamanë… që reflekton një ndjenjë të veçantë të lidhjes me gjuhën dhe trashëgiminë kulturore, edhe pse ka kundërshtime, pengesa e komplikime në këtë lidhje; nderim edhe për IMAGJINATËN KRIJUESE që lakmohet e ndërlidhet që tërthorazi me identifikimin e emrit të Aragonit! Por, meqë Aragon është sinonim i kohës së tij, pa pikë e presje, për ta spastruar artin e tij si autor i stilit të thjeshtë dhe të pastër, drejtpërdrejt, pa ndërlikime e pa formalitete, atëherë këtë nivel komunikimi e ruan habitshëm edhe Kadare! Veçse jo “pa shenja pikësimi” (ç’formalitet për artin, uh!), për të mos u quajtur dekadent.
Të paktën, këtë gjë na e siguron liria e leximit, pasi vetë poezia është një imagjinatë krijuese.
6.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
Këto dy vargje nga poezia e Ismail Kadaresë shfaqen si një përmbyllje e ndjeshme dhe simbolike e rrugëtimit të poetit me poezinë. Poezia dhe stacioni gjenden në të njëjtin rrugëtim: qëllimi, destinimi dhe shtegtimi deri te pritja. Stacioni, si një pikë përfundimtare, paraqet atë çast sigurie e stabilizimi, një ndalesë ku poeti e ndjen se ka arritur aty te qëllimi përfundimtar. Ky “stacion i fundit” shqiptohet me të vetmen fjalë që përbën vargun e fundit. E rikonfirmon qëndrimin e poetit dhe përqendrimin e tij. Poezia përmendet si pika përfundimtare e këtij rrugëtim-qëllimi. Një jetë përpjekjesh aventurash krijuese, sakrificash pa fund për hir të artit. E vetmja fjalë, në fund, shënjon edhe rëndësinë esenciale në jetën e tij. Poezia është e vendosur si një destinacion i përfundimtar dhe mjet, përmes të cilit poeti shpreh dhe gjen kuptim në botën dhe përvojën e tij. Gjen kënaqësinë estetike. E, aso kohe, përmendeshin tradhtitë tjera, por poeti ka tjetër drojë:
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
janë fraza që shprehin ankthin ose frikën krijuese, në mos poeti ka tradhtuar apo ka ndryshuar rrugën e tij krijuese! Poeti gjendet para ndërgjegjes së tij krijuese! Përdorimi i fjalës “mëri” sugjeron sikur të gjendej para një gjykate që vlerëson poezinë. Poezia paraqitet si një fuqi që mund të ngrohë dhe të kujdeset për krijuesin e saj dhe, gjithsesi, edhe të të qortojë! Përdorimi i imazhit të përkëdheljes dhe të ëmbëlsisë, lidhet me një ndjenjë të kënaqësisë artistike dhe kujdesit. Gërshetimi i këtyre dy vargjeve, shfaq një marrëdhënie të ndërliqshme dhe të ndjeshme mes poetit dhe poezisë së tij. Në këtë kontekst, poezia është një forcë që shpërfaqet si shpresa dhe mbështetja e tij, por edhe si një fuqi që kërkohet të kontrollojë dhe vlerësojë krijuesin e saj.
7.
Më në fund, le ta lexojmë këtë poezi edhe si një biografi lirike. Mund të interpretohen edhe si biografema lirike, duke iu referuar jetës dhe rrugëtimit të poetit. Në këtë poezi, dallohen disa elementë që lidhen me jetën e Kadaresë…, që u theksuan më lart.
“Udhën gjer tek uni si e gjete?”:
“Mamaja ime shqipen mire s’e di”
“Babai u end ne rini net e tjera dete”
“Stacioni i fundit” interpretohet si një lidhje e thellë dhe e pashpallur mes krijuesit dhe krijimit të tij letrar. Përdorimi i kësaj fraze përshkruan një çast shpirtëror apo një zbulesë a epifani biblike, ku poeti takon burimin e frymëzimit për krijimtarinë e tij. Ky çast metaforik është tejet shpirtëror, ka një ndikim të thellë në krijimtari. Përmendja e prindërve lidhet me një ndjenjë nostalgjie ose kujtimi. Autori kujton momente nga fëmijëria e tij dhe përshkruan marrëdhënien e tij me prindërit nëpërmjet poezisë. Këto momente sjellin frymëzim për krijimin e poezisë.
Ligjërimi poetik ka një stil të drejtpërdrejtë, me fjalë të qarta dhe komunikim të hapur. Fjala e qartë (dhe mnyra e qlndrimit jetësor, cita aperta), si dhe përdorimi i figurave të pandërlikuara, e lejojnë lexuesin ta kuptojë mesazhin e poetit pa nevojë për interpretime të thelluara. Kjo qasje ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe transparent në komunikimin e ideve dhe emocioneve. Në vend që të përdorë simbolizmin e ngatërruar, poeti shpreh mendimet dhe ndjenjat në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.
“Stacioni im i fundit, / Poezi”.
Poezia shpallet si qëllimi i fundit i poetit. Sot e përgjithmonshëm.
(28 janar 2024)