POEZI NË GJUHËN ARBËRORE PËR SKËNDERBEUN NË PADOVA
Nga Ilia Stavri Karanxha
Në veprat Icones diversorum…(Portrete të ndryshme) 1591 apo Vitae et icones sultanorum…(Jetët dhe portrete e sulltanësh..) (1596) të Jean Jacques Boissard ne kemi mundësi të njihemi me disa personalitete të shquara të cilët në një mënyrë ose në një tjetër kishin pasur të bënin me Skënderbeun. Sidoqoftë para se të flasim për njërin prej tyre del nevoja që të njihemi sadopak me autorin e veprave të mësiperme.
Jeta dhe vepra e Jean Jacques Boissard (1528 – 1602) ka tërhequr vemëndjen e shumë studjuesve për veprimtarinë e tij si poet, antikuar, dizenjator dhe historian francez. Ai lindi në Besançon dhe ishte fëmija i parë i Thiébaud Boissard dhe Jeanne Babet.
Qysh në moshën nëntë vjeçare Bossiard, së bashku me xhaxhanë e tij, e la Besançon e për një farë kohe u vendos në qytetet të ndryshme si në Strasburg, Heidelberg, Cologne dhe Louvain. Në Louvain filloj studimet në një shkkollë klerikale por mësuesi i tij kishte qëne shumë i ashpër dhe Jean Jaques u largua fshehur në Prusi. Fillimisht u vendos në Frankfurt e më pas në Wittenberg ku dëgjoi leksione nga teologu luteran Philip Malanchthon(1497-1560) dhe Windenscheim. Për periudha të shkurtra kohe qëndron edhe në Nuremberg dhe Igolstadt ku merr kontakte me personalitete të shquara të kohës.
Më 1555 Boissard ndërmer udhëtimin e parë nëpër Itali ku në Romë pati mundësi të gjejë punë në pregatitjen e një librit udhërrëfyes të qytetit në bazë të vizatimeve arkeollogjike që kishte pregatitur më parë por edhe në sajë të përkrahjes nga kardinali Carlo Caraffa (1515-1561) i cili do të finaconte më tej dëshirat e tij për udhëtime dhe eksplorime në vendet e Lindjes. Sirija kishte qenë ëndra e tij e vjeter por u sëmur dhe u detyrua të qëndronte ne Peloponez ku u strehua në një manastir në Modon (Methoni). Mbasi u shërua më 1559 u kthye në Romë që të takonte kardinalin Caraffa mirëpo ky i fundit pas vdekjes të papa Palit IV kishte humbur pozitat e tij të dikurshme dhe u dënua me vdekje nga papa i ri Piu IV për abuzime, imoralitet dhe korupsion. Kështu Boisard u detyrua të kthehej në atdhe pas një mungese prej 22 vjet. Megjithëse ai kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Romë e ne qytetet të tjara të Italisë nën influencën e fortë të kishës katolike ai prapë se prapë ishte e mbeti një përkrahës i Reformës kishtar.
Mbasi qëndroj për disa vjet në Metz, qëndër peshkopale e Lorraine, u shqua si një përkrahës i zellshem i protestanizmit ne krye të së cilëve qëndronte kalvinisti Calaude Antoine de Vienne baron, i Clervant. Boissard me rekomandim të posaçëm u bë kujdestar i djalit të madh François të Calaude Antoine.
Në vitet 1575-76 ai ndërmer një udhëtim të dytë në Itali së bashku me djaloshin François e qëndron në Padova. Universiteti i Padovës në këtë kohë gëlonte nga sudentë prej të gjitha vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë me Protestantë nga Gjermania e vende të tjera. Aty Boissard u bashkua me një rreth poetesh të rinj nga e gjthë Europa ku takoj mes të tjerëve edhe Lentulus Ventidius një jurist nga Nocera (Salerno) i cili kishte krijuar një koleksion portretesh të njërzve të famshëm. Këtë fakt na e referon vetë Boissard në hryja dedikatore e veprës së tij Icones diversorum…1591 (p. 3-4) ku flet për 200 portrete. Lentulus i kërkoj Boissardit që tu shtonte portreteteve të tij nga një distik (dyvargjesh) në latinisht (distico elegiaco) detyrë të cilën ai e mori përsipër që ta kryente. Ndërkohë më 1575 në Padova ra një epidemi kolere. Shumë nga miqtë e tij të klubit të poetëve vdiqën. Vdiq edhe Lentulus dhe Boissard i mbeten në dorë koleksioni i portretetve të mikut të tij.
Epidemia e koleres i bëri një përshtypje të madhe Boissardit i cili nuk do haronte t’i rikujtonte miqtë e tij në veprat që do të publikonte më vonë aq më tepër që ai kishte edhe një farë detyrimi moral meqenëse atij i mbeti në dorë koleksioni i mbledhur nga Lentulus të cilit i dedikoj gjithashtu dizenjo simbolike në vepra Emblematum liber që u botua më 1588 dhe më 1593. Ka qënë pikërishrt koleksioni i portreteve që kishte mbledhur Lentulus të cilin Boissardit e përdori si bazë për botimin e një sëre veprash që do realizonte duke nisur nga viti 1584 nën titullin Icones varies.. ku pjesa më e madhe e personave të portretizuar në botimet e para i takonte vendeve të Lindjes. Vepra Icones diversorum hominum – u publikua për herë të parë më 1584. Ky erdicon rezulton sot shumë i rallë por ribotimi i saj u bë në vitin 1591 dhe përmban në total 53 portrete prej të cilave 26 janë burra dhe 27 gra. Çdo portret është paraqitur në formën e medalionit diametri të cilave lëkundet nga 85 deri në 90 mm . Grafist ka qënë Theodhor de Brey. Ato janë vendosur gjithmonë në faqen recto të veprës që ka përmasa 118 x135 mm ndërsa pllakat e bakrit (matrica) brenda të cilës është realizuar portreti ka përmasat 95×116 mm. Të gjitha portretet paraprihen me nga një jetëshkrim i shkurtër në latinisht. Vepra u publikua në Francë dhe i është dedikuar baronit Marco Claudi. Biblioteka Kombëtare Qëndrore e Firenzes (BNCF) ruan dy ekzemplarë nga edicionini i viti 1591 (BNCF: Palat 3.2.2.21 dhe MAGL.12.3.174) por ndërkohë vepra mund të konsultohet edhe në internet në adresen e më poshtme :
Disa prej personave të paraqitur aty në një mënyrë apo në një tjeter ishin të lidhur me ngjarjet e ndodhura në Arberi dhe në Epir në kohën e Skënderbeut ose më vonë. Për këta persona, ashtu si për të gjithë personat e tjerë, Boissard hartovi edhe nga një jetëshkrim të shkurtër. Tek vepra Icones diversorum… e cila fillon pikërisht me portretin dhe një jetëshkrim për Skënderbeunmësojmë edhe për figura të tjera që i intresojnë shkencës albanollogjike. Këta janë Fedrus Hilas (Phaedrvs Hylas), Faleria (Phaleria), Vasilius Timites (Basilivs Timites), Fedria (Phaedria), Filus Muzachus (Philus Musachus) dhe Vasilius Karondas (Basilivs Charondas) ndësa tek vepra tjetër Vitae et icones sultanorum.. do takojmë përsëri Skënderbeun por për herë të parë edhe gruan e Skënderbeut (Donice Scanderbegi Vxor), Hamza Kastriotin të birin e Reposhit (Ameses Castriota Reposiae F.(ilivs), Muzaka Golemi i Dibrës (Mosachvs Golemivs Diber) (Shih: I.Karanxha: Barleti apo Beçikemi…2010, pp 194-200).
Veç veprave që përmëndëm Boissard la nga prapa edhe një sërë veprash të tjera që u mirëpritën dhe u vleresuan nga publiku i asaj kohe. Boissard vdiq në tetor të vitit 1602 dhe u varos me nderime si një martir i fesë meqënëse kishte qënë një përkrahës i zjarrtë i Reformës kishtare.
Mes personaliteteve të shquara që përmëndem më sipër një rëndesi të veçantë për shkencën albanollogjike paraqet arbëreshi nga Epiri Vasilius Karondas (Basilivs Charondas), një nga pjestarët e klubit të poetëve në Padova, të cilin Boissard pati rastin më 1575 ta njihte personalish. Në lidhje me këtë poet të talentuar Boissard do të shkruante :
Vasilio Karonda, nga Larissa, epirot. Burrë me gjykim teper të reptë, i famshëm mes të njohurve të tij si në kohë paqe po ashtu edhe në kohë lufte. Jashtzakonisht ekspert në Latinishten, por i madhërishëm në Greqishten , i apasionuar dhe i dalldisur pas poezisë, edhe pse nuk e di se nga cila lloj e poezisë greke ka qënë frymëzuar. Thurte vetëm vargje dashurije, si në greqisht edhe në gjuhën e vendlindjes (quedam lingua patria) , vargje që këndoheshin nga ushtarët (stradiotët- I.K.) arbër, mbi lëvdatat e të famshmit udhëheqes të Albanisë, mbi bëmat e të shquarit Gjergj Kastriota, që në gjuhën Turke e quanin Skënderbeg. Jetovi në Padova në vitin 1575.
Mua (d.m.th. Boissardit – ) mi jepte ti rishikonja poemat e tij, megjithëse në në të vërtete ishte (burrë) me kulturë të madhe, megjithëkëtë mua më dukej që tejkalonte të gjithë në Padova, që studionin Letëresi në kohën time, për shdervjelltësinë e thurjes të vargjeve. I prirur në një zakon për tu afruar me Gallët (francezët), mbasi admironte dhe lavdëronte zakonet e shfrenura dhe aftësitë për të folur lirisht që as Greket as Italianët nuk janë në gjëndje t’i imitojnë në mënyrë të përshtatshme pa rënë në grackën e dyshimeve të mashtrimit.
Portret i Vasilio Karondas (?- 1575)
Teksti i mësipërm është mjaft i qartë. Kishin kaluar vetëm dy dekada pas Mesharit të Gjon Buzukut e studenti arbëresh Karonda nga qyteti i shquar Larissa, që përmëndet edhe nga Homeri në Iliada, në mezin e shkullit të XVI edhe pse ishte i shquar në gjuhën latine dhe i madhërishëm në gjuhën greke nuk injoron as gjuhën e vendlindjes që ishte shqipja. Stradiotët shqiptarë në Venedik i këndonin plot zell poezitë e tij mbi Skënderbeun. Fatkeqesisht jeta e këtij humanisti të talentuar u ndërpre në moshë të re për shkak të epidemisë së koleres.
(Nxjerë nga vepra në dorëshkrim : “Ikonografia kastriotiane” )