03/12/2024

POEZI E VLERAVE KULMORE ARTISTIKE

0
Shkreli-Poezi

– Me rastin e botimit të lirit “Poezi të zgjedhura” (“Rrënjë të gurta”) të Azem Shkrelit nga shtëpia botuese Argeta LMG e Tiranës –

E di një fjalë prej guri, fjalë prej zjarri

Miku im, furi e saj lëkund malet

I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat

Nga ungurimë e bishës e nga vetima

E di një fjalë që ia them lumit e ndalet

Nga magjia e saj rritet bari mbi vorre.

E di një fjalë që ia them gurit e ndizet,

Nga urti e saj përherë na janë plakë etërit.

Azem Shkreli

Nga Anton Nikë Berisha

Studimi i veprës letrare poetike të Azem Shkrelit[1], njëri ndër personalitetet krijuese më të shquara të letërsisë bashkëkohore shqiptare, është për shumëçka i vështirë. Kjo vështirësi lidhet me disa arsye.

E para mbështet në faktin se duhet vështruar e interpretuar një krijimtari poetike e krijuar brenda një periudhe tridhjetëvjeçare, që përfshin dhjetë libra të veçanta llojesh të ndryshme: tetë përmbledhje me poezi, një roman, një përmbledhje me tre­gime dhe dy drama.

Nga veprat e para letrare (“Bulzat” dhe “Engjujt e rrugëve”), që, krahasuar me të pastajmet, janë modeste për nga vlerat poetike (këtë e thoshte edhe vetë Azemi), veprimtaria e tij shkon e ngrihet në ato maje që dëshmojnë pjekurinë dhe vetëdijesimin poetik të letërsisë sonë bashkëkohore (“E di një fjalë prej guri”, “Nga bibla e heshtjes”, “Kënga e hutinit”, “Varri i qyqes”, “Nata e papagajve”, “Lirikë me shi” dhe “Zogj e gurë”).

E dyta: vepra e Azemit zë fill me trajtimin e jetës konkrete e burimore të vendlindjes së tij, Shkrelit, pastaj Rugovës, për të zgjeruar spektrin e këndvështrimit në botën kosovare dhe gjithëshqiptare, por edhe gjithënjerëzore.

Kjo ngritje e shkallëshkallshme dhe cilësore shprehet në poezinë, në prozën dhe në dramat e tij.

Çështje e tretë dhe jo e fundit që e bën të vështirë studimin për veprën letrare të A. Shkrelit, por edhe çdo shkrim për cilëndo vepër të tij, është fakti që ta lexosh aktivisht dhe të depërtosh në botën poetike e kuptimore të saj, pra, ta receptosh atë dhe ta bësh pjesë të pasurisë shpirtërore, lypset një përkushtim dhe përqendrim i shtuar. Këtë gjë e kushtëzon struktura e veçantë gjuhësore artistike, prej së cilës dalin kuptime të shumta, që përherë funksionojnë në rrafshin thellësor.

Nëpërmjet kësaj strukture, të shtjelluar me përkushtim e dije, A. Shkreli gjurmon e shqipton të pazakonshmen brenda të zakonshmes, e cila përherë shërben si mundësi njohjeje e jetës së individit dhe e vetvetes. Nëpërmjet trajtimit dhe shqiptimit të problemeve, të mëdyshjeve e të ndjesive individuale, si ndërlidhje konotuese me problemet kombëtare e gjithënjerëzore, gjurmohet, mësohet e kuptohet më mirë jeta, zbulohen fshehtësitë e saj, zbulohet ajo pjesë e botës që “rrëshqet” para aftësisë dhe dijes sonë vrojtuese, para pamundësisë sonë për ta zbuluar.

Vepra e A. Shkrelit nuk është njëjtësim me realitetin, me njëmendësinë e përditshme, nuk është shqiptim i rastit e as kundërvënie apriori e realitetit; ajo nuk jep modelin sesi duhet jetuar e vepruar, çka është e mirë e çka është e keqe, çka është humanitare. Këshilla për të është e huaj, siç janë të huaja konvencioni, retorika dhe e rastësishmja. Vepra e tij letrare ofron mundësi të shumta njohjeje para së gjithash të botës individuale, botë e cila është kaq e kushtëzuar dhe e varur nga bota kolektive, nga trashëgimia materiale dhe shpirtërore e secilit individ në veçanti dhe e mjedisit ku ka lindur dhe është formuar.

Në qenësi vepra e A. Shkrelit shpreh botën e njeriut tonë; ajo nuk zgjon kënaqësi, as nuk është argëtuese, as nuk të pushton me jashtësinë e saj. Ajo është gjurmim dhe shqiptim i thellësive të botës sonë, i krenarisë, i pësimeve dhe i tragjikes që e përcollën dhe e përcjellin njeriun tonë, shprehur nëpërmjet një sistemi të ngritur poetik dhe të përftimit të imazheve tronditëse e të mendimeve qenësore.

Bota poetike e A. Shkrelit është shqiptim dhe shprehje e “këngës së mërisë”, e “këngës së hutinit”, e “rrugës së verbër”, e “hirit të heshtjes”, e “lules së ligë”, e “motiveve të verdha”, e “vargut vajtor”, e “varrit të qyqes”, por dhe e fosileve, e atij “mishi të egër”” që është mbëltuar te disa persona, përkatësisht që i ka vrarë koha.

Vepra e tij letrare nuk cilësohet e nuk dallohet nga të tjerat vetëm për botën e veçantë tematike, për objektet artistike të trajtuara edhe për mënyrën e strukturimit të materies gjuhësore artistike, për shumësinë kuptimore, pastaj për llojet e pasura të vargjeve (në poezi), të dialogëve e monologëve (në prozë dhe dramë), për raportet kundërshtore dhe kontrastike të mendimeve që dalin nga strukturimi përkatës shprehës, po origjinaliteti dhe mëvetësia e saj dalin dhe nga urtia popullore shqiptare, e cila me aq mjeshtri është përdorur, është shkrirë e është funksionalizuar në të, në mënyrë të veçantë nga shprehësia gjuhësore e nga shtjellimi sintaksor, gjë që edhe i jep asaj vlerën kryesore.

Secila vepër letrare e këtij autori ndërlidhet e bashkëjeton brenda një sistemi unik krijues shprehës, po ka dhe veçoritë e veta të mëvetësishme; është botë e pavarur artistike dhe komunikuese. Për këtë arsye më duket me vend që ta vështroj brenda llojeve krijuese, ku do të dalin në pah më plotnisht vlerat që kanë dhe kompleksiteti që e cilëson secilën prej tyre.

²

Poezia e Azem Skrelit me strukturën e veçantë tekstore poetike, me shumësinë dhe thellësinë kuptimore që ngërthen në vete, me nëntekstin e pasur poetologjik dhe me mundësi të shumta të ndikimit estetik, bën njërën ndër pjesët më artistike të poezisë shqiptare në përgjithësi. Si e këtillë kjo është dëshmi e denjë e pasurimit poetik të poezisë sonë. Them kështu duke pasur parasysh faktin se krijuesi letrar që shpreh nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare.

Njohja e kësaj poezie, përkatësisht depërtimi në qenësinë e saj dhe përvetësimi dhe bërja e saj pjesë e ekzistencës shpirtërore (si dhe vështrimi dhe interpretimi) kërkojnë përpjekje e mund më të madh; kërkojnë para se gjithash njohje solide të natyrës së artit letrar; të mënyrës e të mundësive të perceptimit kompleks të problemeve, të strukturimit të tekstit poetik dhe të shumësisë së tij kuptimore, të kontekstit në të cilën u krijua, pastaj të rrafshit social kulturor që shpreh dhe i takon ajo dhe të ndërlidhjes së saj të ngushtë me qenien dhe botën e njeriut tonë.

Pjesa më e madhe e poezisë së A. Shkrelit shquhet për disa veçanti dhe struktura tekstore më artistike dhe më të ndërliqshme në poezinë shqiptare. Ajo është e menduar dhe e krijuar mbi bazën e një sistemi të veçantë e të përpunuar. Këtë strategji krijuese poeti Shkreli e zbatoi duke filluar nga njësitë më të vogla të strukturës gjuhësore poetike, për të vazhduar tek poezia si njësi tërësore, pastaj tek përmbledhja si unitet shprehje e stili poetik, por dhe të poezisë si formë e shqiptimit të botës subjektive të krijuesit. Elemente të këtij parimi bien në sy që në përmbledhjet e para, po ky sistem shkon e pasurohet dhe ngrihet në një nivel të lartë për të mbërritur pikën më të lartë me veprat e botuara më vonë.

Poezia e A. Shkrelit është një shqiptim poetik thellësor i shpirtit dhe i botës së njeriut tonë, një shqiptim artistik i problemeve dhe i dilemave jetësore: i fatit, i krenarisë, i durimit, i vetëdijes mitike të krijuar e të shtresuar në rrjedhë kohësh, por edhe i tragjikes që e përcolli dhe e përcjell atë edhe në kohën tonë. Ajo është e mbrujtur dhe e ngritur, siç u tha, nga urtësia e botës shqiptare, nga përvoja e krijuar dhe e formësuar me shekuj, si shprehje dhe shqiptim i entitetit, i thellësisë së logjikës së të menduarit dhe e të folurit shqip.

Për ta kuptuar këtë poezi kërkohet një ndjenjë e ngritur për lexim të kujdesshëm e të thelluar, për studimin e elementeve e pjesëve përbërëse të vargut e të poezisë si tërësi e veçantë shprehëse kuptimore. Me një të lexuar të rastit kjo poezi do të duket e zakonshme, me një mesazh me fuqi poetike të kufizuar. Mirëpo, kjo përshtypje mënjanohet kur e lexojmë për herë të dytë e të tretë, atëherë kur fillojmë ta ndjejmë qenësisht forcën e shprehjes, ritmin e saj të brendshëm, raportin dinamik e nuancor të meditimeve e të kuptimeve; madhështinë e imazheve poetike, që në qenësinë e tyre janë tronditëse; ta ndjejmë forcën e sintagmës poetike e të ndërlidhjes së saj me njësi më të mëdha; ta ndjejmë vargun dhe poezinë, shumësinë dhe kohezionin kuptimor, që është mishëruar dhe del nga struktura gjuhësore me sintaksë të mirëfilltë shqipe.

Secili lexim i ri i kësaj poezie, siç ndodh me veprat e mëdha artistike, të thellon dhe t’i shpalon cilësitë e saj, ku dalin konotime të shumta, kumtimësi e vlera, që në leximin e mëparshëm nuk ke arritur t’i hetosh si të tilla ose nuk i ke vërejtur në atë mënyrë. Pjesa më cilësore e poezisë së A. Shkrelit ngrihet mbi bazën e sistemit të estetikës kundërvënëse, të sistemit të veçantë metaforik, ku ndërlidhen e gërshetohen alegoria, antiteza, metafora etj., me ç’rast krijohet një forcë e madhe shprehëse, një kuptimësi e pasur dhe e papritur, një ritmikë e veçantë dhe një kontekst i pasur poetologjik, që bën një ndikim të madh estetik.

Në këtë poezi është i reduktuar materiali leksikor pohues; autori ka krijuar e ka lënë vetëm atë strukturë tekstore nga e cila mund të kapen fijet e sistemit kuptimor e të imazheve poetike dhe mund të zhvillohen më tej, varësisht nga përpjekja dhe qëndrimi aktiv i atij që e lexon, nga aftësia receptuese dhe konotuese e tij.

Poezinë e A. Shkrelit e cilëson një gjuhë dhe sintaksë e veçantë, ku krijohet një raport karakteristik i ndërsjellë kushtëzues leksemash, togfjalëshash, vargjesh e pjesësh më të mëdha brenda poezisë si njësi e mëvetësishme shprehëse e rrjedhimisht me këtë, një mesazh artistik i nyjshëm. Poeti qëmton me ngulm dhe realizon me shkathtësi mënyrën e të shprehurit dhe kuptimësinë, që lidhen e plotësohen ndërsjellas dhe çdo përpjekje që ato të veçohen dhe të shqyrtohen të ndara është e kotë.

Azem Shkreli nuk do(n) të kumtojë asgjë, nuk do(n) të bëjë objekt trajtimi asgjë e të mos e thotë nëpërmjet një strukture të veçantë tekstore poetike, të përpunuar me përkushtim dhe dije dhe ajo, si kuptim ose shtresa kuptimore, të mos heqë peshë për njohjen e vetvetes, të njeriut tonë e të botës së tij, po dhe të njeriut kudo qoftë ai.

Koncepti poetik i Azem Shkrelit nuk shprehet vetëm nëpërmjet mënyrës së organizmit dhe të krijimit të strukturës tekstore poetike dhe të kuptimësisë së pasur që del nga ajo, por edhe nga mënyra e objektivimit të këtij procesi, pra e trajtimit të tij.

Ç’është e vërteta, në shumë poezi A. Shkreli bën objekt shqyrtimi qenësinë e poezisë, fjalën, si formë e shqiptimit të vetëdijes, të ekzistencës shpirtërore e mendore. Procesin e krijimit të fjalës artistike, të poezisë, ai e çmon proces të ndërliqshëm; krijimi i saj, përpos dijes, kërkon mund e flijim, therorizëm. Peozia – kënga për Shkrelin është ëndje e etur, por edhe ëndje e trishtë. Poeti ka mision e detyrë të rëndë, prandaj krijimi i fjalës poetike kërkon flijim të jashtëzakonshëm shpirtëror dhe intelektual.

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindish

Me secilin varg, të lindish me secilën fjalë…

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesish

Për secilin varg, të vdesish për secilën fjalë.

Azem Shkreli është ndër poetë e paktë shqiptarë që me ndjeshmëri të shquar i qaset dhe e shqipton procesin e të krijuarit, rolin dhe rëndësinë e tij. Nëpërmjet rrëfimit poetik, krijuar me shkathtësi, ai vë në dukje forcën e jashtëzakonshme të fjalës poetike, atij zjarri të fjetur, që, kur realizohet në një nivel të lartë, bëhet vlerë shpirtërore, po edhe pësohet prej saj. Në këtë rrafsh shtrohet çështja: të thuhet fjala ose të mos thuhet, të flitet ose të mos flitet? Të shprehet, përmes gjuhës poetike, zjarri i fjetur, ose të durohen dhuna dhe dhimbja që i shkakton mosthënia, heshtja?

E di një fjalë prej guri, fjalë prej zjarri

Miku im, furi e saj lëkund malet

I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat

Nga ungurimë e bishës e nga vetima

E di një fjalë që ia them lumit e ndalet

Nga magjia e saj rritet bari mbi vorre.

E di një fjalë që ia them gurit e ndizet,

Nga urti e saj përherë na janë plakë etërit.

Te ky poet kënga, poezia, nënkupton pasurimin shpirtëror dhe shqiptimin e botës së brendshme po dhe gjakimin e vetëdijesimit për arsye se mbretëria dhe forca e fjalës poetike është e pakufi.

Azem Shkreli ka besim në fjalën, por edhe i druhet asaj. Ajo, kur nuk thuhet, është tmerr, nga i cili as nuk vdiset dhe as nuk ka shpëtim.

Poezia është gjak i penës, që thuhet kur trishtim paqja do. Poeti e thotë me vetëdije se furi e saj lëkund malet, I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat, por E di një fjalë që ja them gurit e ndizet. E kur rrethanat diktojnë që fjala të frenohet, të heshtet, atëherë mbase s’ishte fjala, ishte heshtja hymën, prandaj atë që po digjet ndër vargjet e mia / e fshihni nën gur.

Sipas tij poezia i përngjan ujit dhe zjarrit ose gurit të ndezur; ajo është mendim i tokës, ku mund të përgjaken fushbetejat e bardha.

Në kohë të gabuar, siç thotë ai, poezia është gjëmë dhe vetëtimë, prandaj ka vetëm një rrugë: kohës sonë fjalët / do t’ia ngulim thumba. E kur koha e pa kohë bëhet më e padurueshme, më e rëndë dhe më e shëmtuar, poeti nuk përmbahet.

Ja dhe fjala na la përgjithmonë po arratiset fjala (…)

Në mbeçim pa fjalë paj s’ka shëmtim që s’na ka hije.

 

Azem Shkrelit bën objekt trajtimi qenien dhe qenësinë e botës sonë në rrjedhë kohore; ai i ngrit dhe i shpreh faktet poetike mbi qëndresën, mbi pësimin e mbi tragjiken. E kaluara me të tashmen ndërlidhen e gërshetohen nëpërmjet diagonaleve, por përqendrimi kryesor është koha kur vepron e jeton poeti, që në disa raste merr vlerën sakrale, mitike. Ai kërkon, Meqenëse erdhëm veç të ndërrohen gjeneratat, që secili brez, secili individ të dëshmojë veten në kohën e vet (dhe në botën e vet) nëpërmjet frytit konkret për ta forcuar e bërë më madhor vijimësinë e ekzistimit e të pasurimit të kësaj qenieje e të kësaj qenësie.

Pikërisht qenësia e këtij fryti, domosdoja e pasurisë shpirtërore e përshkon fund e krye poezinë e Shkrelit. Ai nuk çmon asgjë më të shenjtë sesa t’i falet e të gjunjëzohet para madhështisë së njeriut të tij.

… Unë bie n’dy gjunjët e i falem

Madhërisë sate që na ruan bimën nga brymët

Urtinë, qëndresën, krenarinë e këtij njeriu, të trashëguar e ruajtur me shekuj, poeti ynë e ngrit deri në rrafshin mitik, në qenësi mitike.

Kishim pasë qenë dikur lart ku s’shihet as s’preket

E i kishim pasë trembur heshtjet me zjarr e me rrufe,

Pastaj n’at farë mbretrie duek bërë gjith si na teket

T’gjitha gratë e yjve kishin mbetur shtatzëna me ne.

Poeti e urren atë që brenda kohës së vet jeton pasivisht, lëshohet në “lumin” e heshtjes ose shpëtimin e kërkon në harrim. Mirëpo, koha kur ai jeton, kur e krijon fjalën poetike, është kohë e pa kohë, prandaj edhe gjërat që ndodhin brenda saj janë të tilla, të pakohë, të papritura, të liga.

… kjo s’është kohë është tjerrë

e kaltër e ardhjes, afrim i paprekur dhe flok

flok i bardhë i luleve që rriten tinëz nga

droja e bukuria, kjo s’është kohë, është dritë

dritë e ndezur njëherë në fund të mendimit

Duke shfletuar dhe shqiptuar botën e njeriut tonë në thellësi, duke krijuar një imazh tronditës të gjallimit të tij në kohën konkrete, të ballafaqimit me të keqen, me të papriturën, poeti thotë Fati i marrë heret na mori n’thua dhe Kishte koha ethe, kishte koka frymë.

Në mënyrë të veçantë poetin e shqetëson çasti i ekzistimit. Koha e tillë ka bërë të mundur shprishjen e të menduarit dhe të veprimit; ajo është inkarnim i kafshës së zezë, i vjeshtës së vejë, i hutinit të zi, i korbit, i ogipogës.

Rrjedhojë e një kohimi e gjallimi të këtillë është se dikush e mbolli “lulen e ligë”, e mbolli mes zërit e pabesisë, “hodhi gurin e fshehu dorën”.

… e tha urre e rritu lule

e ligë mes njerzish, s’e patë si e nguli për

jetë jetërash mes nesh, si e fsheu dorën

e zezë nag bota e tha urre e rritu…

… e tha dikush e mbolli

Poeti është i shqetësuar dhe i brengosur për atë që ndodh në kohë e tij, që i përngjet natës, ashtu siç e përbëjnë natën hutinët, kafsha e zezë, ogipoga, për arsye se është Loja pak e trishtë pak e trishtë bota. Të gjitha këto kanosen ta rrënojnë drejtpeshimin shpirtëror e mendor.

Koha nuk është fatkeqësi vetëm për njerëzit, por edhe për gjësendet; terri i saj struket kudo: është futur në mure, mes librash, është futur në rafte.

Natyrisht më së shumti pëson vetë poeti; hutini i zi ia fle mendimet, i merr gjak pas thoit, e djeg në turrë drush.

Cili je ti hutin i zi që më këndon natën

që më zgjon të bukur e të marrë, cili je ti

hutin i zi që m’i fle mendimet me

krahun e mëngjër, e më shpall mëkatën, e

më djeg mbi turrë…

që më kërrok ashtu nëpër eshtra, ti që

më këndon natën e më merr gjak pas thoit…

Kjo gjendje e nderë e bën poetin më të mëdyshtë, ia shton pezmin e frikën, të thuash, e tmerron; ia turbullon mendimet dhe veprimet. Zjarri i fjalëve (për t’i thënë, për t’i vënë në varg e në poezi) është shkatërrimtar. Poetit nuk i rrinë fjalët në varg, nuk ia kanë besën, as kohës kur duhet të lindin, as funksionit që duhet të bëjnë: Fjalët janë bërë thnegla / janë bërë zjarr, ndërsa macja e verdhë / tërë natën po më bredh mendimeve.

Shqetësimi synon të arrijë kulmin, përmbajtja- qëndresa është në kufirin e rrënimit, protesta bëhet e furishme, rrënuese.

… pis oj kafshë

e keqe, pis oj orë e ligë, se për tënzonë

për tënzonë korba do t’më dalin nga fjala…

Poezia e Azem Shkrelit nuk është vetëm shqiptim poetik i problemeve të botës sonë, nuk është këngë e tragjikes ose këngë e përvajshme; ajo s’është as këngë për mëshirë, këngë e falimentimit, por është këngë artistikisht e ngritur, që nënkupton mospajtimin, protestën kundër një gjendjeje të tillë e kundër shkaktarëve të saj; në qenësinë e vet ajo është këngë për qëndresën, për flijimin, për fatmirësinë e për krenarinë. Me ngulm poeti shqipton domosdonë e një të tashme dhe një të ardhme, sepse, siç thotë poeti, fundi është i fundit, na duhet fillimi, në mënyrë që ta mbushë kupën plot e të pijë e ta jetojë / pak (edhe) Pren Pali të vetën.

Ajo që e bën këtë poezi të vlefshme dhe origjinale është gjuha, sidomos gjuha poetike ngritur brenda një sistemi mjaft të zhvilluar të antitezës, që realizohet duke filluar nga sintagmat e deri tek tërësitë më të mëdha. Kjo kushtëzoi një shumësi kuptimore herë-herë të pafund, një nëntekst shumë të pasur poetologjik, që rrallë e ndeshim në poezinë tonë.

Togfjalëshat poetikë (gjëmimi i shurdhër, e vetmja dritë e errët, të mirat marri të bukura, zjarr në shtizë, ngjyrë e trembur, ngjyrë të korbët, bukuri e mllefur, pendimi harrimurtë, mizat e zeza nga gjaku, amshimi i verdhë, me rilinden për dhunë) ose vargjet mendimi është bar nga i cili s’ka shërim plaga; vjeshtë e vejë që më flinje shterpë me shenjtër; Kishte koha ethe, kishte koka frymë) sa synojnë pavarësinë shprehëse kuptimore, po aq janë të ndërlidhura e në varësi me pjesët e tjera paraprake ose pasuese; ato krijojnë lidhje të shumanshme herë – herë të papritur dhe të pazakonshëm dhe rrezatojnë kuptime të shumta.

Azem Shkreli përdor vargje të ndryshme, qofshin ato metrikisht të përcaktuara, qofshin të lira. Në të dyja rastet ai dëshmohet mjeshtër i vargut.

Në vargun metrik e të rimuar, ai nuk bëhet rob i saktësimit të përpiktë rrokjesor, por i jep rëndësi ritmit e mendimit, ndërsa në vargun e lirë, sidomos kur është i shkurtër, si në “Këngë e dehur”, “Motiv pa qiell”, “Vdekja e malsorit” etj. teksti e shprehja janë fort të kursyera. Në vargun e lirë, që ka një strukturë e ritëm tjetër, siç ngjet në poezitë e llojit “Dritë e trembur”, “Kënga e mërisë”, “Lule e ligë”, “Lirikë për fjalën”, “Udhë e verbër”, “Pritje”, “Shënime natën 1-7”, poetësimi merr një përmasë më të theksuar e bëhet më i pasur; cilësohet me një vlerë më të qëndrueshme e më unike; fjala dhe frazeologjia brenda strukturës tekstore marrin forcë më të madhe shprehëse e kuptimore.

Vargu i shtjelluar në tipin e poezive që i përmendëm nuk lexohet lehtë. Thyerja teknike e vargut është dukuri mashtruese. Vargu (kur lexohet drejt) ka rrjedhë e ritëm tjetër nga thyerja teknike e tij. Në të vërtetë vargu kërkon përkushtim të veçantë për lexim, prandaj nuk është gjë e pazakonshme nëse secili do ta lexojë vargun sipas aftësisë së tij lexuese-receptuese. Shumë pjesë të vargjeve, sidomos foljet, i përkasin paralelisht edhe vargut pararendës, edhe atij vijues. Po kështu ngjet edhe me pjesët më të mëdha tekstore. Ndodh që disa vargje (si thyerje teknike-vizuele) duhet të lexohen si pjesë e pandarë, prandaj disa poezi, thënë kushtimisht, lexohen si disa pjesë (poezia “Shënime natën, 6”, përbëhet prej katër pjesësh të këtilla), që shkrihen e përbëjnë njësinë e mëvetësishme – poezinë.

Një strukturim i këtillë i tekstit dhe ritmikë e vargjeve dhe e tërësive më të mëdha kushtëzon që ato të lexohen në disa mënyrë. Poezinë e Azemit duhet ta lexojmë në pajtim me konceptimin shprehës kuptimor, në pajtim me mënyrën që shprehja, kuptimi dhe ritmi dalin më plotnisht, ku raporti mes fjalësh, fjalish e pjesë tekstesh është më specifik, më kushtëzues dhe më i ndërlidhur. Vetëm në këtë mënyrë poezia e tij shijohet dhe del në gjithë madhështinë dhe vlerën e saj.

Disa poezi të tipit që po i trajtojmë, që përbëjnë pjesën kryesore të kësaj poezie, duhet të lexohen me një ritëm të veçantë e me shpejtësi të caktuar, sepse po qe se ndalemi për një çast aty ku nuk duhet, ku ndërpritet ritmi natyror i sintaksës së lidhur dhe i vijimësisë së mendimit dhe i forcës së mesazhit poetik, atëherë s’do të jetë poezia që është, s’do të përjetohet struktura tipike e tekstit e natyrisht që do të bëhet ndikimi përkatës estetik. Me shkathtësi Shkreli ia ka dalë të krijojë një rrafsh të ngritur të realizimit të mesazhit artistik përmes vargjeve, që kuptimisht përplotësohen e kushtëzohen midis tyre, ballafaqohen ose krijohen mbi bazën e mospajtimit e të kundërvënies. Llojllojshmëria e këtillë e realizimit poetik i jep kësaj poezie atë vlerë e cilësi që kushtëzon një pasurim dhe një katarsë të njëmendët artistike, që është cilësi e artit të madh.

[1] Për veprën letrare të Azem Shkrelit kam botuar ndër të tjera: Elemente të letërsisë gojore në prozën e Azem Shkrelit. Në “Bota e re”, Viti VII, Prishtinë, n. 14, tetor 1975, f. 11; Figurshmëria metaforike. Në “Fjala”, Prishtinë, 15 janar 1978, f. 7; Krijimi poetik si dhimbë dhe katarsis. (Mbi poezinë “Në vend të përshëndetjes”. Në “Rilindja”, e shtunë, 15. V. 1982, f. 15; Poezi me konotacion të pasur poetik. Në “Rilindja”, e shtunë 6 maj 1989, f. 13; Poezi e vlerave kulmore artistike. Në “Rilindja”, 25 gusht 2001; Mbi krijimtarinë letrare të Azem Shkrelit. Në: “Jeta e re” nr. 2, 1991, f. 196 – 228, ribotuar në librin tim Veçanti ligjërimesh poetike. “Euro-rilindja”, Tiranë 1996, f. 44 – 85; Poetry with rich connotations. Në The Call of the Owl. Poems by Azem Shkreli. Translated from the Albanian by John Hodgson. Editor Anton Berisha. The Kosova Association of Literary Translators. Prishtinë 1989, f. 8 – 13. Shih edhe parathënien e tregimeve të autorëve shqiptarë të përkthyera në anglisht: The angry Could. (Re e mllefur). Anthology of Albanian Stories from Yugoslavia. Translated from the Albanian by John Hodgson. The Kosova Association of Literary Translators, Prishtinë 1991, f. IV – IX; Prefazione. Në Azem Shkreli, Parola di pietra. Poesie dal Kosovo. Antologia e prefazione di Anton Nikë Berisha, Traduzione e note a cura di Amik Kasoruho. Stilo Editrice, Bari 2005 dhe studimin monografik Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. Argeta – LMG, Tiranë 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok