18/05/2024

NGA NDUE DEDAJ

Akilin, tashmë 72-vjeçar, e takuam në Rrëshen, këtë fund qershori, në promivimin e një libri monografik kushtuar ungjit të tij, akadimist Mark Doçit, diplomuar në Itali, oficer karriere i ushtrisë kombëtare që nga fillimi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kishte ardhur t’i bashkohej nderimit që po i bëhej njeriut të votrës së tij familjare, pa i shkuar ndërmend se dhe ai vetë është nga ata njerëz të salvuar gjatë diktaturës, që meriton nderim nga bashkëkohësit.

Akili i “Iliadës” ishte heroi ake i Luftës së Trojës, një mit i tokës, i gjithi i mbuluar me  lavdi, kurse Akili ynë nuk kishte asgjë prej heroi mitik apo miti heroik, por goditja politike ndaj familjes së tij atdhetare e ktheu dhe atë në një personazh të absurdit.

Mbas mbarimit të teknikumit të minierave, Akili punon si teknik topograf në minierën e vogël të bakrit Kaçinar, ku dhe e kemi njohur aty nga mesi i viteve ’70, një djalosh me humor, që e donin punëtorët. Mirëpo në tetor të vitit 1977, bash kur kishte moshën për t’u bërë dhëndër, Akili u arrestua dhe dënua nga Gjykata e Mirditës, me 7 vjet burg, “për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor”. Në atë kohë qe dënuar politikisht me bujë të madhe dhe inxhinieri i kësaj miniere Devi Radhima nga Vlora. Minierë e vogël, por “gjueti” politike e madhe brenda galerive të saj, pasi qe dënuar dhe minatori Bibë Gera, me vjehrrin në Amerikë.

Sa i përket familjes së mirënjohur Doçi, arrestimi i radhës nuk ishte ndonjë gjë e “re”. Regjimi e kishte projektuar me kohë të gjithën për në burg. Si rrallë në ndonjë familje tjetër shqiptare, do të hynin në burg politik njëri pas tjetrit, katër – nga pesë djemtë e nacionalistit Pjetër Ndue Mardoçi, nga fshati Shebe i Kthellës, vëllezërit: Marku, Gjini, Ndoi dhe Pali (ky i fundit historian i njohur në Tiranë) dhe tre pasardhës të tyre, njëri ndër të cilët Akili. Jashtë burgut kishin mbetur vetëm gratë e familjes, ku më e moshura e “nuseve” të shtëpisë ishte e bija e Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjoni, që në muajt e fundit të Luftës pati mërguar politikisht në Itali.

Saga politike tronditëse e kësaj familje në zë është ende e pavlerësuar institucionalisht, kjo skicë modeste është veçse një kushtim për Akilin, që rininë ia mori nëntoka dhe të përspektivën burgu. U lirua me 1982, me amnisti dhe dërgohet minator në Kulme – Derven.

“Askush nuk më fliste, si të mos më njihnin, si të mos ekzistoja për ta, sa një ditë i them ungjit Mark: bacë, më ka shkue mendja me dalë matanë kufirit, pasi këtu s’kam asnjë shpresë… Ai, pasi më dëgjoi me vëmendje, ashtu i matur siç ishte, më tha: ti e din vetë, por, e para, nuk i asht besa se mund të dalësh gjallë përtej kufirit, mandej familja do të përfundojë dhe ma zi se sot, kështu që hoqa dorë nga arratisja…”

– Po nëntokë, kur ishe në turn, në galeri, a të flisnin? – e pyes Akilin.

– Të gjithë, pa përjashtim, edhe përgjegjësit, brigadierët, jo vetëm më flisnin, por më qëndronin afër, më ndihmonin, si të mos isha ai atje sipër tokës!…

Lexuesi gjykon vetë dhe nga ky detaj i rrallë, se tjetër ishte regjimi dhe tjetër njeriu, qoftë ai dhe i veshur me pak pushtet. Partia vërtetë kishte sy, por ja që nganjëherë ata nuk e “shihnin” nëntokë atë armikun e mbitokës…

Them se ai Akili i mitologjisë homerike do t’ia kishte lakmi qendresën morale këtij Akilit këndej…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok