06/10/2024

“Ndjesë” zotëri Vuçiq, na falni të “dashur vëllezër” serbë!- Pak ironi me realitetin!

0

Nga Enver Bytyçi

Ndjesë zoti Vuçiq, ndjesë ju të gjithëve, edhe atyre që janë në Hagë! Njëzet e katër vite ju akuzuam se ju, pra shteti, ushtria, policia, presidenti, ish-presidentët, qeveria, ish-kryeministrat, kisha dhe akademia serbe bëtë gjenocid kundër shqiptarëve në Kosovë. Ndjesë për këtë! Ju thamë se asgjësuat 14 mijë shqiptarë. Madje ua numëruam edhe kufomat e 1432 fëmijëve shqiptarë, të cilët thamë se i shkuat në thika e në plumb, apo i bëtë shkrumb e hi në zjarret që ndezët në fshatrat e qytetet e Kosovës! Gati një çerek shekulli po ju akuzojmë se dëbuat nga trojet e veta një milion shqiptarë. Ndërkohë që dhe vetë kemi harruar se çfarë ka ndodhur me ne në atë eksod biblik! Se bota po e po! Kemi ngrit zërin edhe për 20 mijë vajza e gra të përdhunuara, apo për 80 mijë objekte dhe shtëpi banimi të shqiptarëve të djegura e të shkatërruara.

Na falni zoti Vuçiq. Na falni o vëllezërit tanë serbë! Ju kemi shqetësuar shumë me këto akuza monstruoze. Të gjitha këto kanë ndodhur. Ndoshta edhe nuk kanë ndodhur, sepse ka jo pak prej nesh, shqiptarëve, që bëjmë thirrje t’i harrojmë ato kohë! Megjithatë nuk zhbëhen më. Janë mijëra nëna, baballarë, vëllezër, motra, gra, që vajtojnë ende sot pas një çerek shekulli, sepse nuk dinë ku i kanë varret dhe eshtrat e njerëzve të tyre të dashur! Dhe ju akuzojnë ju zoti Vuçiq e ju o vëllezërit tanë serbë për atë se ju paskeni ngarkuar kufomat e njerëzve të masakruar në Kosovë dhe i keni shkarkuar në lumin e Danubit, për të zhdukur gjurmët e krimit tuaj! Fake news! Ato kufoma ishin vetë fajtore që pranuan të hypin në kamionët tuaj e të zhdukeshin në varreza masive të fshehura. Ata njerëz të masakruar u transportuan nga Kosova në Beograd, Danub e Sava! Megjithatë ndjesë se po ju shqetësojmë shumë me këto akuza.

Eh sa shumë faje e krime kanë bërë shqiptarët kundër serbëve. I thanë Martinoviqit fute shishen në prapanicë dhe gjakosu me të! S’patën mëshirë! E ndoqën Ibrahim Rugovën në lëvizjen e fuqishme për liri, pavarësi e demokraci. Gabim! Se ju lënduan ju! Çfarë është liria, pavarësia e demokracia para parajsës që ofronit ju me polici, ushtri, burgje, pranga, tortura, largimin nga puna, mbylljen e universitetit dhe shkollave shqipe, helmimin e nxënësve, vrasjen e ushtarëve shqiptarë, me mbylljen e televizionit dhe mjeteve të informimit në gjuhën shqipe?! Turp për shqiptarët që nuk pranuan civilizimin tuaj e të Milosheviçit për parajsën e lartpërmendur! Nuk duhej ta bënin!

Por ne duhet të kërkojmë ndjesë edhe për luftën e UÇK-së. Pse duhej që ajo t’i mbronte familjet shqiptare nga vrasjet, dëbimet, djegiet, shkatërrimet, dhunimet e ushtarëve, paramilitarëve dhe policëve serbë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë?! Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhej të ulte kurrizin dhe t’ju priste në kullat e shqiptarëve me festë masive! Ju ishit të papamë dhe origjinalë në ato që po bënit me shqiptarët! Ishit krijues, sepse kishit hartuar memorandume e programe pa fund për ta ushtruar detyrën tuaj atdhetare me shqiptarët!

Në fund të fundit ne duhet të kërkojmë ndjesë ndaj jush i dashur Sandër dhe të dashur vëllezërit tanë serbë, sepse ju bëtë atë që donit dhe që duhej për vendin tuaj. Jo duheni përshëndetur për guximin e madh që kishit dhe keni, për ta vrarë fëmijët tuaj me qëllim që për këto vrasje të akuzoni shqiptarët! (Rasti Panda). Nuk mund t’ua hamë hakun. Jeni unikë edhe në këtë aspekt! Njerëzit e zotë si ju sajojnë rrena e mashtrojnë në emër të kombit! Madje e kthejnë botën përmbys në histori e në aktualitet! Dhe meqenëse jeni kaq të zotë, ne shqiptarët duhet t’ju kërkojmë ndjesë. Sepse zotësia nuk dënohet!

Por ne duhet t’ju kërkojmë ndjesë edhe për një gjë shumë të rëndësishme. Ju nuk i kurseni paratë për të na i blerë ne shqiptarëve liderët, analistët, gazetarët, drejtuesit e shoqërisë civile, radiot, televizionet, port’halet, politikanët dhe për t’i përdorur ata po kundër nesh! Ndërkaq ne e urrejmë, e godasim fort, e izolojmë, e tallim, e përbuzim dhe e poshtërojmë atë që e do atdheun. Ne themi se „atdhetarët janë njerëz naivë“! Budallenj d.m.th. Ju i nderoni. Ti Sandër i dashur, p.sh, i ke dekoruar të gjithë ata që kanë kryer aktet e mësipërme në Kosovë. Ne jo! Ne themi „Qe ky po na hiqet patriot“! Dhe e adresojmë patriotizmin te droni që ju vetë sajuat në stadiumin tuaj, te flamuri, te monumenti i Skënderbeut! Shkurt ngopemi me simbole!

Ndërsa ju i përdorni simbolet jo thjesht simbolikisht. I përdorni për ta homogjenizuar popullin serb dhe për ta mobilizuar si tani në veriun e Kosovës kundër shqiptarëve. Ja p.sh. sot më 28 qershor sërishmi po dëshmoni atë që bënte Milosheviçi në vitin 1989! Ndërsa ne? Ne na zgjat patriotizmi i simboleve tri ditë, se pastaj duhet të mësohemi me skandalet qeveritare! Prandaj dhe ju kërkojmë falje. Ndjesë që politikanët tanë i pranojnë dhuratat tuaja të florinjta pa u menduar dy herë dhe ju dëmtojnë ju në arkën e shtetit! Ju sakrifikoni nga taksat tuaja që t’i bëni të lumtur politikanët, analistët, mediet, liderët tanë, të cilët në ditë të vështira kapen pas koqeve të kalit të Skënderbeut!

Ndjesë i dashur president i Serbisë! Ju kemi keqkuptuar kur kërkuat që për 1 serb të vriteshin 100 myslimanë”. Ju kemi akuzuar kot kur së bashku me Shejshelin kërkonit që liderët e Kosovës, përfshirë dhe Rugovën, të infektoheshin me virusin e SIDA-s. Ju keqinterpretojmë kur ju kundërvihemi pse ju mbroni edhe sot Milosheviçin dhe bëni thirrje për të marshuar me ushtri kundër Kosovës! Të gjitha këto janë fantazma që shohim. Nuk ishit ju ata që dhunuat ushtarët e KFOR-it, gazetarët e policët e Kosovës! Nuk jeni ju ata që u digjni makinat serbëve që pranojnë shtetin e Kosovës! Ne ju akuzojmë kot!

Në fund të fundit pse duhet t’ju akuzojmë ju, kur edhe kryeministri i vendit tim përdor të njëjtën gjuhë si ju, kundër Kosovës dhe ju merr në mbrojtje edhe në samitet euro-atlantike?! Na falni për të mirën e Kosovës! Sepse ju të dy, pra ti dhe Rama, mendoni vetëm për të mirën e shqiptarëve e të Kosovës! E ndërsa ju bëni gjithçka për të mirën tonë, ne ju keqkuptojmë, ju kritikojmë, ndonjëherë edhe me revoltë! Gabim! Gabim i madh është ky!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok