PO ME MALËSORË Ç’KINI?!
Edhe unë, malësor jam!
Nga Frank Shkreli
Këtë javë, në Parlamentin e Shqipërisë, Kryetarja, Zonja Elisa Spiropali iu drejtua deputetit Frrok Gjini, që siaps lajmeve zuri foltoren pa u thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, me këto fjalë: “Për çfarë e kërkoni fjalën? Apo edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin fjalën vetë…”. Dua të them prej fillimit se unë – në asnjë mënyrë — nuk e aprovoj mënyrën se si sillen parlamentarët shqiptarë në sesionet zyrtare. Nuk ma merr mendja se parlamentarët shqiptarë, po ta shikojnë veten në pasqyrë, e ndjejnë veten krenarë me sjelljet e tyre gjatë këtyre tre dekadave të ashtuquajturit “tranzicion demokratik”– qofshin ata të opozitës apo të pozitës. Ky është një problem institucional me të cilin duhet të merren instancat e Kuvendit – por grindjet politike dhe përleshjet fizike në parlamanet nuk janë problem as faji i “malësorëve”, as si grup, as si krahinë.
Fjalët e Kryetares ishin të nxituara dhe të pa vend. Thuhet se Albert Einstein ka thënë se po të kishte një orë kohë për të zgjidhur një problem, atëherë ai do të shpenzonte 55 minuta duke menduar për problemin dhe pesë minuta do mendonte për zgjidhjen e problemit. Kjo thënje më kujtoi edhe fjalët e gjyshit tim malësor: Mendo tri herë e fol një herë, bir!
Pyeta veten kush mund të jenë “malësorët” në Kuvendin e Shqipërisë, që shkaktojnë ka shumë “sherre”, në organin më të lartë legjislativ të shtetit shqiptar, sipas Kryetares së Kuvendit!? Nuk dij, por nëqoftse ka ndonjë deputet që e mban veten malësor, nuk besoj se flet dhe sillet në emër të gjithë malësorve, kudo që janë. Nuk besoj se është, as më i mirë as më i keq, sa i përket grindjeve e konfliktualitetit midis deputetve — se të tjerët që përfaqësojnë krahina të tjera të Shqipërisë — për aq sa kam parë e dëgjuar nga zhvillimet e punimeve të Kuvendit shqiptar, këto tre dekada, “demokraci”. Thashë me vete, po mund të ketë ndonjë malësor që ndërpret punimet e parlamentit në Tiranë, po ç’faj kanë të shkretët malësorë të përhapur anë e mbanë Shqipërisë e trojeve shqiptare, përfshir ne në mërgim, për një akt të një personi në Kuvendin shqiptar, që shkaktoi një reagim të tillë përgjithsues nga Kryetarja e Parlamentit. Po, ç’faj kanë sot malësorët që të përgojohen për keq dhe të ofendohen si grup e si krahinë në Kuvendin e Shqipërisë, sikur ata nuk kanë halle të tjera të mbijetesës, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë pa dallime politike, feje a krahine? Se ne shqiptarët, pa dallim, përpiqemi të mbrojmë dhe të ruajmë bashkjetesën fetare e krahinore dhe t’ia tregojmë botës si një prej vetive tona që shumë pak popuj gëzojnë vlera të tilla kombëtare. Larg duart nga përçarjet krahinore!
Më duhet të them se u zhgnjeva për së tepërmi kur lexova këtë lajm e që më la një shije të keqe në gojë! Dallime të tilla, krahinore me qëllim ose pa qëllim dhe një diskurs i tillë politik, nuk kanë vend Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë që malësorët, në përgjithësi, si persona, grup e krahinë po ofendoheshin në trupin më të lartë legjislativ shqiptar, si njerëz konfliktual që nuk nderojnë as nuk zbatojnë rend as qetësi – qindra malësorë të tjerë nga të gjitha trojet dhe nga mërgimi – ishin mbledhur në Tuz të Malësisë së Madhe për të përuruar Monumentin madhështor kushtuar të Përgjithmonshimit, Heroit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe — Frank Shkreli: Përmendorja e Gjergj Kastriotit. Skënderbe në Tuz të Malësisë së Madhe -Mbrojtësit t’Atdheut e të Qytetrimit Europian | Gazeta Telegraf – Atje përball Malit të Deçiqit ku legjendari Ded Gjon Luli më 6 prill 1911 ka ngritur për herë të parë në 500-vjet pushtimi otomano-turk, flamurin e Gjergj Kastriotit –Skenderbe – një vit para se të valvitej flamuri në Vlorë me 12 Nentor, 1912. Ditën që malësorët në Tuz zbuluan shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbe – simbolit të bashkimit kombëtar – rastësisht lexova në disa portale se atje nuk kishte asnjë përfaqsi atë ditë në Tuz – sado të vogël – as nga Tirana, as nga Prishtina zyrtare.
Më duhet të jem i sinqert se unë nuk njoh shumë deputetë malësorë të Kuvendit të Shqipërisë. Ata edhe mund të jenë ndryshe nga malësorët që kam njohur e njoh unë. Por edhe po të ketë të tillë, gjë që nuk e besoj, përgjithsimet kurrë nuk janë të mira. Janë fals, ka thenë Mark Twain. Malësorët që kam njohur unë jo vetëm në vendlindje, por dhe rrugëve të mërgimit –gjatë më shumë se 50 e sa viteve, kanë qenë malësorë të “logut të kuvendit”, kur të gjithë në ato kohë, flisnin dhe jepnin mendimin në takime. Por, ama, kishte rregull, rregulla tradicionale që nuk shkeleshin – një nder to ishte të flisnin me rend, të dëgjoheshin të gjithë dhe të mos ofendohej askush.
Këta ishin malësorët që unë kam njohur gjatë jetës time – dhe nuk do të ishte keq që edhe brezi i sotëm i shqiptarëve t’i njihte ata si i njoh unë. Ose të dinte pak më shumë, ashtuqë të mos përgjithësohen gjërat. Malësorët si shqiptarë, protagonistë të Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, janë malësorët që, kryesiht, kam njohur unë.
Po i kërkoj ndjesë Ernest Koliqit pasi po parafrazoj një artikull që kam lexuar kohë më parë prej tij ku ai shkruante për malësorët e Malësisë së Madhe se ata përparimin dhe lirinë e kanë dashur dhe e duan, por jo në shkëmbim të humbjes së lirisë. Se ndoshta mund të mos ketë ndonjë popull në Evropë si shqiptarët e Malësisë së Madhe që e duan lirinë si ata, që plotësimin e nevojave të tij, si popull, e gjënte në liri. Rrobat e malësorit, zhele-zhele valviteshin si flamur i grisur në luftëra shekullore, për të ruajtur nderin dhe lirinë – lirinë e vet dhe të fisit.
Pasi po flasim për “malësorët”, Albanologu i njohur Robert Elsie ka shkruar një libër siç kanë shkruar edhe të huaj të tjerë për malaësorët dhe Malësinë e Madhe. I ndjeri Robert Elsie, në librin e tij të fundit, profilizon fiset dhe bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe — Frank Shkreli/ Robert Elsie: Fiset e Shqipërisë | Gazeta Telegraf, si, Hoti, Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Gruda, Trieshi, por pa përjashtuar fiset e bajraqet e krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Malësisë së Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së Mirditës, zonës së Matit e të tjera. Ai i cilëson këto fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si tepër të veçanta në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i “Vetmi shembull i vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në mesin e shekullit të 20-të”.
Megjithëse këto krahina, mbeten edhe sot më pak të zhvilluara dhe si rrjedhim malësorët po detyrohen të largohen nga kullat e tyre, jo vetëm në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth saj, Sir Noel Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar në parathënie të librit “Fiset e Shqipërisë” të Robert Elsit, se “Ishin këto fise — të cilat megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin Osman, por pothuaj kurrë nën kontrollin otoman – përbënin bazën për identitet shoqëror, për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.
Siç tregon edhe mbiemri im, unë jam malësor krenar, pjesëtar i njërit prej këtyre fiseve (Shkrelit) që sipas eskpertit britanik Sir Noel Malcolm janë përpjekur që gjatë shekujve të ruanin identitetin shoqëror të shqiptarëve dhe drejtësinë vendore, por pa u trembur nga sfidat as nga veprimtaritë ushtarake gjatë shekujve.