PLISI I BARDHË- BARDHËSI SHPIRTËRORE SHQIPTARE
Reportazh nga manifestimi mbarëkombëtar ”Dita e Plisit” në Mitrovicë-Boletin.
NGA TAHIR BEZHANI
Kulla Muze e Isa Boletinit.
Dita e shtunë ishte ditë feste në Mitrovicë. Te shtatorja e Heroit të Kombit,ishin tubuar disa dhjetra vetë nga gjithë hapësira shqiptare,te cilëve mbi kokat e tyre,si rreze dielli,u shkëlqenin plisat e bardhë. Kishte mysafirë të veshur me veshje kombëtare nga krahinat e ndryshme të vendit. Para shtatores së Isa Boletinit ishte një gjallëri e paparë,ishte një festë vërtetë mbarëkombëtare. Njerëzit e pendës ,të gëzuar, përqafoheshin mes veti si të ishin vëllezër të një shtëpie, si kur vijnë nga kurbeti,përmallshëm….Të gjithëve u bëhej se po u buzëqeshte fytyra e heroit Isa Boletini,i cili luftoi tërë jetën e tij për bashkimin e trojeve shqiptare.
Te përmendorja e Isa Boletinit ne Mitrovicë.
Kunora e lule mbi shtatoren e Isa Boletinit ne Mitrovicë
Isa Boletini, dje në Mitrovicë-Boletin, ishte pjesë e zemrave tona. Na bëhej se po e dëgjonim zërin e tij, kushtrimin për bashkim të tokave tona. Ai fliste dje,na mësonte historinë e thoshte:”s’ka besë kurrë me shkja!….” Në Kullën e tij, na dhanë edhe ushqime. Nuk bën thanë pasardhësit e Isa Boletinit, te delet nga këtu pa ngrënë një kore bukë e krip. “Fol Baca Isë! “-thanë në Mitrovicë, para shtatores së heroit kombëtar Isa Boletini,ku ishte një organizim i shkëlqyer,falë dy burrave të mirëfilltë të kulturës sonë,por edhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Halit Barani,një personalitet i njohur, i ofrohej secilit pjesëmarrës me buzëqeshje dhe shtrëngim dore ,plot gëzim e bujari. Së bashku me ideatorin e Festës së Plisit, zotëri Ismet Krasniqi-Lala, sipas protokollit të paraparë,të pranishmit vunë kurorë e lule dhe nderuan heroin e kombit,dhe me një minutë heshtje i dhanë nderime .
Ky manifestim ka edhe historikun e tij të lavdisë. Filloi nga viti 1014 në shtëpinë Muze të krijuesit nga Klina,Gjon Gjergjaj, pastaj vijoi rrugëtimin në disa vende tjera të Drenicës e jo vetëm. Krijuesit nga Klina,me ideator Ismet Krasniqi-Lala,të mirënjohurin Prend Buzhala, krijues i spikatur, Idriz Berisha etj, me punën e tyre të palodhur, bënë që ky manifestim të bëhet krenari kombëtare. Po vazhdon suksesi…..
Në Boletin ishte madhështia…..
Organizimi i vajtjes nga Mitrovica në Boletin ishte organizuar me autobus. Me të mbërritur në këtë vend të shenjtë,shumëkush për herë të parë,të ndalonte hapin ajo kurorë malesh rreth e rreth,me ato bukuri te rralla,me ato xixëllima gurësh prej ari,të cilët ishin e mbeten lakmi e çdo armiku nëpër shekuj.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z.Agim Bahtiri, duke përshëndetur të pranishmit.
Përshëndetja e ideatorit te manifestimit,z.Ismet Krasniqi-Lala,në shtëpinë e Isa Boletinit.
Hapja e manifestimit nga ana e Halit Baranit,ne Boletin.
Karvani ngjitej përpjetës drejt kullës. Para hyrjes, një radhitje burrash të moshuar,të buzëqeshur, me dorë në zemër,sipas traditës, na pritnin e na dhuruan “mirëseardhje”,duke na dhënë dorën secilit nga ne. Në mesin tonë kishte edhe femra,krijuese te njohura,artiste,dashamirë të artit e kulturës. Sapo u futem në oborrin e kullës së Bacës Isë,një masë e madhe “mësyu” varrin e trimit dhe varrin tjetër familjar,për të bërë fotografime. Qëllimi që krenaria të jetë pjesë e jetës dhe e lavdisë.Pas pak minutash filloi ceremonia,aty brenda Kullës së Botelinit. Ishte ora 11,15 kur brenda hyri ideatori Ismet Krasniqi,i cili mori fjalën dhe u shprehi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në Odë.
Moderatori i shkëlqyer,Hysni Syla,pasi falënderoi ideatorin Ismet Krasniqi-Lala,fjala për hapjen e këtij manifestimi ia dha të palodhshmit,Halit Barani,i cili shpalli të hapur Manifestimin mbarëkombëtar”Dita e Plisit”. Pas hapjes së kësaj ceremonie,fjalën e mori kryetari i Komunës së Mitrovicë,z.Agim Bahtiri, i cili me fjalë të zgjedhura enkas, fjalë të zjarrta,përshëndeti të pranishmit dhe iu uroj suksese në këtë rrugëtim sa fisnik, aq kombëtar.
Pasardhësi i Isa Boletinit,z. Gazmend Boletini,duke përshëndetur të pranishmit.
Në këtë foto: ne mes shihet Mulla Asllan Murati, Imam i Mitrovicës i cili ruajti kohë të gjatë eshtrat e heroit kombëtar,Isa Boletini.
Një përshëndetje e veçantë e simbolike, e mirëpritur, ishte edhe fjala e pasardhësit të familjes Isa Boletini z. Gazmend Boletini. Me fjalë të zgjedhura përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falënderuar për prezencën në truallin e Boletinëve. Me duartrokitje u prit fjala e tij.
Karvani i manifestimit te Dites se Plisit,drejt Kullës Muze të Isa Boletinit.
Kumtesat, pikat argëtuese, fjalët përshëndetëse nga pjesëmarrës nga gjitha trojeve shqiptare,nuk munguan si pjesë e këtij organizimi .Kumtesa të spikatura gjatë këtij manifestimi lexuan disa figura eminente si prof. Dr.Jahja Dranqolli, prof. Fazli Hajrizi etj. Nuk munguan dhuratat e mirënjohjet për punë të suksesshme.
Te varri i Isa Boletinit ne Boletin,nga e majta,mulla Asllan Murati,T.Bezhani dhe Idriz Bezhani.
Monologu për plisin,nga Venera Bojaj, ishte një veçanti nga pikat programore, e cila me interpretimin brilant,tërhoqi simpatinë e të pranishmëve,duke e duartrokitur gjatë. Nuk është hera e parë që kjo artiste e re,bën për vete masën gjatë recitimit te monologut. Të shkëlqyera ishin edhe pikat e programit folklorik nga këngëtari i mirënjohur Nazmi Hajdari e të tjerë,nga Mitrovica.Vallet e një grupi të rinjsh nga Mitrovica ishte tejet i pëlqyer. Kënga malësorçe u kënduar me shpirt të ndezur tradite….
Ndue Sanaj ,kryetar i Shoqatës atdhetare”Dukagjini” në Shkodër ,Kullës Muze” Isa Boletini”,i ndau Çmimin “Mehmet Shpendi”,të cilin e pranoi familjari,Gazmend Boletini. Njëherit mirënjohje edhe për z. Halit Berani,Ismet Krasniqi-Lala,Ndue Sanaj etj.
Pas gjitha këtyre veprimeve,ideatori i këtij manifestimi mbarëkombëtar, Ismet Krasiniqi-Lala,shpalosi programin për vitin 2019 dhe tha se ky manifestim do ndërrojë emrin dhe do të emërohet “Ditët e Plisit”.
Festa mbarëkombëtare”Festa e Plisit” dje në Mitrovicë e Boletin,me 27 tetor 2018, do mbetet në kujtesë të gjatë dhe do shënohet me germa lavdie në këto edicione të rëndësishme për historikun e plisit,si traditë dhe simbol i parë i shqiptarëve kudo në botë.
MITROVICE, 27 TETOR 2018