21/11/2024

Plejada e personaliteteve të shquara Arbërore në brigjet e Adriatikut Lindor dhe Perëndimor gjatë shek. XV

0

Nga Dr. Sc. Pajazit Hajzeri

Shekulli i XV, për popullin shqiptar ishte një goditje dhe fatkeqsi e madhe kombëtare. Fushatat luftarake shumëvjeçare të pushtuesve osmanë, rrënuan dhe shkatërruan gati çdo gjë në Arbëri. Pushtuesit osman dogjën dhe shkatërruan fshatra e qytete të lulëzuara, grabitën pasuritë e popullit, vranë njerëzit e pambrojtur, internuan dhe morën si skllavër shumë banorë të vendit. Si pasojë ndodhi një rënie e gjithëmbarshme ekonomike dhe një shkatërrim i madh i forcave prodhuese[1].

Me këtë rast shfaqet një dukuri e shpërnguljes së popullsisë në masë më të madhe. Një ndër zonat e rëndësishme të shpërnguljeve arbrërore ishte edhe treva bregdetare e Dalmacisë, që nga gryka e Kotorrit në jugë dhe deri në Pola e Istër në veri. Në këtë anë të hapur të Adriatikut lindor, të banuar dikur nga fiset ilire të liburnëve, dalmatëve, adrianëve etj., ashtu si edhe ndër ishujt e ndryshëm përballë, u vendosën mjaft arbresh gjatë mesjetës së parë dhe asaj më të vonë. Të shtyrë nga motive ekonomike, shoqërore dhe politike, ata shpërnguleshin kohë më kohë nga tokat mëm, duke marrë me vete gjuhën, doket, zakonet, vallet dhe veshjet e tyre kombëtare. Qendra më e lashtë strehuese e këtyre të mërguarve në këtë trevë duket se ishte qyteti i vogël i Raguzës[2].

Në shek. XV sidomos, në gjysmën e dytë të kësaj periudhe kur turqit pushtuan qytetet dhe krahinat veriore të Shqipërisë, vala e emigrantëve, mori përpara një ushtri të madhe fatmjerësh e cila përveç që u vendos në Italinë Veriore dhe në Venedik, një pjesë vendoset edhe në Dalmaci[3].

Afërsia me krahinat veriore të vendit si dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike me të, u dhanë shkas shumë qytetarëve që të emigrojnë pas pushtimeve turke të Shqipërisë, duke krijuar bashkësinë e tyre të përbërë kryesisht nga tregtarët, zejtarët, klerikët dhe arsimtarët. Por krahas Raguzës qendër e vendosjes së emigrantëve shqiptar ishte edhe Zara[4].

Sipas të dhënave që ruhen në Arkivin Hisrorik të Dubrovnikut, del se në fund të shek. XV në Raguzë jetonin shumë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria Veriore, si dhe nga qytetet bregdetare shqiptare. Sipas Nikollë Ranjinit, i cili, në gjysmën e parë të shek. XVI, në një anal të vet, paraqiti regjistrin e parë të bujarisë raguzane, vërehej se nga gjithsej 152 familje të bujarisë raguzane, dymbëdhjetë ishin me origjinë shqiptare[5].

Për refugjatët nga Arbëria, senati dubrovnikas që në korrik të 1388 debatoi[6], mirëpo vala më e madhe e shpërnguljeve, si në brigjet italiane, ashtu edhe në krahinat më veriore të bregdetit, si në Dalmaci, ishte pas vitit 1479, pas rënies së Shkodrës nën osmanët.

Por, krahas këtij stacioni të hershëm strehues, edhe Zara, kryeqytet i mëvonshëm i Dalmacisë, nisi të bëhej nga shek. XV, një qendër tjetër e rëndësishme e të shpërngulurve, stratiotëve, tregtarëve dhe zejtarëve, që vinin sidomos nga viset e pushtuara prej turqve. Nga kjo periudhë, në mes të këtyre të mërguarve të ndryshëm, dallohet siç dëshmojnë burimet arkivore, edhe grupi i vogël arbëreshas i grumbulluar rreth kishës katolike që drejtohej nga ipeshkvi arbër, Johan Korona[7].

Personalitete të shquara arbërore të kulturës dhe shkencës

Arbëria, për hir të vendosjes së saj dhe shtriries gjeografike, ka qenë ndër shekuj pikë takimi e ndeshjesh, kombesh e kulturash të ndryshme. Vendosja e saj gjeopolitike ka përcaktuar situata me karakter politik e kulturor, duke qenë qysh në lashtësi kalim i detyrueshëm i Lindjes drejt Perëndimit dhe anasjelltas.

Zhvillimi i Arbërisë, qysh nga epoka klasike ilire, deri në prag të pushtimit turk, pasqyronte një zhvillim që nuk kishte gjë mangut kundrejt përparimit të vendeve kufitare, dhe që në disa raste kapërcehej në mënyrë të shkëlqyeshme, në pikëpamje teologjike, kulturore, shkencore e juridike, prej përfaqësuesve më në zë të viseve të ndryshme[8].

Për gjatë mesjetës në qytetet e Arbërisë, për hir edhe të marrëdhënieve tregtare që lulëzonin me vendet bregdetare të Mesdheut, një zhvillim të spikatur patën shkencat humanistike, sidomos në qytetet e Veriut të Shqipërisë, të drejtuara me statutet e veta, si Shkodra, Drishti, Ulqini, Lezha dhe Durrësi.

Si personalitete me vlerë u jepeshin shkëlqim e autoritet universiteteve të bregut italian të Adriatikut, ndër të cilët shquhej ai i Padovës[9], duke lënë gjurmë të pashlyeshme me praninë e tyre, përgatitjen e kulturën humanistike.

Ndër përsonalitetet që do të përmendim në pika të shkurtëra, të asaj kohe janë:

Marin Beçikemi ose Marin Shkodrani

Marino di Scutari[10], – lindi në Shkodër rreth (vitit 1468 – 1526)[11] prej derës të Beçikemëve. Kur u rrethua Shkodra për të dytën herë prej Turqve, prindërit e dërguan Marinin ende të vogël në Ulqin, e prej andej dual me ungjit e vetë në Itali. Marini kishte mësues Gjon Calphurnius e Kristofor Barzizzio humanistë të mëdhenj të asaj kohe[12].

Mbas disa kohe Marini u kthye në Ulqin, këtu u martua me Katerina Debran, një vajzë shumë të bukur[13].

Pasi që e kreu shkollimin në Bresha, në vitin 1492 Senati i republikës së Raguzës, duke i njohur aftësitë e rralla dhe njohurit e tij nga gjuhë klasike, letërsia dhe retorika, e ftoi për profesor dhe e zgjodhi për rektor të shkollave raguzane. Marini punoi këtu për 10 vjet. Më pas punoi si sekretar i kryeadmiralit të Republikës së Venedikut Mellcior Treviranit[14].

Marini punoi si përfaqësues diplomatik i Venedikut në oborret mbretërore të Napolit e të Firencës. Në vitin 1502 filloi të punoi si profesor letërsie e gojëtarie në Breshnje të Italisë për 16 vjet. Më 1503 ka botuar në Venedik ligjëratën e tij, përmes së cilës përshkruan dy rrethimet e Shkodrës nga Osmanët[15].

Më 1519 u pranua si profesor në Universitetin e Padovës dhe punoi deri në vdekje. Ka lënë shumë vepra në gjuhën latine, ndërsa ligjëratat më të përmendura, janë ato mbi Anton Grimanin, Andre Grittin, Agustin Barbarigun, Leonardin etj[16].

Marin Barleti

Lindur në Shkodër, shërbeu si meshtar në famullit e këtij qyteti deri në vitin 1479[17].

Vetëm në vitet ’80 u zbuluan disa dokumente në arkivat italiane nga studiuesi i mesjetës Jahja Drançolli, që sollën fakte të panjohura[18]. Ato tregojnë se Marin Barleti kishte kaluar nëpër të gjitha shkallët e arsimit, kishte fituar titullin e lartë doktor shkencor i diturive teologjike dhe i së drejtës kanonike, dhe qysh në fund të shek. XV, para se të niste veprimtarinë botuese, ishte një

personalitet i njohur i jetës kishtare të Padovës dhe të asaj mësimore shkencore të Universitetit të atij qyteti[19]. Nuk është e sigurt por mendohet se Barleti ka lindur aty nga mesi i shek. XV (1450), se ka jetuar e vepruar gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli, se ka qenë djalë i ri kur vdiq Skënderbeu (1468). Mbas pushtimit të Shkodrës më 1479 nga Turqia, Barleti u vendos në Itali. Zgjodhi Romën për banim për vete. Në Romë shkroi tri vepra në gjuhën latine me rëndësi historike për Shqiprinë[20]. Veprat e Barletit, sipas rendit kronologjik, janë këto: a) “De absidion Scodrensi”, d.m.th. “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në Venedik më 1405 prej Bernardinus Venetus de Vitalibus, tipograf i njohur. Kjo vepër është ribotuar tri herë, më 1556, 1578, 1596.  b) “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të epirotëve”, e cila është botuar ndërmjet viteve 1508 – 1510[21].  c) Shkurtore mbi jetën e papëve [….] dhe perandorëve Romak […]. Marin Barleti mendohet të ketë vdekur aty nga viti 1512.

Nikollë Leonik Tomeu

Dihet se familja e Tomeut, i ati i cili ka lindur në Arbëri  “Nicolaus Tomaeus Epirota”, është shpërngulur nga atdheu në kohën e sulmeve osmane dhe është vendosur në Venedik në shek. XV. Shumë studiues mendojnë me të drejtë se origjina e familjes së Tomeut është nga zona bregdetare e Arbërisë, pra, nga krahinat që ishin pushtuar nga Venediku. Duke marrë parasysh traditën e moçme të shkencës dhe të arsimit, si dhe të kulturës në përgjithësi, në qytetet e Durrësit dhe Shkodrës, si dhe lidhjet reciproke të qyteteve në fjalë me Venedikun, jemi të mendimit se vendlindja e këtij burri dituror ose të prindërve të tij, duhet të jetë në njërin prej qyteteve të përmendura.

Sipas të dhënave që zotërojmë, saktësisht mund të konstatohet se humanisti ynë lindi më 1456. Vitet e fëmijërisë së bashku me vëllezërit e tij i kaloi në shtëpinë atërore në lagunat venedikase dhe të ungjit në Padova[22].

Në Venedik i mori mësimet fillestare, studioi greqishten e vjetër, latinishten, filozofinë dhe letërsinë e lashtësisë.

Studimet e greqishtës i vazhdoi në shkollën e D. Calcondilit, së pari në Padovë, më pastaj në Firence e Milano. Dy letra të shkruara me gjuhën greke nga dora e  D. Calcondilit dëshmojnë se Tomeu bashkë me vëllanë Bartolomeun, vepruan në Romë e Firence gjatë viteve 1485–1488. Tomeu ndërkaq në vitin 1485 me siguri kishte plotësuar kursin e studimeve të tij në Universitetin e Padovës, ku dhe u laurua për “in artibus” (“Filozof i mjekësisë”) [23].

Tomeu zë një vend të rëndësishëm në përkthimin e veprave të njohura, si dhe në zhvillimin e shkencave të mjekësisë në përgjithësi[24].

Në vitin 1497 në Universitetin e Padovës u caktua të ligjëronte tekstet greke të Antikitetit dhe udhëhoqi katedrën e filozofisë së mjekësisë. Përveç Antikitetit, Tomeu përktheu edhe veprat e Hipokratit dhe Galenit, të cilat u popullarizuan aq tepër në Padovë dhe qendra të tjera Universitare pikërisht në saje të përkthimeve të shkëlqyeshme që bëri humanisti ynë[25].

Përveç, përkthimeve Leonik Tomeu ka shkruar një sërë veprash origjinale, si: p.sh. “Dialogët” rreth temave të ndryshme filozofike, morale, historike, letrare etj., ose Aristoteli, Historia, Historia e jetës, etj. Leonim Tomeu vdes në vitin 1531[26].

GJON GJIN GAZULLI (1400 – 1465)

Lidhur me jetën dhe veprimtarin e Gjon (Gjin) Gazullit në analet raguzane, dhe arkivin e Dubrovnikut, një punë shumë të madhe e ka bërë edhe medievisti, profesori universitar dhe hulumtuesi shkencor, Prof. Dr. Jahja Dranҫolli, në librin e tij, Gjin Gazulli Astronom dhe Diplomat i shekullit XV.

Edhe pse Gjin Gazulli është pak më i hershëm se tre përsonalitetet që i përmenda më lart, këtë e lash për fund me qëllim të ndërlidhjes me temën e Sesionit Shkencor që po mbahet sot këtu  në Lezhë.

Sipas të dhënave që i gjejmë në Librin Reformation, të Arkivit të Dubrovnikut, pjesëtar të familjes Gazulli i gjejmë në Raguzë që nga viti 1301-1336. Mirëpo lidhjet e familjes së Gjin Gazullit me Raguzën datojnë nga fundi i shek XIV[27]. Gjin Gazulli lindi rreth vitit 1400 në fshatin Kukoli afër Lezhës[28] ose Gjadër të Zadrimes.

Arsyeja e shpërnguljes së Gjinit në Raguzë është se pasi mbaroi Shkollën Humaniste të Shkodrës shkoi për vazhdime të mëtejme atje. Raguza e asaj kohe qe një ndër qendrat urbane më të përparuara të Europës, me një zhvillim të gjithanshëm ku lulëzuan shumë artet dhe shkenca. Për këtë zhvillim të dhëna të mira na sjell edhe Marin Barleti në librin Historia e Skëndrbeut[29].

Gjini pasi mbaroi studimet në Raguzë shkoi në Padova të Italisë për studime të mëtejme. Ishte 25 vjeçar kur hyri në Universitetin e këtij qyteti. Pas pesë vjet studimesh ai mori titullin “Doktor Shkence”[30]. Në krye të dokumentit i cili ruhet edhe sot në arkivin e Padovas, shkruan; “Gini Gaxuli de Albania” gjë që konkludohet pa kurrfarë vështirësie për përkatësin etnike të tij.       Sipas një dokumenti që ruhet në Arkivin e Dubrovnikut dhe mban datën 26.III.1432, qeveria e Raguzës e kishte dërguar Gazullin në Romë, për të kontaktuar me mbretin hungarez Sigmund, që kishte ardhur në këtë qytet për të marr kurorën nga papa Eugjeni IV. Misioni i tij ishte që të bindëte Sigmundin që të angazhohej te papa Eugjeni IV, që të lejonte lundrimin e lirë të anijeve Raguzane në Adriatik, siç mund të lundronin venedikasit, gjenovezët dhe të krishterët e tjerë[31]. Gazulli i qëndroi afër mbretit të Hungarisë për muaj të tërë duke e shoqëruar edhe në udhëtimin e tij për Sienë të Francës, ku mbrritën më 11/07/1432 dhe qëndruan deri më 31/07/1432.

Për njohurit e tija, pregatitjen superiore dhe miqësin që kishte me oborrin mbretëror Hungarez, Gjin Gazulli shquhej si dijetari më i çmuar në oborrin e mbretit hungarez, edhe në kohën e mbretit Mathias Korvin, i cili e trashëgoi fronin nga Sigmundi. Mbreti Mathias Korvin në vitin 1459, i bëri ftesë përsonalisht Gazullit që të vizitoi oborrin mbretëror të Hungarisë.

Gazullin në fillim të vitit 1436, e gjejmë në oborrin e princit të Sllavonisë Matej Tallovec, me të cilin njihej nga viti 1423, përkatësisht nga koha, kur kishte shkuar në mision diplomatik për herë të parë në Itali.

Në vitin 1441, Gjin Gazullin prap e gjejmë në Itali, deri në vitin 1442, ku kthehet në Raguzë.

Gjin Gazullin në shumë dokumente që nga viti 1439 e deri në vitin 1451 e hasim me titullin (doktor i shkëlqyer) mësues në Raguzë.

Universiteti i Padovas e thërret më 1433, që Gjini të bëhej Pedagog i saj. Shumë shpejt Gjini u bë shef i katedres së matematikës – astronomisë. Tashmë ai që jo vetëm diplomat i shquar por edhe një pedagog i shkëlqyer. Raguza nuk hoqi dor nga thierrjet për ta patur të vetin dhe kështu me një vendim të posaçëm të Senatit, më 1439 atij i jepej shumë tokë, shtëpi dhe benifite të tjera. Gjini kthehet atje duke ngelur si pedagog i jashtëm i Padovas. Raguza e caktoi ambasador në Italinë e Jugut më 1446 për të marrë masa kundër piraterisë së italianëve në detin Adriatik.

I vëllai Pali qe rektor i Shkollave Humaniste të Raguzës. Vëllai tjetër Andrea qe Ambasador. Të dy vllëzrit e tij, pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë më 1443 u kthyen atje dhe u vunë në shërbim të Shqipërisë.

Gjini qe njeriu më i ditur i Raguzës, Humanist, Diplomat i shkëlqyer, orator i rrallë, linguist i madh, matematicient, astronim, klerik dhe menagjer shumë i zoti. Të gjithë përuleshin para tij, i bindeshin mendimit të tij, të gjithë e adhuronin këtë shqiptar të Madh nga Zadrima.

Më 1452 – 1462 Skënderbeu emroi vëllan e Gjinit, Palin ambasador të tij në Raguzë dhe pas vitit 1462 dërgoi Andrean, vëllain tjetër po ambasador. Nën diplomacin e Gazullëve Raguza u bë një aleate e Skënderbeut dhe i dhe një kontribut në ndihmë të tij.

Kur Skënderbeu shkoi për vizitë 4 ditore në Raguzë, e gjithë Raguza doli në rrugë për ta pritur, “Atletin Krisht”, “Shpëtimtarin e Europës”. Kjo klimë qe përgatitur nga vëllezrit Gazulli. Të tre vllëzrit për çështje madhore të Shqipërisë konsultoheshin midis tyre për ta përfaqësuar sa më denjësisht Mëmëdheun.

Më 19 Shkurt të vitit 1465 në Raguzë, Gjin Gazulli i mbylli sytë për gjithmonë. Në testamentin e tij që ua la dy ekzekutorëve shqiptar, Marin Ranji dhe Nikoll Tanushi, ai përshkruan hollësisht shpërndarjen e pasurisë së tij në vëllezrit Pal, Andrea dhe motër Lucia me nipër e mbesa. Fatkeqësisht ai vdiq beqar dhe nuk la pasardhës[32].

Pra, po e rikujtojm një gjeni të madh shqiptar të shekullit XV, i cili në atë kohë kur ai jetoi kishte arritur errësira osmane mbi tokat tona.

Ajo ҫka të bie në sy dhe të lë përshtypjen e një njeriu vërtet të madh siҫ ishte Gjin Gazulli, është lufta që bëhej ndërmjet shteteve të nryshme (Raguza, Roma, Hungaria, Italia, Krahina e Sllavonisë, etj), për ta përfituar për vete atë kolos të kohës duke i ofruar ofiqe, tituj, shpërblime, pasuri, duke e nderuar me pietetin më të lartë që i bëhet një njeriu të ditur. Vlerat njerëzore dhe humane të një dijetari të ndritur, janë vlerësuar me dashamirësi nga përsonalitete të larta si; mbretër, papë, princër, institucione të dijes universitete dhe shkolla e mbi të gjitha masa e gjerë e qytetarisë së lirë që e njihnin dhe kishin ndëgjuar për arbërorin Gjin Gazulli.

Dr. Sc. Pajazit Hajzeri

Kolegji UBT – Higher Education Institution,

Lagjja Kalabria,10000 Prishtine, Kosovo

{Pajazit Hajzeri, pajazit.hajzeri@ubt-uni.net}

[1] Zija Shkodra, Qytetet shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë, 1984, p. 91.

[2] Z. Shkodra, Arbreshët e Zarës në Dalmaci, Drita, 7 shtator 1980, p. 11.

[3] Ibid, p. 14.

[4] Ibid, p.  11

[5] J. Drançolli, Gjin Gazulli Astronom dhe diplomat I shekullit XV, Prishtinë, 1984, p. 9;  J. Drançolli, Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë mesjetës, Zagreb, 2008, pp. 125 – 126.

[6] Milan Shufflay, Historia e shqiptarëve të veriut, po. cit. p. 55.

[7] Z. Shkodra, Arbreshët e Zarës, p.11.

[8] Willi Kamsi, Shejtorja e Shkodrës, material nga interneti.

[9] Ibid

[10] R. Sokoli, 16 shekuj, Tiranë, mungon viti i botimit, boton Eurorilindja, p. 85

[11] Frang Bardhi, Skënderbeu, Shkup, 1968, p. 152

[12] J. Drançolli, Historia e Shkencës, p. 20

[13] Kolë Kamsi, Bota Shqiptare, nr. 3, Tiranë, 1943, XX, p. 523

[14] J. Drançolli, Një korrespondencë e Marn Beçikemit nga Venediku, Zëri, 5 prill 2008, p. 28

[15] R. Sokoli, op. cit. p. 85

[16] Hasan Hasani, Leksikon i Shkrimtarëve shqiptarë (1501-2001), Prishtinë, 2003, p. 55

[17] Kolë Kamsi, Bota shq. p. 523

[18] K. Biçoku, Portreti i Marin Barlecit dhe shqiptimi i mbiemrit të tij, in  Shkodra në shekuj,

Seminari i tretë ndërkombëtar, vëllimi I, Shkodër, 2000, p. 31

[19] Hasan Hasani, Leksikon i Shkrimtarëve shqiptarë (1501-2001), Prishtinë, 2003, p. 53.

[20] Eqerem Çabej, Bota Shqiptare, op. cit. p.533

[21] A. Hadri, Pasqyrë e Lëvizjes çlirimtare shqiptare n’epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1443

– 1468), Përparimi, Rev. Kulturore – shkencore, nr. 2, Prishtinë, 1968, p. 189.

[22] J. Drançolli, Koleksioni arkeologjik i Nikoll Leonik Tomeut, Koha Ditore, 26 janar 2008, p. 37

[23] J. Drançolli, Koleksioni, op. cit. p. 37

[24] J. Drançolli, Humanisti arbëror Nikoll Leonik Tomeu, pionier i stomatologjisë evropiane, Zëri, 24

shkurt 2007, p. 28

[25] J. Drançolli, Mjekët shqiptar të epokës së Skenderbeut, Zëri, 20 gusht 2005, p. 20

[26] R. Sokoli, 16 shekuj, p. 85

[27] J. Dranҫolli, op. cit. p. 12.

[28] Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, Mynih, 1970.

[29] M. Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1964, pp. 393, 394.

[30] J. Dranҫolli, op. cit. pp. 13, 14.

[31] Ibid. p. 58.

[32] Fahri Xharra, 28.04.16  Gjakovë, material i huazuar nga internet.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok