21/12/2024

Planet ruse e serbe për ta ndezur nga brenda Kosovën vazhdojnë të mbesin operative

0
Blerim-Latifi

Prof. Blerim Latifi

Kjo lagjja e Prishtinës, ku ditë më parë ndodhi përleshja e përgjakshme mes dy familjeve, e ka emrin Aktash. Nga një kërkim i shpejtë në internet, rezulton se ky emër vjen nga gjuhët turkike dhe e ka kuptimin “shkëmb i bardhë”. Shumë vende në Republikat ruse me popullsi muslimane e paskan këtë emër.

Si ka ardhur ky emër tek ne?

Me gjasë bashkë me çerkezët, të cilët gjatë viteve 1860-1880 u dëbuan nga Rusia në drejtim të Perandorisë Osmane, e cila pastaj një pjesë e tyre i solli në Kosovë.

Gjysma e dytë e shekullit 19 njeh një dinamikë të jashtëzakonshme të lëvizjeve demografike në Kosovë. Kjo është koha e ardhjes së muhaxhirëve shqiptarë, të cilët ishin dëbuar nga rajonet e Nishit e Toplicës prej ushtrisë serbe.

Po ashtu shënohet një ardhje e boshnjakëve muslimanë, pas marrjes së Bosnjës nga Austro-Hungaria.

Nga Shqipëria kemi një ardhje tjetër njerëzish, por shumë më të vogël. Është fjala për dhjetëra familje shqiptarësh katolikë nga Lugina e Fanit në Mirditë. Këta sot e përbëjnë njërin prej tri grupeve të katolikëve kosovarë, bashkë me ata që quhen “katolikët malësorë” dhe “latinët”. Falë fanëve mirditorë dhe sidomos muhaxhirëve nga fushat e Toplicës, dominimi etnik shqiptar do të ruhej në Kosovë.

Kjo dyndje multietnike gjatë atyre viteve do të bëhej burim i shumë tensioneve dhe incidenteve etno-fetare në Kosovë, të cilat sot i lexojmë në raportet e konsujve të huaj që në atë kohë vepronin në Kosovë. Këto tensione shpesh nxiteshin prej vetë këtyre konsujve, sidomos atyre rusë dhe serbë. Disa prej tyre do ta paguanin me kokë infiltrimin e tyre, siç është rasti i konsullit serb në Prishtinë dhe atij rus në Mitrovicë.

Nga ajo kohë ka kaluar më shumë se një shekull, por planet ruse e serbe për ta ndezur nga brenda Kosovën vazhdojnë të mbesin operative.

____________

Po shikoja një dokumentar mbi ndikimin e Mafias njujorkeze në ngritjen dhe zhvillimin e Las Vegasit, në krye me mafiozin Bugsy Siegel.

Pasi i kishin stabilizuar bizneset e tyre të krijuara  përmes krimeve e dhunës, bosët mafiozë të Las Vegasit kishin gjetur kohën që të bëheshin edhe bamirës të njerëzve në nevojë, të investonin në vlerat komunitare të qytetit, përfshi edhe kinematografinë e Hollywood-it.

Një shembull tjetër: kryemafiozi i Amerikës Latine, Pablo Escobar, u jepte para kesh fëmijëve të varfër të rrugëve të Medellinit, ndërtonte parqe lodrash për ta, u ndërtonte shtëpi të pastrehëve dhe financonte disa organizata bamirësie.

Shembujt e kësaj natyre janë të pafundëm në botë. Shembuj që na tregojnë se shpesh, tmerrësisht shpesh, prapa “bamirësve” fshihen njerëz të ndyrë, zhvatës, kriminelë, terroristë, që i kanë duart e përlyera me gjak dhe bizneset e ngritura mbi shkatërrimin e jetëve të kush e di sa njerëzve të tjerë.

____________

Perënditë e qiellit e të tokës, ose thënë ndryshe ata që kanë folur e shkruar në emër të tyre, kanë lëshuar dënime e mallkime mbi të përgjatë shekujve, por ajo ishte dhe mbetet zanafilla universale e dashurisë për dijen. Quhet kureshtje.

Vetëm pasi na zotëron kureshtja, ne nisemi në rrugën e mendimit e kërkimit për përgjigjjet dhe zbulojmë kënaqësinë e diturisë.

Kjo urti e moçme kurrë nuk e ka humbur vlerën e saj.

Sot shkollat dështojnë pikërisht pse nuk arrijnë të zgjojnë kureshtjen tek nxënësit. Nuk arrijnë t’i bëjnë kureshtarë ata për botën në të cilën jetojnë. Për pasojë ato, pra shkollat, kthehen në sisteme të të mësuarit me detyrim dhe kjo gjë ndikon që nxënësit të mos i duan ato dhe të gjejnë kënaqësi jashtë mureve të tyre. Krejt kjo sjell deri tek një kompromis i padobishëm dhe i dëmshëm midis të mësuarit me detyrim dhe indiferencës së nxënësve. Ky kompromis quhet: të mësuarit mekanik. Rezultati final: analfabeti funksional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok