22/12/2024

“Plagjiatura” e Dick Martyt dhe e vërteta për raportin që mban emrin e tij

0
u6_Bardhyl_Mahmuti

III.
Nga Bardhyl Mahmuti
Në pjesën e botuar paraprakisht dhe të titulluar “Dick Marty dhe propaganda serbe” theksova se pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si “vendim në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Carla Del Ponte, e cila e kishte përfunduar mandatin që kishte si Prokurore e Përgjithshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe ishte emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë që nga 1 janari i vitit 2008, i dha një intervistë ekskluzive për Swissinfo.
Në këtë intervistë, të publikuar më 11 mars 2008, Carla Del Ponte, në “cilësinë e juristes”, këmbëngul, njëlloj si propaganda serbe, se gjoja “pavarësia e Kosovës nuk është në përputhje me dispozitat e vendosura nga tradita e të drejtës ndërkombëtare.”.
Vetëm një ditë pas publikimit të intervistës së Carla Del Pontes, Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, në një intervistë ekskluzive me gazetaren Silvia Cattori, të publikuar më 12 mars 2008, u deklarua haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe përvetësoi cilësimin serb për vendimin e Kuvendit të Kosovës që të shpallë pavarësinë si vendim “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Krahas përvetësimit të interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty shpreh revoltën e tij për prezantimin e “UÇK-së si një organizatë e virgjër dhe bamirëse” dhe këmbëngul në propagandën që e cilëson UÇK-në si “organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe që u shndërrua në instrument të amerikanëve për t’u mundësuar atyre në Kosovë krijimin dhe mbajtjen e bazës ushtarake më të madhe në botë”.
Në kontekst të mobilizimit kundër pavarësisë së Kosovës botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s “Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”, më 11 prill të 2008, zë një vend të rëndësishëm.
Përkundër fakteve se gjatë periudhës kur kishte qenë prokurore e përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte kishte urdhëruar zhvillimin e hetimeve lidhur me pretendimet serbe për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” dhe pas hetimeve të hollësishme disavjeçare kishte urdhëruar mbylljen e kësaj çështjeje duke e cilësuar si “legjendë e thjeshtë e sajuar njëlloj si tregimet e ngjashme që shfaqen në zonat e tjera të konflikteve”, Carla Del Ponte aktualizon këtë çështje në librin e lartpërmendur.
Ky libër i dha flakë propagandës kundër pavarësimit të Kosovës. Më 15 prill 2008, Serbia arriti që nëpërmjet deputetit rus në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Konstantin Kosachev-i, të dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”. Projekt-rezoluta ishte nënshkruar nga 17 deputetë (1 serb, 2 rusë, 2 ukrainas, 1 azerbajxhanas, 1 gjeorgjian, 1 polak, 1 hungarez, 1 qipriot, 1 belg, 1 zviceran, 1 britanik, 1 holandez, 1 portugez, 1 suedez dhe 1 finlandez).
Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në projekt-rezolutën e tyre citohet nga libri i saj për pretendimet se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqip¬tarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”.
Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me “Pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Gjatë debatit që u zhvillua më datë 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Martyt.
Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen me çështjen e kriminalitetit, e dinë se Kosova ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndër¬kombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofale (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bom-bardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Ser¬bisë…!”
Këto diskutime zgjuan interesim të madh në kuadër të Komisionit për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës. Pas fjalës së mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës më 16 prill 2008, ky Komision ngarkoi Dick Martyn të përpilonte një raport për këtë çështje.
E revoltuar nga manipulimi politik i kësaj çështjeje dhe nga përfshirja e Carla Del Pontes në përhapjen e propagandës serbe, reagoi Florence Hartmann, ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme. Në një shkrim të publikuar në gazetën “Le Temps”, të datës 16 prill 2008, dhe të titulluar “Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë”, Florence Hartmann shpreh habinë e vet se “si është e mundshme që Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta, përkundër pengesave, dhe në këtë mënyrë të luftohet mohimi dhe manipulimi, sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës… Të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” deklaron ish zëdhënësja e Carla Del Pontes.
Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur para pesë vjetësh, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, u bë me qëllim të mbështetjes së fushatës serbe për të mohuar legjitimitetin e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Paralelisht me fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, Serbia mori kontakte me Dick Martyn, të ngarkuarin e Këshillit të Europës për të hartuar raportin rreth pretendimeve për “tregtinë ilegale me organe njerëzore në Kosovë”.
Në analizën që i kam bërë raportit që mban emrin e Dick Martyt, që gjerësisht përfshihet në librin “Mashtrimi i madh”, kam nxjerrë në shesh se ky raport nuk ka asgjë tjetër pos sajesave të Shërbimit Sekret Serb, prandaj vendosja e emrit të Dick Martyt në një raport të tillë është “plagjiaturë” e padiskutueshme.
Katër vjet pas publikimit të librit tim, “plagjiatura” e Dick Martyt u ndriçua tërësisht. Më 24 tetor të vitit 2018, gjatë përurimit të librit të tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, në televizionin serb “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfen për mënyrën si AI PERSONALISHT IA KA DHËNË DICK MARTYT “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për Shtëpinë e verdhë”.
Publiciteti që ju dha në mediat ndërkombëtare propagandës serbe për gjoja “tregtinë me organe njerëzore në Kosovë” u ngjalli shpresa të mëdha se mund të kthenin mbrapa rrjedhën e ngjarjeve lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Pas gjashtë muajsh fushate histerike kundër UÇK-së dhe të trimëruar nga qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të madhe ushtarake të SHBA-ve në botë”, Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremić-i, shtroi për miratim një projekt–rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Po atë ditë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që kërkonte nga gjykata e lartpërmendur përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim konsultativ lidhur t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”. Të nesërmen, më 9 tetor 2008, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon-i ia dërgoi këtë kërkesë Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
(VIJON)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok