26/12/2024

Pjesë nga ditari i një ish diplomati për Kosovën dhe Shqipërinë

0
u1_Alfred_Papuciu

Nga Alfred Papuçiu

Ditari është mbajtur gjatë viteve, dhjetë vjet, njëzetë vjet, tridhjetë e më tepër vite më parë. Tashmë, me kalimin e moshës, kujtimet sikur ecin shumë më shpejt se koha. Shpesh herë u rikthehem atyre dhe ndjej një kënaqësi të veçantë, por edhe brengë, për diçka që nuk është bërë si duhet. Megjithatë, e ngushëlloj veten dhe them se për të folur me Zotin e Plotfuqishëm  duhet të jemi të pastër shpirtërisht, pa asnjë gabim.

Lexuesve po u paraqis vetëm një pjesë të vogël të këtij Ditari, pasi këto shënime nuk kanë ndonjë gjë të veçantë. Ato janë kujtime të një qytetari të thjeshtë që ka patur fatin, siç mund ta kishin edhe shumë bashkëkohas të tij, të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, apo në konferenca të tjera ndërkombëtare, për çarmatimin, problemet sociale dhe ekonomike, politike, të të drejtave të njeriut, të gruas, të sindikatave, etj., sidomos në Gjenevë e gjetiu. Nuk besoj se këto faqe do t’u interesojnë shumë njerëzve. Në fakt, ato i kam shkruar sidomos për miqtë e mij, të cilëve doja t‘u lija një lloj testamenti moral krejt të sinqertë. Duke lexuar këto radhë, ata do kuptojnë se jeta ime nuk ka qënë e lehtë, por plot sakrifica, dhe më është dashur të përtyp për hir të së ardhmes së tyre, edhe ndonjë rromuz, por kurrë nuk i jam bërë urë dikujt që është treguar meskin, apo i panjerëzishëm me mua. Edhe atë „qoftëlargun“ ja kam lënë Zotit ta gjykojë, këtë ja u kërkoj edhe atyre që ai mundohet përsëri t‘u bëjë keq, apo të hedhë gurë dhe të fshehë dorën, të shpërndajë „fletushka“ si tinzar dhe të futet edhe në banesat e bashkëatdhetarëve, pa qënë i ftuar, pa menduar se një ditë edhe ai do të përfundojë si gjithë të tjerët atje në varrezat e Sharrës, Shtish-Tufinës, Gjenevës, Parisit, Vjenës, Nju Jorkut apo gjetiu ku vegjeton akoma në botën moderne. Një njeri që ka përqafuar rrugën e intrigës qoftë edhe për një çast, e ka të vështirë të largohet prej saj ; çdo mënyrë tjetër jetese për të është pa kuptim…

Sot lexova në shtypin shqiptar një artikull të një gazetari për problemet ndërkombëtare ku ai thekson se në Parkun Qëndror të Nju Jorkut nuk mund të shëtisësh, pasi ke frikë nga banditët dhe dritat janë të thyera. U çudita me këtë shkrim dhe e mora në telefon gazetarin. Pyetjen e parë që i bëra ishte:” A ke qënë ndonjëherë në Parkun Qëndror të Nju Jorkut”. M’u përgjigj “Jo”. Më theksoi se kishte parë diçka tek një shtyp i një vendi të Lindjes që kishte shkruar, lidhur me këto që ai i kishte rimarrë në shkrimin e tij. I thashë gazetarit se para se të shkruajë tjetër here, për një vend apo edhe një rajon të caktuar, mirë është të shohë disa burime, për të qënë më i besueshëm. I theksova se Parku i Nju Jorkut është frymëmarrja e këtij qyteti të madh kozmopolit, ku njujorkezët, por edhe vizitorët e shumtë kalojnë orë të këndshme, edhe me fëmijët e tyre, në mjediset e rregulluar aq bukur për ta, me ato liqene artificiale, apo me pemë dhe bimësi nga më të ndryshmet. M’u kujtua tregimi i dikurshëm i kolegut tim Sulo, i cili kur vite më parë pas çlirimit kishte vajtur njëherë në Kajro, ishte frikësuar. Një punonjës i ambasadës po e shëtiste nëpër qytet me makinë, por i kishte thënë se sapo kishte pirë një Koka-kola. Në vitet 60-të shtypi ynë e cilësonte Koka-kolën, si pije borgjeze, që të drogonte….Hajde pastaj të kishe besim tek ai që i jepte veturës, pasi të kishte pirë një Koka-kola?!

Gazetari i çuditshëm që shkroi negativisht për Parkun e Madh– frymëmarrjen e Nju Jorkut, më duket se ka bërë kthesë dhe shkruan më objektivisht tani në shtyp.

Tetor .Rastësisht në darkë takova në katin përdhes të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, një grua që m‘u duk si shqiptare. Ju afrova. I fola shqip. Ngeli e shtangur. Më pyeti nga jeni. I thashë. Më tha se edhe ajo ishte nga Shqipëria, nga Veriu, por kur ishte mbyllur kufiri kishte ngelur matanë në Jugosllavi. Një vëlla duhet ta kishte akoma atje diku në Veri, por nuk kishte asnjë njoftim për të. M‘u dhimb, pasi kishte dhe një vajzë që e kishte të humbur dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Aty bënte çdo darkë pastrimin e koridoreve të OKB-së. Nuk e pashë më atë grua, e cila ishte e urtë, por tepër e trishtuar.

Tetor . Në Nju Jork ka restorante shumë të mira dhe një pjesë e tyre janë pronë e shqiptarëve që janë vendosur aty prej kohësh. Shyqyri Selimaj, ose Bruno siç i thërresin ka dy restorante në rrugën 59-të dhe na fton për të ngrënë darkë. Ai ka rreth vetes dhe një staf të përbërë sidomos nga njerëz të familjes së tij. E ka zakon njëherë të na ulë tek bari, pastaj në tavolinë. Restoranti i tij është gjithmonë plot me njerëz që rezervojnë qysh më parë. Bruno punon që nga ora 9-të e mëngjezit deri natën vonë, një e natës zakonisht, për të mbajtur e ushqyer familjen e tij. Një punë e rëndë dhe e vështirë por që atij i jep kënaqësi. Ashtu me atë kostumin e tij „shik“ dhe me buzëqeshjen karakteristike ai të ngjall respekt të veçantë. Nuk e di por e ndjej veten si në shtëpinë time tek Shyqyriu, Gjysteja dhe Gjergj Kalaj, plaku Paparisto, Petro Papanikolla, xha Hulusi Kavo, në familjen Selaj, tek Pustina e shumë të tjerë që na ftojnë herë pas here. C‘mallemi me njeri tjetrin, pasi shumë prej tyre kanë kohë që s‘i kanë parë të afërmit. Brengë e kanë se shumë nga fëmijët e tyre nuk dijnë fare shqip, pasi kanë lindur në Amerikë. Disa kanë filluar t‘i shpien në verë në Shqipëri dhe janë të kënaqur për përparimet që kanë bërë fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Ata kanë marrë me vete edhe libra shqip për t‘i lexuar. Agimi nga Kosova, shpesh na sjell videokaseta me filma apo muzikë shqiptare që i përgatit vetë. Njëherë na solli një të shtunë edhe një peshk të madh që e kishte mbartur nga Kanadaja enkas për ne. Sa shqiptarë të tillë të admirueshëm dhe njerëzorë tashmë nuk janë midis nesh dhe për ta nuk është folur asnjë fjalë! Sa jetojnë akoma për të cilët nuk flitet aspak dhe ndoshta nuk do të flitet kurrë! Ata janë me mijra në Amerikë e gjetiu dhe çdonjerit i dhemb zemra dhe jeton me ritmin e tokës mëmë.

Joseph Diogardi, kongresmen amerikan, me origjinë shqiptare, më pret tek hotel “Interkontinental”. Shkoj tek suita e tij. Ai shpreh dëshirën për të shkuar në Tiranë. Është interesant fakti se i jati i tij, Xhuzepe u largua nga fshati arbëresh i Grecit, për t’u vendosur në Bronks, pranë Nju Jorkut. I biri, Joseph kujtonte se ishte italian, megjithëse i jati e kishte zakon që të fliste me motrat e veta dhe me prindërit e tij në një gjuhë të çuditshme që djaloshi kujtonte se ishte dialekt italian. Pasi u zgjodh në Kongresin amerikan, ai e zbuloi të kaluarën e familjes së tij. Si mijra të krishterë shqiptarë në shekullin e XV, paraardhësit e tij kishin kapërcyer Adriatikun dhe ishin vendosur në fshatrat italiane ku mbajtën të paprekura ritet dhe gjuhën e tyre amtare.

Lidhem me Sokratin, pasi ka qënë në Amerikë dhe e njeh atë. Më thotë se po të ketë dëshirë le të vijë. Sidoqoftë, më theksoi se për çfarë arsye don të vijë në Tiranë, kështu papritur. Më vonë Diogardi shkoi atje. Siç duket dikush nga ata që e shoqëronin kishte dhënë një mendim pozitiv për një vizitë të tillë. Si Kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ai ka bërë mjaft për çështjen shqiptare. Ai është shprehur mëse njëherë duke i bërë thirrje SHBA që të ngrihen në mbrojtje të parimeve të veta dhe të kërkojnë përmbushjen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sidomos për çështjen e Kosovës. Kjo i ka dhënë atij mundësi dhe atyre që ndjekin rrugën e tij, të tërheqin votat e elektoratit amerikan, me origjinë shqiptare, që nuk është i pakët nga numri në Amerikë. Gjithashtu, kam përshtypjen se në Amerikë, shqiptarët janë më të bashkuar me njeri tjetrin se këtu në Europë. A mos ndoshta ndikimi i serbëve është më i pakët atje?! Sidoqoftë, ka ardhur koha që Europa dhe SHBA të bëjnë diçka t’i bërë presion Milosheviçit dhe atyre që e pasojnë që të ndalin dorën dhe të mos ndërmarrin masakra dhe spastrim etnik në Kosovë.

Gazeta “Journal de Genève” ka botuar një shkrim timin, ku mbahet një qëndrim mbi ngjarjet në Kosovë. Kur shkoj tek zyra e pasqyrave të shtypit, një gazetar i huaj po i thoshte kolegut të tij: “Nuk i lejohet përfaqësuesit shqiptar të flasë para sheshit të Pallatit të Kombeve për Kosovën”. E pashë mirë në sy dhe ju drejtova: “Zotëri, ju nuk e keni kuptuar shkrimin. Ai është një përmbledhje e një pasqyre shtypi lidhur me qëndrimin tim si shqiptar për ngjarjet në Kosovë. Unë nuk kam folur aspak nga sheshi para Pallatit të Kombeve, por kam shprehur mendimin tim si anëtar me të drejta të barabarta në këtë bashkësi kombesh, për masakrat dhe arrestimet ndaj popullit kosovar. Ashtu besoj do të bënit edhe ju qoftë edhe si gazetar i një gazete të vendit tuaj, nëse do të cënohej dinjiteti i bashkëkombasve tuaj”. E pashë se nuk foli më dhe u skuq. Kur e shihja më vonë në korridoret e Pallatit të Kombeve përpiqej të më përshëndeste me përzemërsi.

U dha një shfaqje madhështore tek “Noga Hilton”, në Gjenevë nga Ansambli shqiptar. Nismëtari i ardhjes së atij ansambli ishte Imeri, një intelektual patriot dhe i ndershëm. Këngët dhe vallet u pëlqyen shumë. Kishin ardhur shumë shqiptarë edhe nga rajone të tjera të Zvicrës, por edhe diplomatë dhe funksionarë të lartë të Kombeve të Bashkuara. Salla ngrihej peshë nga brohoritjet e të pranishmëve. E pashë atë funksionarin e lartë të atij organizmi ndërkombëtar, me të cilin kisha qënë për vizitë edhe në Shqipëri, që u skuq kur pas çdo kënge filluan thirrjet “Kosova Republikë”. Në pjesën e dytë i propozova, për të mos e vënë në pozitë të vështirë, ndaj ndonjerit që nuk i shkonte për hosh ajo thirrje, që të shkonte po të kishte dëshirë. Por duke buzëqeshur më tha: “Alfred, qëndro i qetë, pasi këto janë ndjenja të një populli të vuajtur dhe krenar”…

Shqipëria po i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve me vendet ballkanike dhe veçanërisht Jugosllavisë që është akoma teorikisht e bashkuar. Qysh nga fillimi i manifestimeve që kërkonin pavarësinë e Kosovës, rajon zyrtarisht autonom i Republikës së Serbisë, ku popullsia është përafërsisht 90 për qind me origjinë shqiptare, u duk reagimi i qeverisë shqiptare. Në shumë artikuj dhe fjalime u fol për mbështetjen e domosdoshme për vëllezërit e Kosovës fqinje, të persekutuar nga serbët dhe është kërkuar e drejta për vetvendosje nën formën e krijimit të një Republike të Kosovës, një kërkesë e papranueshme për qeverinë jugosllave. Në shtator 1991, Shqipëria njohu “pavarësinë” e Kosovës, e shpallur nga pjesa më e madhe e banorëve të saj, me rastin e organizimit të një konsulte, të deklaruar të paligjshme nga ana e autoriteteve federale të Beogradit. Në këto çaste të shpërbërjes së Jugosllavisë, po shihet se tensionet midis Shqipërisë dhe fqinjit të saj verior po rriten. Natyrisht këtu as bëhet fjalë që Shqipëria të ndërmarrë ndonjë “sulm” veprues për të “pushtuar” Kosovën. Shqipëria, është në një gjendje shqetësuese për veten e saj, sikur ka dalë nga një luftë dhe nuk ka mundësi tani për tani të japë një ndihmë më të madhe vëllezërve kosovarë. Gjithashtu, edhe opinioni në Shqipëri nuk është aspak për një “bashkim” me Kosovën, por si vëllezër të një gjaku dhe një gjuhe, edhe ata duhet të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për të qënë të lire në tokën e tyre amë, të trashëguar brez pas brezi.

Ftohem të marr pjesë në konferencën dy ditore “Sigurimi europian në vitet 90-të: problemet e Europës Juglindore”. Konferenca zhvillohet në Rhodes të Greqisë. Ftesa m’u bë nga drejtori i UNIDIR-it, Jayantha Dhanapala. Me mua vjen dhe ambasadori bullgar, Teodor Ditcev që është një mik i imi dhe me tepër përvojë. Tashmë unë jam funksionar ndërkombëtar dhe ai vazhdon të jetë ambasador ku përfaqëson vendin e tij në Kombet e Bashkuara. Bëjmë një ndalesë në Athinë, ku na pret miku im Kastriot Robo, sekretar i parë i ambasadës. Na shëtit nëpër Athinën e bukur dhe pastaj nisemi me aeroplan për në Rhodes.  Sa zbresin më bën përshtypje ai vend i bukur. Vendosemi në hotel. Papritur përpara më del ish-ambasadori ynë në Nju Jork, Abdi Baleta. Bisedojmë miqësisht. Darka kaloi me tingujt e buzuqeve karakteristike greke dhe me mezetë e shumta. Të nesërmen filloi konferenca. Nuk kisha menduar të flisja, por duke parë se shumica e pjesëmarrësve e mirrnin fjalën, përgatita një fjalim të shkurtër, që më vonë u përfshi në botimin e Kombeve të Bashkuara për konferencën e Rhodesit. Tanimë në këtë konferencë isha tepër i çliruar, pasi kisha ardhur si një i ftuar i pavarur. Gjithashtu, kisha pranë mikun tim bullgar që çdo herë kishe qef ta dëgjoje. Ai ishte erudit dhe me shumë finesë. Fat i keq për të. E shoqja ishte tepër e sëmurë. Kjo e mundonte shumë. Kur u kthyem përsëri në Athinë, për të Gjenevë, i bleva një dhuratë simbolike për të shoqen një grua e thjeshtë ballkanase. Nuk e dij por kam një respekt të veçantë për të gjithë popujt e Ballkanit,ata që nuk i kanë ndyer duart me gjakun e kosovarëve; apo edhe për popullin boshnjak që ka vuajtur, për atë kroat, slloven ku im atë ka patur kujtime shumë të bukura të rinisë; për popullin grek, turk, bullgar, maqedonas dhe gjithë popujt evropianë.

Sot kur po i jepja dorën e fundit këtij libri, më telefonoi nga Parisi mjekja pediatre me origjinë shqiptare, Solange d’Angely. Kishte lexuar disa nga shkrimet e mija dhe shprehu dëshirën të takohemi. I jati i saj, Robert d’Angely ja kushtoi jetën mbrojtjes së gjuhës shqipe. Librat e tij « Gramatika shqipe e krahasuar », « Pellazgët », « Etruskët në Perandorinë Bizantine », «  Për Perandorinë Otomane. Shqiptarët », « Sekreti i Epitafeve », « Enigma », krahas librave të tjerë dëshmojnë për pasionin e tij për gjuhët. Robert d’Angely ishte një poliglot pasi njihte greqishten e vjetër, greqishten e re, latinishten, sanskrishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, turqishten, arabishten dhe natyrisht shqipen. Ai u mësonte shqipen studentëve në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale në Paris. Ai e donte aq shumë shqipen dhe vepra e tij madhore u jep përgjigje shumë pyetjeve që bëhen lidhur me lindjen dhe formimin e gjuhës shqipe…

Ndërkohë Solange më foli për një projekt të madh për Shqipërinë lidhur me diagnozën prenatale, si dhe hemoglobinopatitë. Biseduam për rrugët që duhen ndjekur dhe për mundësitë që duhen shfrytëzuar për gjetjen e fondeve për realizimin e projektit. Sidomos dua të bëj diçka për ata mijra e mijra shqiptarë vocrakë që vuajnë nga një sëmundje gjenetike, që quhet Talasemi, pa e ditur as ata as prindërit e tyre që mbartin diçka të trashëguar nga paraardhësit, apo nga vendndodhja në një zonë ish-malarike. Mjekimi i kësaj sëmundje sot ka arritur stade të larta dhe fëmijët apo brezat që kanë trashëguar atë bëjnë një jetë normale, si dhe kanë shpresë që një ditë të afërme do të gjehet një kurë për të. Mesazhe që jepen edhe nga mjekët dhe profesorët e shumtë në botë si Bernadette Modell në Angli, Alan Cohen dhe James Humbert në SHBA, Robert Girot në Francë, Radhika Sawn dhe Eva Chin tek „Cooley’s Anemia Foundation“, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) Panos Englezias, drejtoresha shkencore e TIF, doktoreshë Androulla Eleftheriou,  Dr. Nanci Oliveri nga Toronto, e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të ri pa permendur profesorin e nderuar Selaudin Bekteshi, Enis Boletini, Profesor Aleko Vesho, Afërdita Gusho,  Albert Zhuzhuni Pali Xhumari, Lena Anastasi,  e shumë e shumë të tjerë.

Mesazh miqësie nga Profesori  Jean_Philippe Assal

Alfredit tim të dashur,

Jeta nuk është si në këtë libër « një vitrinë kënaqësish… » por ajo që ne mund të bëjmë bashkërisht, është që ta shndrojmë ashpërsinë e jetës në më të gëzuar.Me mirënjohjen më të thellë për aq episode të bukura të kaluara sëbashku, Jean-Philippe (Assal)

Këta miq më kujtojnë gjithmonë thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës sonë, pas çdo zënke me një mik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok