30/12/2024

PËSHTERA DHE MELI – DY VENDBANIME QË JANË E S’JANË

0
Syrja-Etemi

Shkruan Syrja ETEMI

Në ditën e shtunë të këtij vikendi, vendosa të “pushtoj” dy vendbanime të harlisur që, i kam hasur vetëm në disa dokumente të shkruara, por edhe në shumë gojëdhëna të banorëve të zonës që i takoj (fshatra të komunës së Tearcës). Këto vende janë Pështera dhe Meli, që ndodhen mbi fshatin Përshevcë e Tearcë, përkatësisht: Otushishtë – më saktë: në anën e majtë të Lumbardhit – lumi që ndan këto dy vendbanime fqinjë. Si nëpër legjenda shumë-shumë të lashta më vijnë vërdallë thëniet e rrëfimet për këto vendbanime tanimë të përhumbur nëpër rrathët e kohëve hutaqe. Në rrugëtim për të akceptuar më për së afërmi këto lokalitete të harruara edhe nga “bijtë” e vet – gjeta ngenë për të pikasur thesaret e heshtura të Sharrit. U nisa këmbë udhës gjarpërore në anën e kundërt të rrjedhës së Lumbardhit, i cili në ngjitje përpjetë kodrinave të Sharrit, më vinte në anën e majtë. Menjëherë në krye të fshatit Përshevcë, ku në të djathtë të çon udha për në Jelloshnik, mora trajektoren drejt bjeshkës, udhë kjo që është e hapur për nevojat e tre minihidrocentraleve në luginën e lumit që përmendëm më lartë.

Në kurreshtjen time për të evidentuar çdo vendemërtim, bashkudhëtari im, SADAT AMETI, mundohet të më sqarojë për çdo imtësi: “… Ja tani jemi në vendin që i themi: Taum’ e Çaukës, sepse edhe vet vendi është kështu si ngrehinë apo “taum” – më thotë ai.

Udha është e shtruar me zhavor dhe, nuk i është nënshtruar ndonjë kushti apo standardi ndërtimor nga ana e autoriteteve të cilët janë kontraktuar (nëse është bërë një procedurë e tillë). Si do që të jetë, ne në ngjitje terma, vazhdojmë të kalamendemi e të hidhemi njëherë majtas e njëherë djathtas, të cilat nuk janë pakëz. Në anën e majtë, andej lumit, nga distanca jo fort e largët duken shpatijet që ngriten butësisht përpjetë mbi lagjen Përveshe të Tearcës apo Otushishtës. Meqë jemi në stinën e hershme të pranverës, kur natyra ende nuk ka mugulluar, nga këtu duket se këto hapësira janë të dendura me dru gështenje, që në stinën e vjeshtës këtu gëlon nga vizitorë të ndryshëm, ku secili ka destinacionin dhe qëllimin e vet të caktuar, e, këndej kah lëvizim, kodrinat janë të veshura me dru dushku, blini e lajthie. Jo mëkot këtij vendi këtu i thonë: Te Lipa. Në anën e majtë të udhës, në vazhdim e sipër të dëshirojnë “mirë se ardhje” Arat e Esatit, këto toka shumë pjellore e të punueshme, ku të parët e kësaj familje, në këtë vend, me shekuj kanë shfrytëzuar këtë vend për ruajtjen e bagëtisë.

Në ngjitje e sipër përmes udhës, i afrohemi Karaxhinës (Xhindet e Zeza), ku na pret Ledina për pak relaks. Karaxhina lidhet me Arat e Esatit, e, disa hapa më përpjetë të del para beftas një shkëmb gjigant që quhet Strugja e Vogël dhe të duket se të zë pritën në rrugëtim. Por kur këtë e “pushton”, të shfaqen përballë bjeshkët hijerënda të Sharrit… Rruga gjithnjë e më tepër po fut kryen në Dushkallajk , i cili në vitet 80-ta, e përpin një zjarr i fuqishëm dhe jo vetëm që i shëmton këto pllaja, por edhe shkakton një katastrofë të paparë ekologjike, me ç’rast ka ndryshuar në tërësi edhe sistemin bimësor të florës, ku ka dominuar druri i dushkut dhe lisit. Kështu, përderisa shprehim një keqardhje të thellë për këtë katrahurë të ndodhur dikur, sërish “na zë rrugën” një shkëmb tjetër akoma më i madh se i pari. Këtu është Strugja e Madhe. Pasi kalojmë këtë dhe të mbërrijmë te Kep’i Çatit, më së pari të kalojmë Çeshmën e Refetit”.

Dhe, kështu, në këtë rrugëtim epik, kalojmë Livadhet e Gjata, ku nga thellësia e një lugine të afërt, vazhdimisht të përcjell simfonia gurgulluese e Lumbardhit, e, diku-diku edhe gurgullima të valëzuara të përrockave të shumta që derdhen në luginën e këtij uji të cemtë, siç është në këtë rast Reka që vjen nga bjeshka e Karaxhinës.

Dhe udhëtimi ynë nuk ndalet këtu. Kapërcejmë Livadhet e Gjata, për pak kohë “prekim” Pështerën “tonë”, ku pas një eksplorimi të shkurtër, vërejtëm shumë isharete të një vendbanimi të hershëm: mure të degdisur me gurëz të zënë myshk, muranë, drunj të rrëzuar, therra e kërrupulla. Nga drurësia, më tepër dallohen lajthitë, kumbullat e molla të egra. Këtë lokalitet të lashtë, e përshkon Udha e Këmës, e cila lidhet edhe me Udhën që vjen nga Jelloshniku drejt Breznës.Kalojmë këtë dhe, për nja dy orë në këmbë, pikasim edhe lokalitetin tjetër tani të braktisur, që emrin e ka: Meli.

Pasi arritëm në këtë destinacion, unë këtu nuk do të zgjërohem shumë në atë që pash, por në do të shpalosi ato pak dëshmi të shkruara, të cilët i kam në dispozicion. Kësaj radhe me kaq do t’i vë pikë këtij reportazhi, për t’i çelë shtegun shkrimit të radhës.

PËSHTERA NË DRITËHIJET E DOKUMENTEVE TË QËMTUARA

Në gamën e shumë pyetjeve dhe “xiglimeve” të mbarsura me kurreshtje të hazdisura, për shumë kohë – janë hamendjet prafulluese që kanë të bëjnë me çështjen e vendbanimeve të zhdukura në Pollog e Sharr (ku ka gëluar edhe elementi arbëror), duke ezauruar shkrimet dhe dokumentet ekzistuese si dhe punën në terren.

Në këtë rast do t’i referohem një punimi hulumtues të autorëve: Ilija Petrushevski dhe Nikolina Petrushevska të vitit 1999: “Përmbledhje të vendemërtimeve të anës verilindore të Pollogut”, që në faqen 86 të librit për Pështerën potencohet kështu:

“Peshtera – vend rrafshinor me rrënoja të vendbanimit të shpërngulur dhe gërmadha të kishës dedikuar Shën Jovanit, gjendet në atarin e fshatit Otushishtë, në shpatijet e Malit Sharr. Banorët e këtij vendbanimi tregojnë se fshati i tyre dikur ka qenë pikërisht në këtë vend. Kjo gojëdhënë ende nuk mund të vërtetohet, sepse në regjistrimet turke të vitit 1468 dhe 1568 përmenden dy fshatra Peshtera, njëri me 4 familje, kurse tjetri me 57 familje, ndërsa Otushishta në tre vende me gjithsejt 112 familje. Vendi i parë: Peshterë me 4 familje mund të locohet në Zheden, si vend skajshmërisht pasiv në atarin e fshatit Jegunovcë në lokalitetin e quajtur Peshterë, (i cili më vonë edhe shpërngulet, S.E.). Fshati i dytë Peshterë, sipas dokumenteve osmane të vitit 1568, identifikohet me 57 familje…”

Sido që të shkruhet e interpretohet, kësaj vërtetësie shkencore, nga ana e institucioneve tona “të vakta” kërkohet mjaft impenjim dhe këmbëmbëngulësi në ndriçimin e fakteve “të heshtura” që presin “shpëtimtarët” pasionatë e profesionalë. E, në këtë zonë e trajektore pak më lartë nga Pështera, bën gjumin e thellë të shekujve edhe një vendbanim tjetër shumë indikativ. Është ky MELI (në dokumente të vjetra) e, Mell(ova) si ojkonim i shtrembëruar.

MELI

Edhe ky vendbanim po dergjet nëpër shumë dokumente e shkrime të vjetra, që pret të sheh dritën. Unë në këtë rast do t’i referohem disa shkrimeve kishtare bizantine që burojnë nga mesjeta. Pikërisht në këtë dimension do të mundohem që sado pak të hedh dritë në tërë këtë “skëterrë” të pllakosur, sidomos kur bëhet fjalë për të kaluarën e Pollogut – këtë mjedis ku kanë ndërvepruar e bashkëjetuar shumë bashkësi etnike e fetare, ku secili ka mëtuar e po pretendon të favorizojë “të vetin” e, secili të kundërshtojë e t’i dumatet tjetrit. Për këtë “eklipsim” jo të beftë, fillimisht u përcaktova t’u referohem atyre pak dokumenteve të shkruara të kohës, por – në veçanti – disa shkrimeve të autorëve apo hartuesve të monografisë: “Tetovo i tetovsko niz istorijata” (Tetova me rrethinë nëpër histori), Tetovë, 1982, me pretendimin për t’ iu shmangur interpretimeve paushalle apo diletanteske.

Kur flitet për Melin, kuptohet se ky vendbanim mesjetar ka qenë i lidhur me pronat kishtare të Manastirit të Tetovës, i cili ka qenë nën juridiksionin e Peshkopatës së Prizrenit, që ka patur prona të konsiderueshme edhe në Pollog. Kjo dëshmon për interesimin e madh për “vendet kishtare” të këtushme. Në këtë përfundim indicon diskursi i peshkopit me seli në manastirin Shën Arangell (Shqip: Engjëllkraharti, S.E.) – të Prizrenit, Gjergj Markushi. Kleriku në fjalë, në një rast para këshillit të bujarëve dhe popullit të Pollogut është shprehur: “Unë jam “Zot zotëri” i kishës dhe mund të marr toka kishtare sido që të jetë e mundur, kudo që të gjejë e, sido që të jetë…” Nga këto fjalë elokuente, nuk mund të kuptohet se çfarë autorizuesi ishte dhe çfarë ishin të drejtat e peshkopit të Prizrenit në Pollog. Por një gjë është e sigurt se, Pollogu deri në mesin e shek. XIV nuk ka patur peshkop.

Siç cekëm më lartë, Manastiri ka zotëruar apo poseduar edhe “të ardhura për altar”, fshatra dhe vendbanime, shumë ara e livadhe dhe shumë objekte të ndryshme ekonomike. Ky, patjetër se ka patur edhe bagëti, pasi që i janë dhuruar edhe bjeshkë me kullota e zabele. Janë të njohura edhe emrat e fshatrave që i posedonte manastiri, edhe atë: Htetova, Hrashtani, Gari (me siguri: Gajra, S.E.), Mllaçica, Leskovjani, Shtençe, Krpena (Neproshteni i sotëm), Zhelina e Moçme (Staro Zhelino), madje një të katërtën e fshatit Sallarevë (Sedllarevo) dhe një të shtatën e fshatit Falishtë (Hvalishte), si dhe fshatin Brod.

Në gramotat e pronave janë të shënuar, përveç tjerash edhe objekte tjera ekonomike shoqëruese, si dhe të ardhura tjera që i kishte ekonomia kishtare. Pikërisht, manastiri ka poseduar edhe mullinj në Htetovë, Hrashtan, Mllaçicë (Mllaçice), Kërpenë (Krpena), Zhelinë (Zhelino) dhe në Vrutok, si dhe mullinin e Dhimitër Çalapisë ( Dimitar Çalapija), pronari feudal i Melit (që me siguri duhet të jetë vendbanimi tani i braktisur: Mell (ovë), mbi fshatrat Tearcë – Otushishtë dhe Përshevcë-Gllogjë, në anën e majtë të lumit Lumbardh (Bistrica), S. E.).

Pra, siç shihet, në Pollog e Sharr kanë qenë të përhapur edhe të ashtuquajturat prona të feudalëve shenjtorë, që dispononin me fshatra, kisha, bjeshkë, zabele, kodrina, pyje dhe ara, madje edhe toka për mbjellje si dhe bagëti. Ata nga pronat ekzistuese ndanin objekte për dhurim feudalëve shpirtërorë dhe shenjtërorë. Në mes atyre që pranuan dhuratë nga zotëruesit kanë qenë manastiri Hyjëlindësja e Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) dhe Dhimitër Çalapia (Dimitar Çalapija), zotëri feudal i f.Mel. Feudali i përmendur rrjedh nga rendi i zotërinjve në shoqërinë feudale, përkatësisht nga radhët e fisnikëve pollogasë.

Ja, kështu shkruhet për Melin në këto shkrime mesjetare. Por të shfletojmë pak edhe dokumentet osmane që flasin për këtë vendbanim.

MELI sipas Dokumenteve Turke,më 1468 ka ekzistuar vendbanim i quajtur Mel – me 52 familje. Meli në këto dokumente është i shënuar edhe si: Mil dhe, tani ky fshat nuk ekziston. Sipas të dhënave të disa autorëve dhe indikatorëve suplementarë, ky vendbanim ka qenë diku afër Tetovës, edhe atë: 50 familje; të pamartuar 2, gjithsejt 52. Kurse për të ardhurat vjetore gjendja paraqitet e këtillë: Grurë, barrë 82 ……….1640, Elb etj., barrë 80 ………..1200 Ushur për vreshtat ……………1600, Tatim për dasma dhe niabeti……..200, Ispenxhe …………..1300. Të ardhura: 5940 “aspra”.

Këto shënime e, shumë e shumë të dhëna gojore tjera nga banorët autoktonë të vendbanimeve përreth Pështerës dhe Melit, përveç që mund të cilësohen si argument e fakte kokëforta që dëshmojnë për të kaluarën dhe lidhjen iliro-arbërore të këtyre trojeve, por njëkohësisht janë edhe copëza historie, të cilat duhet shpaluar përpara gjeneratave të reja për të njohur vetveten. Prandaj filozofët e vjetër kanë thënë: “Njih vetveten për të njohur të tjerët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok