22/12/2024

PËRTEJ KUFIRIT TË MËRZISË

0
Resmi-Osmani

Tregim nga Resmi Osmani

Inxhinier Struga në pension, kishte ditën për të marrë recetën e rimbursimit të medikamentit.Kur u nis për në ambulancë, nuk e mori çadrën, udhës nisën të bien ca pika të mëdha shiu dhe ai ngau shpejt. Dhe dukmeqënë që s’ishte larg, mbrriti pa u lagur. Kur hyri, pa që dhoma e pritjes ishte plot. Përshëndeti dhe pyeti kush ishte I fundit në radhë. Një zonjë ngriti dorën, pa folur.

Ambulanca e lagjes në katin e parë të pallatit shumkatësh, është ngusht, me dy dhoma; të pritjes dhe  kabinetin e mjekes. Muret të bardha, të ftohta, të zhveshura. Anës disa karrige plastike, ku ulen të sëmurët në pritje të vizitës te mjekja. Dita e fund janarit, kishte qëlluar e mugët dhe e ftohtë.  Inxhinier Strugës i liroi vëndin e vetmja vajzë e re që gjendej aty.E falnderoi. Erdhën dhe të tjerë të mardhur, mbështjellë me shall, kapuçe apo kapele, pyesnin kush ishte i fundit. Dukmeqënë se nuk kishte   karrige bosh, mbeteshin  më këmbë e mbështeteshin pas murit .

Duhet të bëjnë durim e të presin.Inxhinier Struga u hodhi një sy të pranishmëve. Pa që thuajse të gjithë ishin të moshuar. Në fytyrat e tyre, dhimbje, padurim e mërzi. Edhe ata më këmbë, pa shpresë që dikush tu lërë karriken.Të rinjtë nuk sëmuren. Më pranë derës së hyrjes, një zonjë e moshuar, me një tufë letra në dorë, duket se e ka radhën. Pas saj një tjetër grua e mbështjellë me shall dhe një burrë i vjetër, i rrëgjuar me fytyrë të hirnosur, i pa rruar, mjekërthinjur dhe kapele borsalinë strehëvarur ulur deri mbi vetulla. Duket i shqetësuar, lëviz, kthen kryet majtas e djathtas dhe u hedh një sy letrave që ka në dorë. Duket që s’e mban vendi. Pas tij të tjerë e të tjera. Krah vetes,inxhinieri ka një zonjë  të moshuar, trup mbushur me xhup të zbardhur e kapuç, me tuta blu dhe atlete,  fytyrën pa freski, të rrudhur, por të kujdesur, u ka shkuar buzëve një të kuq të lehtë. Ka shikim shpotitës, disi sfidues, dy patericat mbështetur pas murit.

Qetsinë e prish një pyetje e hedhur ashtu kot;

-Pse kaq shumë njerëz sot?

-Doktoresha ka qënë e sëmurë, me raport disa dit.

-Pse, sëmuren doktorët?

-Po ja që sëmuren, njerëz janë dhe ata.

Heshtje.Nga brënda po vonohet të dalij vizitori i radhës.

-Si s’na u ndanë njëherë radhët mor aman, si ta kishim mallkim!-ankohet burri me borsalinë.

Pyetja ankuese mbetet pa përgjigje.

Burri i vjetër me borsalinë, ngrihet nga vendi dhe i afrohet derës, siç duket kërkon të hyjë jashtë radhe, por gruaja  që është para tij, e ze nga krahu dhe e tërheq prapa.

-Prit radhën!Zotëri, mos të të rrejë mendja të hysh para meje, se siç e sheh jam edhe më e vjetër se ti!-I thotë me hakërrim.

-Ti do të ma lesh radhën, gjithë ju do të ma lini radhën, po ta dini si e kam hallin.

-Jo dhe jo-ia kthen pritësja e radhës.

-Pa na e thuaj si e ke hallin- i thotë  zonja me paterica.

-Nuk do vizitohem për vete.Do përtërij recetën për rimbursimin e ilaçeve të gruas.Ajo nuk vjen dot vetë, ka zënë dyshekun.

-Epo mirë,s’qenka gjë me rëndësi, prit radhën .

-Merr vesh?Oj kjo! Kam lënë plakën vetëm në shtëpi, në dyshek, mbuluar me jorgan, pa zjarr se kam frikë mos më digjet.

-S’ke njeri tjetër?

-Jo edhe djali edhe vajza me të tyret, kanë ikur në emigracion.Kemi mbetur fillikat, ku thërret qameti. S’ka kush na jep një gotë ujë.

-Ç’të ka gruaja?

-Ah moj zonjë, sëmundjen e saj mos e paste as qeni. Vuan nga diabeti i sheqerit. Nuk mund ta dini se ç’sëmundje e mallkuar është. Hiqet zvarrë e rron me ilaçe. Është katandisur kockë e lëkurë, zere se është verbuar. S’është më e zonja për asgjë.Zere se rron kot, por ja që jeta është e dhimbsur, s’e kemi në dorë as kur vijmë as kur ikim. Mua më takon të jem në shtëpi vetë burrë e vetë grua.Po edhe mua kanë filluar të më dridhen duart.  Hall i madh, unë s’jam i zoti as për vete. Tashti që e kam lënë vetëm aty e kam mendjen se mos ndodh ndonjë hata. Jetë e poshtër. Vdekje le të kishte, por pleqëri të mos kishte!

-Këtu mos e përmend vdekjen, se ne të moshës sonë, të gjithë e kemi prerë biletën për Tufinë, por nuk na vjen mirë kur na e kujtojnë.

-Po ti vetë, si je, mbahesh?-e pyeti gruaja me kapuç që ishte pranë derës.

-Si të jem, shh e shkruaj,damblla.Cërma mi bluan eshtrat si qen, tensioni më shkon njëzetenjë, ja nga e keqja, hiqem branë si breshka.Më mban më këmbë e keqja e gruas.

Dera e kabinetit u çel dhe doli personi që ishte vizituar.

-Burri me borsalinë u ngrit dhe u turr drejt derës, por të dy gratë që ishin para tij ia prenë rrugën. Njera hyri dhe ia përplasi derën në fytyrë.

-Amani more, në keni perëndi, ç’bëhet kështu.Si s’u ka mbetur një çikë njerëzi-tha dhe gjunjëprerë,si ta kishte goditur rrufeja, u ul në karrige duke ofsharë- I ziu unë,i ziu, ç’më gjeti!

-Mjaft u qaravite, të gjithë këtu jemi për hall. Nga të kemi?- E pyeti zonja me paterica si për të hapur muhabet dhe për t’I hequr mendjen nga radha.

-Nga Tepelena, por ka vakte që kam ikur, që kur isha i ri, pa martuar.

-Me siguri ke qënë oficer,apo çoban me dhi? Se ju andej i pëlqeni këto punë.

-Jo. Murator. Tulla e llaç gjithë jetën.me mistri në dorë. I sheh këto duar-dhe ai i ngriti duart lart si të deshte të fluturonte- Me to kam ndërtuar gjysmën e Tiranës.

-Ti që bën sikur përgjërohesh, kushedi sa do ta kesh rrahur gruan, se ju tepelenasit jeni të sertë- e ngacmoi gruaja me paterica.

-Po kjo nga na doli? Si ta nxe goja moj zonjë! Për atë zot që është një, s’kam vënë dorë kurrë në të. Epse ta bëja?Ka qenë dhe është shpirt njeriu. Kemi shkuar mirë. Po ty, nga të kemi?

-Këtu nga Tirana.Gjyshi ishte pejan, officer, u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës.U martua me një vajzë tiranase. Babai inxhinjer, i arsimuar në vjenë.Unë mësuese.

– Demek qytetare denbabaden.Dukesh. Me cilë mblidhesh në shtëpi?

-Vetëm, ja me këto supe- dhe ajo tundi supet,me këto duar që ngas patericat.Tëgjitha i bëj vetë. Djali me nusen dhe fëmijët po bëjnë dhjetë vjet në Angli, në Londër.

-Sa vjeçe vajte?

-Ç’të duhen ty vjeçet e mia, apo do të hysh lajmës?Nuk e di që gratë s’pyeten nga vjeçet?

-Kot, moj, kot. Sa për t’u gjendur në llaf. Keq e paske edhe ti, po sidoqoftë i del zot vetes. Ti s’mund ta dish se çfarë sëmubdje e poshtër është diabeti. Dhe unë e kam lënë gruan vetëm në shtëpi. Jam këtu dhe se di e gjej apo se gjej!-zëri vinte i ngjirur, i zvargur dhe si në  të qarë.

-E po mjaft de, se kjo që na e përsërit është përtej kufirit të mërzisë. Ose thuaj gjësend tjetër ose hesht.

-Ah moj zonjë, përtej kufirit të mërzisë, nuk është kërkesa ime, ajo është e njeriut në nevojë, por janë këto radhë, kudo që shkojmë për hall, që s’na u ndanë dhe na e nxinë gjithë jetën.

-Po nuk do radhë, shko te privati,mbushe xhepin mirë e të presin krahëhapur.

-E di ,e di, po si thonë tiranaset:di moma t’bajë byrek por s’ka mill e t’lyn.Me pensionet tona mezi shtyjmë ditët me të keq.

Përsëri  heshtje.Sikush  me një barrë mërzie e padurimi rrinte e priste radhën.

– O njerëz! E kuptoni apo jo se ç’u them: e kam lënë gruan vetëm, në jatak, të paralizuar, vetëm fillikat. Lermëni të hyj te doktoresha, nuk u vonoj, vetëm do të marr recetën për rimbursim të ilaçeve se i kanë mbaruar.Ajo vetëm me ato rron. U lutem shumë!-Kur e pa se gratë nuk i hapnin udhë,u kthye nga inxhinier Struga që ishte i vetmi burrë-Më dil krah ti të paktën or vëlla.

-Po ta kisha unë radhën, besomë se do ta kisha lënë. Më vjen vërtet keq, por s’di ç’tu them zonjave, që janë edhe më të moshuara e mbase më të sëmura se ne. Le ta vendosin vetë.

Zonja me paterica, kuptoi se ai nuk hiqte dorë nga kërkesa, nga që  nisi të fliste si në jerm.  I erdhi vërtet keq dhe iu drejtua të pranishmëve:

– E vërtetë që zotria e paska një hall më të rëndë se ne, si thoni ia lemë radhën të hyjë te doktoresha? Një më  parë apo një më pas, për ne s’është kushedi çfarë.

Burri me borsalinë u bë i tëri sy e veshë dhe nisi ti shihte të gjithë me një vështrim lutës. Pa që fytyrat e tyre u zbutën dhe nënqeshën lehtë.

-Le të hyjë,-u përgjegjën të gjithë si  në kor.

– Oh, rrofshi e qofshi, keq mos paçi, ua shlyefsha në të mira, tha ai mirnjohës e i mallëngjyer.

Dera u hap. Burri me borsalinë hyri në kabinet me tufën e letrave në dorë.

Nuk kaloi shumë dhe ai doli nga kabineti.

– Ika, ika, faleminderit e të shkuara edhe juve. – Me hapa të mëdhenj e të hallakatur u turr përjashta, kindat e palltos ia tundte era.

Te dera e kabinetit doli infermierja.

-Radhën,-tha ajo.

Zonja me paterica u ngrit ngadale dhe e mbështetur në të dy patericat duke i hedhur këmbët me vështirësi hyri në kabinet.

Inxhinier Struga me të tjerët prisnin radhën, të lodhur e përtej kufirit të mërzisë, por me një shpresë se doktoresha do t’u gjente shërim.

Tiranë,12.2.2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok