14/11/2024

PERSONALITET ME TRI BIOGRAFI

0

FERID VOKOPOLA (1887-1969)

Nga Sinan GASHI

Një numër jo i pakët personalitetesh shqiptare, që me bëmat e tyre dëshmuan përkushtim, sakrificë dhe krijim të asaj që ishte e mbara e domosdoshme për çështjen shqiptare të kohërave, më pas, mbase për shkak të një mendësie të vjetër, janë skajuar deri në harresë, madje duke mos i përmendur as si emra e lënë më si personalitete të respektuara. E fundja më e ulët është edhe mos paraqitja me asnjë rresht në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Njëri ndër ta është edhe Ferid Vokopola, jeta e të cilit është e mbushur me plotë aktivitete të mbara kombëtare, madje në kahe të ndryshme, e që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historiografinë shqiptare të mirëfilltë.

Po, për këtë personalitet kompleks, të pandaluar asnjëherë në rrjedhat e kohës, pavarësisht rrethana të vështira të krijuara, kushtëzohemi që biografinë e tij ta ndajmë në tri pjesë, aq sa ishin edhe mënyrat e frymimit të tij në jetë. Pra, e para do të ishte biografia e tij njerëzore, e dyta, biografia e tij atdhetare dhe, e treta, biografia intelektuale, tejet e pasur dhe specifike.

  1. Biografia jetësore
    Ferid Vokopola u lind më 18 gusht 1887 në Berat, në lagjen Murat Çelebi, megjithëse origjina e kësaj familje ishte nga fshati Vokopolë, afro 20 km. larg Beratit. Ku vendbanim njihet që nga shekulli XVII, kur një persian kishte ndërtuar dy objekte kulti dhe kishte nisur përhapjen e besimit islam. Veç kësaj Vokopola krijon një kryqëzim zonal Berat-Skrapar-Përmet. Aty pastaj nisën aktivitetet atdhetare shqiptare, duke u bërë një qendër për kohë të gjatë.

I ati i Feritit u angazhua në veprimtari patriotike që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, si pjesëmarrës dhe aktivist i Degës së Beratit të Lidhjes së Prizrenit si dhe iniciator për hapjen e shkollave shqipe në qytet.

Në këtë familje me tradita, u edukua Feriti që në fëmijëria. Mësimet fillestare dhe ato të nivelit të mesëm ai i kreu në Berat. Ai kishte një edukimin fetar mysliman që në familje. Pos mësimeve në shkollat laike. mësimet e besimit I vijonte në xhamitë e lagjes, si në Xhaminë e Sahatit. Që i ri perfeksionoi osmanishten dhe arabishten, të cilat i mësoi shumë më mirë gjatë kryerjes së gjimnazit turk të Beratit. Po ashtu njihte ,mirë gjuhën frënge. Për studime të larta ai shkoi në Universitetin e Stambollit, ku kurorëzoi dijet e tija në fushën e jurisprudencës dhe të ekonomisë, për të cilët mori edhe diplomë. Pas studimeve, kthehet në vendlindje, duke ushtruar për disa kohë profesionin e avokatit. Vokopolën e vizitonte shpesh, duke mbajtur ligjërata fetare e shkencore, për çka interesimi ishte tejet i madh edhe për gjithë rrethin, ngase mendimet e tij ishin diçka tjera, përtej predikimeve tradicionale. Aktivitetin e tij e orientoi në ato kahe që kishin vlera kombëtare, kur Shqipëria ende nuk dihej se a do të bëhej a të mos ishte më fare. Kështu, për afro njëzet vite më radhë, përkatësisht nga viti 1920-1939, veprimtari politike e tij ishte e pandërprerë, duke qenë shembull dhe promotor i atyre kurorëzimeve me sukses.

Pas ardhjes së komunizmit në pushtet, ai mbetet disa vite i pa punë. Pastaj do ta përjetoi edhe dhunën në kampet e komunizmit për 10 vjet me radhë. Duke qenë Ferit Vokopola zotërues i përkryer i disa gjuhëve të huaja të lindjes dhe të perëndimit, veçanërisht gjuhëve orientale, për  pesë vitet e fundit të jetës kryen punën e përkthyesit të dokumente nga osmanishte në Institutin e Historisë në Tiranë. Me punë e vet ai dëshmoi dijet politike, ekonomike, teologjike, poetike, filozofike dhe eseiste. Jetën e përmbylli në Durrës, si gjithë idealistët, i harruar nga të tjerët. Mbeti shembull i një urtaku, eruditi, mendjendrituri e zemër zjarrti, që gjithçka pati dhe diti i vuri në  shërbim të përparimit, forcimit të atdheut dhe kombit shqiptar.

  1. Biografia atdhetare

Në momentet kyçe të fatit të Shqipërisë, Feriti u dëshmua një përkushtues i pashoq, duke luajtur rol të rëndësishëm. Mbi të gjitha ai ishte njëri nga firmëtarët e aktit të Shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës më 1912, njëri ndër delegatë më të rinj, kur kishte vetëm 25 vjeç. E edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky Ferit stenografoi fjalimin historik të mbajtur nga Ismail Qemali.

Ndërsa nga përjetimet e shumta, që lidhen domosdoshmërisht me atdhetarinë e Vokopolës, mësojmë edhe nga gazeta “Përlindja e Shqypniës”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, (viti II, nr. 6-7. 30.I. e 1.II.1914, f.8), për ditët e vështira në shpallje të Pavarësisë, duke kujtuar: “I ndjeri Nebi Sefa, para se të nisesh për Kavajë më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë pesë vetësh për t’i liruar, dhe i liruam për të shkuar drejt Vlorës…”

Kur ndryshimet politike dhe po ashtu qeveritare më 1914 u bënë një fakt i kohës, kur do të formohet edhe Qeveria e Durrësit, Feriti ishte zgjedhur në Ministrinë e Bujqësisë. Në postin e ministrit të Bujqësisë në qeverinë shqiptare ai qëndroi nga data 26.X.1927 deri më 10.V.1928.

Por aktiviteti I tij nuk mbaron këtu. Ai  për asnjë moment nuk u shkëput nga fati i atdheut dhe nga organizimi i kundërshtimeve ndaj synimeve antishqiptare të manifestuara në vijimësi. Për të kundërshtuar hegjemonizmin ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar, u mbajt Kongresi historik i Lushnjës, ku Feriti sërish shkëlqeu, në organizimin dhe mbajtjen e fjalës hyrëse. Madje, i frymëzuar nga kjo ngjarje, krijoi poezinë për Himnin e Kongresit, me vargje të zgjedhura plot muzikalitet, i cili pati një jetëgjatësi shekullore.

Aktivitetet e tij politike e atdhetare i vijon me pjesëmarrjen për gjatë kohë në Parlamentin shqiptar, fillimisht si deputet i Vlorës (1920 -1928) dhe pataj deputet i Beratit (1928-1939). Ai, duke qenë njohës i mirë i legjislacionit, kishte hartuar ligjet kryesore të Parlamentit gjatë të viteve ‘20-‘30. Në krye me Feritin, deputetët kishin përgatitur dhe miratuar Kodin Civil gjatë viteve ’30, si misma më e domosdoshme për zhvillimin e vendit.

Meritat e tij u lanë në harresë, por kujtesa e atdhetarëve e ruajti gojarisht veprimtarinë e denjë dhe punën madhështore, që ishte bazamenti i formimit dhe jetës së shtetit ligjor shqiptar.

  1. Biografia intelektuale, shkencore dhe poetike

Veç angazhimeve të përhershme dhe me përgjegjësira, Feriti u angazhua edhe në organizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e reformuar atë në drejtim të mbarë, me premisa bazore kombëtare, për njëzetë vjet rresht. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në vitin 1939, Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrative. Për ta bërë më aktuale këtë reformacion të arrirë, ai, më 1940, themeloi organizatën “Drita Hyjnore”, ku veç tjerash shpreheshim mendime, debate dhe botoheshin pastaj shkrime të natyrës shkencore, letrare e filozofike në organin e saj, përkatësisht në revistën “Njeriu”, të cilën e nxori në Tiranë nga korriku 1942 e deri në qershorin e 1944, me gjithsej 27 numra. Ajo revistë u bë tribunë e mendimit të lirë dhe shumëdimensional, duke arrirë nivele të lakmueshme me botimpn e punimeve artistiko-letrar por edhe të natyrës shkencore. Mu për këtë aty hasën shkrimet e penave të shquara të kohës, disa nga të cilët mbetën edhe më tej në aktualizimin e interesimeve të lexuesve, si të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mit’hat Frashërit, Mustafa Greblleshit, Jup Kastratit e tjerë .

Feriti ishte njohës i mirë i arabishtes, osmanishtes, turqishtes por edhe i frëngjishtes, duke e dëshmuar këtë dije me botimet e disa shkrimeve në të trija gjuhët.

Punën e përkushtuar në shqipërimin e Kur’anit ai e bëri gjatë përjetimit të vetmisë në mbajtjen e dënimit me burgim dhjetëvjeçar nga sistemi i monist, që i kishte mbetur në dorëshkrim.

Nëse lexohen shkrimet e tij në periodikun e kohës, do të shihet gama e interesimeve intelektuale të tij, ku trajtohen tema ndër më të ndryshmet, si të natyrës filozofike, sociologjike, politike, poetike e tjerë. Ja vetëm disa tituj të atyre shkrimeve për të kuptuar atë gamë interesimesh: ”Të rinjtë e sotshëm, si mejtojnë dhe kujt i mbesojnë”, “Rëndësia e martesës”, “Vuajtjet e jetës dhe zëri i shpëtimit”, “Ku shkon njerëzimi”, e tjerë.

Në poezi ai dëshmoi për një talent të lindur artistik, por që nuk pati kohë t’i kushtojë përkushtim, kur dihen angazhimet e shumanshme. Disa nga këto poezi kishin motive fetare, por që kthenin interesimin kah aktualiteti i përditshmërisë dhe, mbi të gjitha, reflektonte talenti i shprehur përmes këtyre vargjeve. Ja vetëm titujt të disave nga ato: “Gjëmimi i Tomorrit” poemë me 148 strofa, “Njeriu i përsosur”, “Sureja e Agimit”, “Lum ai që e kupton”, “Një kohë më thoshte”, “E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e njeriut”, “Madhështia e gjithësisë”, “Mbarështimi i gjithësisë”, “Zgjohu o njeri”, e tjerë. Në poezinë 400 vargëshe “Fluturimet e shpirtit” autori shpreh dhembjen për humbjet njerëzore gjatë Luftës së Parë Botërore, ku thuhej:

Ti francez, unë gjerman

Unë inglez, ti italian.

Sllav e belgas-muslimanë,

Pse të vriten? një brum janë.

 

Zot i madh! Ti mos duro,

Të shfaroset njerëzia.

Zjarrm e luftës e qëndro

Lësho drit nga dashurija.

Për vlerat e saj, dëshmon edhe e dhëna kjo poezi përkthehet në italisht më 1925 dhe zë vendin e parë në një konkurs të atij viti.

Ajo që e bëri të dashur dhe që dëshmoi talent dhe aktualitet bashkë, është poezia për himnin e Kongresit të Lushnjës, i frymëzuar nga ajo ngjarje madhore kombëtare, në të cilën ishte i përfshirë edhe ai vetë. Po e japim në tërësi këtë poezi, pasi që është edhe i gjithë programi i Kongresit:

Himni i Kongresit të Lushnjës

Shpresa humbi, atdheu ty po të thërret

Të shpëtosh nga kjo natë

Bëhu i zoti në do të rrosh në jetë

Armikut jepi datë.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

Shqipëria lidhi besë.

Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell

Për ty, o i larti Kongres.

 

Me sa humbet drejtësia

Aq shuhet shpresa jonë

Nuk pushtohet tokë e Kastriotit

Trimërinë e ka zakon.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

…………………………………………………..………

Në të varet shpresë e Kombit Shqiptar

Në statutin tënd të shtrenjtë

Çliro tokat e Shqipërisë sa më parë

Bashko atdheun e shenjtë.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

……………………………………………………..

Sikur tym e flakë të dal nga faqe e dheut

Shkrepëtim të bjerë e flakë

Bëj detyrën që ke kundrejt atdheut,

Mos kurse as shpirt as gjak.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

Edhe pse ende nuk është thënë e gjitha për veprimtarinë shkencore e poetike të këtij personaliteti, duhet thënë edhe një e vërtetët se ai ishte autor i tri vëllime poetike, të botuara sa ishte gjallë: “Fluturimet e shpirtit” më 1919,. “Symbyllazi me ëndërrime” më 1920 dhe “Gjëmimet e Tomorrit” më 1942.

Ai, madje edhe në revistën “Zani i Naltë” që nisi botimin më 1923, pat botuar disa poezi me frymë mistike e fetare, që reflektonin një talent dhe shprehje të pasura gjuhësore. Po ashtu ai bashkëpunoi edhe me të përkohshmen “Diturija Islame” të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok