PËRSHËNDETJA E SHKRIMTARIT… – SHOQATA “BIJTË E SHQIPES” –
Përshëndetja e shkrimtarit
të mirënjohur z. Visar Zhiti
me rastin e përurimit të qendrës së re
në Filadelfia:
I dashur Kryetar i shoqatës
“Bijtë e Shqipes”, Dritan Matraku,
të dashur antarë-shqiponja,
të pranishëm të gjithë!
Jemi të gëzuar që sot ju përuroni shtëpinë tuaj të re. Falenderoj nga zemra për ftesën, ndërkaq pranoni urimet e mia, vijnë si nga qielli si ne me avion. Gëzuar!
Shtëpia e Shqiptarit, – me Kanunin e lashtë, – është e Zotit dhe e mikut, edhe shtëpia juaj e re ashtu do të jetë, por dhe e kulturës tonë dhe e gjuhës shqipe, e ardhmërisë…
Shoqata juaj shqiptaro-amerikane ka emrin e bukur “Bijtë e Shqipes” dhe mua më kujtohet ajo çfarë na tha Papa Françesku, kur vizitoi Shqipërinë: të fluturoni lart si shqiponjat, por mos harroni folenë dhe plagët!
Porosi e Shenjtë. Dhe ju si Bijtë e Shqipes këtë po bëni. Të duam dheun amë dhe të mos harrojmë të kaluarën e vuajtur të popullit tonë.
Plagët janë si foletë e kujtesës…
Shtëpia juaj është në zemër të Amerikës, ku shërben dhe për integrimin e shqiptarëve, SHBA është aleati jetik i Kombit tonë, i dy shteteve tona në Ballkan, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Ju, Bijtë e Shqipes, si shqiptaro-amerikanë të vërtetë, në shtëpinë tuaj të re do të bëni më shumë dhe më bukur për të gjithë ne.
Suksese plot dhe gëzime!
Me dashuri,
Visar Zhiti
Chicago, 13 tetor 2024
Publikim i Shoqatës Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia.