30/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

S’ndjehej mirë. I ishte prishur qetsia. I merreshin mentë. I vinte bota rrotull.

Iku te një pyll jashtë qytetit. U mbush me frymë. U lehtësua. Por jo plotësisht.

Vajti te një zabel për të dëgjuar ca cicërima zogjsh. I dëgjoi. U kënaq. Mirpo oreksi për të tilla gjëra j’u shtua.

Priti pranverën. Me të ardhur pranvera vajti te një kopësht të madh me gjithfar aromash. U çvesh. U zhyt i tëri në aromat e kopështit. Edhe atje u kënaq. Por nuk u qetësua.

Po atë pranverë, një ditë kur shiu sapo kishte pushuar, iku u përmbys mbi një truall të shkrifët që nxirrte një si avull ose si mjegull që rrinte pezull. Pasi u deh nga avulli dhe u mrekullua nga mjegulla e tokës pas shiut, ndjeu një boshllëk të thellë në gjoks. Kuptoi se për për tu ndjerë deridiku i qetë, mbushja e gjoksit me ajër të pastër, cicërrimat, aromat e pyllit, afshi i dherit pas shiut, janë kushte të nevojshme por jo të mjaftueshme.

Çfarë i mungonte për tu qetësuar ? Çfarë duhej të bënte për tu rehatuar ?

I vajti mendja te endorfina e jetës, mbretëresha e qetësisë dhe ëmbëlsisë, shëruesja e të gjitha sëmundjeve – puthja.

Duke u endur për të gjetur puthjen, takoi një hallo të thyer në moshë me të cilën kishte vite pa u parë. S’e zgjati. E puthi hallon në faqe. I pangopur, i pakënaqur, edhe më tepër i shqetësuar, iku duke e lënë hallon e vjetër të habitur me dorën në faqen ku e kishte puthur.

Puthja e pasusksesëshme me hallon e harruar i solli ndër ment kushuririn e largët dhe të egër të puthjes, kafshimin. Kafshoi një copë mish. Asnjë lehtësim.

Mos e mora me ngut, tha. Pa të provoj çupën e xhaxhait të kafshimit, lëpirjen.

Lëpirja e një pjate me lëng mishi, i doli edhe më e paefektshme se kafshimi.

Pasi u mendua thellë, u bind se malli për kënaqësitë e vogla, për butësitë e natyrshme, ëmbëlsitë e thjeshta, ato pa të cilat përditshmëria bëhet skëterrë, nuk mund të ishin të plota pa prekjen.

Mirpo prekjet janë të shumllojshme. Cila prekje i mungonte ?

I vajti mendja te prekja e muskujve, masazhi.

Bëri masazh te Doktori. Pastaj te kinezi. Prekja e tyre e pati një farë efekti qetsues. Por të dobët. Tepër larg prekjes së vërtetë, asaj që të shkakton mornica.

Cila është prekja që të shkakton mornica ?

Rrahja e vetes bam e bam me kopaçe në kurriz, j’u duk fyese për natyrën e tij të butë.

U mendua për ndonjë rrugzgjidhje për qetsim që t’i kishte brenda të gjitha: Mbushjen e gjoksit me ajër të pastër, cicërrimat, aromat e pyllit, afshin i dherit pas shiut, puthjen, prekjen, kafshimin, masazhin, lëpirjen, rrahjen.

A ekziston një mënyrë e tillë ?

Po, ekziston.

Është Përqafimi.

Përqafimi i vërtetë. Përqafimi me dëshirë, me qef, me afsh. Përqafimi që nuk harrohet kurrë. Përqafimi që bëhen në errësirë. Përqafimi që ndal kohën, zhduk gravitacionin, gris qiellin, err yjet.

Prit e prit. Përqafimi s’vinte.

Meqënse përqafimi s’vjen te unë, tha, do vete unë te përqafimi.

U nis ta gjente përqafimin e vërtetë.

S’la vënd pa e kërkuar.

Kur pasi kishte humbur çdo shpresë se një ditë përqafimin do ta gjente dhe do ta përqafonte, një mbrëmje të ngrohtë gjatë një muzgu të magjishëm, përqafimi i doli para i përkulur në gjysëm errësirë. Nuk e zgjati. U mbush me frymë. Hapi krahët. Mbylli sytë. E përqafoi përqafimin me gjith shpirt. U kënaq pafund. Hapi sytë. Kishte përqafuar një shtyllë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok