25/12/2024

PERIKOPEA E UNGJILLIT TE SHEN MATTEO SHKRUAR NE GJUHEN SHQIPE (SHEKULLI XIII – XIV)

0
u6_p-Perikopea-te-shekXIIIXIV

Nga Lutfi ALIA

Shkrimet më të herëshme në gjuhën shqipe nuk i përkasin krijimtarisë letrare, por perkthimeve të Ungjillit të perdorura nga priftërinjtë në shërbimet litugjike. Shkrimet e para janë realizuar nga klerikët, me alfabetin latin në trojet veriore, ku ushtronin aktivitet kishat katolike dhe me alfabetin grek në jug të trojeve arbërore, nën ndikimin e kishës bizantine – ortodokse, si dëshmohet me dy dorëshkrimet: formula e pagëzimit e vitit 1107 e shkruar me alfabetin latin dhe Perikopea e shekullit XIII – XIV, e shkruar me alfabetin grek.

Shkrimi më i vjetër në shqip është i vitit 1107, i përfshirë në veprën në latinisht Ashburnham 1107, në Biblioteken Medicea Laurentiana – Firenze, është formula e pagëzimit (të pagëzonj për emërt t’atit spertit senjt). (Nicolae Jorga. Notes et extraits pour servir à l’Histoire des croisades au XVe siècle. Bucarest, 1915, f. 195). Prof. Mario Roques, historian i letersisë mesjetare, thekson se formula e pagëzimit në gjuhën albaneze është shkruar në Durrës. (Romani de Paris, Nr. 205- 206, Janvier-Avril 1926, f. 162-164).

Shkrimi me i vjetër shqip me alfabet grek është Perikopea e shekullit XIII – XIV, ku është një fragment me disa fraza të marra nga Ungjilli i Shen Matteo. Ky dorëshkrim ndodhet ne Bibliotekën Ambrosiana në Milano. (Giuseppe Schiro Junior. Storia della litteratura albanese. Nuova Accademia Editrice. 1959, f. 69 – 72)

Në shekujt XV – XVIII, shkrimet fetare në gjuhën arbërore u shtuan, me përkthime të Ungjillit, me meshare,  me katekizma dhe poezi fetare dedikuara shenjëtorëve, kesisoj literatura fetare në latinishte dhe në greqishte, u kapërcye me  shkrime ne gjuhen amëtare, njëlloj si ndodhi me popujt e tjerë europiane. Duke e krahasuar periudhën kohore të dy doreshkrimeve të hereshme në gjuhë shqipe, me shkrimet e vendeve të tjera europiane, gjejmë përafersi kohore, çka tregojnë se Albania ishte pjesë integrale e Europes perëndimore. Shkrimet e para në gjuhen angleze janë të viteve 449 – 1100 (tekste agiografike, përkthime të bibles, poema epike, kronika historike); në gjuhën vulgare italiane i perkasin vitit 960, ndërsa pas vitit 1200, filluan shkrimet letrare në italishte, që zevendesoi latinishten; gjuha gjermane në vitet 750 dhe 1050; sllovenishtja në fund te shekullit X, gjuha portogeze në shekullin e XII, hungarishtja në shekullin XI, gjuhët kroate dhe polake dokumentohen në shekullin XIV, rumanishtja dokumentohet e shkruar në vitin 1521; letonishtia me një katekizëm të vitit 1585; lituanishtja në vitin 1545 në përkthimin nga latinishtja të një himni; finlandishtja e shkruar për herë të parë në shekullin XVI; sllovakishtja ne vitin 1636, etj.

Arbërit e trojeve jugore kishin përqafuar kishën bizantine – ortodokse dhe si kuptohet ritet zhvilloheshin në gjuhën greke, por dhe në gjuhën shqipe, pa çka se kemi pak dëshmi. Të mos harrojmë se kishte arbëror që shkruanin në gjuhën e tyre, ashtu si shkruanin në gjuhën greke si rasti i arvanitit Nikola Masarites në shekullin XII, shkrimtar i shquar, që shkruajti në greqisht për “Varrin e Shenjtë në Jerusalem” dhe per Apostujt e Shenjtë të Kostantinopolit (August Heisenberg. Die Grebeskirche und Apostelkirche zwei Basiliken Konstantins, Leipzig C. Hinrichs 1908). Masarrites është autori i poemës dedikuar Shen Pietrit dhe Shen Palit (G. Schirò. Atti Istituto Veneto 1957). Historiani Giovanni Cantacuzeno dëshmon se Nikola Masarites ishte albanez. (Nicolae Jorga. Medaillons d histoire littéraire byzantine, I. Les historiens, in «BYZ», II, 1925, f. 292).

Shkrimi më i hershëm shqip me germa greke është një fragment i Perkopea sipas Ungjillit të Shen Matteo (latinisht Pericope, me origjine nga greqishtja: περικοπή, nga περικόπτω: περι – rreth dhe κόπτω – me prere, pra perkufizon një shkurtimore teksti). Si shprehet Giuseppe Schirò Junior në “Storia della litteratura albanese. Nuova Accademia Editrice. 1959, f. 69 – 72”, ky shkrim në gjuhën tonë është burimi i një lumi, pasi kishte rrjedhur në errësirë prej mijëra vitesh, doli në dritë në një pergamenë, e ruajtur në Kodin Ambrosian 133, f. 63 (Catalogus Codicus Grecorum Bibliothecae Ambrosianae. Vol. 1. Digesserunt Aemidius Martini Et Dominicus Bassi. Milano. Febbraio 2010).

Teksti ështe në dhjetë rrjeshta, i shkruar nga një klerik i trojeve jugore të Albanisë, është përkthimi në gjuhën shqipe i një fragmenti nga Ungjilli i Shen Matteo (XXVII, 62 – 66), por i shkruar me grafema të alfabetit grek. Kleriku arbëror (prift, apo murg), duke ndjekur kriteret e “Typikòn”, pjesën e tekstit të Ungjillit të Matteo e perktheu në gjuhën shqipe, me qellim që kur ta lexonin në kishë, do ta shqiptonin në gjuhën shqipe dhe të kuptohej nga besimtarët.

Është tekst i shkurtër, por me rëndësi të madhe në historinë e gjuhës dhe kulturës arbërore.

Zbulimi i këtij teksti nxiti interesin e shumë gjuhëtarëve, glotologëve, fillologëve, historianëve, etnografëve dhe paleografëve për të përcaktuar periudhën kohore kur ishte shkruar. Bazuar në aspektet grafike, tipin e pergamenës dhe karakteristikat e shprehjes, paleografët kanë konkluduar se pjesa e tekstit në gjuhën shqipe është shkruar në gjysmën e dytë të shekullit XIII, ose e shumta në gjysmën e parë të shekullit XIV.

At Justin Rrota, duke analizuar pjesë të “Pericopea Evangelica”, thekson: “Ekziston një traditë shumë e vjetër – ad immemorabili (sa nuk mbahet mend), se pas liturgjisë në gjuhën latine, mesha vazhdonte me leximin e ungjillit në gjuhen vernikolare (gjuha e popullit, gjuha albaneze). Kjo traditëe më pas u ruajt vetëm në meshat e Pashkeëve. (Justin Rrota. Shkrimtari me i vjeter italo-arberesh, Luke Matrenga 1592. Botimi I 1932, botimi II me 1939)

Murgu arberesh Nilo Borgia (Borshi), duke analizuar Pericopea Evangelica, në studimin e botuar në vitin 1930 thekson: “Bazuar në analizën e kujdesshme dhe krahasuese të grafemave, ky shkrim në gjuhën albaneze është i njekohëshme me Pericopean dhe jo i shekullit XV – XVI, si thonë disa studiues.” (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930).

Ky shkrim verteton se gjuha albanese në shekujt XII – XIV, shkruhej në të dy dialektet kryesore dhe me dy alfabetet, klerikët katolikë shkruanin me grafema latine dhe ata ortodoksë me grafema greke, pra dëshmohet se kultura albanese dhe jeta shpirtërore konfensionale e popullit tonë në trojet veriore ishte nën ndikimin e kulturës latine – katolike, ndërsa në trojet jugore nën ndikimin e kultures bizantine – ortodokse.

Transkriptimi në shqip i shkrimit, fillimisht u bë me nxitim dhe pa kujdes. Paleografët nuk i kushtuan vemendje respektimit të normave filologjik që sugjerojnë kujdes maksimal në respektimin e interpretimit te dorëshkrimeve të tipit scripta continua si është shkruar teksti i Perikopea, andaj dhe glotologët u keqinformuan për përmbajtjen e tekstit. Për të shmangur gabimet dhe interpretimet jo të sakta të më parëshme, G. Schirò Junior e rilexoi tekstin dhe i ndau fjalët njera nga tjetra, kësisoj çdo shprehje grafike në shkrimin me germa greke, i dha kuptimin shqip, duke shtuar në kllapa germat shtesë të alfabetit shqip, për të cilat mungonte tingulli përkatës në gjuhën greke dhe që skriba arbëror nuk mund t’i shprehte në këtë dorëshkrim.

Schirò konstaton se prifti që e ka përkthyer këte paragraf, nuk i ka qendruar besnik versionit të Matteo, por ka bërë përkthim të lirë, madje në ndonjë pjesë i kapërcen disa fjalë, ose i ndyshon, andaj ka ndyshime me Ungjijt e tjerë. Keshtu p.sh vizitën e priftërinjëve dhe të Farisejve te Ponco Pilati, prefekti i Xhiudea, e vendos pak a shumë në të njejtën orë, kur Xhiusepe Arimatea shkon te Pilati për të kërkuar lejen e varrimit të Jezu Krishtit, pra në mbrëmjen e ditës ë premte, duke shtuar një epitet për Pilatin “Shumë i larti Zotëri” (vargu 4), e kapërcen zgjatjen e varrimit të vendosur nga roja i varrezës “deri në ditën e tretë”, e ndryshon në përkthim shprehjen “gabimi i fundit, është më i keq se i pari”, e shkurton frazën e fundit të shkruar nga Matteo, duke e shprehur keq në gjuhën emëtare “mbyllja me gurin nga roja”, andaj frazën e vendos në kllapa, duke vepruar si në shkrimet e terminologjisë Helene.

Në anën e pasme të njejtës faqe të Kodit Ambrosian ku ishte shkruar fragmenti i Perikopea Ungjillore, është shkruar dhe përkthimi i një strofe celebrative e Ringjalljes të Krishtit, e njohur si kenga e Ringjalljes shumë e përhapur në kishën greke, e kënduar në ditët e Pashkëve, deri në fund të periudhës të Pentekoste.

Edhe kjo strofe i perket te njejtes kohe kur eshte shkruar Perikopea Ungjillore, eshte shkrim me kaligrafi te njejte si i pari, pra është shkruar nga i njejti klerik skriba, sigurisht e përkthyer ne gjuhen shqipe po nga i njejti prift. Megjithatë, thekson Schirò, varjanti në shqip është me tradicional, pasi kendohet masivisht në kishat arbërore. Ky aspekt shihet nga shkruesi i dorëshkrimit, i cili duke e përkthyer nga greqishtja dhe duke e shkruar tekstin shqip me germa greke, për ta përshtatur tekstin me melodinë, i ka shkruar vargjet me tre rrokje më pak, kështu vargun me tridhjetë rrokje që është në greqishte e ka shkruar me njëzet e tre rrokje në gjuhën shqipe.

Këngët kishtare këndoheshin nga besimtarët në kishat arbërore, madje albanezët që emigruan në Itali, kur u vendosen në trojet e reja, i ruajtën traditat, besimin katolik dhe ortodoks, madje në shumë komuna, banorët flasin gjuhën e të parëve, arbërishten. Në vitin 1866, gjatë një vizite në komunën Roccaforzata në Provincën e Taranto në Pulia, një historian takoi një arbëreshe të moshuar ortodokse, e cila këndonte disa këngë në gjuhën shqipe, mes tyre dhe këngë kishtare. Ajo i deklaroi hitorianit italian, se këto kenge i kemi sjell nga vendlindja dhe prej 400 vitesh i këndojmë në kishë, në çdo festë dhe kremtime familjare ose kolektive. Njera prej tyre ishte kënga e Shen Lazarit, të cilën pasi e degjoi disa herë, historiani e transkriptoi dhe e botoi.

Këtë tekst këngë po e prezantoj në vazhdim:

O Zoti, madhe Zoti

Se ka deka Lazarini

E Zoti nenja gjender

Vemmi Eklishi

E shohu Lazarini

E thirti Lazari ngridu

E Lazari ngridi uperbissi

neng pavi, neng favi

neng keshi.

Transkriptimi në shqipen e sotme:

O Zot, i madhi Zot

Ka vdekur Lazari

E Zot aty u gjende

Shkoi ne Kishe

Te shohi Lazarin

E thirri Lazar ngrihu

Dhe Lazari u ngrijt ne gjunje

Nuk shihte, nuk fliste, nuk qeshte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok